“Plani i Mrekullueshëm”, Miku, mars 2026, f. 4–7.
Plani i Mrekullueshëm
Para se të vinim në tokë, Ati Qiellor kishte një plan të mrekullueshëm për ne. Ne do të lindnim, do të mësonim dhe do të rriteshim në tokë. Ne mund ta ndjekim shtegun e Tij të besëlidhjeve dhe të bëjmë zgjedhje të mira.
Ati Qiellor e dinte se do të kishim nevojë për ndihmë. Ai e dinte se do të bënim zgjedhje të këqija dhe do të mëkatonim ndonjëherë. Ne nuk mund të ktheheshim tek Ai nëse nuk do të ishim të pastër.
Ne kishim nevojë për dikë të veçantë për të na ndihmuar të jemi të pastër nga mëkatet tona. Jezu Krishti ishte Biri i Parëlindur shpirtëror i Atit Qiellor. Ai u ofrua të vinte në tokë dhe të na shpëtonte nga mëkatet tona.
Për qindra vjet, njerëzit prisnin që Jezusi të lindte. Më në fund, një yll i ri shkëlqeu në qiell për t’i treguar botës se Shpëtimtari kishte ardhur.
Kur Jezusi u rrit, Ai u mësoi njerëzve ungjillin. Ai ishte i sjellshëm dhe i dashur. Ai i bekoi fëmijët.
Ai dha mësim se ne duhet ta ndjekim Atë dhe t’i trajtojmë të tjerët siç do të bënte Ai. Ai i shëroi njerëzit që ishin të sëmurë. Ai i ngjalli njerëzit që kishin vdekur.
Jezusi e dinte se ishte koha për mrekullinë e Tij më të madhe. Ai shkoi në Kopshtin e Gjetsemanit dhe u lut. Ai ndjeu dhembjen e të gjitha mëkateve, trishtimeve dhe sëmundjeve tona.
Disa njerëz ishin të zemëruar me Jezusin. Atyre nuk u pëlqente ajo që Ai jepte mësim dhe nuk besonin se Ai ishte Biri i Perëndisë. Jezusin e arrestuan dhe e gozhduan në kryq, ku edhe vdiq.
Miqtë e Jezusit ishin shumë të trishtuar. Ata e vendosën trupin e Tij në një varr dhe rrokullisën një gur të madh përpara hyrjes.
Tri ditë më vonë, disa gra shkuan te varri. Guri ishte rrokullisur tej nga hyrja dhe varri ishte bosh! Maria Magdalena filloi të qante sepse trupi i Jezusit ishte zhdukur. Një njeri zemërmirë aty pranë e pyeti atë pse po qante. Kur ajo i tregoi ç’kishte ngjarë, ai e thirri në emër. Ajo hodhi sytë tek Ai dhe pa se ishte Jezusi. Ai ishte përsëri i gjallë!
Për Pashkë ne kremtojmë atë që bëri Jezu Krishti për ne. Për shkak se Ai vuajti për ne, ne mund të pendohemi dhe të pastrohemi. Për shkak se Ai u ringjall, ne do të jetojmë përsëri! Për shkak të Tij, ne mund të kthehemi tek Ati ynë Qiellor dhe të jemi përgjithmonë me familjet tona.
Ilustrimet nga Matt Sweeney. Kopjimi lejohet vetëm për përdorim nga Kisha.