Liahona
Një Lutje në Zemër
Liahona, Janar 2026


“Një Lutje në Zemër”, Liahona, janar 2026.

Zëra të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme

Një Lutje në Zemër

Këshillat e përditshme të nënës sime për lutjen kanë sjellë një ndryshim të madh në jetën time.

ilustrim i një gruaje që puth të birin

Ilustrimi nga Allen Garns

Kur frekuentoja shkollën fillore, nëna gjithmonë më jepte drekën, më puthte në ballë dhe më thoshte: “Bëj më të mirën tënde sot dhe mos harro të mbash një lutje në zemër”. Ajo thoshte të njëjtën gjë çdo mëngjes, gjatë gjithë shkollës së mesme.

Në fakt, këshilla “mbaj një lutje në zemër” ishte gjëja e fundit që ajo më tha kur po hipja në aeroplan për të nisur misionin tim dyvjeçar në Floridë. U mësova aq shumë duke e dëgjuar atë këshillë, saqë nuk i dhashë shumë rëndësi ndërsa rritesha. Mendova se ishte diçka që brezi i saj e thoshte gjithmonë, si për shembull: “Paç një ditë të bukur!”

Si misionar kohëplotë, mësova të flisja pak spanjisht teksa shërbeja në Majemi, Floridë, SHBA. Zbulova se miqtë tanë të rinj, shumë prej tyre që vinin nga Kuba dhe Porto‑Rikoja, ishin njësoj si mamaja ime. Çdo familje që vizitonim, na përcillte me një urim të ngjashëm e të dashur: “Vaya con Dios” (Perëndia qoftë me ty).

Kur më në fund fillova të kuptoja se çfarë donte të thoshte nëna ime, fillova të kërkoja mënyra për ta mbajtur vërtet një lutje në zemër. Kur e bëra këtë, mirënjohja ime për Atin Qiellor dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin, u rrit. Përjetova një forcë më të thellë durimi në kohë sprovash dhe vështirësish. Ndjeva dashuri më të madhe për prindërit e mi dhe vlerësim për sakrificat që kishin bërë për mua.

Një ditë, lexova për vizitën e Shpëtimtarit te nefitët pas Ringjalljes së Tij. Në ditën e dytë të vizitës së Tij, “ai [i] urdhëroi dishepujt e tij të luteshin”. Ndërsa luteshin, edhe Shpëtimtari u lut, duke thënë fjalë “të madhërishme dhe të mrekullueshme”. Kur mbaroi, Ai e urdhëroi turmën “që të mos pushonin së luturi në zemrat e tyre” (3 Nefi 19:17, 34; 20:1).

Një mënyrë për ta bërë këtë është ta mendojmë lutjen si një kornizë fotografie që përfshin veprimtaritë tona të përditshme. Kjo kornizë lutjeje, e shoqëruar me dashuri e mirënjohje, na ndihmon të përqendrohemi te Shpëtimtari dhe t’i mbajmë besëlidhjet tona.

Jam mirënjohës për këshillat e përditshme të nënës sime që të “mos pusho[j] së luturi” në zemrën time. Kjo gjë ka sjellë një ndryshim të madh në jetën time.