Liahona
Kisha Frikë të Flisja me Peshkopin Tim – Si do të Reagonte Ai?
Liahona, Janar 2026


“Kisha Frikë të Flisja me Peshkopin Tim – Si do të Reagonte Ai?”, Liahona, janar 2026.

Nga E Përjavshmja për TRMM‑të

Kisha Frikë të Flisja me Peshkopin Tim – Si do të Reagonte Ai?

Po bëja zgjedhje jo të mira. Por kur fola me peshkopin tim, e vetmja gjë që ndjeva, ishte ngushëllim.

një burrë duke i dhënë dorën peshkopit të tij

Kur jetova vetëm për herë të parë, ndjeva një ndjesi të re lirie.

Isha shpërngulur në Filipine për të filluar shkollën dhe vajtja me avion në shtëpi ishte e kushtueshme, kështu që shkoja vetëm një herë në vit për të përtërirë vizën. Pa ndikimin besnik të familjes sime pranë meje, gradualisht u largova nga ungjilli.

Fillova të pija duhan, alkool dhe të bëja gjëra të tjera që më ishte mësuar se ishin kundër urdhërimeve të Perëndisë.

Të Kujtuarit se Cili Jam

Në fillim nuk e vrisja mendjen. I shihja rregullat e Kishës si kufizuese. Vazhdoja të shkoja në kishë, por brenda vetes nuk ndihesha i denjë dhe nuk e mora sakramentin për muaj të tërë.

Pastaj ndodhi COVID‑19, duke i ndërprerë të gjitha aktivitetet e mia. Në të njëjtën kohë, mësova diçka tronditëse: Jam i birësuar. Prindërit e mi nuk ma kishin thënë kurrë dhe kalova një krizë të vogël identiteti.

Ndihesha larg nga gjithçka që dikur kisha besuar. E dija që kisha nevojë që të mësoja përsëri se cili isha në të vërtetë. Kur më në fund shkova në shtëpi, u tregova prindërve për gjithçka, përfshirë zgjedhjet që kisha bërë. Në vend që të më qortonin, ata u përgjigjën me dashuri. Më kujtuan se cili jam në të vërtetë: biri i tyre dhe një bir i dashur i Perëndisë.

Ndihmë për të Ndryshuar

Doja të ndryshoja. Prindërit më nxitën që të flisja me peshkopin, të filloja procesin e pendimit dhe të mbështetesha te fuqia shëlbuese e Shpëtimtarit.

Por kisha frikë. Isha i shqetësuar se mos ndëshkohesha ose gjykohesha për zgjedhjet e mia. Zakonisht nuk më intereson se çfarë mendojnë njerëzit për mua, por peshkopi ishte një njeri kaq i mrekullueshëm dhe nuk doja ta zhgënjeja duke i treguar se çfarë kisha bërë.

Por siç dha mësim Plaku Skot D. Uaiting, i Të Shtatëdhjetëve: “Mos u fshihni prej atyre që do t’ju duan dhe përkrahin; përkundrazi, vraponi drejt tyre. Peshkopët, presidentët e degëve dhe udhëheqësit e mirë mund t’ju ndihmojnë që ta përdorni fuqinë shëruese të Shlyerjes së Jezu Krishtit.”

Peshkopët “mbajnë çelësa[t e] priftërisë që të përfaqësojnë Zotin për t’i ndihmuar anëtarët e Kishës që të pendohen”. Në vend që të përballesha me gjykim të ashpër kur flisja me të, e vetmja gjë që ndjeva në zyrën e peshkopit tim, ishte ngushëllim. Kuptova se Zoti i mirëbesonte atij që të më ndihmonte mua dhe ndjeva se edhe unë mund t’i mirëbesoja atij.

Peshkopi më nxiti të mësoja rreth Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij duke ndërtuar zakone shpirtërore. Takohesha rregullisht me peshkopin dhe ai më telefononte çdo javë për të më pyetur si isha. Sa herë që flisja me të, e ndieja se më donte.

Dhurata e Pendimit

Përfundimisht, me ndihmën e peshkopit, u largova nga veset në jetën time. Megjithatë, isha nervoz për të marrë përsëri sakramentin. A isha vërtet i denjë, edhe pas gjithë punës që kisha bërë?

Por peshkopi më dha siguri. Ai më kujtoi se nuk duhej të isha i përsosur, thjesht duhej të isha i gatshëm. Po bëja më të mirën time dhe Shpëtimtari e dinte këtë, dhe do të vazhdonte të më falte ndërsa mbështetesha në dhuratën e Tij të pendimit.

Motra Tamara W. Runia, Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave, kohët e fundit dha mësim: “Të vish te Krishti është si të thuash: ‘A do të më ndihmosh?’, duke pasur shpresë, një zbulesë sigurie që krahët e Tij janë përherë të zgjatur drejt jush për t’ju ndihmuar”.

Pas kësaj përvoje, fillova t’i përtërija besëlidhjet e mia nëpërmjet sakramentit me vetëbesim. Ndihesha si një njeri tjetër, me një ndjenjë të re për atë që jam në të vërtetë dhe atë që jam i aftë të bëj me ndihmën e Zotit. Madje shërbeva në një mision sepse pasi dëshmova se sa shumë e kishte ndryshuar jetën time dhurata e Shpëtimtarit për shëlbimin, doja t’i ndihmoja të tjerët të gjenin shpresën që Ai më jep çdo ditë.

Urdhërimet nuk janë kufizuese, ato ekzistojnë ngaqë Perëndia dëshiron që t’ia dalim mbanë, të rritemi dhe të shpëtojmë nga kurthi i mëkatit. Qendra e ungjillit të Jezu Krishtit është dashuria që Ai dhe Ati Qiellor kanë për ne. Ngaqë e përjetoj atë dashuri të përsosur, po përpiqem fort të bëhem më shumë si Ata.

Dhurata e Tyre e pendimit ma mbush jetën me gëzim.