Liahona
Si Mund të Ankohem?
Liahona, Janar 2026


“Si Mund të Ankohem?”, Liahona, janar 2026.

Portrete Besimi

Si Mund të Ankohem?

Katër shpërnguljet tona si familje refugjatësh dolën të ishin një provë e stërmadhe. Por ne mbahemi te shufra e hekurt me sigurinë se Zoti po na çon drejt një të ardhmeje më të mirë.

autorja me familjen e saj

Në vjeshtën e vitit 2019, mbërrita në Spanjë me fëmijët e mi, Aaronin 8‑vjeçar dhe Horhenë 17‑vjeçar, i cili ka autizëm. Vetëm me ëndrrat e mia të paketuara në një valixhe, u kapa pas Perëndisë dhe i mirëbesova Atij plotësisht.

Një samaritane e mirë na priti në shtëpinë e saj, ku qëndruam dy javë. Por largimi i Horhesë nga mjedisi i tij i njohur nuk ishte i lehtë. Për shkak të gjendjes së tij, ai ndjek rutina të përpikta. Netët e para, ai do të godiste muret dhe unë ngrihesha shpejt për ta penguar që të mos zgjonte të tjerët. U gjunjëzova pranë tij dhe u luta, duke kujtuar vargun tek Isaia 41:10: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime”.

Gjatë fundjavës sonë të dytë në Spanjë, mbërritëm në kishë pikërisht kur por mbaronte mbledhja e sakramentit. Iu afrova një të reje që ishte me fëmijët e Fillores dhe i shpjegova se isha anëtare e Kishës, por nuk njihja askënd. Ajo na njohu me disa anëtarë të tjerë.

Të nesërmen, këshilli bashkiak i Saragozës na pranoi si refugjatë dhe na çoi në një apartament pa ujë dhe energji elektrike. Peshkopata, Shoqata e Ndihmës dhe kuorumi i pleqve në lagjen e kishës që frekuentonim, na erdhën në ndihmë me batanije, ushqime që nuk kishte nevojë të ngroheshin, rroba dimërore dhe artikuj të tjerë të domosdoshëm.

Fëmijët e mi filluan shkollën dhe unë fillova një kurs trajnimi. Ngrënia e vakteve ishin një sfidë për Horhenë, i cili ishte mësuar të hante në mesditë. Mësuesi i tij privat më informoi se pavarësisht se kush ishte duke e dhënë mësimin, kur vinte ora dymbëdhjetë, ai e nxirrte ushqimin dhe fillonte të hante.

“Do të Agjëroj Edhe Unë”

Katër shpërnguljet tona dolën të ishin një provë e stërmadhe. U luta që të qëndroja e fortë, por shpesh e gjeja veten duke qarë në vetmi. Për javë të tëra, flija vetëm dy ose tri orë natën. Pasi kërkova punë prej ditësh, u bekova që gjeta një punë për t’u kujdesur për një grua relativisht të re në moshë me kancer të pashërueshëm në tru. Pas çdo turni pune, shkoja të merrja fëmijët, i ndihmoja për mësimet dhe më pas bëja detyrat e shtëpisë për trajnimin.

U kujdesa për këtë grua të mrekullueshme për një vit, derisa ajo ndërroi jetë në moshën 48 vjeçe, duke lënë pas dy fëmijë të vegjël. Situata e saj më bëri të pyesja veten: “Si mund të ankohem?” Përkujdesja për të plotësoi nevojat tona dhe e mbushi shpirtin tim me mirënjohje për Atin tim Qiellor.

Çdo ditë në shtëpi lexonim shkrimet e shenjta, luteshim dhe vendosnim rutina për t’i dhënë siguri Horhesë. Në fillim të vitit 2024, filluam përgatitjet për të shkuar në Tempullin e Madridit në Spanjë. Për t’u afruar më pranë Atit Qiellor, ndjeva se duhej të agjëronim si familje. Aaroni ra dakord me këtë dhe të nesërmen në mëngjes Horheja më tha: “Mami, sot do të agjëroj edhe unë”. Ishte një çast gëzimi i papërshkrueshëm.

autorja dhe familja e saj përpara tempullit

“Për t’u afruar më pranë Atit Qiellor, ndërsa filluam përgatitjet për të shkuar në Tempullin e Madridit në Spanjë, ndjeva se duhej të agjëronim si familje”, – thotë Jesmina. “Horheja më tha: ‘Mami, sot do të agjëroj edhe unë’. Ishte një çast gëzimi i papërshkrueshëm.”

Që nga vizita jonë në tempull, Horheja është përmirësuar ndjeshëm. Ai i përshtatet më shumë orarit të tij. Të shtunave ai përgatit rrobat e tij në mënyrë që të jetë gati për të shpërndarë sakramentin të dielën. Ai gjithashtu ka bërë përparim të madh akademik.

Sot ne po sigurojmë jetesën për veten tonë, të përkrahur nga një Atë i dashur Qiellor. Jezu Krishti na ka ngritur nga hiri (shihni tek Isaia 61:3). Duke paguar të dhjetën, ne kemi marrë bekime me bollëk. Ne mbahemi te shufra e hekurt (shihni te 1 Nefi 8:24, 30; 11:25; 15:23) me sigurinë se po ecin drejt një të ardhmeje më të mirë.

Shënim

  1. “Të qenit mirënjohës në kohët e vuajtjes nuk do të thotë që ne kënaqemi me rrethanat tona. Kjo vërtet do të thotë që, nëpërmjet syve të besimit, ne shohim përtej sfidave tona të së sotmes. … Të qenit mirënjohës rrethanat tona është një vepër e besimit te Perëndia” (Diter F. Uhtdorf, “Mirënjohës në të Gjitha Rrethanat”, Liahona, maj 2014, f. 76).