“Përhapja e Tingujve të Muzikës”, Liahona, korrik 2025.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Përhapja e Tingujve të Muzikës
Të gjithë mund të kërkojmë mënyra për t’i ndarë me të tjerët dhuratat dhe talentet tona që na janë dhënë nga Perëndia, duke ngritur [moralisht] atje ku ndodhemi.
Ilustrimi nga David Malan/Malan Creative
Gjithmonë kam dashur të luaj në Orchestra at Temple Square, orkestrën e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. I bie klarinetës dhe kam një diplomë universitare për muzikë, por nuk ka gjasa që ta kem ndonjëherë atë mundësi.
Në fund të fundit, unë jetoj në Zelandën e Re.
Sidoqoftë, Fryma e Shenjtë më kujton se mund të jem “i kënaqur” (Alma 29:3) si pionier i muzikës për Kishën në Zelandën e Re dhe zona të tjera. Thirrja ime e parë në moshën 18‑vjeçare ishte si drejtues i muzikës në çerdhe. Që prej asaj kohe jam bekuar të drejtoj e krijoj prodhime muzikore të kunjeve dhe lagjeve, si dhe t’i bie pianos në Fillore. E kam shpërndarë muzikën përtej Zelandës së Re dhe në Filipine, dhe kam luajtur në piano në një shtëpi të hapur muzikore për një distrikt të Kishës në Shangai të Kinës. Kam kënduar në duet në Qendrën e Trajnimit të Misionarëve në Provo.
Muzika më ka mbajtur në Kishë gjatë një beteje të vështirë me ankthin dhe depresionin. Kur mendoja se nuk mund të bëja asgjë tjetër, e dija se mund të thosha “po” për të ndihmuar me muzikë. Muzika më ndihmon ta shoh botën përmes syve shpirtërorë.
Arrij të krijoj muzikë me bashkëshorten dhe tre fëmijët e mi. Së bashku kemi dhënë shfaqje në lagje, kemi krijuar një kontribut muzikor për një transmetim për misionarët në Misionin e Oklandit në Zelandën e Re dhe kemi kënduar për një konferencë kunji nëpërmjet internetit. E di se si fjala e Perëndisë, nëpërmjet himneve të Kishës, fton Frymën e Shenjtë dhe mund të prekë zemrat në familjet dhe lagjet tona.
Vazhdoj ta kem shumë për zemër Orchestra at Temple Square, por e di se bekohemi kur kërkojmë mundësi për të shërbyer dhe lëvduar Zotin kudo që jemi dhe në çfarëdo mënyre që mundemi (shihni te Psalmeve 150:6). Jam mirënjohës që mund ta shprehim dëshminë tonë nëpërmjet dhuntive dhe talenteve, përfshirë muzikën. Ne bekohemi dhe i bekojmë të tjerët kur i ndajmë ato dhunti dhe talente me fëmijët e Perëndisë dhe “ngr[emë] atje ku ndodhe[m]i”.