Fuqizimi i Jetës së Njerëzve përmes Përvetësimit të Shkrimit dhe Leximit
Shkrimi dhe leximi janë thelbësorë për rritjen vetjake dhe shoqërore, duke i hapur dyert arsimimit, punësimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës. Megjithatë, shumë vende përballen me shifra shumë të ulëta e alarmuese të atyre që dinë shkrim e lexim, që e pengojnë përparimin dhe e përjetësojnë varfërinë. Projektet e mëposhtme nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme nënvizojnë fuqinë shndërruese të aftësisë për të shkruar dhe lexuar dhe të arsimimit.
Mali i Zi: Përkrahja e komuniteteve rome
Në Mal të Zi, komuniteti rom përballet me sfida të rëndësishme, duke përfshirë përqindjen e ulët të atyre që dinë shkrim e lexim. Organizata joqeveritare e quajtur “Defendologija”, po punon pa u lodhur për ta ndërprerë ciklin e fëmijëve që lypin nëpër rrugë duke i regjistruar në shkollë dhe duke ofruar përkrahje pas shkollës. Kisha ka bashkëpunuar me organizatën “Defendologija” për të siguruar materiale shkollore, këpucë dhe veshje për fëmijët. Ky projekt, jo vetëm që i ndihmon fëmijët të qëndrojnë në dyert e shkollës, por gjithashtu i edukon prindërit për rëndësinë e arsimimit. Duke i përkrahur këto përpjekje, ne mund të ndihmojmë në sigurimin që fëmijët romë të kenë mundësinë të mësojnë dhe të përparojnë.
Sllovakia: Qendrat e të mësuarit dhe të higjienës
Në Sllovaki, Plaku dhe Motra Anderson bashkëpunuan me udhëheqësit vendorë për të krijuar një Qendër të të Mësuarit dhe Higjienës në Laskouçe. Kjo qendër shërben si një vend për familjet rome për të përmirësuar arsimimin, higjienën, aftësitë sociale dhe gjasat për punësim. Qendra përfshin klasa për kopshte dhe veprimtari për rininë, si dhe godina për larjen e rrobave. Ky projekt ka qenë aq i suksesshëm sa tashmë janë duke u zhvilluar plane për qendra të tjera. Duke ofruar një mjedis të sigurt dhe përkrahës për të mësuarit, ne mund t’i ndihmojmë familjet rome ta ndërpresin ciklin e varfërisë dhe të ndërtojnë një të ardhme më të ndritur.
Si mund të ndihmoni
Për ta nxitur përvetësimin e shkrimit dhe leximit duhet një përpjekje kolektive. Këtu janë disa mënyra se si mund të ndërmerrni veprime për të përkrahur projektet/nismat që lidhen me shkrimin dhe leximin në këto vende:
-
: Qoftë duke u dhënë mësim fëmijëve, duke ndihmuar për restaurimet e shkollave ose duke i përkrahur programet e arsimimit të komunitetit, koha dhe aftësitë tuaja mund të sjellin një ndryshim të rëndësishëm.
-
Dhuroni: Kontributet financiare janë vendimtare për organizatat që të vazhdojnë punën e tyre. Merreni parasysh të dhuroni për organizata me famë të mirë që e nxitin përvetësimin e shkrimit dhe leximit si dhe arsimimin ose kontribuoni në fondin për ndihmë humanitare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
-
Rriteni Ndërgjegjësimin: Përdoreni zërin tuaj për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet që lidhen me shkrimin e leximin. Shpërndani informacione në mediat shoqërore, organizoni ngjarje ose merrni pjesë në fushata për t’i edukuar të tjerët rreth rëndësisë së shkrimit dhe leximit.
-
Dilini Krah Ndryshimit: Përkrahini politikat dhe përpjekjet që e nxitin përvetësimin e shkrimit dhe leximit si dhe arsimimin.
-
Përkrahini Përpjekjet në Rang Vendi: Kërkoni mundësi për t’i përkrahur përpjekjet në rang vendi që i ndihmojnë njerëzit nevojtarë në komunitetin tuaj. Qoftë duke dalë vullnetarë në një bibliotekë, duke dhuruar libra ose duke marrë pjesë në programet arsimore të komunitetit, çdo veprim ka ndikim.
Merrini Parasysh Mënyrat se si Mund të Sillni një Ndryshim
Duke e njohur rëndësinë e aftësisë për të shkruar dhe lexuar, zgjidhni një nga mënyrat e përmendura më lart për të ndihmuar dhe zotohuni që ta bëni qoftë duke dhënë vullnetarisht nga koha juaj, duke dhuruar, duke e rritur ndërgjegjësimin, duke i dalë krah ndryshimit ose duke i përkrahur përpjekjet në rang vendi. Kontributi juaj ka rëndësi.
Përfundimi
Nxitja e përvetësimit të shkrimit dhe leximit është thelbësore për zhvillimin vetjak dhe shoqëror. Përpjekjet e theksuara këtu demonstrojnë fuqinë shndërruese të arsimimit dhe rëndësinë e të vepruarit si kolektiv. Duke e përkrahur përvetësimin e shkrimit dhe leximit, ne mund të sigurohemi që fëmijët dhe familjet të kenë mundësinë të mësojnë, të zhvillohen dhe të përparojnë. Për më shumë informacion mbi mënyrat se si mund të ndihmoni, vizitoni faqen Caring.ChurchofJesusChrist.org
Në përputhje me shembullin që dha Shpëtimtari për dashurinë dhe shërbimin, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme i përkrah përpjekjet që i bekojnë individët dhe komunitetet.