2025
Këshilli i Dyshes: Krijimi i Lumturisë së Qëllimshme në Martesë
Korrik 2025


“Këshilli i Dyshes: Krijimi i Lumturisë së Qëllimshme në Martesë”, Liahona, korrik 2025.

Këshilli i Dyshes: Krijimi i Lumturisë së Qëllimshme në Martesë

Çiftet, ashtu si misionarët, mund të përdorin këshillat e dysheve për të përmirësuar marrëdhënien e tyre.

ilustrim zogjsh të ulur në një degë peme

Kur isha studente e re në kolegj në studimet për paqen dhe konfliktin, pata interes të madh për çdo proces që mund të përdorej për zgjidhjen e konfliktit. Një bisedë jetëndryshuese me një mik më njohu me një proces për të cilin nuk kisha dëgjuar kurrë më parë: këshilli i dyshes.

Ndërsa më tregonte për misionin e tij, miku im më tha se këshilli i dyshes është kontrolli i rregullt ku dyshet misionare diskutojnë se si po punojnë së bashku dhe si të përmirësohen. Miku im e kishte gjetur këtë proces kaq të dobishëm si misionar, saqë ai planifikonte ta përdorte atë në martesën e tij një ditë. Ideja më ngeli në mendje. Lexova për këshillin e dyshes tek udhëzuesi Predikoni Ungjillin Tim dhe fola me misionarë të tjerë të kthyer rreth përvojave të tyre me të. Pashë se si këshillat e dysheve, të ngjashëm me këshillat e familjes, mund të përdoren për të trajtuar dhe parandaluar shumë nga konfliktet shkatërruese me të cilat përballemi në marrëdhëniet tona sot.

Unë dhe bashkëshorti im, Xhejmsi, filluam të mbajmë këshilla javore të dyshes sonë edhe përpara se të martoheshim. Më kujtohet ende takimi ynë i parë. Xhejmsi ishte aq i hapur, i sjellshëm, i kuptueshëm dhe i gatshëm për t’i marrë seriozisht mendimet e mia, saqë u ndjeva e sigurt në aftësinë tonë për të ndërtuar një martesë të lumtur.

Tani në jetën tonë së bashku për mjaft kohë, ne kemi vazhduar traditën e këshillit javor të dyshes sonë. Ndërkohë që marrëdhënia jonë nuk është e përsosur, ne të dy jemi dakord që seancat e shumta që kemi zhvilluar na kanë ndihmuar të gjejmë gëzim dhe përmbushje më të thellë në martesën tonë nga sa mendonim të ishte e mundur.

Të Parit e Ndryshimeve si Mundësi

Perëndia krijoi një botë të cilën Ai vazhdimisht e ndau dhe i dha larmi dhe “pa që kjo ishte mirë” (Zanafilla 1:10 12, 18, 21, 25). Ajo larmi e bukur është një ndikim që rezulton në një gamë të gjerë përvojash dhe këndvështrimesh mes fëmijëve të Perëndisë. Ndërkohë që mund të na duket e frikshme kur e kuptojmë se edhe partnerët e përkushtuar në martesë mund të kenë opinione gjerësisht të ndryshme për tema të rëndësishme, ne nuk duhet të kemi frikë. Me Shpëtimtarin si shembullin tonë, ne mund të zgjedhim t’u qasemi këtyre dallimeve në mënyra të dashura, krijuese dhe frytdhënëse që çojnë drejt zgjidhjeve më të plota dhe marrëdhënieve më të lumtura.

Kur angazhohemi me njëri-tjetrin në këtë mënyrë më të lartë e më të shenjtë, e kuptojmë se nuk ka nevojë as për grindje as për pranim pasiv të opinioneve të njëri‑tjetrit, se përputhshmëria nuk është e barabartë me të qenit njësoj. Duke u ushtruar, opinionet e kundërta do të fillojnë të duken si mundësi për lidhje në vend që të duken si pengesa. Grindja do të zëvendësohet me bashkëpunimin, mirëbesimin e dashamirësinë.

Këshilli i dyshes, i mbushur me dashuri si e Krishtit, mund t’ju ndihmojë ta shndërroni konfliktin në një bekim në vetë marrëdhënien tuaj. Ja tek janë disa këshilla që t’ju ndihmojnë për të filluar.

Për të Zhvilluar Këshillin e Dyshes Suaj

1. Zotohuni

Merreni parasysh së bashku që ta përmirësoni marrëdhënien tuaj duke mbajtur një këshill të rregullt si dyshe, edhe nëse është thjesht një provë për një periudhë të caktuar kohe. Procesi nuk do të funksionojë mirë pa pjesëmarrjen e plotë të të dy partnerëve.

2. Krijoni një program

Marrëdhënia juaj ka anë të forta, mangësi dhe nevoja unike. Me këtë në mendje, përcaktoni temat që ndieni se janë të rëndësishme për t’u diskutuar në këshillin e dyshes suaj, të tilla si intimiteti, stilet e prindërimit, planifikimi ose financat.

Duke u dhënë këtyre temave një vend të rregullt në programin tuaj, ju do të keni hapësirë për mendime e ndjenja që përndryshe mund të shfaqen vetëm në një çast zhgënjimi ose ndoshta nuk shfaqen fare.

3. Planifikoni një orar të veçantë dhe jini të përgatitur

Merreni parasysh të caktoni një kohë të veçantë për këshillin e dyshes suaj. Vendosni se çfarë do të funksionojë më mirë për ju dhe më pas zotohuni që të jeni aty, të jeni të përgatitur për të dëgjuar me ndjeshmëri, për të treguar haptazi dhe për të qenë të mirësjellshëm. Gjithashtu mund të dëshironi të mbani një dokument të shkruar të këshillit të dyshes suaj. Shënimet tona nga java e kaluar janë të dobishme për ne kur përgatitemi për sesionin e ardhshëm.

Mbajtja e shënimeve gjithashtu do t’ju ndihmojë të mbani mend, sipas fjalëve të Presidentit Spenser W. Kimball (1895–1985), “triumfet tuaja mbi fatkeqësitë, rimëkëmbjen tuaj pas një rënieje, përparimin tuaj kur gjithçka dukej e zezë, [dhe] gëzimin tuaj kur [ia dilni mbanë]”. Unë dhe Xhejmsi jemi tejet mirënjohës që kemi mbajtur një dokumentim për gati 800 seanca të këshillit të dyshes që i kemi mbajtur përgjatë viteve. Çfarë gëzimi është të hedhim vështrimin prapa dhe të shohim sa larg kemi arritur!

4. Jini të qëndrueshëm

Këshilli i dyshes mund të duket i sikletshëm ose frikësues në fillim, por do të bëhet më i lehtë nëpërmjet ushtrimit. Duke raportuar rregullisht, ju dhe bashkëshorti/ja juaj do t’i kapni çështjet e vogla përpara se ato të bëhen probleme të mëdha.

Në mënyrë ironike, një nga diskutimet më të dhimbshme që patëm ndonjëherë unë dhe Xhejmsi, ndodhi gjatë këshillit të dyshes. Konflikti shpejt dhe papritur u përshkallëzua përtej pikës së bashkëbisedimit me logjikë dhe ne të dy u lënduam gjatë procesit. Por ai konflikt zemërthyes që filloi në këshillin e dyshes, gjithashtu u zgjidh në këshillin e dyshes. E dinim se do të kishim një mundësi tjetër javën e ardhshme e kështu me radhë.

Pra, pas një jave përsiatjeje dhe qetësimi, e provuam përsëri dhe përfundimisht ia dolëm mbanë me ndryshimet tona. E ndjeva fort “paqe[n] vetjake dhe një shpërthim të hovit shpirtëror” që na premtohet kur i zgjidhim konfliktet sipas mënyrës së Shpëtimtarit. Çdo konflikt që e zgjidhim në mënyrë krijuese dhe me dashuri, do të na shtyjë me forcë përpara dhe do të ftojë ndikim të mëtejshëm nga Fryma e Shenjtë në marrëdhëniet tona.

Mund të ketë raste kur ndiheni sikur nuk keni asnjë konflikt në marrëdhënien tuaj, kështu që mund të tundoheni për ta anashkaluar këshillin e dyshes. Unë dhe bashkëshorti im kemi vendosur të mos e bëjmë këtë. Ato janë rastet kur këshilli i dyshes mund të jetë një gëzim i kulluar, kur flasim për atë që po shkon mirë, qeshim së bashku, shprehim mendime të thella dhe krijojmë kujtime.

Premtimi

Ati Qiellor e bëri secilin prej nesh të pashoq dhe më pas na organizoi në marrëdhënie. Ai pret që ne t’i zgjidhim ndasitë tona, jo me grindje (shihni tek 3 Nefi 11:29) por me dashurinë e pastër të Jezu Krishtit, sepse Ai e di se do të na sjellë më pranë njëri‑tjetrit dhe më pranë Tij (shihni te Mateu 5:9; Moroni 7:48).

Presidenti Rasëll M. Nelson na ka dhënë porosinë vijuese me një premtim: “Le të tregojmë se ka një mënyrë plot paqe e respekt për t’i zgjidhur çështjet e ndërlikuara dhe vetëdije shpirtërore për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet. Teksa dëftoni dashurinë hyjnore që e shfaqin ndjekësit e vërtetë të Jezu Krishtit, Zoti do t’i shumëfishojë përpjekjet tuaja përtej përfytyrimit tuaj më të lartë.”

Ne mund të ecim përpara në shtegun e besëlidhjeve, plot besim në atë siguri nga profeti ynë i dashur. Ne mund t’i zgjidhim konfliktet tona në mënyrë krijuese dhe me dhembshuri, “duke [i] pasur zemrat … t[ona] të thurura në bashkim dhe në dashuri kundrejt njëri‑tjetrit” (Mosia 18:21).