2025
A do ta Shohim Mbesën Tonë Sërish?
Korrik 2025


“A do ta Shohim Mbesën Tonë Sërish?”, Liahona, korrik 2025.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

A do ta Shohim Mbesën Tonë Sërish?

Vendimi ynë për të pranuar ftesën nga Presidenti Nelson çoi drejt një mrekullie të papritur.

ilustrim i një ekrani telefoni me një mesazh

Ilustrimi nga David Malan/Malan Creative

Në vitin 1999 djali ynë më i madh ndërroi jetë. Ai la pas një grua dhe një vajzë njëvjeçare me të cilën kishim një marrëdhënie argëtuese dhe ndërveprime të mrekullueshme çdo javë.

Për shkak të rrethanave tragjike, ditëlindja e tretë e mbesës sonë ishte hera e fundit që patëm ndonjë komunikim me të. Për shumë vjet u lutëm, agjëruam dhe shpresonim se disi do të mund ta shihnim atë përsëri.

Gjatë konferencës së përgjithshme të tetorit 2018, Presidenti Rasëll M. Nelson bëri një ftesë me një premtim: “Ju nxit të gjeni një mënyrë për të lënë një takim rregullisht me Zotin – për të qenë në shtëpinë e Tij të shenjtë – dhe pastaj shkoni në atë takim me përpikëri dhe gëzim. Ju premtoj se Zoti do t’i sjellë mrekullitë që Ai e di se ju nevojiten, teksa bëni sakrifica për të shërbyer dhe adhuruar në tempujt e Tij.”

Kur i dëgjova këto fjalë, ndjeva se Ati Qiellor po më fliste nëpërmjet profetit të Tij. Prandaj unë dhe bashkëshorti im u zotuam të fillonim frekuentimin e tempullit çdo të martë dhe ta mbanim atë zotim “me përpikëri dhe gëzim”.

Një ditë në vitin 2019, mbesa jonë që në atë kohë ishte 21 vjeçe më dërgoi një mesazh të papritur në internet. Komunikimi i saj erdhi ngadalë në fillim, por ndërsa mesazhet e saj vazhduan, ajo filloi të bënte pyetje që hapën një linjë të mrekullueshme dialogu. Ajo na lejoi të hynim në jetën e saj fillimisht ngadalë dhe pastaj më shpesh.

Në vitin 2021 e ftuam të kalonte Ditën e Falënderimeve me familjen tonë. Ajo pranoi dhe kaluam një kohë të mrekullueshme duke u njohur me të. Ajo u lidh lehtësisht me hallat, xhaxhallarët, mbesat dhe nipërit e saj. Donte që vizita e saj në Ditën e Falënderimeve të bëhej një zakon.

Një vit më vonë, një bir me të cilin nuk kishim lidhje më, u rilidh me ne. Në mars 2024, për herë të parë në jetën e familjes sonë, ne patëm një bashkim familjar që përfshinte çdo fëmijë të gjallë, bashkëshortët dhe bashkëshortet e tyre dhe tërë 16 nipërit e mbesat.

Gjithnjë kam besuar se profeti flet për Zotin. Besoj se kjo mrekulli kaq e nevojshme erdhi për shkak të udhërrëfimit me anë të zbulesës dhe premtimit të Presidentit Nelson.

Dëshmia dhe dashuria ime për Atin tim Qiellor dhe Birin e Tij nuk ishin dhe nuk janë të varura nga kjo mrekulli. Gjithsesi, jam e mahnitur se sa vetjake është dashuria e Tyre për mua dhe sa të fuqishme janë premtimet e Tyre që vijnë nëpërmjet profetit.