2025
Përgjigjja për Pyetjen Madhore: Çfarë Mendoni Ju për Krishtin?
Korrik 2025


“Përgjigjja për Pyetjen Madhore: Çfarë Mendoni Ju për Krishtin?”, Liahona, korrik 2025.

Eja, Më Ndiq

Doktrina e Besëlidhje 76

Përgjigjja për Pyetjen Madhore: Çfarë Mendoni Ju për Krishtin?

Çfarë ndryshimi sjell në jetën pas kësaj mënyra se si i përgjigjemi kësaj pyetjeje?

ilustrim i Jezu Krishtit

Ilustrimi nga David B. Chamberlain

Seksioni 76 i Doktrinës e Besëlidhjeve paraqet një vegim të përqendruar te Krishti, duke i ftuar të gjithë fëmijët e Perëndisë të reflektojnë mbi pyetjen e thellë: “Çfarë mendoni ju për Krishtin?” (Mateu 22:42.) Plaku Nil A. Maksuell (1926–2004), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, theksoi rëndësinë e përgjigjes sonë, duke thënë: “A mund të përgjigjemi me jetën tonë dhe me gjuhën tonë: ‘Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë’? (Mateu 16:16.) Derisa të mundemi, çfarëdo gjëje tjetër që themi dhe bëjmë, në fund do të sjellë pak ndryshim.”

Ndërsa përsiatnin kuptimin e vargut te Gjoni 5:29, Jozef Smithi dhe Sidni Rigdoni përjetuan një vegim qiellor në lidhje me ringjalljen e fëmijëve të Perëndisë dhe mbretëritë e lavdisë që ata i marrin nisur nga përgjigjet e tyre ndaj Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij të përjetshëm.

Kush Është Jezu Krishti?

Vegimi i përshkruar te Doktrina e Besëlidhje 76 thekson të vërteta kyçe rreth Jezu Krishtit:

  • “Zoti është Perëndi dhe përveç tij nuk ka Shpëtimtar” (vargu 1).

  • Ai është i “mëshirshëm dhe i hirshëm për ata që [e] kanë frikë dhe gëzohe[t] t’i nderoj[ë] ata që [i] shërbejnë në drejtësi dhe në të vërtetë deri në fund” (vargu 5).

  • “Ai erdhi në botë … të merrte mëkatet e botës, dhe ta shenjtëronte botën, dhe ta pastronte atë nga gjithë padrejtësia; [s]e nëpërmjet tij të gjithë mund të shpëtohen, të cilët Ati i kishte vënë nën fuqinë e tij dhe i kishte bërë prej atij” (vargjet 41–42).

  • Dhe Jezu Krishti përfundimisht “e kreu këtë shlyerje të përsosur nëpërmjet derdhjes së vetë gjakut të tij” (vargu 69).

Një Dëshmim i Veçantë

Jozefi dhe Sidni dëshmuan me guxim për realitetin dhe rëndësinë e Jezu Krishtit:

“Ai jeton!

Sepse ne e pamë atë, madje në të djathtën e Perëndisë; dhe ne e dëgjuam zërin duke dhënë dëshmi se ai është i Vetëmlinduri i Atit –

Se nëpërmjet tij dhe prej tij, dhe përmes tij, botët janë e u krijuan dhe banorët e tyre janë bij e bija të lindura të Perëndisë” (vargjet 22–24).

Bijtë e Humbjes

Jezu Krishti do të shpëtojë “të tërë, përveç [bijve të humbjes]” (Doktrina e Besëlidhje 76:44). Ata i janë përgjigjur plotësisht pyetjes: “Çfarë mendoni ju për Krishtin?” duke hedhur poshtë Shpirtin e Shenjtë, duke e mohuar dhe kundërshtuar haptazi Jezu Krishtin dhe fuqinë e Tij pasi Ai iu zbulua atyre (shihni vargun 43). Duke e bërë këtë, ata e kanë “kryqëzuar vetë dhe … e [kanë] poshtëruar hapur atë” (vargu 35).

Lavdia Telestiale

Si i përgjigjen ata që janë në mbretërinë telestiale pyetjes: “Çfarë mendoni ju për Krishtin?” Ata zgjodhën të mos e pranonin ungjillin dhe “dëshminë e Jezusit” (Doktrina e Besëlidhje 76:82, 101) dhe ata nuk i pranuan urdhërimet e Tij, duke qenë “gënjeshtarë dhe magjistarë, dhe kurorëshkelës, dhe kurvërues” (vargu 103).

Megjithatë, ata marrin një ringjallje dhe një shkallë lavdie që ia “tejkalon çdo zgjuarsi[e]” (vargu 89). Ata i binden të paktën një ligji në mbretërinë telestiale (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:36) që iu kërkon të gjithëve që të “përkulin gjunjët dhe çdo gjuhë do t’i rrëfejë atij që ulet në fron përherë e përgjithmonë” (Doktrina e Besëlidhje 76:110).

Lavdia Terrestiale

Si i përgjigjen ata që janë në mbretërinë terrestiale pyetjes: “Çfarë mendoni ju për Krishtin?” Ndërkohë që kanë një “dëshmi [për] Jezusi[n]”, ata “nuk janë të guximshëm” për të, “prandaj, ata nuk e marrin kurorën mbi mbretërinë e Perëndisë sonë” (vargu 79). Ata janë të bekuar të “marrin nga prania e Birit, por jo nga plotësia e Atit” (vargu 77).

Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij i përjetshëm na sfidojnë jo vetëm të dimë, por edhe të bëjmë dhe të bëhemi. Për të marrë plotësinë e Atit dhe të Birit, një person duhet të marrë ordinancat e tempullit dhe të jetë besnik ndaj atyre besëlidhjeve. Profeti Jozef Smith sqaroi: “Nëse një njeri merr plotësinë [e bekimeve të] priftërisë së Perëndisë, ai duhet ta marrë atë në të njëjtën mënyrë si e mori atë Jezu Krishti dhe kjo nga mbajtja e gjithë urdhërimeve e duke iu bindur gjithë ordinancave të shtëpisë së Zotit”. Qeniet terrestriale nuk janë të gatshme ta marrin plotësinë e Atit.

Lavdia Çelestiale

Si i përgjigjen ata që janë në mbretërinë çelestiale pyetjes: “Çfarë mendoni ju për Krishtin?” Ata e pranojnë “dëshminë e Jezusit”, besojnë “në emër të tij”, “pagëz[ohen] sipas mënyrës së varrimit të tij, duke u varrosur në ujë në emër të tij” (vargu 51). Ata i zbatojnë “urdhërime[t që] ata [të] mund të lahen e pastrohen nga gjithë mëkatet e tyre dhe [të] mund të marrin Shpirtin e Shenjtë me anë të vënies së duarve prej atij që shugurohet dhe vuloset në këtë fuqi” (vargu 52). Ata “kanë sukses nëpërmjet besimit [te Zoti Jezu Krisht] dhe vulosen me anë të Shpirtit të Shenjtë të premtimit” (vargu 53). Ata janë “bërë të përsosur nëpërmjet Jezusit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re, i cili e kreu këtë shlyerje të përsosur nëpërmjet derdhjes së vetë gjakut të tij” (vargu 69).

Jezu Krishti e kupton rolin e Tij në planin e Atit Qiellor për lumturinë: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Askush nuk e merr lavdinë çelestiale ose plotësinë e Atit pa pranuar gjithçka që ofron Shpëtimtari nëpërmjet Shlyerjes së Tij (shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:37–38): dashurinë, fuqinë, mëshirën, mirësinë, shërbëtorët, drejtësinë, urdhërimet, ordinancat dhe besëlidhjet e Tij.

Presidenti Rasëll M. Nelson e theksoi rolin e Kishës së Jezu Krishtit për të ndihmuar bijtë e Perëndisë që të marrin jetën e përjetshme: “Qëllimi afatgjatë i Kishës është t’u japë ndihmesë të gjithë anëtarëve që ta rritin besimin e tyre te Zoti ynë Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij, t’u japë ndihmesë atyre për t’i bërë dhe mbajtur besëlidhjet e tyre me Perëndinë, si dhe për t’i forcuar dhe vulosur familjet e tyre”.

Presidenti Nelson na ka nxitur që ta bëjmë mbretërinë çelestiale synimin tonë të përjetshëm, duke “m[arrë] parasysh me kujdes se ku do t[ë na] vendos[in] në botën tjetër secili nga vendimet t[ona] ndërsa je[m]i këtu në tokë”. Duke iu përgjigjur kësaj ftese, ne do të jemi të përgatitur t’i përgjigjemi pyetjes madhore: “Çfarë mendoni ju për Krishtin?”

Vegimi i shkallëve të lavdisë na siguron se jo vetëm që liria e zgjedhjes është reale, por edhe që zgjedhjet kanë vërtet rëndësi. Na kujton gjithashtu se për shkak të Jezu Krishtit, ne “j[emi] shëlbuar nga rënia” dhe “j[emi] bërë të lirë përgjithmonë, … të zgjedhi[m] lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve, ose të zgjedhi[m] robërinë dhe vdekjen” (2 Nefi 2:26–27). Çfarë do të zgjedhim? E ardhmja jonë në këtë jetë dhe fati ynë i përjetshëm janë po aq të shndritshëm sa edhe besimi ynë te Jezu Krishti.

Shënime

  1. Neal A. Maxwell, “Answer Me”, Ensign, nëntor 1988, f. 32.

  2. Shihni te Dallin H. Oaks, “The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 32–34; Liahona, janar 2001, f. 40–43.

  3. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 447.

  4. Rasëll M. Nelson, “Fjalët e Hapjes”, Liahona, nëntor 2018, f. 7.

  5. Rasëll M. Nelson, “Mendoni Çelestialisht!”, Liahona, nëntor 2023, f. 117–118.

  6. Shihni te Tomas S. Monson, “Merrni Zemër”, Liahona, maj 2009, f. 92.