Liahona
Shërbimi si i Krishtit i Zbuti Zemrat, i Hapi Dyert në Korsikë
Liahona, Janar 2026


“Shërbimi si i Krishtit i Zbuti Zemrat, i Hapi Dyert në Korsikë”, Liahona, janar 2026.

Shërbimi si i Krishtit i Zbuti Zemrat, i Hapi Dyert në Korsikë

Duke ofruar ndihmë ndaj banorëve në çfarëdo mënyre që mundeshin, misionarët në këtë ishull mesdhetar ishin të vendosur që t’i ftonin njerëzit të vinin te Krishti.

fotografi e Bastijës në ishullin e Korsikës

Kryetari i bashkisë së Bastijës e dinte fare mirë se misionarët që qëndronin përballë tij, ishin të huaj. “Përse”, – pyeti veten ai, – “të rinj do të vinin nga shtete të tjera dhe t’i ofronin ndihmë popullit të tij në ishullin e Korsikës?”

Pasi heshtjes, ai e pranoi propozimin e tyre dhe i sfidoi ata që të vinin të nesërmen herët në mëngjes për të lyer hotelin e tij të vogël.

Duke e mbajtur premtimin, të rinjtë mbërritën në orën 7 të mëngjesit, të zellshëm dhe të gatshëm për ta mbaruar lyerjen e hotelit të kryetarit të bashkisë në këtë ishull piktoresk afër bregdetit të Francës në Detin Mesdhe.

Kur kryetari i bashkisë mbërriti në hotel më vonë atë ditë dhe i gjeti misionarët ende duke punuar nën diellin bregdetar, “ai u befasua që na pa atje”, – tha Xhejk Lori, njëri nga misionarët që po shërbente në atë kohë.

I mahnitur nga gatishmëria e tyre për t’iu përveshur punës që t’u vinin në ndihmë njerëzve që nuk i njihnin, kryetari i bashkisë e zbuti qëndresën e vet dhe “na kërkoi të uleshim dhe t’i flisnim për atë që na nevojitej”, – tha Vëllai Lori.

Misionarët shpërndanë ungjillin dhe i treguan atij se si qëllimi i tyre ishte që ta bekonin popullin në ishullin e Korsikës. Ata i treguan për vështirësitë e tyre për të gjetur një apartament ngaqë banorët ishin të lodhur prej të huajve. Disa muaj më parë, të gjithë misionarët ishin larguar nga ishulli për arsye sigurie. Por këta djem misionarë tani e kishin hapur sërish ishullin për punë misionare.

Kryetari i bashkisë i dëgjoi misionarët. “Të nesërmen në mëngjes”, – tha Vëllai Lori, – “ai kishte siguruar një apartament në një vend të mirë për ne dhe na kishte shkruar një pusullë dashamirëse.”

Atë mbrëmje, pasi ishin vendosur në vendbanimin e tyre të ri, “dy përfaqësues të veshur mirë nga zyra e kryetarit të bashkisë u ndalën për të na përshëndetur dhe siguruar se ishim të mirëpritur e të sigurt në qytet”, – tha Vëllai Lori.

Pas pak kohe, kryetari i bashkisë dhe bashkëshortja e tij filluan të frekuentonin mbledhjet e së dielës me degën, ku u pëlqente shumë të këndonin himnet. Shpejt, bashkëshortja e kryetarit të bashkisë u pagëzua.

Tokë Pjellore

Nga këto fillime të thjeshta në fillim të viteve 1990, Kisha lëshoi rrënjë në këtë ishull të mirënjohur si vendlindja e Napoleon Bonapartit. Puna misionare shpejt lulëzoi. Pas tre muajsh, më shumë se 40 njerëz po frekuentonin shërbesat e së dielës në një vend të mrekullueshëm mbledhjesh, të organizuar nga kryetari i bashkisë.

“Duke hedhur vështrimin pas, ne mund të shohim se dora e Zotit ishte e dukshme në kohën dhe mjetet e krijimit të Kishës në ishullin e Korsikës”, – tha Riçard W. Thaçeri, në atë kohë president i Misionit të Francës, Marsejë, tani Misioni i Francës, Lion.

Por ngritja e një themeli në ishull nuk erdhi me lehtësi. Përpjekja më e hershme për të caktuar misionarë atje, u ndesh me qëndresë dhe kërcënime rreziku. “Ndjenjat antifranceze që zienin brenda korsikanëve vendës, ishin gjithnjë e në rritje në fillim të viteve 1990”, – tha Vëllai Thaçer.

Korsikanët vendës e shfaqnin mospëlqimin e tyre ndaj të huajve duke bërë bomba në shtëpi që të shkatërronin bizneset dhe pronat e huaja. “Nuk ishte e pazakontë”, – tha Derin Dusnapi, asokohe Plaku Dusnap, – “që të dëgjoheshin eksplozivë të shumtë çdo ditë në qytet. Ne nuk ishim francezë, por nuk ishim as korsikanë.”

Misionarët u paralajmëruan për rreziqet dhe, kur një bombë shpërtheu në lagjen e tyre, katër misionarët në ishull u larguan drejt një pjese tjetër të misionit në Francë.

“Misionarët tanë nuk ishin më në ishull”, – tha Vëllai Thaçer, duke thënë se kjo tërheqje pas ishte një mundësi për të mësuar e për t’u rritur.

Shërbimi si i Krishtit Ishte Përgjigjja

Për t’i kuptuar më mirë qëllimet e qiellit, misionarët u zotuan që të studionin jetën dhe shërbesën e Shpëtimtarit për të mësuar më mirë mënyrat e Tij. Ata studiuan veprat e Tij të shërbimit dhe dhembshurisë, që përfshinin të ushqyerit, shërimin dhe dashurinë. Arritën në përfundimin që shërbimi ishte i rëndësishëm për të fituar mirëbesimin e njerëzve dhe për të shërbyer sipas mënyrës së Zotit.

Me një përqendrim të ripërtërirë për të shërbyer, tre misionarë u dërguan për të hapur sërish punën në Korsikë në mars të vitit 1992. Këtë herë ata u dërguan në qytetin e dytë më të madh të ishullit, në Bastijë. Ata ishin të vendosur që të takoheshin me njerëzit në një mënyrë të natyrshme në vend që të trokisnin nëpër dyer, gjë që nganjëherë kishte shkaktuar frikë mes banorëve.

“Lutjet tona morën përgjigje. E kuptuam se shërbimi mund të shfaqte sinqeritetin tonë ndaj komunitetit dhe t’i zbuste zemrat e njerëzve që u bënin qëndresë të huajve”, – tha Vëllai Thaçer.

Misionarët e rinj iu prezantuan banorëve duke u ofruar ndihmë në çfarëdo mënyre që mundeshin. Shkulën barërat e këqija nga kopshtet e familjeve, rregulluan makinat dhe në rastin e kryetarit të bashkisë, lyen hotelin e tij të dalë boje. Ata shpesh bënë miq dhe përpjekjet e tyre u vlerësuan. Pothuajse gjithmonë u kërkohej të uleshin për një gotë me “limonata” (limonadë) dhe që të “na flisni për kishën tuaj”, – tha Vëllai Thaçer. Shpejt, “fatet tona ndryshuan jashtëzakonisht”.

Një referim i hershëm çoi drejt pagëzimit të familjes Lota, e cila më pas çoi drejt një referimi tjetër. Kur misionarët hynë në shtëpinë e personit të referuar, nëna e familjes, e cila ishte lutur që të dinte të vërtetën, “ra në gjunjë dhe qau me mirënjohje ndaj Zotit që iu përgjigj lutjeve të saj”.

Bashkimi i një Përçarjeje

Në fillim të shërbimit të tyre në Bastijë, misionarët kishin punuar vullnetarisht në spitalin kryesor katolik, por monsinjori i caktuar për spitalin nuk e pranoi shërbimin e tyre kur mësoi se të cilës fe ishin. Ai ngurronte që në spital të përfshiheshin fe të ndryshme të krishtera.

Disa muaj më vonë, në maj 1992, një pjesë e stërmadhe e një stadiumi futbolli u shemb gjatë një ndeshjeje kampionati duke lënë të vdekur 19 veta dhe duke dërguar në spital mijëra prej spektatorëve të plagosur rëndë.

stadiumi i shembur i futbollit

Kur një stadium futbolli u shemb në Korsikë, duke lënë të vdekur 19 veta dhe duke plagosur mijëra njerëz, misionarët shpenzuan orë të tëra duke ndihmuar në shërbimin e mbikëqyrur të urgjencës në spitalin vendor.

Fotografia nga Craig Peterson

Njerëzit e plagosur e mbingarkuan spitalin. Tifozët e plagosur të futbollit mbushën dhomat dhe rrinin në radhë në korridoret. Disa u dërguan me aeroplan drejt Francës për kujdes mjekësor. Monsinjorit, në gjendje të dëshpëruar për vullnetarë të aftë, i erdhi ndërmend një kartë që misionarët e kishin lënë, dhe i mori në telefon për ndihmë.

Për 36 orë, misionarët vrapuan nga një detyrë në tjetrën, duke ndihmuar me lloje të ndryshme punësh në shërbimin e mbikëqyrur të urgjencës, të tilla si varjen e mbajtëseve të serumeve, përdorimin e mjeteve për ndalimin e gjakderdhjes, pastrimin e dhomave dhe lëvizjen e të plagosurve. Ata u dhanë bekime të priftërisë anëtarëve të degës që ishin plagosur nga shembja.

Kur monsinjori i vëzhgoi përpjekjet e paepura të misionarëve, ai i mblodhi së bashku dhe i çoi në të gjithë spitalin, duke u thënë pacientëve se misionarët ishin burra të Perëndisë dhe t’i lejonin që t’u administronin bekime të plagosurve.

Vëllai Thaçer kujton: “Ne fituam respekt dhe admirim nëpërmjet shërbimit tonë prej një zyrtari të një pozite të lartë në qytet dhe një autoriteti të rëndësishëm kishtar”. “Kjo gjë zbuti zemra dhe ndihmoi të binte qëndresa në komunitet”, – tha ai. “Kjo ishte vendimtare për suksesin e përpjekjeve tona për predikim.”

Xhejsën Solieri, president i Misionit të Francës, Lion, në vitin 2024, tha: “Sot, mrekullitë e rritjes në numra vazhdojnë në Korsikë, pavarësisht nga ndërprerjet e ndryshme. Në vitin 2024, 14 anëtarë të Degës së Bastijës udhëtuan për në Tempullin e Parisit në Francë për të kryer punë në tempull për shumë ditë, grupi më i madh që udhëtoi nga ky ishull i izoluar mesdhetar drejt një tempulli. Me ndihmën e çifteve misionare në moshë dhe pesë misionarëve e misionareve energjike kohëplota, Zoti vazhdon ta bekojë këtë ishull si parajsë me të kthyer të rinj në besim.”

Shënim

  1. Shihni tek Théophile Larcher, “30 Years On: Remembering France’s Furiani Football Disaster”, The Connexion, 5 maj 2022, connexionfrance.com.