“Pendimi Nuk Ka të Bëjë Vetëm me Mposhtjen e Mëkatit”, Liahona, janar 2026.
Nga E Përjavshmja për TRMM‑të
Pendimi Nuk Ka të Bëjë Vetëm me Mposhtjen e Mëkatit
Kthimi te Krishti – ndryshimi i qëndrimeve tona dhe pajtimi i këndvështrimeve tona me të Tijat – është gjithashtu një formë pendimi.
Ilustrimi nga Nate Wilde
Ndërsa isha në mision, nuk munda të shkoja në dasmën e shoqes sime më të mirë.
Ajo nuk më hiqej nga mendja gjithë ditën. Ishim takuar si shoqe dhome në universitet dhe ajo shpejt u bë si një motër për mua. E dija që Ati Qiellor më kishte udhërrëfyer për ta takuar atë.
Por tani, nuk mund të isha e pranishme për të festuar një nga çastet më të mëdha të jetës së saj. Isha shumë e inatosur.
Sprova të Papritura
Përpara misionit tim, jeta ime nuk ishte e përkryer, por ishte e mirë. Më pëlqente shumë universiteti dhe sapo kisha krijuar miqësinë më të mirë që kisha pasur ndonjëherë. Isha goxha e lumtur.
E dija se shërbimi në një mision do të ishte sfidues. Megjithatë, kisha këtë pritshmëri se shërbimi në një mision do të ishin 18 muajt më të mirë të jetës sime, me vështirësi të vogla.
Por gjashtë muaj më vonë, dasma e shoqes sime u bë risia në një listë gjërash të vështira që nuk i prisja. Shpërngulja në një vend të huaj dhe të mësuarit e një gjuhe të re më bënë të ndihesha e vetmuar dhe në ankth. Refuzimi që përjetova si pjesë e jetës misionare ishte mendërisht i lodhshëm. Sinqerisht, doja vetëm të kthehesha në shtëpi.
Isha e lodhur dhe e acaruar dhe nuk ndieja se Perëndia po më ofronte shpresën dhe lumturinë që më nevojiteshin medoemos. Vetëm pasi më shteroi çdo mundësi tjetër, iu drejtova një premtimi nga bekimi im patriarkal, se do ta ndieja dashurinë e Atit Qiellor përmes shkrimeve të shenjta.
Një Këndvështrim i Ri
Teksa i shqyrtoja shkrimet e shenjta, e gjeta veten duke u lidhur thellë me historinë e Evës. Ajo u dëbua nga parajsa dhe u zhvendos në një vend të shkretë, të errët e të zymtë, që ishte pak a shumë mënyra si unë po ndihesha. I ngjashëm me përvojën time, tranzicioni i Evës kishte ndodhur për shkak të një zgjedhjeje të caktuar. Pyesja veten nëse ajo kishte ndier ndonjëherë keqardhje për zgjedhjen e saj, ashtu siç unë po filloja të ndieja keqardhje për zgjedhjen time për të shërbyer.
Por Eva pati një këndvështrim shumë më të mençur se unë. Edhe pse në thelb kishte humbur gjithçka, kur mësoi se kishte një Shpëtimtar, ajo “u gëzua, duke thënë: Po të mos ishte për shkeljen tonë, ne … kurrë nuk do të kishim njohur të mirën dhe të keqen, dhe gëzimin e shëlbimit tonë” (Moisiu 5:11).
Ajo nuk ndjeu keqardhje për zgjedhjen e vet. Ishte mirënjohëse për të! Edhe pse ajo dhe Adami ishin dëbuar nga parajsa, gëzimi prej të qenit i shëlbuar ishte më i ëmbël se dhembja e humbjes së saj. Në fakt, dukej sikur shëlbimi i kishte sjellë asaj edhe më shumë gëzim sesa sikur të mos kishte pasur nevojë të shëlbohej fare.
Si është e mundur kjo?
Ëmbëlsia e Pendimit
Mund të mendojmë se pendimi është vetëm për të hequr mëkatet dhe sjelljet e këqija nga jeta jonë. Ky proces i heqjes mund të jetë i vështirë dhe herë pas here i dhimbshëm, duke e bërë të lehtë t’i bashkëngjitësh fjalës një ngjyrim negativ.
Por pendimi nuk ka të bëjë vetëm me bërjen më pak mëkatar. Ka të bëjë po ashtu me të bërit më shumë si Krishti.
Kthimi tek Ai – ndryshimi i qëndrimeve tona dhe pajtimi i këndvështrimeve tona me të Tijat – është gjithashtu një formë pendimi.
Unë kuptova se nga gjendja ime e zemërimit dhe vetmisë, këndvështrimi im ishte ngushtuar. Isha përqendruar aq shumë në atë që më mungonte, saqë nuk kisha arritur të shihja se çfarë kisha fituar: një marrëdhënie më të ngushtë me Shpëtimtarin tim.
Kuptova se kisha nevojë të pendohesha për qëndrimin tim jo pozitiv. M’u desh kohë, por ndërsa iu luta për ndihmë Shëlbuesit tim, m’u dha siguri se “në këtë jetë unë do të kem gëzim” (Moisiu 5:10).
Isha ende e trishtuar që nuk munda të shkoja në dasmën e shoqes sime, por me kalimin e kohës, Zoti iu përgjigj lutjeve të mia. Isha shumë e lumtur për shoqen time dhe gjeta shumë gëzim në dëshminë time se Ati Qiellor me të vërtetë i sheh dhe i do të gjithë fëmijët e Tij. Fitova shumë më tepër sesa humba.
Motra Kristin M. Ji, Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, dha mësim: “Pendimi na lejon të ndiejmë dashurinë e Perëndisë dhe ta njohim e ta duam Atë në mënyra që përndryshe nuk do t’i dinim kurrë”.
Për shkak të pendimit, tani e di se ndërsa i afrohem pranë Krishtit, Ai “do ta bëjë shkretëtirën [time] si Edenin dhe vetminë [time] si kopshtin e Zotit. Do të gjej në të gëzim dhe hare” (Isaia 51:3).
Kur u ktheva në shtëpi nga misioni, nuk u ktheva në parajsë. Jeta pas misionit është një vend i shkretë, i ri për mua që ta kultivoj. Nuk është e lehtë dhe ndonjëherë prapë më merr malli për jetën para misionit.
Por unë e di se për shkak të Krishtit, gëzimi im do të bëhet më i thellë në njohurinë për shëlbimin tim.