Mesazhi i Udhëheqjes Zonale
Të Besuarit e Shtegut të Besëlidhjeve “Përfshirëse në Mënyrë Universale” të Zotit
Një mikeshë dhe unë hëngrëm një vakt së bashku në fillim të vitit të kaluar. Jo shumë kohë përpara takimit tonë, ne kishim ndërmarrë secili hapat për ta ndjekur thirrjen e Presidentit Nelson që të mësonim rreth “gjithçkaje që Zoti ka premtuar se do ta bëjë për Izraelin besëlidhës”, t’i përsiatnim këto premtime dhe, më pas, të diskutonim “për to me familjarët dhe miqtë t[anë]”. Zemrat tona u mallëngjyen teksa mrekulloheshim së bashku nga premtimet e Zotit. Ajo më tha në mirëbesim se, derisa e studioi vetë, ajo kishte “dashur të bërtiste” kur dëgjonte frazën “shtegu i besëlidhjeve” në bisedat dhe mësimet e Kishës. Fjalët kishin pak kuptim [për të]. Më pas, me përpjekje dhe përqendrim, bezdia u pakësua teksa të kuptuarit dhe gëzimi u rritën në vend të saj.
Studimi ynë vetjak i Izraelit besëlidhës (një emër që mund të kuptohet se do të thotë “lejojeni Perëndinë të triumfojë”) mund të na mësojë se premtimet e Zotit hedhin rrënjë mes – dhe jo në mungesë të – halleve dhe shqetësimeve të përditshme. Sikurse çdo njeri, Abrami dhe Saraji (të cilët bëhen Abrahami dhe Sara), biri i tyre, Isaku, dhe bashkëshortja e tij, Rebeka, dhe nipi i tyre, Jakobi (i cili bëhet Izraeli) dhe familja e tij, të gjithëve iu desh të fitonin banesa, ushqim, ujë, familje, një komb, paqe dhe identitet si atëherë, ashtu edhe për njerëzit e së ardhmes. Ne e njohim ndjenjën.
Por Zoti u dha atyre një zgjidhje të guximshme: mos i ndiqni këto gjëra në mënyrën e zakonshme njerëzore, duke u përpjekur ethshëm për t’i siguruar ato për veten tuaj. Përkundrazi, Perëndia thotë, drejtojeni veten tuaj tek Unë fillimisht, veproni sipas fjalëve që do t’ju jap, dhe më pas Unë do t’ju drejtoj tek njerëzit përreth jush, do t’ju tregoj, do të siguroj për ju, do t’ju jap pasardhës dhe do t’ju jap një emër.
Ky shkëmbim me Perëndinë mund të shkaktojë ndjenja parehatie fillimisht, sepse ai është në kundërshtim me instinktet e natyrshme. Ndjenja jonë e brendshme thotë: fitojmë kur e vendosim fitimin të parin, apo jo? Përkundrazi, Zoti na fton të përqafojmë një tendosje: ta lehtësojmë përqafimin tonë të ethshëm të sigurisë tani, që të sigurojmë një të ardhme të sigurt. Kjo është ajo që u jep mësim Moisiu izraelitëve teksa Zoti e përdor atë për të rikrijuar identitetin besëlidhës të Izraelit pas më shumë se katër shekujve të skllavërisë egjiptiane: “Kështu, pra, ai të bëri të ulësh kokën, të provosh urinë, pastaj të ka ushqyer me mana … me qëllim që ti të kuptosh se njeriu nuk rron vetëm me bukë, por rron me çdo fjalë që del nga goja e Zotit”.
Ne e dëgjojmë Jezusin t’i bëjë jehonë po kësaj të vërtete në nisje të shërbesës së Tij. Teksa qëndrimi 40-vjeçar i Izraelit në shkretëtirë rindërtoi vetëdijshmërinë e tij për besëlidhjet, agjërimi i zgjatur i Jezusit në shkretëtirë duket se e vë në dyshim identitetin e Tij hyjnor, besëlidhës: “Dhe, mbasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund e mori uria. Atëherë tunduesi, pasi iu afrua, i tha: ‘Në qoftë se je Biri i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë’. Por ai, duke iu përgjigjur, tha: ‘Është shkruar: “Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë”’.” Fjalët e të jetuarit besëlidhës janë kaq të thella brenda Jezusit dhe Ai i jeton ato kaq tërësisht sa ato formojnë përgjigjen e Tij të natyrshme në çastin kur identiteti i Tij dhe zotimi i Tij ndaj besëlidhjeve janë duke u sulmuar.
Jo shumë kohë më pas, Jezusi e përforcon këtë mësim: “Mos u shqetësoni, pra duke thënë: ‘Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?’ sepse … Ati juaj qiellor … e di … se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.”
Me këtë në mendje, ne e kuptojmë më mirë njërën nga sfidat e fundit prej Presidentit Nelson: “Tani është koha ta bëjmë dishepullimin tonë përparësinë tonë më të lartë. … Nuk është as tepër herët dhe as tepër vonë që të bëheni një dishepull i përkushtuar i Jezu Krishtit.” Me të vërtetë, siç na nxiti Presidenti Nelson: “Shtegu i besëlidhjeve është i hapur për të gjithë. I përgjërohemi çdo njeriu që të ecë në atë shteg me ne. Asnjë lloj vepre tjetër nuk është kaq përfshirëse në mënyrë universale.”