“Në Kujtim të Presidentit Nelson”, Liahona, nëntor 2025.
Lajme të Kishës
Në Kujtim të Presidentit Nelson
Familjarë, miq dhe udhëheqës i bëjnë nderime Presidentit të 17‑të të Kishës për dashurinë, shërbimin dhe përkushtimin e tij ndaj Jezu Krishtit.
Dy ditë pas mbylljes së konferencës së përgjithshme, udhëheqësit e Kishës dhe familjarët i dhanë lëvdata Presidentit Rasëll M. Nelson pas vdekjes, si një atë dhe bashkëshort i dashur, mik i shtrenjtë, dishepull i përkushtuar i Zotit Jezu Krisht dhe si profet i frymëzuar i Perëndisë.
Jeta e Presidentit Nelson “dha dëshmim për dëshminë e tij të zotuar si një profet dhe shërbëtor i Zotit Jezu Krisht”, – tha Presidenti Dallin H. Ouks, gjatë shërbesës mortore për Presidentin Nelson, më 7 tetor 2025, në Qendrën e Konferencave. Presidenti Ouks e quajti Presidentin Nelson, i cili ndërroi jetë paqësisht në shtëpi më 27 shtator 2025, “miku im më i mirë dhe mësuesi më i efektshëm”.
Presidenti Ouks e quajti Presidentin Nelson edhe “një nga misionarët më të fuqishëm të Izraelit në veprim”. Ai tha: “Buzëqeshja e tij, ngrohtësia e zërit të tij dhe fuqia e pranisë së tij [ua] shkrinin zemrat” kombeve dhe udhëheqësve fetarë.
Presidenti Ouks dhe pesë folës të tjerë i bënë nderime Presidentit Nelson për dashurinë, shërbimin dhe përkushtimin e tij ndaj Zotit Jezu Krisht dhe fëmijëve të Perëndisë anekënd botës.
Bashkë me folësit e tjerë, ai e falënderoi Motrën Uendi Uatson Nelson për përkujdesjen dhe përkrahjen ndaj Presidentit Nelson gjatë 19 vjetëve të martesës së tyre. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje ndaj gruas së ndjerë të Presidentit Nelson, Denzel Uajt Nelsonit, dhe 10 fëmijëve të tyre për besnikërinë ndaj “asaj për të cilën ai predikoi dhe për të cilën jetoi”.
Plaku Henri B. Ajring, i cili shërbeu me Presidentin Ouks dhe Presidentin Nelson në Presidencën e Parë, dëshmoi për thirrjen profetike të Presidentit Nelson dhe për aftësinë dhe dëshirën e tij për t’i bekuar të tjerët.
“Ndërsa shërbeja përkrah tij në Presidencën e Parë, duke filluar nga janari 2018, u bëra dëshmitar vetjak i faktit se Zoti e frymëzon profetin e Tij”, – tha Plaku Ajring. “Jam mirënjohës që e kam njohur Presidentin Rasëll M. Nelson.”
Në fjalën e tyre, Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe Presidentja Kamill N. Xhonson, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, e lavdëruan Presidentin Nelson për dashamirësinë e tij të pashtershme ndaj njerëzve si brenda, ashtu edhe jashtë Kishës.
“Pasja e mundësisë që ta shihja t’i donte njerëzit dhe t’i shihja njerëzit ta donin atë, më ka dhënë kujtime tejet të bukura”, – tha Plaku Holland. Ai e kujtoi Presidentin Nelson si “mbajtësin e duarve dhe shëruesin e zemrave”.
Presidentja Xhonson shtoi: “Presidenti Nelson njëmend ka ‘ndrysh[uar] botën me një person dhe një ndërveprim, një e nga një’ dhe ai na ka ftuar të bëjmë të njëjtën gjë duke u mbështetur te fuqia e Perëndisë si gra dhe burra të besëlidhjes”.
Dy nga fëmijët e Presidentit Nelson, Lori N. Marsh dhe Rasëll M. Nelson i Riu, thanë se babai i tyre jetoi me gëzim, për shkak se e përqendroi jetën te Shpëtimtari Jezu Krisht dhe e bëri dhënien e shërbesës ndaj të tjerëve një përparësi.
“Ne u rritëm në një shtëpi të qendërzuar te Shpëtimtari dhe të mbushur me gëzim”, – tha motra Marsh. Ajo tha se synimi i familjes së tyre ishte të bëheshin një familje e përjetshme.
Vëllai Nelson shtoi se babai i tij ishte i palodhur në shërbimin e tij. “Presidenti Nelson na tregoi nga afër se nuk rrinte dot në ‘vend’ kur ishte fjala për ri‘vend’osjen.” Ai tha se, kur e thirrën të udhëhiqte Kishën, i ati u betua t’u shërbente Atit dhe Birit deri ditën që do të vdiste. “Ai bëri pikërisht këtë!”
Marxhëri N. Laudër dhe Gloria N. Irëni, bijat e Presidentit Nelson, bënë lutjet e shërbesës. Muzika u sigurua nga The Tabernacle Choir at Temple Square.
Shërbesa mortore e Presidentit Nelson u zhvillua pas homazheve të mbajtura në nderim të tij më 1 tetor dhe transmetimit nga Tabernakulli në Sheshin e Tempullit. Presidenti Ouks, Pleqtë Holland dhe Ajring, Peshkopi Kryesues Zherald Kosé, Plaku Karl B. Kuk, i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve, dhe Presidentja e Përgjithshme e Fillores, Suzën H. Porter, bënë homazhe, duke treguar përvoja të ëmbla vetjake shërbimi me Presidentin Nelson dhe ndjenjat e tyre rreth jetës së tij shembullore, dhënies së shërbesës si Krishti dhe mësimeve të tij të frymëzuara.
Në homazhin e tij, Presidenti Ouks e quajti Presidentin Nelson “profetin e dashurisë” që “predikonte ungjillin e dashurisë”.
Për më tepër rreth jetës dhe shërbesës së Presidentit Nelson, shihni tek In Memoriam: President Russell M. Nelson, 1924–2025 [Përkujtimore: Presidenti Rasëll M. Nelson, 1924–2025], i botuar si material shtesë për revistat e Kishës për muajin nëntor 2025.