“Besimi i Motrës Munjoz”, Liahona, korrik 2025.
Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Besimi i Motrës Munjoz
“Mrekulli! Mrekulli!” – bërtiti djali ndërsa vraponte në rrugë.
Ilustrimi nga David Malan/Malan Creative
Në vitin 1967, unë dhe Plaku Uilliam Denër u bëmë dy nga 20 misionarët e parë që shërbyen në Kolumbi. Nuk kishim shumë sukses derisa një burrë i quajtur Raul, të cilit iu dha mësim nga misionarë të tjerë, na njohu me familjen Munjoz. Shpirti ishte i fortë ndërsa i dhamë mësim familjes, duke dëshmuar për Profetin Jozef Smith dhe Rivendosjen.
“E di se këta të rinj po thonë të vërtetën”, – tha Rauli. “Ata kanë të njëjtën priftëri që kishte Jezu Krishti. Ata mund të ngjiten lart tani dhe të shërojnë bijën tuaj të verbër, Margaritën.”
Motra Munjoz më pa dhe më pyeti: “A është e vërtetë kjo?”
M’u mblodh një lëmsh në fyt. Dëshmia ime nuk ishte vënë kurrë më parë në provë si këtë herë. E dija se një mrekulli e tillë do të kërkonte besim të fortë. Unë dhe shoku im morëm vesh më vonë se specialistët e syrit i kishin thënë familjes se Margarita, e cila e kishte humbur shikimin gjashtë muaj më parë pas një aksidenti, nuk do të shihte më kurrë.
“Ju keni të njëjtën priftëri si Jezu Krishti”, – tha motra Munjoz. “Bija ime është e verbër. Le të ngjitemi dhe ta shërojmë atë.”
Nuk kisha dëshmuar kurrë një besim kaq të madh. Ajo ishte si gruaja e mbretit Lamoni, e cila i tha Amonit: “Unë besoj se do të jetë ashtu sikurse the ti” (Alma 19:9).
Plaku Denër e vajosi Margaritën dhe unë vulosa vajosjen. Për habinë time, fjalët që më dolën nga goja nuk ishin të miat: “Do të shërohesh dhe do të marrësh dritën e syve”. Ndjeva gjithashtu të shqiptoja bekime të tjera, duke përfshirë që pjesëtarët e familjes do të ndihmonin të ndërtohej Kisha në Kolumbi. Më pas pyeta veten nëse kisha bërë premtime që nuk do të përmbusheshin.
Të nesërmen djali adoleshent i familjes erdhi me vrap drejt nesh në rrugë, duke bërtitur: “Mrekulli! Mrekulli! Motra ime mund të shohë!”
Ne pagëzuam 13 njerëz atë javë.
Vëllai dhe Motra Munjoz u bënë anëtarë besnikë të Kishës. Ndikimi i tyre, përfshirë punën e vëllait Munjoz si kreu i doganave në Kolumbi, ndihmuan në përhapjen e ungjillit atje. Njëra bijë shërbeu në mision; vëllai i saj shërbeu si peshkop. Margarita nuk e humbi më shikimin gjatë gjithë jetës.
Jezu Krishti ka thënë për ata që kanë besim tek Ai: “Në emrin tim ata do të hapin sytë e të verbërve” (Doktrina e Besëlidhje 84:69). E di se “çdo gjë është e mundshme për atë që beson” te Shpëtimtari (Marku 9:23).