2025
Dashuria dhe Shqetësimi i Shpëtimtarit për Individin
Korrik 2025


“Dashuria dhe Shqetësimi i Shpëtimtarit për Individin”, Liahona, korrik 2025.

Dashuria dhe Shqetësimi i Shpëtimtarit për Individin

Neve na është kërkuar që ta duam dhe t’i shërbejmë njëri-tjetrit siç bën Jezu Krishti, një nga një.

ilustrim i një çifti duke i bërë vizitë një vëllai në shtëpinë e tij

Ilustrimi nga Alex Nabaum

Menjëherë pas pagëzimit tim në gusht të vitit 1984, dëgjova për një aktivitet zbavitës me muzikë dhe pjekje mishi në natyrë, jo shumë larg vendit ku jetoja në Kuekue të Zimbabvesë. Unë dhe miqtë e mi mezi prisnim të shkonim, por ishte të dielën. Miqtë e mi nuk ishin anëtarë të Kishës.

U thashë atyre: “Unë do të shkoj në kishë, por do të dal fshehurazi pas mbledhjes së sakramentit dhe do të vij me ju”.

Miqtë e mi, të cilët e dinin dobësinë time, thanë: “Nëse e bën këtë, do të jesh vonë. Kur të vish ti, mishi do të ketë mbaruar.”

Më duhej të merrja një vendim. Të shkoj në kishë apo te dreka me mish të pjekur? Zgjodha drekën, por të dielën në mëngjes mësova se ishte anuluar. Tashmë, ishte tepër vonë për të shkuar në kishë, kështu që qëndrova në dhomën time të vogël me qira.

Herët atë pasdite, dëgjova një zë: “A jeton Edi Dube këtu?”

Ishte presidenti im i degës, Xhon Njuboldi, me bashkëshorten e tij, Xhinin. Doja të fshihesha poshtë krevatit! Por para se të mund të bëja diçka, ata po qëndronin pranë perdes që ndante dhomën time nga pjesa tjetër e shtëpisë.

“O, Edi”, – thanë ata, – “na mori malli për ty sot në kishë.”

Biseduam për ca kohë dhe pasi ata u larguan, fjalët e tyre të mira, “Edi, na mori malli për ty”, vazhduan të më vinin në mendje. Jam mirënjohës për Xhon dhe Xhin Njuboldin. Që prej asaj dite, unë jam bekuar sepse ata më ndihmuan të kuptoj, në një mënyrë vetjake, dashurinë dhe shqetësimin e Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht për individin.

Një nga Një

Jezusi erdhi si një qenie e ringjallur te nefitët pasi Ai kishte qenë me Atin. Ai erdhi për të ngushëlluar njerëzit. Ai i ftoi ata me dashuri:

“Ngrihuni dhe ejani tek unë, që të mund të vini duart tuaja në anën time dhe gjithashtu të ndieni gjurmët e gozhdëve në duart e mia dhe në këmbët e mia, që ju të dini se unë jam Perëndia i Izraelit dhe Perëndia i tërë tokës dhe se u vrava për mëkatet e botës.

… Dhe këtë e bënë duke vajtur një nga një, derisa ata të gjithë shkuan përpara dhe panë me sytë e tyre dhe ndien me duart e tyre, dhe mësuan me siguri, dhe dëshmuan se ishte ai, për të cilin ishte shkruar nga profetët, se do të vinte” (3 Nefi 11:14–15; theksimi i shtuar).

Më vonë, Shpëtimtari i ftoi që të sillnin të gjithë ata që ishin të sëmurë, të lënduar apo “të prekur në ndonjë mënyrë … dhe ai i shëroi, secilin që sollën në prani të tij” (3 Nefi 17:7, 9; theksimi i shtuar). Më pas, Ai “i mori fëmijët e tyre të vegjël, një nga një, dhe i bekoi dhe iu lut Atit për ta” (3 Nefi 17:21; theksimi i shtuar).

Të përfytyrosh se atje qenë 2500 njerëz, është vërtet përulëse (shihni tek 3 Nefi 17:25). Duke qenë i lindur dhe i rritur në Afrikë, shpesh e përfytyroj Shpëtimtarin duke qëndruar në diellin e ndritshëm, në pritje për të shëruar, ngushëlluar, nxitur dhe treguar dashuri për të gjithë ata që erdhën tek Ai. Si dishepuj të Tij, neve na është kërkuar që t’u japim shërbesë njerëzve përreth nesh siç bën Ai, një nga një.

Shkoni me Besim

Presidenca e Shoqatës së Ndihmës ose e kuorumit të pleqve në lagjen ose degën tuaj, me miratimin e peshkopit apo presidentit të degës, ju kanë caktuar individë dhe familje të cilave t’u jepni shërbesë. Disa prej tyre ndoshta i njihni fare pak. Mund të ndiheni nervoz që t’u bëni vizitë, t’i merrni në telefonon apo edhe t’u dërgoni mesazhe me celular. Mund të shqetësoheni se ata nuk do t’ju mirëpresin në shtëpinë e tyre. Por udhëheqësit tuaj e kanë marrë parasysh me lutje se çfarë mund të thotë kjo detyrë për ju dhe bekimet që mund t’ju sjellë juve dhe familjeve të cilave u jepni shërbesë. Pra, shkoni me besim.

Disa vjet më parë, shkova me një president kunji në pjesën juglindore të Shteteve të Bashkuara për të vizituar disa familje përpara një konference kunji. Kur mbërritëm në një shtëpi, një burrë i veshur me rroba të vjetra erdhi drejt nesh.

“Çfarë doni?” – bërtiti ai. “Nuk dua që njerëzit të vijnë në shtëpinë time!”

U shqetësova kur sjellja e burrit u bë kërcënuese. Doja ta zija nga krahu presidentin e kunjit dhe të kthehesha me vrap drejt makinës. Por presidenti i kunjit ishte i qetë. “Na vjen keq”, – tha ai. “Menduam se peshkopi juaj ju kishte thënë se po vinim.”

Ndërsa ata flisnin, unë e ndjeva Shpirtin shumë fort. E mora guximin, iu afrova burrit dhe thashë: “I dashur vëlla, Presidenti Tomas S. Monson [ai ishte profeti në atë kohë] më ka dhënë detyrën të vij këtu. Jemi këtu për t’ju takuar. Unë ju sjell dashurinë e profetit.”

E pashë burrin në sy dhe vura re se po i dilnin lot. Filloi të na tregonte për sfidat e tij. Bashkëshortja e tij vuante nga depresioni. Sapo kishte humbur punën. Nuk kishte se me çfarë t’i ushqente fëmijët. Presidenti i kunjit e siguroi burrin se Kisha do ta ndihmonte atë dhe familjen e tij. Bëmë një bisedë të këndshme.

Disa javë më vonë, i kërkova presidentit të kunjit që të më përditësonte. Më tha se peshkopi i këtij vëllai dhe këshilli i lagjes po e ndihmonin, dhe se ai dhe bashkëshortja e tij, e cila nuk ishte anëtare e Kishës, filluan të takoheshin me misionarët.

Dhënia e shërbesës fillon kur ia zgjatim dorën të tjerëve me besim e dashuri. Ndërsa shkojmë me besim, duke mirëbesuar te Zoti, ne mund të kërkojmë zbulesë nga Ai në lidhje me planet dhe qëllimet e Tij për ndërveprimet tona me secilin prej fëmijëve të Tij. Ai do të na ndihmojë të dimë çfarë të themi e çfarë të bëjmë, dhe do të na udhërrëfejë për mënyrën se si të “mba[jmë] barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta”, “të vajto[jmë] me ata që vajtojnë; … dhe të ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen” (Mosia 18:8–9). Kur e bëjmë këtë, do të arrijmë të dimë se sa shumë Shpëtimtari vërtet e do individin.

Sa i Madh do të Jetë Gëzimi Juaj

Deri më sot, ende mbaj lidhje me Xhon dhe Xhin Njuboldin. Gjatë gjithë këtyre viteve, ndiej gëzim për dashurinë që më dhanë. Dhe ata kanë ndier gëzim duke më parë të përparoj në ungjill. Ja çfarë mund të ndodhë kur japim shërbesë – ne dhe ata të cilëve u shërbejmë bëhemi më të afërt me njëri‑tjetrin dhe lidhemi më shumë me Shpëtimtarin.

Shpëtimtari dha mësim se “vlera e shpirtrave është e madhe në sytë e Perëndisë. …

Dhe nëse është që ju duhet të punoni gjithë ditët tuaja për t’u shpallur pendim këtyre njerëzve dhe sillni qoftë edhe një shpirt tek unë, sa i madh do të jetë gëzimi juaj me të në mbretërinë e Atit tim!” (Doktrina e Besëlidhje 18:10, 15).

Nëse dhënia e shërbesës nuk ka qenë përparësi për ju, Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim se “ne të gjithë mund të bëjmë më mirë dhe të jemi më të mirë se kurrë më parë”. Ju ftoj të ndryshoni dhe të nisni një kapitull të ri. Premtoj se kur përfshiheni në dhënien e shërbesës, ju do të gjeni zgjidhje për sfidat me të cilat po përballeni aktualisht.

Premtimi i Shpëtimtarit është i vërtetë: “Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë” (Mateu 16:25).

Me ndihmën e Shpëtimtarit, ju mund të bëheni lloji i vëllait ose motrës shërbestare që Ai ka nevojë të jeni për të sjellë ndryshim në jetën e fëmijëve të Atit Qiellor – të secilit dhe çdonjërit individi të çmuar.