“Arratisja nga Vietnami”, Liahona, korrik 2025.
Histori nga Saints [Shenjtorët], Vëllimi 4
Arratisja nga Vietnami
Kur shenjtorët vietnamezë vuajtën përmes luftës, shpërnguljes, kampeve dhe ndarjes nga familjet, ata u mbajtën fort te besimi i tyre.
Ilustrimi nga David Green
Një të diel të kthjellët në prill të vitit 1975, në Vietnamin e shkatërruar nga lufta, Nujen Van-Taji, president i Degës së Saigonit, hyri në shtëpinë vendore të mbledhjeve. Menjëherë, anëtarët e degës e rrethuan, me fytyrat plot acarim e shpresë. “Presidenti Taj! Presidenti Taj!” – thirrën ata. “Çfarë të rejash keni?”
“Do t’ju tregoj gjithçka që di pas mbledhjes së sakramentit”, – tha ai. Ai u bëri thirrje të gjithëve njerëzve në turmë që të qëndronin të qetë. “Të gjitha pyetjet tuaja do të marrin përgjigje.”
Nujen Van-Taji, president i Degës së Saigonit, merr një dhurim të së dhjetës në vitin 1973, rreth dy vjet përpara se lufta t’i detyronte anëtarët që të largoheshin nga Saigoni.
Për dekada të tëra, Vietnami kishte qenë një tokë e ndarë. Konflikti kishte shpërthyer menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Forcat amerikane kishin luftuar së bashku me vietnamezët e jugut kundër sundimit komunist të Vietnamit të Veriut për gati një dekadë, por numri i lartë i viktimave çoi në tërheqjen e Amerikës nga lufta. Tani forcat vietnameze të veriut po afroheshin drejt kryeqytetit jugor të Saigonit.
Ndërsa Presidenti Taj hyri në sallën e sakramentit dhe u ul në krye të dhomës, ai mund të dëgjonte gjëmimin e zjarrit të artilerisë. Lufta që kishte sjellë kaq shumë shenjtorë vietnamezë në ungjillin e rivendosur, tani po e copëtonte degën.
Pas mbledhjes, Presidenti Taj i njoftoi shenjtorët se ambasada e Shteteve të Bashkuara ishte e gatshme t’i evakuonte anëtarët e Kishës. Anëtarët e degës këmbëngulën që familja e Presidentit Taj të evakuohej menjëherë, në mënyrë që ai të mund t’i kushtonte vëmendje të plotë evakuimit të të gjithë anëtarëve të tjerëve.
Bashkëshortja e tij, Lieni, dhe tre fëmijët e tyre, së bashku me nënën dhe motrat e saj, u larguan me avion nga Saigoni disa orë më vonë.
Të nesërmen, Presidenti Taj dhe një shenjtor tjetër, Tran Van Ngia, hipën në një motoçikletë për të kërkuar ndihmë nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Por shpejt ata panë një tank me një tytë të madhe që po u afrohej me shpejtësi.
Ngia doli nga rruga dhe ai dhe Presidenti Taj u hodhën në një hendek për t’u fshehur. Tanku gjëmoi pranë tyre.
Saigoni ishte tani në duart e Vietnamit të Veriut.
Një javë më vonë, në maj 1975, Le Maj Lieni zbriti nga një autobus plot njerëz në një kamp ushtarak pranë San‑Diegos në Kaliforni, në Bregun Perëndimor të Shteteve të Bashkuara. Përpara saj shtrihej një hapësirë që dukej si qytet me tenda, i ngritur për të strehuar 18 000 refugjatë nga Vietnami.
Lieni nuk kishte para dhe fliste pak anglisht. Ajo kishte tre fëmijët e saj për t’u kujdesur ndërsa priste lajme prej bashkëshortit të saj në Vietnam.
Natën e tyre të parë në kamp, Lieni bëri çmos që fëmijët e saj të ndiheshin rehat. Kampi nuk i kishte dhënë asnjë batanije dhe vetëm një krevat fëmijësh. Djemtë e saj, Vuja dhe Hui, u rrasën në krevatin për fëmijë, ndërsa foshnja fjeti në një shtrat të varur, të krijuar me një çarçaf dhe rripa gome.
Lieni nuk kishte ku të shtrihej, kështu që ajo flinte e ulur në buzë të krevatit, e mbështetur në një nga shtyllat e tendës. Netët ishin të ftohta dhe shëndeti i saj u përkeqësua. Shpejt ajo u diagnostikua me tuberkuloz.
Ajo lutej vazhdimisht që bashkëshorti i saj të qëndronte i fortë, duke besuar se nëse ajo mund t’i mbijetonte sprovës së saj, atëherë ai mund t’i mbijetonte të tijës. Nuk kishte marrë asnjë lajm prej tij që prej fluturimit së saj nga Saigoni.
Kur Lieni përkundte foshnjën e saj që qante çdo mëngjes, edhe ajo qante. “Të lutem”, – i përgjërohej ajo Zotit, – “më lër ta kaloj edhe këtë ditë.”
Në vitin 1976, Presidenti Taj u burgos në Tan Ong Nam. Ai ishte i dëshpëruar për të marrë lajm nga bashkëshortja dhe fëmijët e tij, por gjithçka që dinte për vendndodhjen e familjes së tij vinte nga një telegram prej presidentit të Misionit të Hong Kongut: “Lieni dhe familja janë mirë. Me Kishën.”
Tani, më shumë se një vit më vonë, Taji pyeste veten se kur do të ishte përsëri i lirë.
Jeta në kampin e burgut ishte degraduese. Ai dhe shokët e tij robër ishin vendosur në baraka të mbushura me minj. Ata flinin në shtretër të bërë me pllaka çeliku. Ushqimi i paktë dhe i prishur, së bashku me kushtet johigjienike në kamp, i bënë burrat të cenueshëm nga sëmundje si dizenteria dhe Beri-Beri (mungesa e theksuar e vitaminës B1)
Riedukimi me parimet e qeverisë së re përfshinte punën e rëndë fizike dhe indoktrinimin politik. Kushdo që shkelte rregullat e kampit mund të priste një rrahje brutale ose izolim.
Ai kishte mbijetuar deri tani duke mos tërhequr vëmendje dhe duke u kapur fort pas besimit të tij. Për njëfarë kohe mendonte të arratisej nga kampi. Por ndiente se Zoti e frenonte. “Ki durim”, – pëshpëriste Shpirti. “Gjithçka do të jetë mirë në kohën e duhur të Zotit.”
Pak kohë më vonë Taji mësoi se motra e tij, Baja, do të lejohej ta vizitonte në kamp. Nëse ai mund t’i jepte fshehurazi një letër për familjen e tij, ajo mund t’ua dërgonte atyre.
Në ditën e vizitës së Bajës, Taji priti në radhë ndërsa rojet bënë kontrolle të plota trupore të të burgosurve përpara tij. Ai e kishte fshehur mesazhin pas copës së pëlhurës në pjesën e brendshme të kapelës së tij. Pastaj kishte vendosur një fletore të vogël dhe stilolaps në kapelë. Po të kishte fat, fletorja do t’i shpërqendronte rojet.
Ata e panë mirë e mirë stilolapsin dhe fletoren, pastaj e lanë të kalonte.
Shpejt, Taji pa motrën e vet dhe e rrasi letrën në duart e saj. Qau kur Baja i dha ca ushqim dhe para. Ai mirëbesonte se ajo do t’ia çonte letrën Lienit.
Gjashtë muaj më vonë, Baja u kthye në kamp me një letër. Brenda ishte një fotografi e Lienit dhe fëmijëve. Ai e kuptoi se nuk mund të priste më gjatë.
Duhej të gjente një mënyrë për të dalë nga kampi dhe të shkonte në gjirin e familjes së tij.
Nujen Van-Taji dhe bashkëshortja e tij, Le Maj Lieni, me djalin e tyre në vitin 1973. Ajo dhe tre fëmijët e tyre gjetën strehim në Shtetet e Bashkuara, por Taji u detyrua të rrinte në një kamp burgimi. Më vonë ai tha: “Munda t’i mbijetoja kampit të ‘riedukimit’ sepse … kisha besim te Jezu Krishti”.
Si pjesë e misionit të tyre për t’u kujdesur për familjet, Shërbimet Sociale SHDM kishin rënë dakord me anëtarët e Kishës në Shtetet e Bashkuara se ata do të kujdeseshin për rreth 550 refugjatë vietnamezë, shumica e të cilëve nuk ishin anëtarë të Kishës. Lieni dhe familja e saj u financuan nga Filip Flameri, një profesor në Universitetin “Brigam Jang” dhe bashkëshortja e tij, Milldredi. Ata e ndihmuan familjen të zhvendosej nga Kalifornia për në Provo të Jutës.
Në fillim Lieni pati vështirësi për të gjetur punë. Filipi e çoi atë në një dyqan të dorës së dytë që të bënte kërkesë për punën e pastrueses. Por gjatë intervistës, përgjegjësi e grisi më dysh diplomën e saj të shkollës së mesme dhe i tha: “Kjo nuk vlen këtu”.
Ajo shpejt gjeti një punë të përkohshme duke mbledhur qershi në një pemishte aty pranë. Më pas, gjeti punë si rrobaqepëse dhe i shtonte të ardhurat duke bërë torta dasmash. Me ndihmën e Filipit, ajo gjithashtu fitoi para duke shtypur raporte për studentët e UBJ‑së.
Mes vështirësive të familjes së saj, Lieni qëndroi besnike ndaj Zotit. Ajo u mësoi fëmijëve të vet për fuqinë e lutjes, duke e ditur se lutja mund t’i ndihmonte të duronin përvojat e tyre të hidhura.
Më pas, në fund të vitit 1977, Lieni mësoi se bashkëshorti i saj ishte në një kamp refugjatësh në Malajzi. Ai kishte arritur të largohej nga Vietnami me një varkë të vjetër peshkimi pasi më në fund u lirua nga Tan Ong-Nami. Tani ishte gati të bashkohej përsëri me familjen e tij. Gjithçka që i duhej ishte dikush që ta financonte.
Lieni filloi të punonte me orë më të zgjatura për të kursyer aq para sa duheshin për ta sjellë Tajin në Shtetet e Bashkuara.
Në janar 1978, Le Maj Lieni u ul me ankth në një makinë që po shkonte drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Solt‑Lejk-Sitit. Ishte në rrugë e sipër për të takuar bashkëshortin e saj për herë të parë pas pothuajse tre vjetësh.
Pasi mbërriti në aeroport, Lieni u bashkua me miq të tjerë dhe anëtarë të Kishës që kishin ardhur për të mirëpritur Tajin.
S’kaloi shumë kohë dhe Lieni e pa Tajin duke zbritur në një shkallë lëvizëse. Dukej i zbehtë dhe kishte një vështrim të përhumbur në sytë e tij. Por me të parë Lienin, i thirri në emër. Kraharori i Lienit u mbush plot emocion.
E tërhoqi Tajin duke e përqafuar. “Falë Perëndisë në qiell”, – pëshpëriti ajo, – “më në fund je në shtëpi!”