2025
Zoti e Qetësoi që të Flinte
Korrik 2025


“Zoti e Qetësoi që të Flinte”, Liahona, korrik 2025.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Zoti e Qetësoi që të Flinte

Perëndia ndihmoi që biri ynë të qetësohej dhe na dha ngushëllim kur kishim dëshpërimisht nevojë për të.

ilustrim i një fëmije duke fjetur ndërkohë që është i lidhur me një aparat EEG

Ilustrimi nga David Malan/Malan Creative

Kur fëmija ynë i parë, Kejdëni, ishte 10 muajsh, unë dhe bashkëshorti im, Davidi, për herë të parë e lamë atë nën kujdesin e prindërve të mi. Dolëm për darkë dhe më pas shkuam në kinema. Pasi morëm kokoshkat dhe u ulëm, nëna ime më mori në telefon.

Foshnja jonë nuk po merrte frymë dhe ata kishin lajmëruar ambulancën.

I dhamë makinës për në shtëpi me panik, u futëm me vrap brenda dhe e pamë Kejdënin në krahët e nënës sime, duke u buzëqeshur ndihmësmjekëve. Ai ishte mirë, por kishte përjetuar një krizë.

Mjekët nuk mund të përcaktonin shkakun e krizës apo të dy krizave të mëvonshme, por ata na dhanë ilaçe për të ndihmuar. Si nënë me fëmijën e parë, isha e dërmuar. Kejdëni dukej në rregull, por përvoja ma tronditi besimin. U pushtova nga stresi dhe shqetësimi.

Dy vjet më vonë, një neurolog rekomandoi që Kejdëni të kryente një elektroencefalogram (EEG), një ekzaminim që do të maste aktivitetin e trurit të tij ndërkohë që ai flinte. Nëse rezultatet dukeshin të mira, ai mund të ndalonte marrjen e ilaçeve për kriza.

Isha e shqetësuar për ekzaminimin, sepse Kejdëni nuk dremiste më në drekë që një vit më parë. Si do ta vinim atë në gjumë në një zyrë mjeku plot pacientë, me elektroda në të gjithë kokën e tij?

Natën përpara ekzaminimit Davidi i dha Kejdënit një bekim priftërie. Ndërsa bekimi filloi, unë ndjeva praninë e fortë të Shpirtit. E dija se gjithçka do të shkonte mirë. Ishte hera e parë që prej krizës së tij të parë që ndjeva paqe.

Të nesërmen mjekët vendosën elektroda në kokën e Kejdënit. Më pas, e shtrimë në tavolinën e ekzaminimit dhe fikën dritat.

Ai ra në gjumë brenda pak minutash. Kjo mund të mos duket si një mrekulli, por ai nuk dremiste vetë prej më shumë se një viti.

Ati Qiellor nuk na kishte harruar. Shpirti i Tij ishte aty në zyrën e atij mjeku, duke e qetësuar Kejdënin dhe duke më ngushëlluar mua. Qëndrimi im ndaj sprovave dhe bekimeve të priftërisë ndryshoi atë ditë. E di se fuqia e priftërisë është e vërtetë.

Tani Kejdëni është i ri në moshë madhore. Nuk ka pasur asnjë krizë të vetme që kur ishte foshnjë. Ai është përballur me sfida të tjera, por e ka kapërcyer shumicën prej tyre. E di se Zoti vazhdon të kujdeset për të dhe ta qetësojë frikën time (shihni te Lluka 8:50).