Liahona
Zoti do të Më Udhërrëfejë
Liahona, Janar 2026


“Zoti do të Më Udhërrëfejë”, Liahona, janar 2026.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Zoti do të Më Udhërrëfejë

Nëpërmjet besimit, bindjes, durimit dhe lutjes, kam mësuar se nuk kam nevojë të kem frikë për të ardhmen.

Ilustrim i autores

Ilustrimi nga Allen Garns

U rrita duke kënduar dhe e rrethuar nga muzika. Kur isha fëmijë, ëndrra ime ishte të bëhesha këngëtare profesioniste. Madje fitova disa konkurse këndimi. Por në një çast të jetës sime, ndjeva një boshllëk kur mendova për qëllimin që Perëndia kishte për mua përtej njohjes dhe lavdërimit nga të tjerët.

Pasja e ungjillit të Jezu Krishtit gjithnjë e më të pranishëm në jetën time më ka ndihmuar të kem besim në kohë pasigurie. Më ka ndihmuar po ashtu të kuptoj se Ati Qiellor donte që unë ta përdorja talentin që më dha, për t’iu afruar më pranë Atij dhe për ta lëvduar Atë.

Edhe pse hoqa dorë nga ëndrra ime, ndjeva se duhej të vazhdoja të këndoja dhe të studioja për muzikë.

Deri në moshën 25–vjeçare, kisha mbaruar studimet për arkitekturë dhe kisha studiuar gjithashtu në UBJ–Pathway Mbarëbotëror dhe Universitetin “Brigam Jang” – Ajdaho, të cilat më ndihmuan ta përmirësoja aftësinë time për të folur gjuhën angleze.

Më pas, diçka e mrekullueshme ndodhi.

Mora një ftesë për të qenë misionare muzike si pjesë e Programit për Pjesëmarrës në Rang Botëror në The Tabernacle Choir. Nuk e dija, por gjithçka që kisha bërë për disa vite, më kishte ndihmuar të përgatitesha për këtë çast. Ftesa ishte një përgjigje për lutjet dhe dëshirat e mia. Ati Qiellor e di fundin që nga fillimi dhe më lejoi të këndoja me The Tabernacle Choir at Temple Square gjatë konferencës së përgjithshme të tetorit 2024.

Nëpërmjet kësaj përvoje, mund të dëshmoj për fuqinë e të qenit e udhëhequr nga Shpirti i Shenjtë, të qenit e duruar dhe mirëbesimit se Perëndia ka një qëllim, megjithëse mund të mos e kuptojmë atë qëllim. Siç na është premtuar, “shtegu i menjëhershëm mund të mos jetë gjithmonë i qartë, por ne mund ta ndjekim Shpëtimtarin me besimin se udhëtimi ynë do të përfundojë bukur dhe triumfues, sepse Ai do të na udhërrëfejë të sigurt për atje ku nevojitet të jemi”.

Për ata që kërkojnë të shohin në shtegun përpara tyre, dijeni se Zoti ka përgatitur diçka më të madhe për ju nga ç’mund ta përfytyroni. Nëse e ndjekim Atë, do të marrim atë që Ai ka përgatitur për ne. Shtegu mund të mos jetë i qartë dhe jeta mund të jetë e vështirë, por Zoti prapëseprapë bën mrekulli për fëmijët e Tij.

Kam mësuar se, nëpërmjet besimit, bindjes, durimit dhe lutjes, Zoti do të më udhëheqë.