Liahona
Jo të Humbur për Shpëtimtarin
Liahona, Janar 2026


“Jo të Humbur për Shpëtimtarin”, Liahona, janar 2026.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Jo të Humbur për Shpëtimtarin

Jam mirënjohëse për bekimin ngushëllues që erdhi nga frekuentimi i tempullit.

ilustrim i një gruaje duke parë një pikturë të Jezu Krishtit që mban një qengj

Ilustrimi nga Allen Garns, me lejen për të paraqitur pikturën e Del Parsonit The Lost Lamb [Qengji i Humbur]

Një pjesëtare e familjes dhe bashkëshorti i saj kohët e fundit vendosën të largoheshin nga Kisha, së bashku me fëmijët e tyre të vegjël. Lajmi ia bëri zemrën copë familjes sonë. Gjatë javëve të ardhshme, u përpoqëm të gjenim një gjendje tonë të re normale.

Ditët pas atij njoftimi nga ana e tyre, ishin të mbushura me ankth, lot dhe lutje të përzemërta drejtuar Atit tonë Qiellor. Një prej përgjigjeve të menjëhershme ndaj lutjeve të mia ishte se kisha nevojë të adhuroja në tempull çdo javë. Si studente, nënë dhe bashkëshorte në marrëdhënie pune, ajo përgjigje m’u duk frikësuese, por vendosa të isha sa më e bindur që të ishte e mundur ndaj nxitjes.

Një mbrëmje, pas një turni veçanërisht të vështirë në punë, ndjeva fuqishëm se kisha nevojë të shkoja në tempull atë natë. I kërkova birit tim të më shoqëronte që të bënim nistore.

Kur mbërritëm në tempull, u ndamë secili në rrugën e vet. Ndërkohë që bëra punë si mëkëmbëse për disa motra dhe dëgjova bekimet që iu premtuan atyre, u pushtova nga emocioni. Nuk mund t’i hiqja nga mendja pjesëtarët e familjes sonë që ishin larguar nga Kisha.

Pasi mbarova, u vesha, shkova drejt dhomës së pritjes dhe u ula. Shpejt, gjithsesi, ndjeva se kisha nevojë të ndërroja vend që të mund ta shihja birin tim kur të dilte nga dhoma e veshjes së burrave.

Lëviza por nuk u ndjeva rehat në asnjë nga vendet ku u ula, derisa më në fund u ula në një divan përballë murit që ishte pranë hyrjes së tempullit. Sapo kisha marrë shkrimet e shenjta, duke u përpjekur që të lehtësoja zemrën time të trazuar, kur e hodha vështrimin drejt murit.

Atje pashë një pikturë thuajse në madhësinë e një njeriu, të vetë Shpëtimtarit duke mbajtur një qengj të vogël në krahët e Tij. Shpirti papritur më kujtoi se, ndërkohë që e ndieja se pjesëtarët e familjes sime të dashur ishin të humbur për mua, ata nuk ishin të humbur për Shpëtimtarin tonë.

“Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkre[të]tirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?

Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz” (Lluka 15:4–5).

Ne vazhdojmë t’i duam dhe të lutemi për ata që janë duke u endur. Por kur trishtimi më pushton, sjell ndërmend këtë përvojë, duke shpresuar se një ditë, ata që janë të humbur, do ta gjejnë udhën e tyre të kthimit me ndihmë nga një Shpëtimtari të dashur.