Thjeshtësi në Krisht
Zbatimi i doktrinës së Krishtit në një mënyrë të thjeshtuar dhe të përqendruar do të na ndihmojë të gjejmë gëzim në jetën tonë të përditshme.
1. Hyrje
Tridhjetë e tre vjet më parë, mora thirrjen për të shërbyer si misionar në Misionin e Ogdenit në Juta. Sigurisht, ngaqë po vija nga Europa, disa tradita vendore të Jutës si “xhelatina jeshile me karota” dhe gjella tipike e “tavës së patateve me krem për varrime”, ishin paksa të çuditshme për mua!
Sidoqoftë, më la fort mbresë përkushtimi dhe dishepullimi i shumë prej shenjtorëve, numri i konsiderueshëm i njerëzve që frekuentonin mbledhjet e Kishës, dhe shkalla e programeve tërësisht funksionale të Kishës. Kur misionit tim i erdhi fundi, doja të sigurohesha që gëzimi që kisha ndier, dhe forca e pjekuria shpirtërore që kisha vërejtur, do të ishin në dispozicion edhe për familjen time të ardhshme. Isha i vendosur që të rikthehesha me të shpejtë për ta jetuar jetën time nën hijen që lëshojnë “kodra[t e] përjetshme”.
Mirëpo, Zoti kishte plane të tjera. Të dielën time të parë në shtëpi, peshkopi im i mençur më thirri për të shërbyer si president i Të Rinjve në lagjen tonë. Duke i shërbyer këtij grupi të mrekullueshëm të rinjsh, shpejt mësova se gëzimi që vjen nga të qenit dishepull i Krishtit, nuk ka të bëjë shumë me madhësinë e mbledhjeve të Kishës apo shkallën e programeve.
Kështu që kur u martova me bashkëshorten time të bukur, Margretën, vendosëm me gëzim që të qëndronim në Europë dhe ta rritnim familjen tonë në atdheun tonë, në Gjermani. Së bashku, dëshmuam atë që dha mësim Presidenti Rasëll M. Nelson shumë vite më parë: “Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë”. Kur përqendrimi i jetës sonë është te Krishti dhe te mesazhi i ungjillit të Tij, ne mund të përjetojmë bekimet e plota të dishepullimit kudo që jetojmë.
2. Thjeshtësia që Është në Krisht
Sidoqoftë, në një botë që sa vjen e bëhet më laike, e ndërlikuar dhe pështjelluese, me mesazhe e kërkesa të ndryshme e shpesh kundërshtuese, si mund ta shmangim që sytë tanë të verbohen dhe zemrat tona të ngurtësohen, e të qëndrojmë të përqendruar te “gjëra[t e] qarta dhe të çmueshme” të ungjillit të Jezu Krishtit? Gjatë një kohe pështjellimi, Apostulli Pal u dha një këshillë të mrekullueshme shenjtorëve në Korint duke u kujtuar që të përqendroheshin te “thjeshtësia [që është në] Krishti[n]”.
Doktrina e Krishtit dhe ligji i ungjillit janë aq të thjeshta sa edhe fëmijët e vegjël mund t’i kuptojnë ato. Ne mund t’i qasemi fuqisë shëlbuese të Jezu Krishtit dhe t’i marrim të gjitha bekimet shpirtërore që Ati ynë Qiellor ka përgatitur për ne duke ushtruar besim te Jezu Krishti, duke u penduar, pagëzuar, shenjtëruar nëpërmjet dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe duke duruar deri në fund. Presidenti Nelson, këtë udhëtim, e përshkroi kaq bukur si “shtegun e besëlidhjeve” dhe procesin e të bërit “dishepull i përkushtuar i Jezu Krishtit”.
Nëse ky mesazh është kaq i thjeshtë, përse shpesh duket kaq sfidues që ta jetojmë ligjin e Krishtit dhe ta ndjekim shembullin e Tij? Mund të jetë ngaqë ne e keqinterpretojmë thjeshtësinë si diçka që është e lehtë për t’u arrirë pa përpjekje apo zell. Ndjekja e Krishtit kërkon përpjekje të qëndrueshme dhe ndryshim të vazhdueshëm. Nevojitet që të “zhvesh[im] njeriun [tonë të] natyrshëm dhe [të bëhemi] … si një fëmijë”. Kjo përfshin që ta vendosim “besim[in tonë] tek Zoti” dhe ta lëmë ndërlikimin të largohet, ashtu siç bëjnë fëmijët e vegjël. Zbatimi i doktrinës së Krishtit në një mënyrë të thjeshtuar dhe të përqendruar do të na ndihmojë të gjejmë gëzim në jetën tonë të përditshme, do të japë udhërrëfim në thirrjet tona, do t’u përgjigjet disa prej pyetjeve më të ndërlikuara të jetës dhe do të sigurojë forcë për t’u përballur me sfidat tona më të mëdha.
Por si mund ta zbatojmë praktikisht këtë thjeshtësi në udhëtimin tonë për gjatë gjithë jetës si dishepuj të Krishtit? Presidenti Nelson na kujtoi që të përqendrohemi tek “e vërtet[a] e kulluar, doktrin[a] e kulluar dhe zbules[a] e kulluar” ndërsa përpiqemi të ndjekim Shpëtimtarin. Bërja rregullisht e pyetjes: “Çfarë do të donte Zoti Jezu Krisht që të bëja?” zbulon drejtim të thellë. Ndjekja e shembullit të Tij ofron një shteg të sigurt përmes pasigurisë dhe një dorë të dashur, udhërrëfyese tek e cila të kapemi nga dita në ditë. Ai është Princi i Paqes dhe Bariu i Mirë. Ai është Ngushëlluesi dhe Çliruesi ynë. Ai është Shkëmbi dhe Streha jonë. Ai është një Mik, miku juaj dhe miku im! Ai na fton të gjithëve ne që ta duam Perëndinë, t’i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe ta duam të afërmin tonë.
Ndërsa zgjedhim që të ndjekim shembullin e Tij dhe të bëjmë përpara me besim te Krishti, ta përqafojmë fuqinë e Shlyerjes së Tij dhe t’i kujtojmë besëlidhjet tona, dashuria na mbush zemrat, shpresa dhe shërimi na ngrenë moralisht dhe hidhësia e pikëllimi zëvendësohen nga mirënjohja dhe durimi për të pritur bekimet e premtuara. Me raste, mund të na duhet ta distancojmë veten nga një situatë jo e shëndetshme apo të kërkojmë ndihmë profesionale. Por në çdo rast, zbatimi i parimeve të thjeshta të ungjillit do të na ndihmojë të gjejmë drejtim në mënyrën e Zotit gjatë sfidave të jetës.
Nganjëherë e nënvlerësojmë forcën që marrim nga veprime të thjeshta si lutja, agjërimi, studimi i shkrimeve të shenjta, pendimi i përditshëm, marrja e sakramentit çdo javë dhe adhurimi i rregullt në shtëpinë e Zotit. Por kur e pranojmë që nuk duhet të bëjmë “një gjë të madhe” dhe e përqendrojmë veten te zbatimi i doktrinës së pastër dhe të thjeshtë, ne fillojmë ta shohim se si ungjilli “funksionon në mënyrë të mrekullueshme” për ne, edhe në rrethanat më sfiduese. Ne gjejmë forcë dhe “siguri përpara Perëndisë”, edhe kur përjetojmë pikëllime. Plaku M. Rasëll Ballard na e ka sjellë shpeshherë në mend: “Pikërisht në atë thjeshtësi [ne] … gje[jmë] paqe…, gëzim… dhe lumturi”.
Zbatimi i thjeshtësisë që gjendet në Krisht, na bën që t’i kemi përparësi njerëzit përpara proceseve dhe marrëdhëniet e përjetshme përpara sjelljeve afatshkurtra. Ne përqendrohemi te “gjërat që janë më të rëndësishme” në veprën e Perëndisë për shpëtimin dhe ekzaltimin në vend që të fiksohemi me detyrat e shërbesës sonë. Ne zgjedhim lirisht që t’u japim përparësi gjërave që mund të bëjmë, në vend që të rëndohemi nga gjërat që nuk mund të bëjmë. Zoti na kujtoi: “Prandaj, mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe.” Ç’nxitje e fuqishme për të vepruar me thjeshtësi dhe përulësi, pavarësisht nga rrethanat tona!
3. Oma Sizla [Gjyshe Sizla]
Gjyshja ime, Marta Sizla, qe një shembull i mrekullueshëm i bërjes së “gjërave të vogla dhe të thjeshta” për të bërë që gjëra të mëdha të ndodhnin. Ne me dashuri e thërrisnim Oma Sizla. Oma e përqafoi ungjillin në fshatin e vogël të Zelbongenit në Prusinë Lindore bashkë me stërgjyshen time më 30 maj 1926.
Marta Sizla (djathtas) në ditën e pagëzimit të saj.
Ajo e donte Zotin dhe ungjillin e Tij dhe qe e vendosur t’i mbante besëlidhjet që kishte bërë. Në 1930‑n, ajo u martua me gjyshin tim, i cili nuk ishte anëtar i Kishës. Në këtë pikë, për Omën u bë e pamundur t’i frekuentonte mbledhjet e Kishës, pasi ferma e gjyshit tim ishte shumë larg bashkësisë më të afërt. Por ajo u përqendrua tek ajo që mund të bënte. Oma vazhdoi të lutej, të lexonte shkrimet e shenjta dhe të këndonte këngët e Sionit.
Disa njerëz mund të kenë menduar se nuk ishte më aktive në besimin e saj fetar, por kjo nuk qe aspak e vërtetë. Kur halla dhe babai im lindën, pa priftërinë në shtëpi dhe pa mbledhje të Kishës apo mundësi për ordinanca në afërsi, Oma përsëri bëri atë që mund të bënte dhe u përqendrua tek të mësuarit e fëmijëve të saj që “të lute[shin] dhe të ec[n]in drejt përpara Zotit”. Ajo u lexoi atyre nga shkrimet e shenjta, këndoi me ta këngët e Sionit dhe natyrisht që u lut me ta – përditë. Një përvojë kishtare e përqendruar 100 përqind te shtëpia.
Në 1945‑n, gjyshi im ishte me shërbim larg shtëpisë, në luftë. Kur armiqtë iu afruan fermës së tyre, Oma i mori të dy fëmijët e vegjël dhe e la pas fermën e tyre të dashur për të kërkuar strehim në një vend më të sigurt. Pas një udhëtimi të vështirë dhe jetëkërcënues, ata më në fund gjetën strehim në Gjermaninë veriore, në maj të 1945‑s. Atyre nuk u kishte mbetur asgjë veç rrobave të trupit. Por Oma vijoi me atë që ishte në gjendje të bënte: ajo u lut me fëmijët e saj, përditë. Ajo këndoi me ta këngët e Sionit që i kishte mësuar përmendsh – përditë.
Jeta ishte tejet e vështirë dhe për shumë vjet e përqendruar veçse te sigurimi që të kishte ushqim në tryezë. Por në 1955‑n, im atë, që asokohe ishte 17 vjeç, shkonte në shkollën teknike në qytetin e Rendsburgut. Ai eci pranë një ndërtese dhe pa një pllakë të vogël në anën e jashtme që thoshte “Kirhe Jezu Kristi der Hailigen der Letzen Tage”, “Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme”. Ai mendoi: “Sa interesante, kjo është kisha e mamit”. Kështu që, kur erdhi në shtëpi, i tha Omës që kishte gjetur kishën e saj.
Mund ta përfytyroni se si duhet të jetë ndier ajo pas thuajse 25 vitesh pa asnjë kontakt me Kishën. Ajo qe e vendosur ta frekuentonte të dielën e radhës dhe e bindi tim atë që ta shoqëronte. Rendsburgu qe më shumë se 32 kilometra larg fshatit të vogël ku jetonin. Por kjo nuk e pengoi Omën që ta frekuentonte kishën. Të dielën vijuese, ajo i hipi biçikletës së saj bashkë me tim atë dhe shkuan për në kishë.
Kur filloi mbledhja e sakramentit, im atë u ul në radhën e fundit, duke shpresuar që do të mbaronte shpejt. Kjo ishte kisha e Omës dhe jo e tija. Ajo që pa nuk ishte shumë inkurajuese: veç disa gra në moshë që merrnin pjesë, dhe dy misionarë të rinj që drejtonin gjithçka me efektshmëri në mbledhje. Por pastaj filluan të këndonin dhe ata kënduan këngët e Sionit që babi im i kishte dëgjuar që kur ishte djalë i vogël: “Eni Shenjtor’”, “O Ati Im”, “Lavdi Burrit”. Të dëgjuarit e kësaj tufe të vogël të këndonte këngët e Sionit që i njihte që nga fëmijëria, ia preku thellë zemrën dhe e diti menjëherë e pa dyshim që Kisha ishte e vërtetë.
Mbledhja e parë e sakramentit që gjyshja ime frekuentoi pas 25 vjetësh, qe mbledhja ku im atë mori një pohim vetjak mbi vërtetësinë e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Ai u pagëzua tri javë më vonë, më 25 shtator 1955, së bashku me gjyshin tim dhe hallën time.
Kanë kaluar më shumë se 70 vjet që nga ajo mbledhje e vogël sakramenti në Rendsburg. E çoj shpesh nëpër mend Omën, se si duhet të jetë ndier në ato net të vetmuara, duke bërë gjërat e vogla dhe të thjeshta që qe në gjendje të bënte, si lutja, leximi dhe të kënduarit. Ndërsa qëndroj këtu sot në konferencën e përgjithshme dhe flas për Omën time, vendosmëria e saj për t’i mbajtur besëlidhjet që kishte bërë, dhe për t’i mirëbesuar Zotit pavarësisht nga vështirësitë e saj, ma mbush zemrën me përulje dhe mirënjohje, jo vetëm për të, por për kaq shumë prej shenjtorëve tanë të mrekullueshëm anembanë botës, të cilët përqendrohen te thjeshtësia në Krishtin në rrethanat e tyre sfiduese, ndoshta duke parë pak ndryshim tani, por duke mirëbesuar që gjëra të mëdha do të ndodhin një ditë, në të ardhmen.
4. Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta
Kam mësuar nga përvoja ime vetjake që gjërat e vogla dhe të thjeshta të ungjillit dhe përqendrimi me besnikëri te Krishti na çojnë drejt gëzimit të vërtetë, bëjnë të ndodhin mrekulli të mëdha dhe na japin sigurinë që të gjitha bekimet e premtuara do të ndodhin. Kjo është po aq e vërtetë për ju sa është e vërtetë për mua. Siç e shprehu Plaku Xhefri R. Holland: “Disa bekime vijnë shpejt, disa vijnë vonë dhe disa nuk vijnë derisa të jemi në qiell; por për ata që e përqafojnë ungjillin e Jezu Krishtit, ato vijnë”. Për këtë dëshmoj gjithashtu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.