“Pjesa Teatrale e Pashkës”, Miku, mars 2026, f. 16–23.
Pjesa Teatrale e Pashkës
Mund ta bësh këtë dramatizim me familjen dhe miqtë e tu për të treguar historinë e Pashkës. Madje mund të vishesh siç mund të jenë veshur njerëzit në Jerusalem gjatë kohës kur jetoi Shpëtimtari.
Ndërsa e bën dramatizimin, përfytyro se si do të ishte po të ishe atje me Jezusin. Si do të ndiheshe? Pas dramatizimit, bisedo rreth asaj që mësove dhe ndjeve.
Skena 1
E Diela e Palmave
Dishepujt qëndrojnë në rresht për të formuar një shteg për mbajtësin e figurës dhe valëvitin gjethet e palmës.
Tregimtari: Të dielën para se Jezu Krishti të vdiste, Ai erdhi në Jerusalem hipur mbi një gomar. “Dhe kur ai [u] afrua … , gjithë turma e dishepujve filloi me gëzim të lavdërojë Perëndinë me zë të lartë për të gjitha veprat e pushtetshme që kishin parë”.
Mbajtësi i figurës ecën drejt shtegut duke mbajtur figurën 1 (Jezu Krishti mbi gomar). Dishepujt thërrasin “Hosana!” disa herë ndërsa valëvitin gjethet e tyre të palmës.
Dishepulli 1: “Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit; paqe në qiell dhe lavdi në vendet shumë të larta”.
Tregimtari: “Dhe kur hyri Jezusi në Jeruzalem, gjithë qyteti u ngrit në këmbë dhe tha: ‘Kush është ky?’”
Dishepulli 2: “Ky është Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë”.
Gjithsecili këndon strofën e tretë të këngës “Beautiful Savior” [“I Buk’ri Shpëtu’s”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 62–63).
Skena 2
Darka e Fundit
Tregimtari: Të enjten, Jezu Krishti u mblodh me dishepujt e Tij dhe u dha atyre sakramentin.
Mbajtësi i figurës mban figurën 2 (Jezusi në Darkën e Fundit). Dishepujt ulen rrotull dhe shikojnë figurën e Jezusit.
Tregimtari: “Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori buk[ë], e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ‘Merrni, hani; ky është trupi im’”.
Me nderim, një nga dishepujt mban lart bukën.
Tregimtari: “Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj. Atëherë u tha: ‘Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta’.”
Me nderim, një nga dishepujt mban lart kupën.
Tregimtari: Jezusi u mësoi atyre gjithashtu diçka të rëndësishme. Ai tha: “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur. … Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.”
Gjithsecili këndon këngën “Doni Njëri-Tjetrin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 74).
Skena 3
Kopshti i Gjetsemanit
Tregimtari: “Atëherë Jezusi shkoi bashkë me ta në një vend, që quhej Gjetsemani, dhe u tha dishepujve: ‘Uluni këtu, ndërsa unë po shko[j] aty të lutem’”.
Dishepujt ulen së bashku në njërën anë të skenës. Mbajtësi i figurës qëndron në anën tjetër të skenës, duke mbajtur figurën 3 (Jezusi duke u lutur në kopsht).
Tregimtari: “Dhe [Jezusi], si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: ‘Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti’”.
Dishepujt shtrihen dhe bëjnë sikur janë në gjumë.
Tregimtari: Ndërsa Shpëtimtari lutej, dishepujt e Tij i zuri gjumi. Jezusi vuajti i vetëm në kopsht. Ai e ndjeu të gjithë dhembjen dhe trishtimin tonë, që të mund të na kuptonte e të na ndihmonte. Ai vuajti për të paguar çmimin për mëkatet tona.
Gjithsecili këndon këngën “Gethsemane” [“Gjetsemani”] (Hymns—For Home and Church [Himne – Për Shtëpinë dhe Kishën], nr. 1009).
Skena 4
Kryqi
Tregimtari: Pasi Jezusi mbaroi lutjen, ushtarët e morën dhe e lidhën. Ndonëse Ai nuk kishte bërë asgjë të gabuar, udhëheqësit vendosën ta dënonin me vdekje.
Mbajtësi i figurës mban figurën 4 (Shpëtimtari në kryq). Dishepujt gjunjëzohen rrotull, duke vështruar figurën.
Tregimtari: Ndërsa ishte i varur në kryq, Jezusi tha: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”. Edhe në çastet e dhembjes së Tij të madhe, Ai ishte shembulli i përsosur i dashurisë dhe faljes.
Gjithsecili këndon himnin “Një Kod’r e Blert’ Ësht’ Atje Larg” (Himne, nr. 114).
Skena 5
Varri
Tregimtari: Pasi Jezu Krishti vdiq, trupi i Tij dergjej në varr për tri ditë. Ditën e tretë, Maria Magdalena dhe gratë e tjera shkuan për të parë varrin. “Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri. Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.”
Maria dhe gratë ecin të trishtuara në skenë dhe kontrollojnë rreth e përqark të pështjelluara.
Tregimtari: Dy engjëj iu shfaqën dhe iu folën grave.
Engjëlli 1 dhe Engjëlli 2 hyjnë në skenë dhe qëndrojnë afër Marisë.
Engjëlli 1: “Mos kini frikë, sepse unë e di se ju kërkoni Jezusin, që u kryqëzua”.
Engjëlli 2: “Ai nuk është këtu, sepse u ringjall”.
Tregimtari: “Ato … u larguan me të shpejtë … me frikë dhe me gëzim të madh; dhe rendën ta çojnë lajmin te dishepujt e [tjerë]”.
Maria dhe gratë me vrap zbresin me gëzim nga skena për ta përhapur lajmin e mirë te çdokush.
Maria: Ai është ngritur! Jezu Krishti jeton!
Mbajtësi i figurës mban figurën 5 (Krishti i ringjallur). Gjithsecili rikthehet në skenë.
Tregimtari: Shpëtimtari ynë u ringjall mëngjesin e Pashkës. Për shkak të Tij, gjithçka ndryshoi. Ne mund të kemi shpresë, paqe dhe lumturi. Për shkak se Ai jeton, Ai është me ne sot dhe përgjithmonë.
Gjithsecili këndon këngën “Jezusi u Ngrit” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, nr. 44).
Ilustrimet nga Róisín Hahessy. Pikturat nga Dan Burr. Kopjimi lejohet vetëm për përdorim nga Kisha.