2025
Një Letër drejtuar Atyre që e Kanë të Vështirë të Falin
Korrik 2025


“Një Letër drejtuar Atyre që e Kanë të Vështirë të Falin”, Liahona, korrik 2025.

Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore

Një Letër drejtuar Atyre që e Kanë të Vështirë të Falin

Më kanë lënduar më parë dhe m’u desh të mësoja se si të falja.

grua duke mbajtur një zemër

I dashur mik,

Të ndihesh i lënduar ose i fyer duket se është një përvojë universale. Njerëzit përreth nesh shpesh thonë ose bëjnë gjëra që na bëjnë të ndihemi të zemëruar, të shpërfillur, të ofenduar, të nënçmuar ose të pavlerësuar.

Shumë vjet më parë u lëndova nga dikush në kishë. Isha e zemëruar dhe e mërzitur dhe doja që ai person të kërkonte falje, por personi nuk e bëri kurrë këtë gjë. U përpoqa të harroja atë që kishte ndodhur, duke menduar se dhembja dhe zemërimi që ndieja thjesht do të largoheshin.

Por ato ndjenja zemërimi i mbajta me vete për disa vjet. Inati që ndieja ndaj këtij personi nuk ikte që nuk ikte.

Një ditë po flisja me një shoqe për këtë situatë. Një mendim erdhi në zemrën time:

Fal.

Shpirti po më nxiste ta falja këtë person për të cilin po mbaja kaq shumë zemërim. U habita.

Si duhej ta falja këtë person? Unë isha ajo që ishte lënduar, kështu që meritoja të më kërkohej falje, apo jo?

Jam ndeshur me këtë nxitje për një kohë të gjatë. Megjithatë, përsiata shembullin e Shpëtimtarit tim dhe mësimet e Tij rreth faljes:

“Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve;

Por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ua falë juve gabimet tuaja” (Mateu 6:14–15).

Madje edhe në kryq, Shpëtimtari iu përgjërua Atit që t’i falte ushtarët të cilët e kryqëzuan Atë (shihni te Lluka 23:34).

Më kujtohet gjithashtu ftesa e Presidentit Nelson për të “ushtr[uar] përulësinë, guximin dhe forcën që duhet edhe për të falur, edhe për të kërkuar falje. …

… Nëse falja në të tashmen duket e pamundur, përgjërohuni për fuqi nëpërmjet gjakut shlyes të Jezu Krishtit që t’ju ndihmojë.”

Me të gjitha këto në mendje, u luta shumë. Iu luta Atit tim Qiellor, duke i thënë: “Nëse është vullneti Yt që ta fal këtë person, hapi dyert dhe më ndihmo ta realizoj, sepse nuk kam forcë ta bëj vetë”.

Të nesërmen në kishë e gjeta veten ballë për ballë me personin që më kishte lënduar. E udhëhequr nga Shpirti, ndjeva se duhet t’i kërkoja personit falje. Kërkova falje që me raste nuk kisha qenë një shoqe e mirë dhe e pyeta nëse mund të më falte. Personi më fali dhe në këmbim më kërkoi falje për atë që kishte bërë. E fala.

U largova e lehtësuar nga ajo përvojë. Ndjenjat e mia të lënduara nuk u larguan menjëherë, por u ndjeva më mirë. Isha e lirë nga dhembja dhe pikëllimi që më kishin pllakosur për kaq shumë kohë. Mund të ecja përpara në paqe.

Ndonjëherë mund të na duket e pamundur të falim. Por mbajtja e zemërimit vetëm sa na lëndon më tej. Ati Qiellor nuk do që ne të vazhdojmë të vuajmë dhembjen, pikëllimin dhe zemërimin që Jezusi e pagoi kaq shtrenjtë për ne që të çliroheshim. Për shkak se Ai na do, Ai dëshiron që ne të ndiejmë gëzim.

Miku im, të lutem ji i gatshëm të heqësh dorë nga barrët që po mban. Jepja ato Shpëtimtarit dhe lejoje dashurinë e Tij në jetën tënde. Mos zgjidh të vazhdosh në lëndim. Në vend të kësaj, zgjidh Atë.

Motra Kristin M. Ji, Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, dëshmoi: “Zoti na kërkon që të falim për të mirën tonë. Por Ai nuk na kërkon që ta bëjmë këtë pa ndihmën e Tij, pa dashurinë e Tij, pa mirëkuptimin e Tij. Nëpërmjet besëlidhjeve tona me Zotin, secili prej nesh mund të marrë fuqinë forcuese, udhërrëfimin dhe ndihmën që na nevojitet si për të falur edhe për t’u falur.”

Miku im i dashur, ty të duan shumë. Shtegu yt drejt faljes ndoshta nuk do t’i ngjasojë timit. Por për shkak se të gjithë ne jemi fëmijë të Perëndisë dhe Ai na do shumë, Ai do të kujdeset për secilin prej nesh, sipas nevojave tona individuale. Ai do të na tregojë udhën e shërimit, edhe do të duhet kohë.

Shpresoj që ti të synosh faljen për të cilin shpirti yt ka aq shumë nevojë. Shpresoj që fjalët e mia të kenë qenë të dobishme për ty, por më e rëndësishmja, shpresoj që Shpirti të të ketë dëshmuar për të vërtetën se Shpëtimtari mund të na sjellë paqe, lehtësim dhe plotësi.

Me dashuri,

Mikja jote