“Siguri në Ungjillin e Rivendosur të Jezu Krishtit”, Liahona, janar 2026.
Gratë në Besëlidhje
Siguri në Ungjillin e Rivendosur të Jezu Krishtit
Shtegu për t’u kthyer te Perëndia është i shënuar qartësisht, në qoftë se kemi besim dhe mirëbesim te Shpëtimtari ynë.
Për shkak të natyrave tona të rëna dhe rrethanave në vdekshmëri, ne të gjithë jemi të prirur të endemi larg prej Perëndisë të cilin e njihnim dhe e donim në ekzistencën tonë para lindjes. Kjo është natyra e vdekshmërisë. Dhe kështu, Ai na ka dhënë mënyra se si të mbahemi të ankoruar në mënyrë të sigurt tek Ai, se si t’i vulosim zemrat tona tek Ai dhe se si të na ndihmojë të lëvizim sa më të sigurt të jetë e mundur nëpër këtë fushë të minuar të vdekshmërisë.
Gjatë luftërave të mëdha botërore, forcat e armatosura do të fshihnin nëntokë mina ose eksplozivë. Kishte fusha të gjera me mina të fshehura dhe një ushtri mund të marshonte pa e ditur për në ato fusha të minuara dhe të hidhej në erë.
Pas luftërave, mbetën mijëra mina të pashpërthyera dhe shumë njerëz, përfshirë fëmijë, humbën jetën ose gjymtyrët e tyre kur padashur shkuan në fushat e minuara. Organizatat e përkushtuara për gjetjen e vendndodhjeve dhe shenjimin e minave në ato fusha të minuara kanë shpëtuar shumë jetë.
Vdekshmëria është si një fushë e minuar. Kundërshtari është shumë i mirë në maskimin e rreziqeve që të duken të padëmshme dhe ftuese, sikurse një fushë e bukur. Ai ka pasur mijëra vjet përvojë në bërjen e kësaj gjëje. Ai është ekspert në bërjen e shtigjeve që të duken ftuese, të cilat çojnë në përfundime të rrezikshme dhe pikëllime.
Të Udhëhequr në Mënyrë të Sigurt Drejt Shtëpisë
Ati ynë në Qiell e di se si të na mbajë të sigurt dhe e ka shenjuar shtegun për të na çuar në mënyrë të sigurt drejt shtëpisë. Sigurisht që ka plot rreziqe dhe vështirësi që janë pjesë e përvojës sonë në vdekshmëri. Por ne mund t’i shmangim zgjedhjet që mund të na sjellin barrë dhe pikëllime të panevojshme.
Kjo është arsyeja përse Ati ynë na ka dhënë urdhërime, dhuratën e Frymës së Shenjtë, profetë për të na udhërrëfyer dhe lidhje të fuqishme besëlidhëse me Të dhe Shpëtimtarin tonë nëpërmjet ordinancave dhe besëlidhjeve të tempullit. Vetëm këtu në Kishën e rivendosur të Jezu Krishtit i gjejmë vërtet të gjithë ata shenjues dhe masa mbrojtëse të fuqishme që mund të na udhërrëfejnë në mënyrë të sigurt drejt shtëpisë.
Ka bekime të mëdha prej faktit që kemi profetë të kohëve moderne. Presidenti Hju B. Braun (1883–1975), ish‑këshilltar në Presidencën e Parë, tregoi për një diskutim që pati me një anëtar të Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Bashkuar, i cili më përpara kishte qenë gjykatës. Ky burrë tha se mendonte që Perëndia nuk u kishte folur njerëzve në tokë që nga shekulli i parë dhe Presidenti Braun iu përgjigj duke i shpjeguar rreth Jozef Smithit dhe Rivendosjes.
“Gjykatësi u ul dhe dëgjoi me vëmendje”, – solli ndërmend Presidenti Braun. “Ai bëri disa pyetje shumë të mprehta e zhbiruese dhe në fund të intervistës tha: ‘Z. Braun, vras mendjen nëse njerëzit tuaj e shohin plot vlerë rëndësinë e mesazhit tuaj. Po ju? … Nëse ajo që më keni thënë është e vërtetë, ky është mesazhi më i madhërishëm që ka ardhur në tokë që nga koha kur engjëjt shpallën lindjen e Krishtit.’”
Perëndia thërret profetë ngaqë Ai i do fëmijët e Tij. Nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, profetëve, Ai ka zbuluar planin e Tij për shpëtimin, planin e Tij për lumturinë që t’i udhërrëfejë fëmijët e Tij. Zoti u shfaq profetëve, shikuesve dhe zbuluesve gjëra që njerëzit e tjerë nuk mund t’i shohin. Ata janë rojat në kullë (shihni tek Ezekiel 33:1–7) të cilët mund të shohin tepër larg dhe t’i bien borisë së paralajmërimit për të gjithë që do të dëgjojnë, shpesh vite më përpara. Ata kanë një pikë epërsie që ne nuk e kemi, për shkak të komunikimit të tyre me Perëndinë si shërbëtorë të autorizuar të Tij. Është me rëndësi jetike që ne të gjithë të fitojmë dëshmi të thella vetjake për profetët, shikuesit dhe zbuluesit tanë aktualë.
Mirëbesimi te Jezu Krishti
Po bëhet gjithnjë e më e vështirë që të dallohet ajo që është e vërtetë në botën tonë sot. Ka kaq shumë zëra që vijnë nga kaq shumë drejtime – Instagram, TikTok, Facebook, X, programe zanore në internet, emisione lajmesh nëpërmjet shërbimit kabllor e kështu me radhë. Dhe tani me inteligjencën artificiale, ose IA‑në, në lojë, është edhe më e vështirë që të dallohet ajo që është e vërtetë dhe ajo që nuk është, ose madje ajo që është reale! Materiale filmike mashtruese, thellësisht të rreme, mund ta bëjnë të duket sikur dikush ka thënë ose ka bërë diçka që nuk e ka thënë ose bërë në të vërtetë. Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë që të dallohet e vërteta nga gënjeshtra në vitet që do të vijnë.
Gjatë konferencës së tij të parë si President i Kishës në prill të vitit 2018, Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Unë jam optimist për të ardhmen. … Por gjithashtu nuk jam naiv për ditët përpara nesh. Jetojmë në një botë që është e ndërlikuar dhe gjithnjë e më shumë kundërshtuese. Fakti që mediat shoqërore janë përherë në dispozicion dhe cikli 24-orësh i lajmeve na bombardojnë me mesazhe të pamëshirshme. Nëse duam të kemi ndonjë shpresë për ta shoshitur morinë e zërave dhe filozofive të njerëzve që e sulmojnë të vërtetën, ne duhet të mësojmë të marrim zbulesë.
Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti, do të kryejë disa nga veprat e Tij më të fuqishme midis kohës së tanishme dhe kohës kur Ai të vijë përsëri. Ne do të shohim tregues të mrekullueshëm se Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, kryesojnë mbi këtë Kishë në madhështi e lavdi. Por në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë. …
… Ju lutem që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë. … Zgjidhni të bëni punën shpirtërore që kërkohet për ta pasur dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe për ta dëgjuar zërin e Shpirtit më shpesh e më qartë.”
Në librin e Dhiatës së Vjetër, tek Amos 3:7 lexojmë: “Sepse Zoti, [Perëndi], nuk bën asgjë, pa ua treguar sekretin e tij shërbëtorëve të tij, profetëve”. Ndërkohë që zërat e botës bëhen më të zhurmshëm dhe më bindës, secili prej nesh duhet të jetë në gjendje ta dëgjojë zërin e qetë të Shpirtit më shpesh e më qartë, me qëllim që të dëgjojë dhe ndjekë udhëzimin e Zotit nëpërmjet profetëve të gjallë.
Perëndia i Do të Gjithë Fëmijët e Tij
Si në Dhiatën e Re ashtu edhe në Librin e Mormonit, ne lexojmë se Perëndia është i njëjtë dje, sot dhe përgjithmonë (shihni te Hebrenjve 13:8; Mormoni 9:9). Perëndia i do fëmijët e Tij në kohën tonë po aq shumë sa i deshi fëmijët e Tij në kohët e lashta dhe, ngaqë i do fëmijët e Tij, Ai bën tani po atë që e bëri në atë kohë. Ai e shenjon fushën e minuar të vdekshmërisë me urdhërime që na mbajnë në udhën e sigurt: profetët që lëshojnë zërin e paralajmërimit teksa i shohin rreziqet përpara dhe besëlidhjet e priftërisë që na lidhin në mënyrë më të sigurt me Perëndinë.
Kur e vendosim besimin tonë te Shpëtimtari dhe i mirëbesojmë Atij, Ai do të na udhërrëfejë në mënyrë të sigurt drejt shtëpisë nëpërmjet pëshpëritjeve të Frymës së Shenjtë; nëpërmjet shkrimeve të shenjta, të lashta e moderne; nëpërmjet zërave të profetëve, shikuesve dhe zbuluesve modernë; si dhe nëpërmjet lidhjeve të thella me Të dhe Atin tonë në Qiell, të bëra të mundura me anë të ordinancave dhe besëlidhjeve të tempullit.
Askund tjetër nuk ka kaq shumë bollëk udhërrëfimi dhe udhëzimi, sigurie dhe mbrojtjeje, ndihme, ngushëllimi dhe shprese te Krishti sesa këtu në ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit dhe në Kishën e Tij të rivendosur.