“Ordinancat e Tempullit Bashkojnë, Lidhin e Vulosin”, Liahona, shtator 2025.
Këndvështrime Historike mbi Shtëpinë e Zotit
Ordinancat e Tempullit Bashkojnë, Lidhin e Vulosin
Historia e punës në tempull në ditët e mëvonshme tregon entuziazëm dhe zbulesë rresht pas rreshti për pagëzimet me mëkëmbës për të vdekurit.
Ilustrimi nga Dan Burr
Betsi King Dazeti u fut në ujin e akullt të lumit Misisipi. E veja 58‑vjeçare dhe e kthyer në besim nga Konektikati, u pagëzua në atë kohë për ungjit e saj, vjehrrën e saj dhe njerkun e bashkëshortit të saj.
Profeti Jozef Smith kohët e fundit u kishte dhënë mësim shenjtorëve, në gusht 1840, rreth doktrinës së pagëzimit për të vdekurit. Në entuziazëm, ata kryen pagëzime në lumë, duke qenë se Tempulli i Navusë nuk kishte përfunduar. Gratë u pagëzuan për burrat dhe burrat për gratë. Megjithatë, Zoti shpejt i zbuloi Jozef Smithit se pagëzimet për paraardhësit e vdekur duhet të bëhen në tempuj të përkushtuar (shihni te Doktrina e Besëlidhje 124:28–35). Dhe në vitin 1845, Brigam Jangu njoftoi se gratë duhet të pagëzohen për gratë dhe burrat për burrat.
Bashkëshorti i Betsit, Filemon Dazeti, kishte vdekur gjashtë vjet më parë. Plot guxim, ajo u fut në ujërat e ftohtë që të pagëzohej për të afërmit e tij të vdekur sikurse edhe të vetët. Kjo përfshiu pagëzimin për njerkun e Filemonit, Xhesi Pizin, i cili kishte vdekur 50 vjet më parë, kur Betsi ishte një vajzë e vogël. Ajo mund të mos e ketë takuar kurrë, por kishte gjasa që dinte për të dhe i dinte emrin dhe lidhjen e tij familjare me Filemonin dhe nënën e tij, Marta Uingun. Betsi e kishte njohur Martën kur ajo ishte gjallë.
Betsi u pagëzua si mëkëmbëse për Xhesin pothuajse menjëherë pas zbulesave mbi pagëzimin për të vdekurit. Ajo dhe bashkëshorti i saj ia vunë emrin Xhesi njërit prej fëmijëve të tyre. Babai biologjik i Filemonit, gjithashtu i quajtur Filemon, vdiq kur ai ishte foshnjë dhe Xhesi Pizi u bë njerku i tij kur Filemoni ishte tre vjeç dhe e ndihmoi Martën që ta rriste atë.
Pasja e njerkut apo njerkës si prind ishte diçka e zakonshme në Amerikën e shekullit të tetëmbëdhjetë dhe të nëntëmbëdhjetë. Shkalla e lartë e vdekshmërisë dhe shkalla e lartë e rimartesave do të thoshte që shumë njerëz jetonin në familje me njerkun apo njerkën, ose në familje të përziera. Prandaj lidhjet e familjeve Dazet dhe Piz ishin rindërtuar dy herë: një herë kur nëna e Filemonit u martua me Xhesi Pizin dhe herën e dytë nëpërmjet pagëzimeve për të vdekurit.
Skicë e vaskës së pagëzimit në Tempullin origjinal të Navusë
Shëlbimi i Njerëzve të Dashur
Pagëzimi me mëkëmbës i bashkoi ato lidhje të vdekshmërisë në një mënyrë që do të duronte për përjetësinë. Sikurse shkroi Jozef Smithi, pagëzimi për të vdekurit është një “lidhje bashkëngjitëse” që i lidh të gjallët me të vdekurit, “sepse ne pa ta nuk mund të bëhemi të përsosur; as ata pa ne nuk mund të bëhen të përsosur” (Doktrina e Besëlidhje 128:18).
Jozef Smithi dha mësim se pa këtë lidhje bashkëngjitëse, toka do të goditej me një mallkim, diçka që do ta kthente tokën në diçka pa vlerë, të krijuar pa asnjë qëllim (shihni te Doktrina e Besëlidhje 128:17–18). Kundrejt kësaj shpalljeje ligështuese ishte zbulesa e lavdishme e Jozefit rreth një fuqie për të lidhur së bashku të gjithë fëmijët e Perëndisë për përjetësinë.
Përveç rëndësisë së ordinancave me mëkëmbës në emër të pjesëtarëve të vdekur të familjes, Jozefi theksoi se edhe të gjallët përfitonin: “Dhe tani, vëllezërit dhe motrat e mia shumë të dashura, më lini t’ju siguroj se këto janë parime në lidhje me të vdekurit dhe të gjallët, të cilat nuk duhet të kalohen me lehtësi, përsa i përket shpëtimit tonë” (Doktrina e Besëlidhje 128:15).
Këto zbulesa ishin thellësisht vetjake për Jozef Smithin. Vëllai i tij më i madh, Alvini, kishte vdekur në vitin 1823 dhe Jozefi e ndjeu atë humbje në jetën e vet. Në zbulesën e vitit 1836, Jozefi pati një vegim për “mbretërinë çelestiale të Perëndisë dhe lavdinë e saj” dhe “bukurinë e pamasë të portës” dhe “rrugët e bukura të asaj mbretërie”. Në mes të këtij vegimi të madhërishëm rreth mbretërisë çelestiale, ai pa edhe pjesëtarë individualë të familjes që i njihte dhe i donte, përfshirë vëllanë e tij, Alvinin. Ai u “mahnit” që Alvini, i cili nuk ishte pagëzuar kurrë, ishte një trashëgimtar i “mbretëri[s]ë çelestiale të Perëndisë”. (Shihni te Doktrina e Besëlidhje 137:1–6.)
Përpara Krijimit të Botës
Lidhja midis njerëzve të dashur, të gjallë e të vdekur, demonstron shkallën e madhërishme të shpëtimit njerëzor, pasi ata që “vd[es]in pa një njohje të ungjillit” (Doktrina e Besëlidhje 128:5) njihen dhe një shteg për shëlbimin e tyre u sigurua përpara se të vinin në tokë. Njëmend, pagëzimi për të vdekurit u krijua për “shpëtimin [tonë] që përpara krijimit të botës” (Doktrina e Besëlidhje 128:8). Zbulesat rreth pagëzimit për të vdekurit u pasuan nga zbulesa të mëvonshme rreth ordinancave vulosëse. Vulosja e fëmijëve te prindërit u bë një ordinancë kulmore që siguroi lidhjet për çdo njeri që jetoi ndonjëherë (shihni te Doktrina e Besëlidhje 138:47–48).
Në një bisedë të bukur në konferencën e përgjithshme të prillit 2018, Plaku Dejll G. Renland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, përshkroi fuqinë e këtyre lidhjeve vulosëse:
“Perëndia, në aftësinë e Tij të pafundme, vulos dhe shëron individë e familje pavarësisht nga tragjedia, humbja dhe vështirësia. …
… Nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, Jezu Krishti i ofron këto bekime për të gjithë, si për të vdekurit edhe për të gjallët.”
Ashtu si Betsi King Dazeti besoi dhe mirëbesoi kur u fut në lumin Misisipi në emër të njerkut të bashkëshortit të saj, ne, që të gjithë, mund të bashkohemi, vulosemi, lidhemi dhe bashkëngjitemi së bashku përjetësisht.