“Java e Shenjtë e Miës”, Miku, mars 2026, f. 12–13.
Java e Shenjtë e Miës
Çdo ditë na ndihmoi të kujtojmë Jezu Krishtin.
Një ngjarje e vërtetë nga SHBA‑ja.
Filluam të bëheshim gati për Pashkën që një javë përpara. Babi tha se java para Pashkës quhet Java e Shenjtë. Mami tha se do të kishim nga një surprizë të vogël mbi tryezën e ngrënies çdo ditë. Secila surprizë do të na ndihmonte që të kujtonim Jezu Krishtin. Do të shkruaj për të gjitha këto këtu në ditarin tim!
Ditën e parë, gjetëm gjethe peme prej letre.
Mami dhe babi lexuan historinë e të Dielës së Palmave në shkrimet e shenjta. Kur Jezu Krishti shkoi në Jerusalem, njerëzit valëvitën degë palme dhe thirrën: “Hosana!”
Motra ime, Lusi, mbajti në dorë një figurë të Jezusit hipur mbi një gomar. Ne të tjerët valëvitëm degët tona të palmës prej letre. U ndjeva e lumtur teksa përfytyroja që po e mirëprisja Jezusin.
Ditën e dytë, gjetëm një qese mbeturinash.
Jezusi u mërzit që njerëzit po shisnin gjëra në tempull, ndaj Ai ua hodhi poshtë ato. Mblodhëm plehra nëpër gëmusha aty rrotull kishës. Jam e lumtur që mundëm të ndihmonim për t’u kujdesur për shtëpinë e Perëndisë.
Ditën e tretë, gjetëm argjilë.
Mami lexoi historitë që Jezu Krishti u kishte thënë njerëzve. Ne mbajtëm vesh dhe e përdorëm argjilën për të bërë gjëra si në ato histori. Lusi bëri një dele sepse Jezusi është Bariu i Mirë. Unë bëra një llambë të vogël me vaj. Më ndihmoi të kujtoja që ta mbaj zemrën plot me besim.
Ditën e katërt, gjetëm kanellë.
Babi na tregoi se si Maria i dha Jezu Krishtit një vaj të veçantë për këmbët e Tij. Aroma e kanellës e mbushi të gjithë shtëpinë.
Ne nuk kishim si ky vaj i veçantë. Në vend të tij përdorëm kanellë për të bërë biskota. Mami tha se, kur ta nuhatnim erën e kanellës ndërsa piqeshin biskotat, duhej të mendonim për atë që mund t’i japim Jezusit.
Ditën e pestë, gjetëm qirinj.
I ndezëm qirinjtë dhe kënduam një këngë, ashtu si Jezu Krishti dhe dishepujt e Tij kënduan në Darkën e Fundit. Hëngrëm pite dhe pimë lëng rrushi për të kujtuar sakramentin e parë. Hëngrëm gjithashtu shegë për të na kujtuar gjakun e Jezusit dhe ullinj për të na kujtuar kopshtin e Gjetsemanit.
Ndërsa hanim, jashtë gjëmonin bubullimat. Ndjeva siguri dhe falënderim duke e ditur se Jezusi ishte përballur tashmë me stuhinë më të errët.
Ditën e gjashtë, gjetëm një vazo lulesh.
Lexuam për mënyrën se si Jezu Krishti vdiq për ne. Pastaj e çuam vazon e luleve bosh në kopsht dhe e mbështetëm anash, si varri në shkëmb. Vendosëm dhe e gurë rreth saj, por ia lamë pjesën e hapur të pambuluar. Mami na dha një figurë për të përfaqësuar trupin e Jezusit. E mbështollëm atë me nderim me një rrobë të bardhë dhe e vendosëm brenda vazos së luleve.
Ndonëse ishte thjesht një vazo lulesh, u trishtova gjithsesi që ia mbuluam hyrjen me një gur.
Ditën e shtatë, gjetëm letra me emra të paraardhësve tanë të shkruara në to.
Mami tha se pasi Jezu Krishti vdiq, Ai organizoi punën misionare në botën e shpirtrave. Në atë mënyrë, njerëzit që nuk kishin mësuar për ungjillin e Tij në tokë, prapëseprapë mund të mësonin për Të. Në tempuj, ne mund të pagëzohemi për njerëz që nuk u pagëzuan para se të vdisnin.
Unë dhe Lusi nuk e kemi mbushur ende moshën për të hyrë në tempull, por ndihmuam për të prerë kartat e emrave të shtypura në letër. Mami dhe babi bënë me radhë punë në tempull për njerëzit në ato karta dhe na nxorën shëtitje nëpër rrethinat e tempullit. Edhe nga jashtë, tempulli na u duk paksa si parajsë.
Për Pashkë, gjetëm një varr të zbrazët.
Mëngjesin e Pashkës guri përpara vazos së lules nuk ishte më aty dhe kishte mbetur veç një pëlhurë. Ishte një kartë që thoshte, Ai është ngritur!
E dija tashmë se Jezu Krishti është arsyeja e Pashkës. Pasi kremtuam Javën e Shenjtë, ndihem sikur edhe unë e njoh pak më mirë Atë.
Ilustrimet nga Melissa Kashiwagi. Kopjimi lejohet vetëm për përdorim nga Kisha.