2025
Gjeni Gëzim në Udhëtimin Tuaj në Ungjill
Korrik 2025


“Gjeni Gëzim në Udhëtimin Tuaj në Ungjill”, Liahona, korrik 2025.

Gjeni Gëzim në Udhëtimin Tuaj në Ungjill

Rezultatet përfundimtare të shfaqjes së dashurisë sonë për Zotin nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve të Tij janë bekimet që sjellin lumturi e gëzim.

anëtarë të buzëqeshur të Kishës në Tajlandë

Fotografi e anëtarëve të gëzuar të Kishës në Tajlandë nga Christina Smith

Disa vjet më parë, ndërsa shërbeja si udhëheqës misioni në Japoni mora pjesë në një konferencë në fundjavë në një qytet rural në një nga qoshet e largëta të misionit tonë. Presidenti i distriktit kishte organizuar bërjen e një interviste me një burrë që ishte bashkuar me Kishën një vit më parë dhe po kërkonte të merrte një rekomandim tempulli. Ai shpresonte ta merrte dhurimin e vet ditën kur ishte pagëzuar ose afër përvjetorit të parë të pagëzimit.

Gjatë bashkëbisedimit tonë, ky anëtar i ri përshkroi se sa thellësisht mirënjohës ishte për bekimet bujare që kishte marrë gjatë vitit që kur ishte pagëzuar. Atij i pëlqente të frekuentonte mbledhjen e sakramentit dhe mbledhjet e tjera çdo javë. Ai u përfshi thellësisht në aktivitetet e degës së tij. Për mua ai rrezatonte një siguri nga besëlidhjet, që vinte si rrjedhojë e të kuptuarit nga ana e tij të qëllimit të ungjillit, që tani ishte një pjesë thelbësore e tij. Ai ishte një dishepull i kthyer në besimin te Krishti që kishte përjetuar një ndryshim të madh të zemrës (shihni te Mosia 5:2).

Pjesa tjetër e bashkëbisedimit tonë ndoqi një model plot shpresë. Ne diskutuam për ordinancat dhe besëlidhjet që do të ishin pjesë e përvojës së tij në tempull. Ai iu përgjigj pozitivisht secilës prej pyetjeve standarde që lidhen me marrjen e një rekomandimi tempulli.

Pas intervistës më kujtohet që i thashë presidentit të distriktit se sa mirënjohës isha që takova një njeri kaq të jashtëzakonshëm. I tregova se sa përshtypje më kishte bërë që misionarët dhe anëtarët kishin gjetur dhe ushqyer shpirtërisht dikë të një kalibri të tillë dhe kaq premtues.

U habita kur presidenti i distriktit më tha se kur ky njeri filloi të merrte mësime nga misionarët dhe të frekuentonte kishën më shumë se një vit më parë, ai ishte i pastrehë dhe në rrethana jashtëzakonisht të vështira, gati të pashpresa. Presidenti i distriktit më pas përshkroi se si studimi i ungjillit nga ana e këtij vëllai dhe kthimi i tij në besim gjatë një periudhe disa mujore, çoi drejt ndryshimit të tij të mrekullueshëm, duke e vënë atë në një shteg të mbështetjes shpirtërore dhe materiale te vetja dhe duke i dhënë atij një ndjesi qëllimi e gëzimi.

Ungjilli i dha atij një pamje të qartë të qëllimit të jetës së tij. Të vërtetat e thjeshta dhe të çmuara të ungjillit sollën përgjigje për pyetjet e rëndësishme të vdekshmërisë, duke filluar me një njohuri se “Perëndia është Ati ynë Qiellor dhe ne jemi fëmijët e Tij. … Perëndia na njeh personalisht dhe na do.” Në planin e Tij, “Ati Qiellor ka … siguruar shumë dhurata dhe udhërrëfyes për të na ndihmuar të kthehemi në praninë e Tij”.

I tillë ishte bekimi për këtë njeri, i cili është në mënyrë të barabartë në dispozicion për të gjithë fëmijët e Perëndisë nëpërmjet ungjillit të Jezu Krishtit.

Qëllimi i Jetës

Për shkak se Jezu Krishti e rivendosi ungjillin e Tij nëpërmjet Profetit Jozef Smith, “ne kemi një kuptueshmëri për qëllimin e jetës, për faktin se cilët jemi”, – deklaroi Presidenti M. Rasëll Ballard (1928–2023). Në dëshminë e tij të fundit drejtuar Kishës, Presidenti Ballard, në atë kohë Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha:

“Ne e dimë se kush është Perëndia; ne e dimë se kush është Shpëtimtari, sepse kemi Jozefin, i cili shkoi në një korije pemësh kur ishte i ri, duke kërkuar falje për mëkatet e veta. …

Mrekullohem, dhe jam i sigurt se edhe shumë prej jush mrekullohen, se sa të bekuar jemi të dimë atë që dimë për qëllimin tonë në jetë, pse jemi këtu, çfarë duhet të përpiqemi të bëjmë dhe të përmbushim në jetën tonë të përditshme.”

Për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ajo njohuri përfshin një kuptim të “plan[it të] përsosur” të Perëndisë për shpëtimin. I njohur gjithashtu si “plani [i] madh [i] lumturisë”, “plani [i] shëlbimit” dhe “plani i mëshirës” (Alma 42:8, 11, 15), kjo “ia heq misterin jetës dhe ia heq pasigurinë së ardhmes sonë”. Qendrore në atë plan është “doktrin[a] e Krishtit”, që është qendrore për qëllimin e jetës.

Për shkak se kemi ungjillin, ne e dimë se jemi fëmijë të Perëndisë, të dërguar në tokë për t’u provuar, lëmuar e përgatitur që të sillemi përpara “me anë të ringjalljes së të vdekurve, nëpërmjet ngadhnjimit dhe lavdisë së Qengjit” (Doktrina e Besëlidhje 76:39). Ne i dimë urdhërimet dhe jemi udhëzuar “mjaftueshëm që [ne] të kuptoj[m]ë të mirën nga e keqja” (2 Nefi 2:5). E dimë se jemi këtu në tokë që të duam dhe të shërbejmë. Dhe e dimë se Shpëtimtari na ka thirrur ta mposhtim botën dhe t’i ndihmojmë të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë (shihni te Gjoni 16:33; Doktrina dhe Besëlidhje 64:2) në përgatitje për Ardhjen e Tij të Dytë.

Ndërsa përqendrohemi tek Ai, ajo që Jozef Smithi e quajti “tingulli [i] gëzuar [i] Ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht”, do të na forcojë gjatë ditëve të vështira dhe do të sjellë kuptim e qëllim në jetën tonë dhe në jetën e të tjerëve.

Jezu Krishti

Every Knee Shall Bow [Çdo Gju do të Përkulet], nga Dan Wilson, nuk lejohet kopjimi

Bindja, Bekimet, Gëzimi

Perëndia na ka dhënë lirinë e zgjedhjes morale që të mund të jemi të përgjegjshëm për zgjedhjet tona (shihni te Doktrina e Besëlidhje 101:78; 2 Nefi 2:16). Si pjesë e “një kundërshtim[i] në të gjitha gjërat” (2 Nefi 2:11), Satani lejohet të na tundojë për të keqpërdorur lirinë tonë të zgjedhjes.

Por Zoti Jezu Krisht, “duke e ditur fatkeqësinë që do të vinte mbi banorët e tokës” në kohën tonë, thirri Profetin Jozef Smith dhe “i fol[i] atij nga qielli e i dha urdhërime” (Doktrina e Besëlidhje 1:17). Ai model me anë të të cilit Zoti ua zbulon urdhërimet dhe vullnetin e Tij profetëve të Tij, vazhdon në kohën tonë me Presidentin Rasëll M. Nelson, dhe për të njëjtën arsye. Perëndia dëshiron të na udhëheqë drejt lumturisë në këtë jetë dhe drejt lavdisë çelestiale në jetën pas kësaj.

Bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë duhet të vijë nga përkushtimi ynë dhe dashuria jonë ndaj Tij. Vetë Zoti Jezu Krisht shpalli se ta duam Perëndinë është “urdhërimi i parë dhe i madh” (shihni te Mateu 22:37–38). Ai dha ide të mëtejshme kur shpalli: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15).

Ka një shpërblim kur e duam Zotin dhe i zbatojmë urdhërimet e Tij. Në këtë periudhë ungjillore, Ai përshkroi “një ligj, të shpallur në mënyrë të pakthyeshme në qiell, … mbi të cilin të gjitha bekimet bazohen—

Dhe kur ne fitojmë ndonjë bekim nga Perëndia, është me anë të bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin ai bazohet” (Doktrina e Besëlidhje 130:20–21).

Pra, rezultatet përfundimtare të shfaqjes së dashurisë sonë për Zotin nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve të Tij janë bekimet që sjellin lumturi e gëzim.

Të parit e jetës përmes thjerrave së ungjillit të rivendosur dhe zbulesës moderne na jep qartësi. Me një këndvështrim të qartë të origjinës dhe fatit tonë hyjnor, ne e dimë se “vetë gjërat që do ta bëjnë jetën [tonë] në vdekshmëri më të mirën që ajo mundet, janë pikërisht të njëjtat gjëra që do ta bëjnë jetën [tonë] gjatë gjithë përjetësisë më të mirën që ajo mundet!”

Përfundimi

E mbyll atje ku e fillova, duke kujtuar përvojën time vite më parë me një të sapokthyer në besim në Japoni. Nëpërmjet zellit të tij dhe zellit të misionarëve dhe anëtarëve, ai gjeti ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit. Duke e gjetur ungjillin, ai zbuloi gjithashtu qëllimin e tij, i cili ia zgjeroi fushëpamjen. Ai gjeti gjithashtu planin e madh të lumturisë. Bindja ndaj besëlidhjeve ungjillore të planit i solli atij bekime dhe gëzim, duke e lartësuar atë materialisht e shpirtërisht.

Udhëtimi i tij që çoi drejt anëtarësimit në Kishën e Jezu Krishtit e lejoi atë që të bëhej dëshmitar i Jezu Krishtit. Plaku Patrik Kirën, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ka përshkruar gëzimin që vijon:

“Në saje të planit të dashur të Atit tonë Qiellor për secilin prej fëmijëve të Tij dhe për shkak të jetës dhe misionit shëlbues të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, ne mund – dhe duhet – të jemi njerëzit më të gëzuar në tokë! Madje kur stuhitë e jetës në një botë shpesh të trazuar na godasin, ne mund të kultivojmë një ndjesi në rritje e të qëndrueshme gëzimi dhe paqeje të brendshme për shkak të shpresës sonë te Krishti dhe kuptueshmërisë sonë për vendin tonë vetjak në planin e bukur të lumturisë.”

Unë ofroj mirënjohjen time dhe dëshminë time për ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit, përfshirë planin e madh të lumturisë të ngulitur kaq thellë në atë ungjill. Ju ftoj të merrni nga frytet e ungjillit dhe të ndieni më shumë gëzim në këtë jetë, në udhëtimin tuaj drejt jetës së përjetshme.