2025
Mënyra të Thjeshta për t’u Bërë më Tepër si Krishti Kur Japim Shërbesë
Korrik 2025


“Mënyra të Thjeshta për t’u Bërë më Tepër si Krishti Kur Japim Shërbesë”, Liahona, korrik 2025.

Mënyra të Thjeshta për t’u Bërë më Tepër si Krishti Kur Japim Shërbesë

Mundësitë për të dhënë shërbesë ashtu siç do të bënte Shpëtimtari janë kudo përreth nesh.

ilustrim i Jezu Krishtit duke ngushëlluar një të ri

Ilustrimi nga Jen Tolman

Puna për dhënien e shërbesës, që është e dërguar nga qielli, nuk është e ndërlikuar. Ofrimi i një kujdesi dhe shqetësimi më të madh qëndron në disa praktika bazë që, kur merren parasysh plot mendim, ndihmojnë për t’i “ngr[itur] sytë tanë shpirtërorë drejt të jetuarit të ligjit të dashurisë në mënyrë më tërësore”.

Ne këshillohemi të “kujdes[emi] për njerëzit … t[anë] dhe [t’i] ushq[ejmë] me gjëra që k[anë] të bë[jnë] me drejtësinë” (Mosia 23:18). Disa mënyra kyç për të dhënë shërbesë përfshijnë:

  • Vihuni në kontakt me ta. Kjo është mënyra se si krijohen mundësitë për dhënie shërbese.

  • Bëjini të dinë se ju kujdeseni për ta duke mësuar rreth tyre dhe duke zhvilluar ndjeshmëri.

  • Lutuni për mundësi që të jepni shërbesë dhe të kërkoni frymëzim për t’i ditur nevojat e tyre.

  • Mbani lidhje nëpërmjet kontaktit të rregullt që të jeni të përgatitur për të shërbyer.

Mundësitë për të dhënë shërbesë ashtu siç do të bënte Shpëtimtari janë kudo përreth nesh. Këtu janë katër shembuj që e nxjerrin në pah dhënien e shërbesës si të Krishtit.

Njihuni me të Tjerët

Nga Fransisko Lazaro Kampos de Sousa, Brazil

Gjatë një mbledhjeje të presidencës së kuorumit të pleqve ndjeva dëshirën për të takuar një anëtar të kuorumit që nuk ishte aktiv, dikë që nuk e kisha takuar. Një ditë pasi bëra pazar, ndjeva dëshirën për të shkuar në shtëpinë e tij. Ngurrova, por ndjenjat për ta takuar u shtuan. I thashë emrin dhe gjërat që më erdhën në mendje. I thashë se Zoti kishte nevojë për të dhe ai kishte nevojë për Zotin.

Më tregoi për dhembjen e vetmisë dhe vështirësi të tjera të tij. “Do të gjesh miq në kuorum që do të të ndihmojnë e përkrahin”, – i thashë. Ai e pranoi me gatishmëri ftesën time dhe i frekuentoi mbledhjet e Shabatit.

Fillimisht nuk e njihja, por Zoti e njihte dhe e dinte çfarë kishte në zemër. Bindja ime u ripohua. Kur u japim shërbesë fëmijëve të Atit tonë dhe lutemi për të ditur nevojat e tyre, Zoti na çon drejt tyre. Ne bëhemi pjesë e përvojës së gëzueshme që të “ndihmo[jmë] të dobëtit, [të] ngr[emë] duart që varen poshtë dhe [të] forco[jmë] gjunjët e këputur” (Doktrina e Besëlidhje 81:5).

Ndihmoni

Nga Ana Rodriguez Ramirez, Spanjë

Një ditë në misionin tim, unë dhe shoqja ime misionare morëm nxitjen që të vizitonim një motër në lagje. Premë zemra prej letre dhe shkruam mbi to mesazhe dashurie për t’i kujtuar asaj vlerën e vet.

Mbërritëm në shtëpinë e saj, duke menduar se nuk do të ishte në shtëpi. Ndërsa po i vendosnim zemrat prej letre, makina e saj ndaloi para shtëpisë. Unë dhe shoqja ime u përpoqëm të fshiheshim për ta ruajtur surprizën miqësore, por pa rezultat. Ajo na pa.

Motra doli nga makina e saj me lot në fytyrë. Na përqafoi dhe tha: “Ju të dyja jeni engjëjt e mi. Më gjendeni gjithnjë kur kam më shumë nevojë për ju. Faleminderit.”

Na ftoi brenda dhe na tregoi për ditën e gjatë që kishte kaluar duke u përballur me një situatë të rëndë familjare. Thjesht e dëgjuam. I treguam se sa shumë e do Perëndia atë dhe se Ai nuk e harroi atë që ajo po kalonte. Lexuam shkrime të shenjta me të dhe shtëpia e saj u mbush me Frymën e Shenjtë kur u larguam.

Dishepujt e Jezu Krishtit janë “të gatshëm … ngushëllo[jnë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen” (Mosia 18:9). Ai na mirëbeson që të jemi pjesë e veprës së Tij të madhërishme, një dhënie shërbese më e lartë dhe më e shenjtë. Kur gjejmë kohë për t’i njohur njerëzit dhe për t’i dëgjuar ata, ne jemi më të përgatitur për të qenë engjëjt tokësorë të Perëndisë.

Përfaqësoni Shpëtimtarin

Nga Talia Rodriguezi, Zvicër

Lutja është pjesë thelbësore e dhënies së shërbesës ashtu siç e dha Shpëtimtari. Lutja mund të fillojë kërkimin tonë për të ditur se kë të bekojmë. Mund të na ndihmojë të kuptojmë vullnetin e qiellit lidhur me mënyrën se si të bekojmë. Lutja është gjithashtu një hap kyç për të mësuar se si ta kryejmë detyrën tonë.

Bashkëshorti im, Mario, vuajti nga COVID‑i në ditët e para të sëmundjes përpara vaksinimeve. Peshkopi i kërkoi një plaku në lagjen tonë, Moronit, që t’i jepte Marios një bekim priftërie.

Ngaqë ai nuk donte që ta merrte virusin dhe ta përhapte në familjen e tij, Moroni kishte nevojë për konfirmimin e qiellit përpara se të vazhdonte. U gjunjëzua në lutje me bashkëshorten e tij, duke pritur për një siguri plot paqe. Kur u ndien në paqe, bashkëshortja e tij i tha: “Shko me parzmoren tënde, Moroni”.

Kur ai hyri në shtëpinë tonë, ne pamë një luftëtar të Zotit. Bashkëshorti im derdhi lot gëzimi kur pa vëllanë që vinte me guxim për t’i dhënë bekimin që dëshironte. Ishte një përvojë e papërshkrueshme.

Shpëtimtari erdhi nëpërmjet shërbëtorit të Tij, vëllait tonë të dashur, Moronit, i cili i vuri duart mbi kokën e Marios dhe e bekoi atë ashtu siç do ta bekonte Krishti.

Ndihmojini që të Marrin Bekimet e Besëlidhjeve

Nga Geiziane Morais Freitas Duarteja, Brazil

Një herë, i shërbeva një motre që nuk shkonte më në kishë. Kur i shkoja për vizitë, i thosha sa shumë e donte Shpëtimtari atë dhe familjen e saj. I ftoja gjithmonë që të vinin në kishë të dielën e ardhshme. Kjo praktikë vazhdoi për një kohë të gjatë, por ata nuk erdhën kurrë. U ndjeva e shkurajuar. Tundimi për të hequr dorë ishte i fortë. Por sa herë që unë dhe shoqja ime e vizitonim shtëpinë e tyre, na jepej një vështrim i shpejtë i qiellit. I përfytyronim gjithmonë në tempull, të veshur me të bardha. E dinim se duhej të vazhdonim të përpiqeshim.

Pas shumë lutjesh e takimesh, më në fund erdhi dita. Familja erdhi në kishë! Vazhduan të vinin përsëri çdo javë. Pjesëtarët e familjes bënë shumë punë për ta rritur besimin e tyre dhe për të hyrë në shtegun e besëlidhjeve. U bë e qartë se ungjilli i kishte forcuar ata.

Përfundimisht mora një ftesë për vulosjen e tyre në tempull. Ndërsa shihja ordinancën e shenjtë, nuk mund të mos derdhja lot gëzimi. Ishte një mrekulli.

Kishte raste që doja të hiqja dorë. Por sa herë që i vizitoja, shikoja tempullin. Perëndia më dha një vështrim të shpejtë të planit të Tij për këtë familje. Ai më përdori mua si mjetin e Tij për të qëndruar në kontakt me ta. I jam mirënjohëse Atij që më tregoi pamjen e vërtetë të dhënies së shërbesës.

Ndjekja e Modelit të Krishtit

Gëzimi dhe fuqia e dhënies së shërbesës gjenden kur bëhemi bekim në jetën e dikujt, duke i shërbyer ashtu siç do të bënte Shpëtimtari. Presidentja e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, Kamill N. Xhonson, dha mësim se “sa herë që bëni diçka për t’u sjellë ndihmë të tjerëve, materiale ose shpirtërore, … ju po u sillni atyre dashurinë e Jezu Krishtit. Dëshmoj se kur e bëni këtë, ju do të bekoheni që të gjeni ndihmën tuaj vetjake tek Ai.”

Ne bëhemi më shumë si Shpëtimtari në dhënien e shërbesës nga ana jonë kur i drejtohemi Zotit për ndihmë në përpjekjet tona. Ne ndjekim nxitjet, përpiqemi t’i njohim njerëzit të cilëve u shërbejmë, lutemi për ta, i ndihmojmë të bëjnë e mbajnë besëlidhje dhe këmbëngulim në përpjekjet tona.

Shërbesa e Shpëtimtarit – një nga një – është një model i mirë për ne (shihni tek 3 Nefi 11:15). Siç ka dhënë mësim Plaku Huan Pablo Villar, i Të Shtatëdhjetëve: “Nëse do ta ndjekim Jezu Krishtin, Mësuesin Shërbestar, dhe do t’u japim shërbesë të tjerëve ashtu siç do të donte Ai, Ai do të na forcojë e fuqizojë. Nëpërmjet dhënies së shërbesës nga ana jonë, ne mund të bekojmë jetët e të tjerëve dhe të gjejmë paqe e gëzim për vetë jetën tonë.”

Shënime

  1. Xhefri R. Holland, “Jini me Ta e Forcojini Ata”, Liahona, maj 2018, f. 102.

  2. Camille N. Johnson, “As His Covenant Daughters, We Are a Conduit through Which Jesus Christ Provides Relief” (Takimi Shpirtëror Mbarëbotëror i Shoqatës së Ndihmës 2024), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  3. Juan Pablo Villar, “We Follow the Master Minister”, Liahona, tetor 2024, f. 13.