“T’u Japësh Shërbesë Njerëzve që Kanë Alergji prej Aromave”, Liahona, korrik 2025.
T’u Japësh Shërbesë Njerëzve që Kanë Alergji prej Aromave
Përshtatjet kërkojnë takt e dhembshuri nga të gjithë njerëzit e përfshirë.
Ilustrimet nga Elia Sampo
Ftesa e Shpëtimtarit tonë është që “të gjithë [ne] të vij[m]ë tek ai dhe të marri[m] pjesë në mirësinë e tij; dhe ai nuk ia mohon askujt që shkon tek ai” (2 Nefi 26:33). Një mënyrë e rëndësishme për të ardhur te Shpëtimtari është duke frekuentuar kishën dhe duke marrë pjesë në aktivitetet e kishës. Ndonjëherë frekuentimi i kishës mund të jetë një sfidë për arsye të ndryshme. Mund të jetë veçanërisht e vështirë për dikë që ka aftësi të kufizuar, alergji apo gjendje të tjera mjekësore.
Si dishepuj të Jezu Krishtit, ne duam që të gjithë njerëzit të ndihen të mirëpritur dhe të aftë për të frekuentuar kishën dhe aktivitetet. Për shembull, ne tregojmë konsideratën tonë për njerëzit që kanë alergji ushqimore duke e përgatitur sakramentin me variante që janë pa gluten. Kjo siguron një mënyrë që këta individë ta marrin sakramentin dhe të përtërijnë besëlidhjet e shenjta me Zotin.
Disa anëtarë e kanë të vështirë ta frekuentojnë kishën ose mbledhje të tjera publike për shkak të ndjeshmërisë ndaj aromave kimike të tilla si parfumet dhe kolonjat. Njerëzit që kanë gjendje të tilla si astmë, alergji ndaj aromave ose ndjeshmëri të shumëfishtë ndaj lëndëve kimike janë më të ndjeshëm ndaj aromave kimike dhe mund t’u bëjë reaksion. Ashtu si me alergjitë ushqimore, nuk mund ta dalloni se një person ka ndjeshmëri ndaj lëndëve kimike thjesht duke e parë. Si rrjedhojë, kjo gjendje shpesh anashkalohet, por ndikon shumë në aftësinë e atij personi për të kryer aktivitete normale të jetës.
Simptomat
Simptomat janë të ndryshme dhe mund të përfshijnë të përziera, marramendje, dhembje koke, lodhje, ankth, probleme me frymëmarrjen, dhembje në kraharor e fyt, dhe më shumë.
Simptomat variojnë nga të lehta deri në të rënda. Ndërkohë që një person mund të ketë dhembje koke që largohet pas disa orësh, një person tjetër mund të ketë një reaksion madhor që mund të zgjatë me ditë ose që përfundon me shtrim urgjent në spital.
Ndjeshmëria ndaj lëndëve kimike mund t’ia vështirësojë jetën dikujt dhe të shkaktojnë ndjenja izolimi. Një anëtar që përjeton simptoma të rënda, shpjegoi: “Veprimtaritë e përditshme, si pazari, takimet me miq, frekuentimi i mbledhjeve të Kishës ose të ngrënit jashtë mund të bëhen sfida të frikshme. Kjo çon në ndjenja zhgënjimi, veçimi e vetmie dërrmuese. Përveç kësaj, ne shpesh ndihemi të keqkuptuar dhe të gjykuar nga njerëzit përreth nesh, të cilët nuk mund ta ‘shohin’ sëmundjen tonë dhe që mendojnë se po tregohemi egoistë e qesharakë, ngaqë ‘nuk na pëlqen aroma’.”
Një baba dhe djali i tij kanë astmë të rëndë që shkaktohet nga aromat kimike. I biri po përgatitej të fliste në mbledhjen e sakramentit përpara se të nisej në mision. Një javë përpara fjalimit të tij, peshkopi u tha anëtarëve të lagjes se i riu kishte probleme të rënda me frymëmarrjen kur ekspozohej kundrejt parfumeve me erë të rëndë dhe u kërkoi anëtarëve ta mbanin parasysh këtë gjë kur të vinin në kishë javën e ardhshme. Si rrjedhojë, kjo ishte e diela më e mirë që babai dhe djali patën ndonjëherë në kishë.
Përshtatjet
Në një mjedis në Kishë, një person me ndjeshmëri të lehtë ndaj lëndëve kimike mund të zgjedhë të ulet larg njerëzve të tjerë. Për të tjerët, mund të nevojiten ndërhyrje më të forta, të tilla si vënia e një respiratori filtrues në fytyrë, sjellja e një pastruesi të ajrit në kishë ose të parit e mbledhjes së sakramentit nëpërmjet internetit.
Sado i rëndë që të jetë niveli i ndjeshmërisë së një personi ndaj aromave kimike, është e rëndësishme të kujtoni se ky është një shqetësim i vërtetë. Përshtatjet kërkojnë takt e dhembshuri nga të gjithë njerëzit e përfshirë. Njerëzit përdorin parfume dhe aroma të tjera për një sërë arsyesh, si parapëlqime apo higjienë vetjake. Respekti dhe mirëkuptimi i ndërsjellë do të jenë të nevojshëm për të trajtuar nevojat e të gjithë njerëzve të përfshirë.
Nëse keni ndjeshmëri ndaj lëndëve kimike, ju lutemi flisni me një anëtar të peshkopatës suaj. Ndonëse përshtatjet mund të mos jenë të mundura në të gjitha rrethanat, është e dobishme t’ua bëni të ditur udhëheqësve të lagjeve nevojat tuaja. Këshilli i lagjes mund të punojë me ju që të përpiqen për të bërë më të mirën e tyre për të krijuar përshtatje për ndjeshmëritë tuaja ndaj lëndëve kimike. Qasja e duhur do të ndryshojë në varësi të rrethanave dhe duhet të drejtpeshohet me të kuptuarit se jo të gjitha situatat mund t’i trajtojnë nevojat e çdo njeriu.
Disa ide për udhëheqësit:
-
Ndihmojini anëtarët të kuptojnë se ndjeshmëritë ndaj lëndëve kimike janë një shqetësim i vërtetë për të prekurit.
-
Njoftojini dhe kujtojini rregullisht ata se si mund të jenë të dhembshur ndaj njerëzve që përballen me ndjeshmëri ndaj lëndëve kimike dhe gjendje të tjera mjekësore izoluese dhe se si mund t’i ndihmojnë të gjithë njerëzit të bashkohen në adhurimin e Zotit.
-
Merreni parasysh të thërrisni një specialist për njerëzit me aftësi të kufizuara për lagjen ose kunjin që të ndihmojë të trajtohen këto çështje dhe çështje të tjera.
-
Merreni parasysh organizimin e një sesioni trajnimi për udhëheqësit dhe anëtarët rreth ndjeshmërisë ndaj lëndëve kimike dhe gjendjeve të tjera që mund të ndikojnë në aftësinë e një personi për të marrë pjesë në mbledhjet e Kishës.
Disa ide për përshtatje:
-
Jepuni mundësi individëve me ndjeshmëri ndaj lëndëve kimike që t’u tregojnë udhëheqësve të lagjes nevojat dhe shqetësimet e tyre.
-
Aty ku është e mundur, bëni çmos për të vënë në zbatim orientime për takime dhe aktivitete që u lejojnë njerëzve me ndjeshmëri ose alergji të marrin pjesë me rehati.
-
Merreni parasysh që t’i transmetoni nëpërmjet internetit mbledhjet për ata që nuk mund të marrin pjesë dhe ofroni mënyra që këta individë ta marrin sakramentin.
-
Përdorni vetëm produkte të miratuara dhe të ofruara nga ekipi i godinave për shtëpitë e mbledhjeve në Kishë. Nëse njëri nga produktet standarde po krijon problem, punoni me administratorin e godinave vendore për të hulumtuar mundësi të tjera. Nëse anëtarët sjellin freskuese ajri ose produktet e tyre të pastrimit, ato produkte mund të shkaktojnë reaksione tek individët e ndjeshëm.
-
Merrini parasysh ndjeshmëritë ndaj lëndëve kimike kur të planifikoni aktivitete.
-
Mbajeni mend se disa njerëz me ndjeshmëri ndaj lëndëve kimike do të dëshironin të shërbenin në një thirrje që është e sigurt për ta.
Plaku Patrik Kirën, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka dhënë mësim: “Për ata që ndihen të lënë mënjanë ose të pavënë re, ngrohtësia e … mirëseardhje[s sonë] do të jetë vendimtare. Në fund të fundit, mund të pyesim veten se si do të donte Shpëtimtari që të ishte ora jonë e sakramentit. Si do të donte Ai të mirëpritej e ushqehej shpirtërisht secili prej fëmijëve të Tij dhe të tregohej kujdes e dashuri për secilin prej tyre? Si do të donte Ai të ndiheshim kur të vinim për t’u përtërirë nëpërmjet të kujtuarit dhe adhurimit të Tij?”
Duke krijuar ndërgjegjësim për këtë çështje, njerëzit që përballen me ndjeshmëri ndaj lëndëve kimike mund të ndjehen të dëgjuar, të respektuar dhe më të përfshirë në lagjen ose degën e tyre. Kur peshkopatat dhe këshillat e lagjeve punojnë me dhembshuri dhe plot lutje me individë të prekur nga këto lloj gjendjesh shëndetësore, më shumë fëmijë të Atit Qiellor forcohen ndërsa u jepen mundësi më të mëdha për t’u afruar më shumë me Jezu Krishtin. Kur lagjja mblidhet së bashku, “duke i pasur zemrat e tyre të thurura në bashkim dhe në dashuri kundrejt njëri-tjetrit” (Mosia 18:21), zemrat preken dhe shërohen.