Liahona
Besnikëria dhe Profetët – Të Kaluar dhe të Tanishëm
Liahona, Janar 2026


“Besnikëria dhe Profetët – Të Kaluar dhe të Tanishëm”, Liahona, janar 2026.

Besnikëria dhe Profetët – Të Kaluar dhe të Tanishëm

Pesë parime të rëndësishme që mund të na ndihmojnë të shmangim kurthin e rënies në kundërshtim me profetët dhe apostujt.

iIustrim i një burri duke mbajtur një shkallë

Kur isha 17 vjeç dhe jetoja në Filadelfiën Perëndimore në Pensilvani, SHBA, misionarët i dhanë mësim familjes sime rreth Vegimit të Parë të Jozef Smithit. Dëshira e Jozefit djaloshar për të komunikuar me Perëndinë dhe për të ditur vullnetin e Tij, reflektonte thellë dëshirat e mia.

Ndërsa misionarët na mësonin rreth profetëve dhe apostujve të gjallë, unë i pyeta: “A ka Apostuj sot? Ku janë ata?” Ata na treguan një fotografi të Presidentit Spenser W. Kimball (1895–1985), të këshilltarëve të tij në Presidencën e Parë dhe të anëtarëve të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në vitin 1980. Kjo e forcoi dëshminë time që po formohej, se Perëndia, i cili është i njëjtë dje, sot dhe përgjithmonë, ende kishte nevojë për profetë dhe apostuj për të udhëhequr fëmijët e Tij në kohët e sotme.

Me kalimin e kohës, si prindërit e mi ashtu edhe të 10 fëmijët u pagëzuan në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Që kur arrita t’i njoh profetët dhe apostujt e gjallë, dëshmia ime për thirrjen dhe çelësat e tyre të shenjtë vetëm është forcuar.

Sfidat me të Cilat u Përballën Profetët dhe Apostujt

Natyrisht, Satani gjithmonë është përpjekur ta zvogëlojë sigurinë te profetët dhe apostujt. Në fund të fundit, gjatë gjithë historisë ata kanë qenë dëshmitarët kryesorë të emrit të Jezu Krishtit në të gjithë botën (shihni te Doktrina e Besëlidhje 107:23).

Në kohën tonë, kundërshtari kërkon ta pengojë atë që Presidenti Rasëll M. Nelson e quajti “gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot”, mbledhja e Izraelit, e cila duhet t’i paraprijë Ardhjes së Dytë të Jezu Krishtit. Profetët dhe apostujt mbajnë çelësat e kësaj mbledhjeje. Ndaj, ata përballen gjithmonë me kundërshtim.

Qoftë në lashtësi apo në ditët e mëvonshme, Satani madje ka gjetur mënyra për të mashtruar disa nga vetë fëmijët e besëlidhjes së Perëndisë që të luftojnë kundër Apostujve të Qengjit, të kaluar dhe të tanishëm (shihni te 1 Nefi 11:34–36).

Ja tek janë pesë parime që mund të na ndihmojnë të shmangim rënien në këtë kurth.

ilustrim i një burri që ngjitet në një shkallë mbi një çarje toke

Besimi te Zoti Jezu Krisht

I pari nga këto parime është gjithashtu parimi i parë i ungjillit: besimi te Zoti Jezu Krisht dhe Shlyerja e Tij.

Besimi është udhëzues. Presidenti Xhefri R. Holland, Presidenti Veprues i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se besimi gjithmonë të drejton tek e ardhmja.

Ndërsa besimi ynë te Krishti dhe mirëbesimi te Perëndia rriten, ne “pr[esim] me padurim me syrin e besimit dhe [i] sh[ohim]” premtimet e Tyre të përmbushen (shihni tek Alma 5:15; shihni edhe te Mosia 18:21; Alma 32:40). Kur kremtuam ngjarjen “Bëhuni Një”, që përkujtoi 40‑vjetorin e zbulesës së vitit 1978 mbi priftërinë, Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, na ftoi të gjithëve të “shikonim përpara në unitetin e besimit tonë dhe të mirëbesonim në premtimin e Zotit” [shihni te 2 Nefi 26:33]”.

Ky përqendrim me drejtimin përpara na çon drejt përmbushjes së premtimit të Presidentit Nelson gjatë së njëjtës ngjarje për “paqe dhe harmoni të përsosur” dhe ditën kur, siç dha mësim Presidenti Henri B. Ajring, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë: “Zoti Jehova do të kthehet të jetojë me ata që janë bërë populli i Tij dhe do t’i gjejë ata të bashkuar, në një zemër, në unitet me Të dhe me Atin tonë Qiellor”.

Në dallim, Satani kërkon t’i ngurtësojë fëmijët e Perëndisë që të mbeten të bllokuar duke u përqendruar prapa, duke ngecur te rrethanat, deklaratat ose mësimet e së kaluarës, madje edhe ato që janë sqaruar nga profetët dhe apostujt e mëvonshëm. Si “paditësi i vëllezërve tanë … ditë e natë” (Zbulesa 12:10), ai nxit kritika të vazhdueshme ndaj profetëve dhe apostujve të Perëndisë dhe mësimeve të tyre. Kjo e minon me zgjuarsi besimin në objektin e dëshmisë së tyre, Jezu Krishtin – qëllimi i tij përfundimtar djallëzor.

Deklaratat për unitet, paqe dhe harmoni nga Apostujt e sotëm tregojnë qartë se, ndërsa Satani është i mprehtë për të nxitur grindje dhe përçarje, kjo është koha që të gjithë fëmijët e besëlidhjes së Perëndisë (shihni te 1 Nefi 11:34–36) të bashkohen për t’i përqafuar të vërtetat e përjetshme që Perëndia zbulon nëpërmjet profetëve dhe apostujve të Tij dhe të veprojnë sipas tyre. Duke e bërë këtë, ne mund të bëhemi një popull i bashkuar, i lumtur, i fuqishëm, i besëlidhjes dhe plot besim, pa mungesë harmonie racore, gjinore, etnike apo të tjera.

Mësimet e profetëve dhe apostujve e frymëzojnë këtë unitet dhe besim të sigurt te Jezu Krishti, i cili gjithmonë do të na çojë përpara.

Mos Dënoni, Mos Gjykoni, Veproni me Besim

Duke e parë kohën tonë, Moroni na mësoi se si mund të mbrohemi nga të bërit kritikues ndaj profetëve dhe apostujve: parimi i mosdënimit ose mosgjykimit.

Mos më dënoni për papërsosmërinë time”, – tha Moroni, – “as atin tim për shkak të papërsosmërisë së tij, as ata që kanë shkruar para tij; por më mirë jepini falënderime Perëndisë që vuri në dukje papërsosmëritë tona, kështu që ju të mësoni dhe të jeni më të urtë sesa qemë ne” (Mormoni 9:31; theksimi i shtuar).

Me fjalë të tjera, ne përqendrohemi dhe mësojmë nga mësimet dhe dëshmitë e profetëve dhe apostujve për Krishtin dhe ungjillin e Tij dhe e shmangim kërkimin e papërsosurive të tyre. Gjatë gjithë historisë, Perëndia i ka zbuluar disa nga këto papërsosuri për dobinë tonë dhe për të na ndihmuar që të mësojmë të jemi më të urtë. I jap falënderime Atij që e bën këtë.

Prapëseprapë, duhet të jemi të kujdesshëm. Në konferencën e përgjithshme të prillit 2019, Presidenti Ajring citoi këtë mësim të Presidentit Xhorxh Q. Kanon (1827–1901), Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë: “Perëndia i ka zgjedhur shërbëtorët e Tij. Ai shpall se është e drejta e Tij që t’i dënojë, në qoftë se ata kanë nevojë për dënim. Ai nuk na e ka dhënë neve të drejtën si individë që t’i qortojmë dhe dënojmë ata. Askush, sado i fortë që mund të jetë në besim, sado pozitë të lartë të ketë në Priftëri, nuk mund të flasë keq për të vajosurit e Zotit dhe nuk mund të gjejë faj tek autoriteti i Perëndisë në tokë pa shkaktuar pakënaqësinë e Tij. Shpirti i Shenjtë do të tërhiqet nga një njeri i tillë dhe ai do të shkojë në errësirë. Ngaqë kjo është pasoja, a nuk e shihni se sa e rëndësishme është që ju duhet të jeni të kujdesshëm?”

Unë dhe ju kemi bekimin dhe mandatin e Zotit lidhur me mësimet dhe veprimet profetike, duke përfshirë cilindo që ne e kemi të vështirë ta kuptojmë ose pranojmë:

“Ju duhet t’u vini veshin të gjitha fjalëve dhe urdhërimeve të tij, që ai do t’jua japë ashtu siç i merr ato, duke ecur gjithë shenjtëri përpara meje;

Sepse fjalën e tij duhet ta merrni si nga goja ime, plot durim e besim” (Doktrina e Besëlidhje 21:4; theksimi i shtuar).

Sërish, ne nuk dënojmë apo gjykojmë (shihni te Mateu 7:1–2). Ndërsa kam ecur përpara me besim te Jezu Krishti dhe mirënjohje për bekimin e profetëve dhe apostujve, unë jam bekuar së tepërmi (shihni te Doktrina e Besëlidhje 21:6).

Shmangeni Tundimin për të Tejkaluar Autoritetin Tonë

Një parim tjetër kyç është të shmangim tejkalimin e autoritetit tonë apo të marrim përsipër role që nuk i kemi. Këto mendësi na mashtrojnë duke na bërë t’i vlerësojmë shumë lart mendimet tona, gjë që ndodh natyrshëm kur i vlerësojmë shumë poshtë mësimet e profetëve dhe apostujve. Dënimi i profetëve dhe apostujve, përfshirë ata të së kaluarës, padyshim që e tejkalon autoritetin tonë, pasi Zoti ia rezervon këtë aftësi Vetes së Tij. Jam plotësisht i sigurt se Shpëtimtari ynë i gjithëditur, i dashur dhe i mëshirshëm, e ka trajtuar ose do ta trajtojë dhe falë me padurim çdo gabim apo papërsosuri të së kaluarës, siç shpresojmë se Ai do të bëjë për ne që jemi në të tashmen.

Një shembull tjetër i tejkalimit të autoritetit tonë, është të hamendësojmë për t’i drejtuar profetët dhe apostujt lidhur me veprimet që duhet të ndërmarrë Kisha apo se si duhet të qeveriset ajo. Ky është roli i Zotit, jo i yni (shihni te Doktrina e Besëlidhje 28:2). Sado i mirë të jetë qëllimi ynë, dënimi i profetëve dhe apostujve dhe hamendësimi për t’i drejtuar ata, që të dy rrjedhin nga krenaria dhe çojnë në mashtrim dhe mosarritje për të ndjekur autoritetin profetik.

Rivendosja e Vazhdueshme

Që prej vitit 1820 e deri më sot, Zoti i ka udhëzuar vazhdimisht profetët, shikuesit dhe zbuluesit e Tij në procesin e zbulesës me anë të të cilit Ai e udhëheq Kishën e Tij.

Presidenti Nelson dha mësim:

“Kur mblidhemi si Këshill i Presidencës së Parë dhe i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, dhomat tona të mbledhjeve bëhen dhoma zbulese. Shpirti është i pranishëm në mënyrë të dukshme. … Edhe pse mund të ndryshojmë në këndvështrimet tona fillestare, dashuria që ndiejmë për njëri-tjetrin është e pandryshueshme. Uniteti ynë na ndihmon të dallojmë vullnetin e Zotit për Kishën e Tij.

Në mbledhjet tona, kurrë nuk sundon shumica! Ne e dëgjojmë plot lutje njëri-tjetrin dhe flasim me njëri-tjetrin derisa jemi të njëzëshëm.”

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, vërejti: “Synimi nuk është thjesht marrëveshja e përgjithshme mes anëtarëve të këshillit, por zbulesa nga Perëndia. Ky është një proces që përfshin edhe arsyen edhe besimin për të mësuar mendjen dhe vullnetin e Zotit.”

Ky parim i rivendosur dhe i përshtatur i sigurisë e rrit mirëbesimin në aftësinë e udhëheqësve tanë të tanishëm për ta qeverisur gjithmonë Kishën sipas vullnetit të Zotit.

Kini një Qëndrim të Përulur

Sigurisht, Jezu Krishti qëndron në krye të Kishës së Tij dhe Ai i drejton profetët e Tij. Ajo që ne mund ta perceptojmë si papërsosuri në fjalët apo veprimet e tyre, në fakt, pasqyron papërsosuri në perceptimin ose të kuptuarit tonë si të vdekshëm. Të kujtuarit se udhët e Zotit janë më të larta se udhët tona dhe se mendimet e Tij janë më të larta se mendimet tona (shihni tek Isaia 55:8–9), na lejon ta shmangim gjykimin e profetëve, përfshirë atyre të së kaluarës. Ky qëndrim i përulur na mundëson që t’ua vëmë veshin fjalëve të profetëve të gjallë “plot durim e besim” (Doktrina e Besëlidhje 21:5; shihni edhe te 1:28).

Gjithashtu na ndihmon të marrim zbulesë, shpresë dhe besim të shtuar te Krishti në një botë gjithnjë e më të vështirë. Jakobi dha mësim: “Ne kërkojmë profetët dhe kemi shumë zbulesa dhe shpirtin e profecisë; dhe duke pasur gjithë këto dëshmi, ne marrim një shpresë dhe besimi ynë bëhet i patundur” (Jakobi [LiM] 4:6). Nëse jemi të përulur, këto përvoja të shenjta mund të na e largojnë çdo dëshirë për të gjetur gabim te profetët dhe apostujt, përfshirë ata të së kaluarës (shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:124; 136:23). Përulësia na ndihmon t’i “kërkojmë profetët” për të vërtetat që e shtojnë gëzimin dhe paqen tonë, dhe të mos kërkojmë papërsosuritë.

Me këtë frymë, jap dëshminë time të sigurt dhe të dashur se profetët, që prej Jozef Smithit e tutje, ishin profetë të Perëndisë në një linjë të pandërprerë trashëgimie deri te dhe duke përfshirë Presidentin Rasëll M. Nelson. Ka qenë një bekim i thellë për mua t’i “kërkoj profetët” dhe t’i afrohem më pranë Perëndisë nëpërmjet mësimeve të secilit prej tyre.

Dëshmoj se ata që u thirrën në apostullimin e shenjtë nën drejtimin e këtyre profetëve, ishin dhe janë dëshmitarë të veçantë të emrit të Jezu Krishtit në të gjithë botën. Çfarë privilegji është të shohim dhe të ecim përpara drejt Jezu Krishtit nëpërmjet mësimeve të këtyre dëshmitarëve!

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  2. Shihni te Jeffrey R. Holland, “Remember Lot’s Wife” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 13 janar 2009), f. 2, speeches.byu.edu.

  3. Dallin H. Oaks, “President Oaks Remarks at Worldwide Priesthood Celebration” (fjalim i dhënë në kremtimin e ngjarjes “Bëhuni Një”, 1 qershor 2018), newsroom.ChurchofJesusChrist.org.

  4. Russell M. Nelson, “President Nelson Remarks at Worldwide Priesthood Celebration” (fjalim i dhënë në kremtimin e ngjarjes “Bëhuni Një”, 1 qershor 2018), newsroom.ChurchofJesusChrist.org.

  5. Henri B. Ajring, “Zemrat Tona Thuren si Një e Vetme”, Liahona, nëntor 2008, f. 68.

  6. Për shembull, korrigjimi i Zotit ndaj Profetit Jozef Smith në lidhje me humbjen e 116 faqeve të dorëshkrimit të Librit të Mormonit (shihni te Doktrina dhe Besëlidhje 3; 10); korrigjimi i Zotit ndaj Lehit për murmuritjen kundër Tij (shihni te 1 Nefi 16:17–25); qortimi i Zotit ndaj vëllait të Jaredit për lënien pas dore të bërjes së lutjes ndaj Perëndisë (shihni tek Ethëri 2:14–15).

  7. Gospel Truth: Discourses and Writings of President George Q. Cannon, red. Jerreld L. Newquist (1974), 1:278; shihni edhe te Henri B. Ajring, “Fuqia e Besimit Mbështetës”, Liahona, maj 2019, f. 59.

  8. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Vëllezër, ne të gjithë kemi nevojë të pendohemi” (“Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 69). Ai dha mësim më tej: “Pendimi kërkohet nga çdo person i përgjegjshëm i cili e dëshiron lavdinë e përjetshme. Nuk ka asnjë përjashtim për këtë” (“Fuqia e Hovit Shpirtëror”), Liahona, maj 2022, f. 98). Presidenti Dallin H. Ouks, Këshilltar i Parë në Presidencën e Parë, dha mësim: “Pendimi është një pjesë thelbësore e planit të Perëndisë”. Ai po ashtu tha: “Ne duhet të pendohemi për të gjitha mëkatet tona – të gjitha veprimet apo mosveprimet tona në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë. Askush nuk bën përjashtim” (“Të Pastruar nëpërmjet Pendimit”, Liahona, maj 2019, f. 92). Shihni edhe shënimin 6 në këtë artikull.

  9. Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 95.

  10. D. Tod Kristoferson, “Doktrina e Krishtit”, Liahona, maj 2012, f. 88.

  11. Vini re se si dallohen profetët dhe këndvështrimet e tyre në këtë shkrim të shenjtë: Doktrina e Besëlidhje 130:4.