“Atje Ku Mëkati Shkakton Kaos, Krishti Sjell Paqe”, Liahona, janar 2026.
Nga E Përjavshmja për TRMM‑të
Atje Ku Mëkati Shkakton Kaos, Krishti Sjell Paqe
Edhe në mes të kaosit të jetës, Krishti mund t’i sjellë dritë, rregull dhe paqe shpirtit tuaj.
Ilustrimi nga Kate Birch
A ju duket ndonjëherë jeta pak … kaotike?
Të përjetuarit e një ndjesie kaosi është diçka që ne të gjithë e përjetojmë nganjëherë. Ndërlikimet e botës na e bëjnë të lehtë të harrojmë se jemi qenie shpirtërore që kemi përvoja në vdekshmëri, diçka të cilën nuk e kemi bërë kurrë më parë.
Dy dhurata të mrekullueshme që Perëndia na i dha, janë trupat e vdekshëm dhe liria e zgjedhjes. Këto dhurata na lejojnë të ndiejmë, dëshirojmë e veprojmë për veten tonë. Prandaj natyrisht, gjërat mund të na duken të rrëmujshme ose të pasigurta për shkak të zgjedhjeve që gruaja ose burri i natyrshëm ka prirje që t’i bëjë.
Ne të gjithë bëjmë gabime. Por kur luftojmë me mëkate ose zakone që na duket se nuk mund t’i kapërcejmë, pavarësisht se sa shumë përpiqemi të ndryshojmë, është e lehtë të ndiejmë një ndjesi çrregullimi. Me anën shpirtërore duke na tërhequr drejt qiellit dhe anën e vdekshme duke na tërhequr drejt botës, mund të ndihemi si në një garë të brendshme tërheqjeje litari në vazhdimësi.
Qoftë nëse luftojmë me gjëra si thashethemet, zemërimi, gjykimi i padrejtë, përfshirja e tepërt me mjetet e komunikimit masiv, përdorimi i pornografisë ose ndonjë gjë tjetër, kundërshtari është i shpejtë për të ndezur flakët e turpit, mungesës së shpresës dhe përfundimisht kaosit shpirtëror.
Për fatin tonë të mirë, Ati Qiellor dhe Jezu Krishti e dinë se si ta trajtojnë kaosin.
Kërkimi i Dritës së Tij Është Hapi i Parë
Gjatë Krijimit, fillimit të gjithçkaje që njohim, gjithësia përshkruhet si të ishte në një gjendje kaotike, të paorganizuar: “Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës” (Zanafilla 1:2). Ky kaos dhe kjo errësirë e pashpresë janë mishërim i mënyrës se si kundërshtari mund të na bëjë të ndihemi kur mëkatojmë ose bëjmë zgjedhje që bien ndesh me vlerat tona. Atij i pëlqen të na bëjë të ndihemi të zënë në kurth dhe shpesh na nxit që të fshihemi.
Por siç dha mësim Motra Tamara W. Runia, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave: “Jezu Krishti u jep dritë atyre që rrinë në terr. Kështu që, në ato ditë kur e ndieni atë zë t’ju thotë që të fshiheni, se duhet të fshiheni në një dhomë të errët krejt të vetëm, ju ftoj të jeni të guximshëm dhe t’i besoni Krishtit! Lëvizni drejt Dritës dhe ndizeni Atë, Ndriçimin tonë të Përkryer të Shpresës.”
Nën drejtimin e Perëndisë, gjatë Krijimit, gjëja e parë që bëri Jezu Krishti për të davaritur errësirën e kaosit, ishte të sillte dritë (shihni te Zanafilla 1:3; Moisiu 2:2–5). Nga aty, Ai shkoi të organizonte çdo pjesë kaotike të materies, nga qiejt pa fund tek filizat më të vegjël.
Nëse Ai mund t’i sillte rregull gjithësisë, përfytyroni se çfarë mund të ndodhë kur ktheheni nga Biri i Tij çdo ditë për shërimin dhe fuqinë shëlbuese. Kur të ndiheni sikur jeni të rënduar nga vështirësitë tuaja dhe errësira e botës, zgjatja e dorës drejt dritës së Krishtit është hapi i parë drejt paqes dhe organizimit hyjnor.
Më Pas, Mbani Mend se Kush Jeni
Pasi u organizuan e zbukuruan qiejt dhe toka, Ati Qiellor u përgatiti udhën fëmijëve të Tij shpirtërorë që të vinin në tokë e të merrnin trupa fizikë. Por gjatë kohës sonë në tokë, kundërshtari punon shumë që të na bëjë të harrojmë se kush jemi.
Mund t’i shohim përpjekjet e tij për të na larguar nga identiteti ynë hyjnor në çastin kur Perëndia i flet profetit Moisi dhe i jep atij njohuri. Te Moisiu 1, Perëndia i flet Moisiut me emër dhe në mënyrë të përsëritur e quan birin e Tij.
Por sapo Perëndia largohet, Satani shfaqet dhe e quan Moisiun “biri i njeriut” (Moisiu 1:12), duke e tunduar të harrojë se cili është vërtet.
Satani dëshiron që ne të harrojmë se cilët jemi vërtet. Ai fut dyshime në aftësinë tonë për të ndryshuar. Ai dëshiron që ne të besojmë se jemi burra e gra të natyrshme, të pandryshueshme dhe gjithmonë do të jemi të tillë.
Por Plaku Patrik Kirën, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, na kujton: “Ju mund të vini te Krishti me vetëbesim te dashamirësia e Tij dhe t’i pranoni të gjitha dhuratat e Tij të gëzimit, paqes, shpresës, dritës, së vërtetës, zbulesës, njohurisë dhe urtësisë. … Jeni një bijë e dashur e Perëndisë, … jeni një bir i shtrenjtë i Perëndisë dhe … Ai ju ka dhënë si dhuratë Birin e Tij të përsosur e të shenjtë, për t’ju shëlbuar, shfajësuar dhe shenjtëruar.”
Shëlbimi është diçka që Satani nuk do ta ketë kurrë. Dhe kur mbështetemi tek identiteti ynë shpirtëror, ne mund të themi ashtu siç tha Moisiu:
“Kush je ti? Sepse, vër re, unë jam një bir i [ose bijë e] Perëndisë, në ngjashmërinë e të Vetëmlindurit të tij. …
Largohu këtej, Satan; mos më mashtro; sepse Perëndia më tha: Ti je sipas ngjashmërisë së të Vetëmlindurit tim” (Moisiu 1:13, 16).
Nëse jeta duket kaotike, ndaluni. Kujtoni identitetin tuaj hyjnor. Lejojeni atë të vërtetë, se jeni një fëmijë i dashur i Perëndisë, t’ju tërheqë drejt qiellit. Kthehuni te Jezu Krishti me qëllim që Ai të mund t’ju ndihmojë që të rivendosni rregull në shpirtin tuaj.
Së Fundi, Lejojeni Krishtin ta Kthejë Kaosin në Paqe
Kur Adami dhe Eva u larguan nga Kopshti i Edenit, thjeshtësia që kishin njohur përherë atje, u zëvendësua nga një botë e vetmuar dhe e zymtë. Por Ati Qiellor premtoi se ata mund të kishin paqe, sepse Ai përgatiti një Shpëtimtar për t’i shëlbuar prej mëkateve dhe hidhërimeve të tyre (shihni te Moisiu 5:7–10).
Kur të ndiheni të mbingarkuar nga vdekshmëria, mbajeni mend këtë të vërtetë: Ati Qiellor e dinte se do të përballeshim me tundime, do të bënim gabime dhe do të mëkatonim gjatë gjithë këtij rrugëtimi për t’u kthyer në shtëpi tek Ai. Kjo ishte e gjitha pjesë e planit.
Nëpërmjet Jezu Krishtit, Ati Qiellor gjithmonë mund të na ndihmojë për t’i zmbrapsur fuqitë e errësirës në jetë dhe për t’i zëvendësuar ato me dritë. Pavarësisht se sa herë gabojmë, për shkak të Shpëtimtarit tonë, mund ta shkëmbejmë kaosin me paqe brenda shpirtrave tanë kur pendohemi.
Presidenti Rasëll M. Nelson dëshmoi:
“[Jezu Krishti] do t’ju forcojë. Ai do t’ju bekojë me paqe edhe mes kaosit. …
Jezu Krishti i mori mbi Vete mëkatet tuaja, dhembjet tuaja, pikëllimet tuaja dhe dobësitë tuaja. Nuk keni pse t’i mbani ato të vetëm! Ai do t’ju falë ndërsa pendoheni. Ai do t’ju bekojë me atë çka ju nevojitet. Ai do ta shërojë shpirtin tuaj të plagosur.”
Me çfarëdo që mund të keni vështirësi, kur t’i drejtoheni Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit për ndihmë, Ata gjithmonë mund ta riparojnë atë që është bërë copash, t’ju çlirojnë nga kaosi i mëkateve e tundimeve dhe ta zbukurojnë jetën tuaj.
Ata e kanë bërë këtë gjë pa pushim shumë herë.