“Këshilla Ime Drejtuar Të Rinjve e Të Rejave mbi Daljet në Takime dhe Martesën”, Liahona, korrik 2025.
Të Rinjtë e Të Rejat në Moshë Madhore
Këshilla Ime Drejtuar Të Rinjve e Të Rejave mbi Daljet në Takime dhe Martesën
Dalja në takime është një mënyrë për të kuptuar nëse dikush është personi i duhur me të cilin mund të fillosh një udhëtim më të gjatë.
Ilustrimet nga Stephen Neilsen
Më pëlqen ta mendoj daljen në takime si një mjet.
Mjetet ju ndihmojnë të arrini një qëllim specifik. Qëllimi i daljes në takime është të zhvillojë marrëdhënie që çojnë drejt martesës dhe, si rrjedhojë, të realizojë planin e Perëndisë për fëmijët e Tij.
Dalja në takime është një mënyrë për të kuptuar nëse dikush është personi i duhur me të cilin mund të fillosh një udhëtim më të gjatë. Siç dha mësim Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë: “Miqtë tanë të rinj beqarë, ju këshillojmë t’i kanalizoni shoqërimet tuaja me dikë të gjinisë së kundërt si dalje në takime që kanë potencialin për t’u pjekur në martesë”.
Kur flasim për “arsyet” e daljes në takime, ne flasim për ndërtimin e një marrëdhënieje të qëndrueshme së bashku. Flasim për lidhjen e vetes dhe të njëri-tjetrit me Shpëtimtarin. Por ndonjëherë, nëse nuk jemi të kujdesshëm, mund të përqendrohemi aq shumë te dalja në takime dhe njohja me njerëz, saqë martesa bëhet një mendim i mëvonshëm.
Do të doja t’ju ofroja disa këshilla se si mund ta përmirësoni përvojën tuaj të daljes në takime. Shumica e këshillave vijnë nga përvoja ime vetjake dhe shpresoj se do të jenë të dobishme për ju.
Bëjeni Daljen në Takime të Paramenduar
Nëse jeni pyetur ndonjëherë se si keni dalë në takime, shpresoj që fjala “qëllimisht” do të jetë një nga përgjigjet tuaja të para. Më lejoni të përpiqem ta ilustroj këtë me një shembull.
Më shumë se gjysma e takimeve të mia dhe bashkëshortes sime ishte në largësi. E njoha Katerinën kur ishim në shkollë në Santiago në Kili. Filluam të dilnim në takime, por ajo u kthye në shtëpi në Antofagasta përpara se unë të mbaroja universitetin. Për shkak se donim që marrëdhënia jonë të zhvillohej, një ose dy herë në muaj, të enjteve pasdite bëja udhëtimin prej 20 orësh me autobus për në Antofagasta, kaloja fundjavat me Katerinën (përfshirë shërbesat në kishë) dhe merrja autobusin 20 orë të tjera për në Santiago që të hënën në mëngjes në orën 08:00 të isha në klasë.
Në ditët që nuk mund të ishim bashkë, flisnim në telefon. Meqenëse nuk kishim celularë në atë kohë, bleva një plan telefoni që më lejonte të bëja thirrje të pakufizuara në telefonat publikë. Kaloja orë të tëra i lidhur në një kabinë telefonike dhe nëse dikush tjetër do të duhej ta përdorte atë, do të më duhej ta mbyllja telefonin dhe t’i telefonoja Katerinës sapo ata të përfundonin.
Gjatë gjithë kësaj përvoje, për shkak të pengesave të shumta në marrëdhënien tonë, m’u desh të mësoja që të isha i qëllimshëm për mënyrën se si komunikoja me Katerinën.
Ju ftoj ta bëni daljen në takime të paramenduar dhe të qëllimshme. Presidenti Rasëll M. Nelson na ka kërkuar që të jemi të qëllimshëm me dishepullimin tonë. Ne gjithashtu mund të kërkojmë të jemi të qëllimshëm në mënyrën se si dalim në takime.
Duhet të bëjmë pyetje të rëndësishme:
-
Çfarë mendon për jetën, familjen dhe, më rëndësishmja, për Shpëtimtarin?
-
E di se çfarë lloj gjërash bën dhe çfarë nuk të pëlqen të bësh, por cilat janë ndjenjat e tua për ungjillin?
-
Cilat janë standardet e tua dhe morali yt?
Pyetjet e qëllimshme duhet të shoqërohen me kryerjen e një sërë veprimtarish të qëllimshme. Argëtohuni, por sigurohuni që të bëni edhe gjëra shpirtërore së bashku. Bëni veprimtari që do t’ju ndihmojnë ta kuptoni njëri-tjetrin dhe të njiheni vërtet.
Besim në Vend të Frikës
Pasi të keni dalë bashkë për ca kohë, zgjedhja për t’u martuar mund t’ju duket si një vendim i frikshëm. Unë isha ende në ankth deri në çastin kur Katerina dhe unë u martuam!
Zgjedhja për t’u martuar mund të jetë një vendim i vështirë, por nuk është një vendim që e merrni vetëm një herë. Të zgjedhësh të martohesh do të thotë të zgjedhësh t’i rizotohesh sërish shokut ose shoqes sate të përjetshme gjatë gjithë jetës dhe ta forconi atë zotim së bashku.
Kur keni pyetje rreth martesës ose ungjillit, duhet “ta studio[ni] atë tërësisht në mendjen t[uaj]; më pas [ju] duhet ta … pyes[ni Zotin] nëse është e drejtë” (Doktrina e Besëlidhje 9:8). Ju gjithashtu duhet ta pyesni veten: “A jam i gatshëm të zgjedh të jem pjesë e kësaj për tërë pjesën tjetër të jetës sime?”
Kur u martova, disa njerëz më pyetën a isha në ankth se do të përfundoja i shkurorëzuar si prindërit e mi. Përgjigjja ime ka qenë gjithmonë jo. Kur u martova, vendosa se do të bëja çfarëdo gjëje që martesa ime të funksiononte. Kjo do të thoshte të zgjidhja çdo ditë që të ndiqja Shpëtimtarin dhe të isha lumturisht i martuar me bashkëshorten time. Zgjodha të mos lejoja që frika e shkurorëzimit të më largonte nga një vendim i mirë dhe i drejtë.
Presidenti Xhefri R. Holland, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Pasi të ketë pasur ndriçim të mirëfilltë, bëni kujdes ndaj tundimit për t’u larguar nga një gjë e mirë. Nëse ishte e drejtë kur u lutët për të, e mirëbesuat atë dhe jetuat për të, është e drejtë edhe tani. … Përballuni me dyshimet tuaja. Zotërojeni frikën tuaj. ‘Mos e hidhni tej [sigurinë] tuaj.’”
Mos Prisni për Lumturinë
Realiteti është se ka shumë prej jush që kanë dëshira shumë të mira dhe të sinqerta për të gjetur një shok apo shoqe. Ju e dini se kjo është një dëshirë e mirë dhe e drejtë, por kur jeni duke hasur vështirësi për të gjetur dikë me të cilin të puqeni, ju ndiheni të bllokuar në përparimin tuaj në shtegun e besëlidhjeve.
Në lidhje me këtë, Motra Kristen M. Ouks tha: “Nëse po e lini kohën të ikë duke pritur për një kandidat të mundshëm për martesë, jepini fund pritjes dhe filloni përgatitjen. Përgatiteni veten tuaj për jetën me anë të arsimimit, përvojës dhe planifikimit. Mos prisni që lumturia t’ju vijë nga të tjerët. Kërkoni mundësi për të shërbyer e mësuar. Dhe më e rëndësishmja, mirëbesoni te Zoti, ‘duke [e] thirrur emrin e Zotit çdo ditë dhe duke qëndruar me vendosmëri në besimin e asaj që do të vijë’ [Mosia 4:11]. Dhe ju premtoj teksa e bëni, lumturia do t’ju vijë.”
Udhëtimi juaj në shtegun e besëlidhjeve nuk ka ndaluar ngaqë ende nuk jeni martuar. Ju prapëseprapë keni lidhjen tuaj të besëlidhjeve me Shpëtimtarin. Nëse po ndesheni me refuzim, vetmi ose frikë, futeni Atë në betejat tuaja. Ai do t’ju udhërrëfejë. Ai do t’ju ndihmojë.
Për disa, dalja qëllimisht në takime për të gjetur një shok ose shoqe të përjetshme nuk do të japë fryte menjëherë. Për të tjerët do të japë. Pavarësisht nga kjo, unë e di se Perëndia do të përmbushë çdo premtim që na ka bërë nëse jemi të qëllimshëm dhe mirëbesojmë tek Ai.
Pavarësisht se ku jeni në botë ose çfarë po ndodh ose nuk po ndodh në jetën tuaj, për shkak të Jezu Krishtit, ju mund të keni gëzim në të gjitha rrethanat. Ai dhe mësimet e Tij janë gjithmonë përgjigjja.