“Përkujdesja: Një Nismë Mbarëbotërore për të Përmirësuar Mirëqenien e Grave dhe Fëmijëve”, Liahona, korrik 2025.
Gratë në Besëlidhje
Përkujdesja: Një Nismë Mbarëbotërore për të Përmirësuar Mirëqenien e Grave dhe Fëmijëve
Ne i sjellim dashurinë dhe lehtësimin e Jezu Krishtit të gjithë botës kur përkujdesemi për ata që janë në vetë shtëpitë, lagjet dhe komunitetet tona.
Puna e frymëzuar e Shoqatës së Ndihmës ka pasur rrënjë të ngulitura thellë në punën humanitare dhe përkujdesjen për njerëzit nevojtarë që nga fillimi i saj hyjnor në vitin 1842. Në shekullin e 20‑të motrat e Shoqatës së Ndihmës dërguan grurin që e kishin ruajtur, për të ndihmuar të ushqeheshin njerëzit që prekeshin nga fatkeqësi natyrore dhe uria. Ato krijuan spitale, ndihmuan gratë të ndiqnin shkollën mjekësore dhe i trajnuan gratë si infermiere dhe mami, duke e përmirësuar ndjeshëm shkallën e vdekshmërisë së nënave dhe të porsalindurve. Ato gjithashtu nxitën arsimim duke krijuar shkolla dhe programe për shkrim e këndim.
Sot, rreth tetë milionë motra të Shoqatës së Ndihmës në mbarë botën mbeten të përkushtuara për t’u kujdesur për njerëzit nevojtarë. Shoqata e Ndihmës i përkrah përvojat ku gratë u sjellin ndihmën e Shpëtimtarit, materiale dhe shpirtërore, të gjithë fëmijëve të Perëndisë, si dhe e marrin atë ndihmë. Ndërsa motrat japin dhe marrin ndihmën e Shpëtimtarit, ato bëhen më shumë si Ai, e ndiejnë dashurinë e Tij dhe dëshirojnë një marrëdhënie më të thellë besëlidhjesh me Të.
Nisma mbarëbotërore e Kishës për të përmirësuar mirëqenien e grave dhe fëmijëve është një përvojë, një mundësi për t’u sjellë ndihmë materiale dhe shpirtërore të gjithë fëmijëve të Perëndisë. Ne e bëjmë këtë me Shpirtin e Tij, autoritetin e deleguar të priftërisë së Tij, dhe fuqinë e Tij, të cilën e marrim duke i mbajtur besëlidhjet tona me Të.
Me këtë nismë, ne përpiqemi të kemi ndikimin më të madh të mundshëm në bekimin e jetës së grave dhe fëmijëve përmes këtyre katër fushave të përqendrimit:
-
Ushqyerja e fëmijëve
-
Përkujdesja për nënat dhe të porsalindurit
-
Imunizimet
-
Arsimimi
Pse po i përqendrojmë energjinë, zemrat dhe burimet tona në një nismë mbarëbotërore për të përmirësuar mirëqenien e grave dhe fëmijëve? Sepse besojmë se përparimi mbarëbotëror fillon me gratë dhe fëmijët. Presidentja Xhonson jep mësim: “Kur bekoni një grua, ju bekoni një familje, një komunitet, një komb. Kur bekoni një fëmijë, ju investoni në të ardhmen.”
Si pjesë e nismës mbarëbotërore, Presidenca e Parë miratoi një nismë prej 55,8 milionë dollarësh të udhëhequr nga Kisha për të përshpejtuar përmirësimin e të ushqyerit dhe të kujdesit shëndetësor në 12 vende me nevoja të mëdha. Në bashkëpunim me tetë organizata kyçe joqeveritare, Kisha përkrahu programe të cilat ishin të dobishme për shëndetin dhe mirëqenien e më shumë se 14 milionë fëmijëve dhe nënave që sapo kishin lindur dhe nënave shtatzënë në vitin 2024.
Presidentja Kamill N. Xhonson viziton një nënë me tre fëmijë në një veprimtari për dhurim të ushqimeve në Kosta‑Rikë. “Sa mirënjohëse qe ajo për një vakt ushqimi për fëmijët e saj të uritur”, – thotë Presidentja Xhonson. “I thashë se e doja dhe, më e rëndësishmja, se Perëndia e donte.”
Pjesë e një Kauze të Rëndësishme
Kur unë (Presidentja Xhonson) udhëtova për në Kosta‑Rikë vitin e kaluar, pata mundësinë të ndihmoja për një veprimtari ku dhuroheshin ushqime. U preka kur takova shumë gra dhe fëmijë që erdhën për të marrë një vakt të shëndetshëm ushqimi. Pata mbresën e qartë se ne po bënim pikërisht atë që Shpëtimtari do të donte që ne të bënim. Takova Jumanën dhe tre fëmijët e saj të bukur. Kjo grua e çiltër po shiste trëndafila të bërë me fjongo të cilat ajo i kishte krijuar që të siguronte jetesën për familjen e saj. Sa mirënjohëse qe ajo për një vakt ushqimi për fëmijët e saj të uritur. I thashë se e doja dhe, më e rëndësishmja, se Perëndia e donte. Jumana mori ndihmë tokësore dhe ndihmë shpirtërore ndërsa e ndjeu dhe e dalloi dashurinë e Perëndisë.
Ne e shohim këtë nismë mbarëbotërore si pjesë të punës së shpëtimit dhe të ekzaltimit. Ndërsa njerëzit marrin ndihmë të përkohshme, ne shpresojmë dhe presim që do ta ndiejnë dashurinë që ka Zoti për ta dhe do të dëshirojnë të hyjnë apo të thellojnë një marrëdhënie besëlidhëse me Të.
Përpjekjet për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e grave dhe fëmijëve përmbushin përgjegjësinë hyjnore për t’u përkujdesur për njerëzit nevojtarë. Sidoqoftë, kjo nismë i bekon njerëzit në mënyra të tjera:
-
Ajo rrit kapacitetin intelektual dhe fizik të brezit të ri, duke i ndihmuar që edhe ata të arrijnë potencialin e tyre shpirtëror.
-
Ajo ushqen kontaktin me fqinjat dhe mikeshat tona, shumë prej të cilave gjithashtu duan të mësojnë se si t’i ndihmojnë fëmijët e tyre.
-
Ajo siguron një kauzë të përqendruar tek ungjilli që nxit shërbim kuptimplotë dhe mundësi për dhënie shërbese për gratë, veçanërisht të rejat në moshë madhore.
Brezi i tanishëm i të rinjve e të rejave në moshë madhore dëshirojnë të jetë pjesë e një kauze të rëndësishme, një kauzë që sjell ndikim dhe ndryshim të vërtetë në botë. Shpresojmë se kjo nismë mbarëbotërore do t’i ndihmojë motrat tona të kuptojnë se ato tashmë i përkasin njërës prej kauzave më të mëdha në tokë: organizatës hyjnore të Zotit për gratë në Kishën e Tij të rivendosur, Shoqatës së Ndihmës.
Ne besojmë se kjo nismë mbarëbotërore do t’i frymëzojë anëtarët dhe miqtë tanë që të shërbejnë në komunitetet e tyre. Shpresojmë që ata të kuptojnë se:
-
Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po u jep përparësi çështjeve që ndikojnë te gratë dhe fëmijët dhe po përdor burime për të përmirësuar shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
-
Kisha dhe Shoqata e saj e Ndihmës janë udhëheqës mbarëbotërorë për trajtimin e çështjeve humanitare.
-
Shoqata e Ndihmës drejtohet dhe përbëhet nga gra që po e përmirësojnë jetën e individëve, të familjeve dhe komuniteteve.
Ky është vetëm fillimi i diçkaje të jashtëzakonshme që do të bekojë jetën e kaq shumë njerëzve të cilët do të japin dhe do të marrin ndihmën e Shpëtimtarit sot dhe në vitet që do të vijnë, ndërkohë që kjo nismë mbarëbotërore vazhdon të përparojë.
Një profesioniste mjekësore ekzaminon një fëmijë në Filipine. Ushqyerja e fëmijëve është një nga katër fushat e përqendrimit të nismës mbarëbotërore të Kishës për të përmirësuar mirëqenien e grave dhe fëmijëve.
Brenda Fushave Tona të Ndikimit
Në shkallë botërore, Kisha mbarëbotërore e përfaqëson secilin prej nesh si anëtarë për të sjellë së bashku organizatat që janë të specializuara në trajtimin e çështjeve të mëdha në vende mjaft të largëta. Prapëseprapë, ndoshta qasja më e mirë humanitare ndodh pranë shtëpisë kur kaloni gardhin ose matanë rrugës. Ju po i jetoni besëlidhjet tuaja dhe po merrni pjesë në kauzën tonë mbarëbotërore kur veproni me dhembshuri si të Krishtit dhe kujdeseni me dashuri për njerëzit në vetë familjet, lagjet dhe komunitetet tuaja.
Mund të mos jeni në gjendje të riparoni çatinë e një fqinji apo të udhëtoni në një vend tjetër për të pastruar shtëpitë e njerëzve pas një stuhie shkatërrimtare, por a mund t’i lexoni një fëmije, të dëgjoni një mikeshë që është në vështirësi apo të dhuroni një ofertë agjërimi? Çdo përpjekje është e vlefshme dhe e rëndësishme në këtë punë për t’u përkujdesur për njerëzit nevojtarë. Faleminderit që jeni një përçues nëpërmjet të cilit të tjerët mund të marrin ndihmën e Shpëtimtarit duke qenë duart e Tij fisnike, këmbët e Tij të shkathëta, veshët e Tij dëgjues, buzët e Tij që flasin gjithë dashamirësi.
Ndërsa Kisha i bën bashkë organizatat për të bashkëpunuar mbi shëndetin dhe mirëqenien e grave dhe fëmijëve në vende të ndryshme, motrat e Shoqatës së Ndihmës i bëjnë bashkë njerëzit për të trajtuar sfidat në vetë komunitetet e tyre. Gratë e Shoqatës së Ndihmës i dallojnë nevojat, mbledhin burime dhe ndihmojnë për trajtimin e sfidave. Dhe e bëjmë këtë me ndihmën e Shpirtit, duke u sjellë dashurinë dhe ndihmën e Jezu Krishtit të gjithë fëmijëve të Perëndisë.
Pasi panë nevojat e emigrantëve në Milano të Italisë, motrat e Shoqatës së Ndihmës organizuan një mundësi shërbimi për t’u siguruar atyre veshje dhe artikuj shtëpiakë. Disa motra dhuruan sende të përdorura pak, ndërsa të tjerat i organizuan dhe i pastruan dhurimet. Oferta e secilës motër ishte e rëndësishme. Motrat e Shoqatës së Ndihmës i ndihmuan vizitorët që të ndienin dashurinë e Jezu Krishtit teksa vinin në qendrën e dhurimit. Monia, një motër vendase e Shoqatës së Ndihmës, tha: “Nga gjëra të vogla vijnë gjëra të mëdha. Dhe ne mund t’i bekojmë njerëzit brenda dhe jashtë Kishës. Është ungjilli në veprim.”
Duke folur për Shoqatën e Ndihmës të organizuar rishtas, Profeti Jozef Smith u tha motrave: “Tani ju jeni vendosur në një situatë në të cilën ju mund të veproni sipas atyre ndjenjave të dhembshura që Perëndia ka mbjellë në kraharorin tuaj”.
Kur ishte në Guadalaharë të Meksikës, Motra Ji pa dhe mësoi për kaq shumë shembuj të jashtëzakonshëm të motrave që vepronin sipas atyre ndjenjave të dhembshura teksa kërkonin të plotësonin një nevojë vendore.
Një motër e tillë ishte motra Pulido, e cila pa një nevojë në një spital vendor për të ndihmuar familjet dhe individët që vinin nga larg dhe kishin nevojë për ushqim e veshje, ndërsa prisnin të merrnin kujdes mjekësor. Ajo mblodhi 120 motra të Shoqatës së Ndihmës, disa misionare dhe gra të tjera në komunitet për të gjetur dhurime ushqimi, uji, batanijesh dhe veshjesh. Rreth 1500 njerëz dhuruan artikuj dhe motrat e njerëz të tjerë përgatitën vakte dreke dhe ushqime për gati 1200 njerëz. Artikujt iu dhanë njerëzve që prisnin radhën për t’u mjekuar në spital.
Kjo motër tha se po e bënte këtë ngaqë kishte dhembshuri për këta njerëz. Me lot në sy, ajo shpjegoi me përulësi se kishte qenë një nga ata individë që priste në spital ndërsa bashkëshorti i saj shkonte e vinte për t’u kuruar kundër kancerit. Ajo tha se bekimi dhe dëshira e saj më e madhe është të japë shërbesë siç do të bënte Shpëtimtari.
Sjellja e Ndihmës së Shpëtimtarit
Motra, neve na është besuar puna e shenjtë për t’ia sjellë ndihmën e Shpëtimtarit – materiale dhe shpirtërore – tërë botës. Dhe ne mund ta bëjmë këtë duke u kujdesur për ata që janë brenda vetë fushave tona të ndikimit. Çfarë dhurate dhe bekimi është ky! Pjesëmarrja në nismën mbarëbotërore për të përmirësuar mirëqenien e grave dhe fëmijëve është një nga përvojat e shumta që na afrojnë më shumë me Shpëtimtarin. Duke vepruar si Ai, ne e ndiejmë dashurinë e Tij; dhe rritet dëshira jonë dhe përkushtimi ynë ndaj një marrëdhënie besëlidhjesh me Të.
Faleminderit që na ndihmoni t’u sjellim dashurinë dhe lehtësimin e Jezu Krishtit motrave dhe vëllezërve tanë kudo.
Në përpjekjen për të vepruar si Jezu Krishti, kërkesa më e rëndësishme për ne si dishepuj të Tij është të dallojmë nevojat e menjëhershme individuale përreth nesh dhe të reagojmë ndaj tyre me durim e dashuri.
Presidenti Rasëll M. Nelson në Takimin Shpirtëror Mbarëbotëror të Shoqatës së Ndihmës në vitin 2024 na tha: “Ju bekoj që të kuptoni se dhuntitë tuaja hyjnore si bija të Perëndisë ju japin fuqinë jo vetëm që të ndryshoni jetë, por të ndryshoni botën!”
Kjo është porosia jonë e jashtëzakonshme!
Është një periudhë e lavdishme për të qenë gra në besëlidhje dhe anëtare të një shoqate që u sjell ndihmën e Shpëtimtarit, materiale dhe shpirtërore, motrave dhe vëllezërve tanë anembanë botës. Qëllimi përfundimtar për sigurimin e ndihmës dhe mbështetjes te vetja është të përgatitim udhën që motrat dhe vëllezërit tanë të dëshirojnë e të marrin dashurinë dhe mëshirën që është në dispozicion për njerëzit që i bëjnë dhe i mbajnë besëlidhjet me Perëndinë.
Ne shprehim dëshminë tonë se Jezu Krishti është ndihmë dhe se ndihma që Ai ofron është e përhershme.