“Ndiej Paqe në Zemër”, Liahona, korrik 2025.
Portrete Besimi
Ndiej Paqe në Zemër
Kur isha student infermierie ndieja se nuk kisha kohë për thirrjen time në Kishë dhe për studimet e mia. Por në rininë time kisha mësuar se shërbimi dhe bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë çojnë drejt një jete të lumtur.
Fotografitë nga Christina Smith
Në adoleshencën time të hershme, mendova të largohesha nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Por në të njëjtën kohë e kuptova se nuk i kisha ndjekur të gjitha mësimet e Kishës. Vendosa që po të largohesha nga Kisha, doja të ndihesha mirë për këtë gjë.
Prandaj mora vendimin për t’u përpjekur që t’i bindesha gjithçkaje që na mëson ungjilli. Më pas, nëse brenda vetes do të ndieja se mësimet nuk kishin kuptim, mund të largohesha pa asnjë keqardhje.
U përpoqa me gjithë “zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën” time (Doktrina e Besëlidhje 4:2) që t’i bindesha asaj që jep mësim Zoti dhe vëzhgova se çfarë do të vinte si rezultat. Gjatë asaj përvoje, m’u dha një periudhë lumturie në një shkallë që nuk e kisha përjetuar pothuajse kurrë më parë. Nëpërmjet të qëndruarit në Kishë, ndjeva se mund të bëja një jetë të lumtur, duke e ditur se çfarë është lumturia e vërtetë.
Pas asaj përvoje vendosa të shkoja në mision dhe të flisja për paqen që ndjeva në zemër. Pavarësisht nga sprovat me të cilat do të përballesha, kisha mësuar se, në qoftë se i lutem Perëndisë, Ai do të më mbështetë, do të më japë shpresë dhe do të më ndihmojë të kuptoj arsyen për vështirësitë e mia.
Çfarë Duhet të Bëj?
Pas misionit, ndërsa studioja për t’u bërë infermier, shpenzoja shumë kohë çdo ditë duke mësuar për punën. Më pas, bëja detyrat e shtëpisë deri në orën 02:00 ose 03:00 të mëngjesit. Pastaj merrja një sy gjumë përpara se të vazhdoja të mësoja për punën të nesërmen.
Në atë kohë po shërbeja si president i Të Rinjve në lagje. Ishte shumë e vështirë të studioja e në të njëjtën kohë të përmbushja thirrjen në Kishë. Megjithatë, e dija se në qoftë se do ta lija thirrjen time, nuk do të isha në gjendje t’u mësoja të rinjve rëndësinë e ndjekjes së shtegut të Perëndisë ose të merrja bekimet që Ai kishte ruajtur për mua.
“Çfarë duhet të bëj?” – e pyeta Atin Qiellor. “Trupi dhe mendja ime janë lëmsh dhe mendoj se nuk po bëj atë lloj pune që Ti do të doje që unë të bëja.”
Pas lutjes sime gjeta ngushëllim. Ndjeva se Perëndia po më thoshte: “Kjo kohë që po kalon duke punuar kaq shumë, është e rëndësishme për ty. Orari yt i ngarkuar mund të jetë i vështirë, por nëse e kapërcen këtë sprovë tani, unë do të të përdor për të bekuar e ndihmuar shumë njerëz të tjerë në të ardhmen.”
Kjo përgjigje më dha siguri se kisha një qëllim, që nëse duroja, do të mund të bëja një punë të veçantë në të ardhmen.
U tregova të rinjve se sa e vështirë ishte shkolla për mua. Por gjithashtu u thashë atyre se Kisha dhe ungjilli janë të rëndësishëm dhe duhet të jenë qendra e jetës sonë madje edhe në mes të vështirësive. U shpreha dashurinë time dhe u thashë se po përpiqesha shumë ta përmbushja thirrjen time, sepse ata ishin po aq të rëndësishëm për mua sa edhe studimet e mia. Ata derdhën lot ndërsa e vërteta e këtyre gjërave ua preku zemrat.
I Bekuar për të Shërbyer
Teksa vazhdova t’u shërbeja të rinjve dhe t’u mësoja ungjillin, mendova shumë për ndjenjat e tyre të ndërlikuara të adoleshencës ndërkohë që frekuentonin kishën dhe mësonin ungjillin. U përqendrova te shëndeti i tyre mendor dhe i ndihmova me nevojat e tyre individuale.
Shërbimi ndaj të rinjve më ndihmoi të zhvilloja aftësi për të vëzhguar dhe për të vënë re ndryshime të vogla te njerëzit. Tani që jam duke punuar si infermier dhe duke u kujdesur për dhjetëra pacientë, e kam shfrytëzuar atë aftësi kur ndërveproj me të tjerët.
“Ai pacient thotë se ti i kupton vërtet ndjenjat e tij”, – më thonë kolegët. Ose një pacient mund të thotë: “Shoh se me ty është e lehtë të flasësh”.
Shërbimi në thirrjet e Kishës më ka bekuar edhe në shtëpi. Kam mësuar t’i jap përparësi bashkëshortes sime, pasi kam mësuar të bëhem më pak egoist.
E pyes veten: “Po të isha Ati Qiellor, si do ta forconte Ai këtë familje dhe çfarë duhet të bëj unë për ta arritur këtë?”
Ngaqë e kam studiuar ungjillin me gjithë zemër, e di mënyrën se si dhe arsyen pse duhet t’u mësoj fëmijëve të mi se Kisha është e rëndësishme. Bashkëshortja ime dhe unë e dimë se si ta ushqejmë familjen tonë shpirtërisht ngaqë i bazojmë mësimet tona te mësimet e Shpëtimtarit.
Ndiej shpresë dhe paqe në zemrën time duke ndjekur mësimet e Zotit dhe duke ua vënë veshin nxitjeve të Tij. Ai ka qenë përkrah meje gjatë gjithë udhës, duke më bekuar nëpërmjet bindjes sime dhe thirrjeve të mia për të bekuar e ndihmuar njerëz të tjerë. Pavarësisht nga sprovat, unë dua ta jetoj jetën në një mënyrë të tillë që të mund të bëj atë që dëshiron Jezu Krishti (shihni te 2 Nefi 32:3).