2025
Jezu Krishti dhe Fillimi i Ri për Ju
Nëntor 2025


14:20

Jezu Krishti dhe Fillimi i Ri për Ju

Të gjithë ne mund të kemi një fillim të ri nëpërmjet dhe për shkak të Jezu Krishtit. Edhe ju.

Një Minimizim i Shkrimit të Shenjtë: Jezusi e Përshkoi Vendin Duke Bërë Mirë

Jezusi “e përshkoi vendin duke bërë mirë”. Këtë raportim të thjeshtë e lexojmë te libri “Veprat e Apostujve”. Çfarë minimizimi i pamasë! Jezusi sigurisht që e përshkoi vendin duke bërë mirë! Ai është vetë thelbi dhe burimi i mirësisë! Ai ia përkushtoi të gjithë jetën e Tij në vdekshmëri të bërit mirë. Ai është “i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur” dhe i pafund në mirësi dhe i përhershëm në mëshirë.

Çdo përpjekje për ta përshkruar apo përmbledhur mirësinë dhe mëshirën e Tij, do të ishte minimizim! Me të vërtetë, siç u përpoq ta shprehte Apostulli Gjon, nëse do të përpiqeshim ta shënonim çdo shfaqje të mirësisë së Shpëtimtarit “nuk do të mjaftonte mbarë bota që t’i nxinte librat që do të mund të shkruheshin”.

Jezu Krishti i Ofron Secilit prej Nesh një Fillim të Ri

Shembujt specifikë që i kemi vërtet të përjetësuara në shkrimin e shenjtë, për Jezusin që e përshkoi vendin “duke bërë mirë”, nxitin mahnitje e habi të thellë, veçanërisht kur e marrim realisht parasysh se si mund të qe të ishe i pranishëm atje, të dëshmoje mrekullitë e Tij, të merrje mësimet e Tij dhe të përjetoje shërimin e Tij. Ai bisedoi me njerëzit e përjashtuar nga shoqëria, Ai preku të sëmurët dhe të papastërit, Ai i solli ngushëllim të lodhurit, Ai dha mësim të vërtetën çliruese dhe Ai u bëri thirrje mëkatarëve për pendim. Çdo lebrosi, të verbri dhe gruaje kurorëshkelëse; të çalit, të shurdhrit dhe të pagojit; çdo nëne të brengosur, babai të dëshpëruar dhe të veje të pikëlluar; të dënuarit, të turpëruarit dhe të përvuajturit; të vdekurit fizikisht dhe të vdekurit shpirtërisht, ajo që bëri Ai ishte që u ofroi një fillim të ri. Po, një tjetër minimizim tronditës!

Çdo gjë që Ai tha e bëri, siguroi një fillim të ri për secilin prej atyre që Ai shëroi, bekoi, mësoi dhe çliroi prej mëkatit. Ai nuk iu largua atyre dhe me siguri nuk do t’ju largohet as juve. Përfytyrojeni në këtë moment të dëgjoni ndonjë prej atyre fjalëve jetëdhënëse prej Tij:

“O bir, mëkatet e tua të janë falur!”

“Vajzë, ty po të them: Çohu!”

“Shërohu.”

“As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më.”

“Merr zemër, bijë; besimi yt të shëroi; shko në paqe!”

Fjalët e Shpëtimtarit drejtuar këtyre individëve ishin të shkurtra, por me to Ai hapi horizonte të reja e të gjëra faljeje, shërimi, rivendosjeje, paqeje dhe jete të përjetshme. Dhe lajmi i lavdishëm është që Ai ia ofron të njëjtin fillim të ri juve dhe mua. Të gjithë ne mund të kemi një fillim të ri nëpërmjet dhe për shkak të Jezu Krishtit. Edhe ju. Fillimet e reja janë qendrore në planin e Atit për fëmijët e Tij. Kjo është kisha e fillimeve të reja! Kjo është kisha e nisjeve nga e para!

Kjo Është Kisha e Fillimeve të Reja

Nëpërmjet pagëzimit me anë të ujit dhe Shpirtit, ne “rilind[im]” dhe mund “të ecim në risinë e jetës”. Sa shpresë i sjell ai fillim i ri një personi që është topitur nga pesha e mëkatit ose që ka vuajtur nga pasojat e një jete me andralla dhe e marrëdhënieve që nuk funksionojnë? Jezusi nuk kishte nevojë për falje të mëkatit për veten e Tij apo për një nisje rishtas në jetë, prapëseprapë Ai u pagëzua, duke na treguar udhën drejt fillimit të ri që Ai e ka skalitur aq spikatshëm për secilin prej nesh.

Dhe fillimi ynë i ri nuk ndodh thjesht një herë. Ne priremi të mendojmë që pagëzimi ynë është mundësia jonë e vetme për një fillim të ri. Nuk është ashtu. Ne nuk kemi veç një shans. Këto fillime të reja mund të ndodhin çdo ditë! Dhe sigurisht çdo javë, kur hamë një copëz bukë dhe pimë një gotë të vogël me ujë në kujtim të dhuratës së Shpëtimtarit tonë të përsosur, i cili vdiq me qëllimin e posaçëm që të na jepte aq fillime të reja sa na nevojiten! Jezusi na jep aq fillime të reja sa na nevojiten.

Me zotim dhe gëzim në një jetë të re në Krishtin, ne mund të bëhemi “një krijesë e re”, ku gjërat e vjetra shkojnë dhe të gjitha gjërat bëhen të reja. Çfarë prehjeje i jep ai lloj agimi i ri një shpirti që vazhdon të përpiqet, duke vazhduar të zgjedhë besimin te fuqia e Shëlbuesit tonë për të shëruar e rivendosur, pavarësisht nga pengesat dërrmuese të të jetuarit në një botë të rënë? Shpëtimtari kurrë nuk hoqi dorë nga zotimi i Tij për të përmbushur vullnetin e Atit dhe për të plotësuar misionin e Tij hyjnor shlyes, edhe gjatë dhembjes që e bëri Atë të dridhej, t’i dilte gjak nga çdo por, të vuante në trup e shpirt dhe të lutej që kupa e hidhur t’i hiqej që të mos e pinte. Përsëri, Ai po na tregonte se si shëmbëllen durimi besnik bashkë me Perëndinë.

Me çdo besëlidhje që bëjmë dhe çdo përpjekje që bëjmë për ta mbajtur atë, ne mund të marrim “një zemër të re” dhe një masë më të plotë të “një shpirt[i] të ri”. Pak nga pak, sa më shumë që e ftojmë mirësinë e Tij në zemrat tona dhe i flakim zërat vetëshkatërrues në kokën tonë, ne bëhemi populli i Tij pasi ne me të vërtetë e bëjmë Atë Perëndinë tonë. Jezusi dëshiron kaq etshëm të jetë Mbreti ynë, Bariu ynë dhe Princi ynë i Paqes dhe ne mund të zgjedhim ta bëjmë Atë të këtillë në vetë zemrën dhe mendjen tonë.

Një Fillim i Ri në Mënyrën si e Shohim Pendimin

Pendimi u hap derën fillimeve tona të reja, nisjeve tona nga e para dhe shanseve të dyta për ne. Mësimet e Presidentit tonë të dashur Rasëll M. Nelson kanë qartësuar keqkuptime rreth dhuratës hyjnore të pendimit dhe mendoj se më në fund po fillojmë ta kuptojmë atë.

Është emocionuese t’i dëgjojmë të rinjtë e të rejat tona të përshkruajnë se çfarë do të thotë pendimi për ta. Kohët e fundit, dëgjova një të re të thoshte, me një buzëqeshje në fytyrën e saj: “Kur mendoj për pendimin, pendimin e përditshëm, ndiej gëzim e shpresë të jashtëzakonshme. Ndiej dashurinë dhe lumturinë e Atit tim Qiellor dhe të Shpëtimtarit tim. Nuk kam frikë t’i drejtohem Atit Qiellor në lutje dhe të kërkoj ndihmën e Tij për çfarëdo gjëje me të cilën po has vështirësi. E di se Ata nuk po përpiqen të më kapin duke bërë diçka gabim. Krahët e tyre janë plotësisht të hapur. Ky është pendimi për mua”, – tha ajo. Kjo e re e kupton se për shkak të Jezu Krishtit, ajo mund të ketë fillime të reja.

Një Fillim i Ri për Këdo, Kurdoherë

A keni nevojë për një fillim të ri? A mund të bëni një nisje nga e para, madje edhe ju? Mendoni për njerëzit të cilëve Shpëtimtari u dha shërbesë: njerëzit të cilëve u dha mësim, i shëroi, i ngriti së vdekuri, i fali dhe i riktheu në shteg. A po i përzgjidhte Ai ata nga një klasë ekonomike apo prejardhje e veçantë? A po bënte Ai dallim mes të drejtëve dhe mëkatarëve? A po e ndante Ai veç ndonjë njeri ngaqë e meritonte më tepër apo ishte më i dashur për Të? Jo.

Disa erdhën tek Ai me besim të madh, duke besuar te fuqia e Tij për të shëruar, si gruaja me fluks gjaku, centurioni romak të cilit po i vdiste shërbëtori, lebrosi, Jairi dhe Bartimeu i verbër. Secili prej tyre e vuri në rrezik besimin e vet, duke shpresuar që mirësia dhe fuqia e rabiut nga Nazareti do t’ua ndryshonte jetën dhe perspektivat. Dhe Ai e bëri atë. Ai e la shërimin e Tij të vepronte.

Por Jezusi bekoi edhe ata që kishin besim të lëkundur, si babanë e fëmijës së sëmurë që thirri fort, ndoshta njësoj siç keni thirrur ju: “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim”. Ai madje u ofroi ngushëllim atyre që nuk e kishin kërkuar fare Atë, si gruas që ishte kapur duke shkelur kurorën, së vesë nga Naini, burrit me aftësi të kufizuara te pellgu i Betesdës dhe burrit që kishte lindur i verbër. A e keni ndier Atë të përshkojë vendin duke bërë mirë në jetën tuaj edhe kur nuk keni qenë duke e kërkuar apo ndjekur Atë?

Secilit prej këtyre personave në shkrimin e shenjtë dhe të gjithë atyre që do t’ia vinin veshin e do t’i përgjigjeshin, Ai u dha një fillim të ri, qoftë një jetë të re të falur prej mëkatit apo një jetë të re të shëruar nga sëmundja apo një jetë të re të ngritur nga vdekja.

Çfarë do të thotë kjo për ju dhe për mua? Mirësia, mëshira dhe dashamirësia e Tij nuk njohin kufij. Fillimet e reja janë në zemër të planit të Atit! Nisjet nga e para janë misioni i Birit! Agimet e reja, kapitujt e rinj dhe shanset e reja janë thelbi i thjeshtë i lajmeve të mira të ungjillit!

Pra, a keni qëndruar larg besëlidhjeve tuaja aq gjatë sa të mos merrni dot një fillim të ri? Jo. A e keni bërë këtë apo atë gjë aq shumë herë sa të mos t’ju jepet dot një shans i ri? Jo. A jeni larguar nga Krishti aq larg sa të mos t’ju ndihmojë dot të shkruani një histori të re nga këtej e tutje? Jo. Kundërshtari është i vetmi që përfiton nga ideja që jeni fundosur. Ju nuk jeni fundosur.

Dhe fillimet e reja janë për më tepër sesa thjesht për mëkatet dhe gabimet tona. Nëpërmjet mirësisë dhe hirit të Shpëtimtarit, ne mund të bëjmë nisje nga e para që nxitin ndryshimin e botëkuptimeve të vjetra, zakoneve të këqija, prirjeve idhnake, qëndrimeve negative, ndjenjave të pafuqisë dhe të prirjeve për të fajësuar të tjerët e shmangur përgjegjësinë vetjake. Ju vërtet mund të ndryshoni gjërat te vetja që ju kanë shterur fuqinë për vite me radhë. Ju mund t’ia nisni përsëri nëpërmjet fuqisë së Mësuesit të fillimeve të reja. Ai nuk lodhet kurrë duke na dhënë fillime të reja.

Atyre që po hasin vështirësi me të njëjtin mëkat apo të njëjtën pengesë në mënyrë të vazhdueshme, vijoni përpara. Ai nuk ka vendosur përpara jush një pengesë të pakapërcyeshme. Ai nuk ka vendosur një kufi për shanset e dyta ndaj jush. Bëni përpara! Vazhdoni të përpiqeni! Kërkoni ndihmë nga njerëzit që ju rrethojnë. Dhe mirëbesojini fillimit të ri që është gati për ju sa herë që i drejtoheni sërish Atit tuaj me çiltërsi zemre. Lërini kryerjen e paramenduar të mëkatit, përsëritjet e shkujdesura dhe rebelimin krenar pas vetes, aty ku e kanë vendin. Nuk keni përse të jeni personi që keni qenë më parë. Përqafojeni nisjen tuaj nga e para, shansin tuaj të dytë apo të tretë apo të katërt, apo të njëqindtë, që ju është ofruar nëpërmjet gjakut shlyes të Jezu Krishtit.

Jam mirënjohës sa nuk mund ta përshkruaj, për fillimet e reja që m’u dhanë dhe për ato që ende do të më ofrohen.

Përfundimi

Shpëtimtari ynë shqiptoi një minimizim të fundit, pa të cilin nuk do të kishte shkak për shpresë apo gëzim në këtë ditë. Pas agonive të Gjetsemanit dhe në përfundim të kryqit torturues, Ai thjesht tha: “U krye!” Profecia mesianike ishte përmbushur dhe çmimi i plotë i borxhit për mëkatet dhe vuajtjen e njerëzimit qe paguar. Ai e shpalli “[të] krye[r]” flijimin e Tij të pafund dhe të përjetshëm. Megjithatë, Shlyerja e Tij nuk do të ishte e plotë derisa Ai Vetë të përjetonte jetë të re ditën e tretë, atë fillim të ri si një qenie e përlëvduar, e ringjallur nëpërmjet fuqisë së Atit.

Për shkak se Ai bëri përherë ato gjëra që i pëlqenin Atit të Tij dhe ngaqë Ai “plotës[oi] vullnetin e Atit në të gjitha gjërat”, unë dhe ju mund të kemi fillime të reja. Ju lutem, pranojeni fillimin tuaj të ri, madje që sot, pikërisht tani. Jezu Krishti është Autori dhe Plotësonjësi i besimit tonë, duke shkruar një numër të panumërt kapitujsh të rinj për ne. Ai është Fillimi dhe Mbarimi, fundi i turpit dhe vuajtjes sonë dhe fillimi i një jete të re në Të, duke na lejuar që të marrim hirin e Tij, ta lëmë pas të shkuarën dhe të fillojmë sërish me një agim të ri, aq herë sa të kemi nevojë. Me të vërtetë, “mirësi[a] [dhe mëshira e Tij] do të [na] shoqërojnë në gjithë ditët e jetës [sonë]”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Veprat e Apostujve 10:38; shihni edhe te “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  2. Shihni te Moroni 7:12–13.

  3. Shihni tek Eksodi 34:5–7.

  4. Gjoni 21:25.

  5. Marku 2:5.

  6. Marku 5:41.

  7. Mateu 8:3.

  8. Gjoni 8:11.

  9. Lluka 8:48.

  10. Shihni te Shein M. Bouen, “Sepse Unë Jetoj, Edhe Ju do të Jetoni”, Liahona, nëntor 2012, f. 15–17.

  11. Gjoni 3:3; Mosia 27:25.

  12. Romakëve 6:4.

  13. Moroni 6:8.

  14. 2 Korintasve 5:17.

  15. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 19:16–19.

  16. Shihni tek Ezekiel 36:26–28.

  17. “Besimi ynë në Krisht dhe dashuria jonë për Të na bën të pendohemi, ose të ndryshojmë mendimet, besimet dhe sjelljet tona që nuk janë në harmoni me vullnetin e Tij. Pendimi përfshin formimin e një kuptimi të ri për Perëndinë, veten tonë dhe botën” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar [2005], f. 62).

    “Doktrina e pendimit është shumë më e gjerë se një përkufizim nga fjalori. Kur Jezusi tha: ‘Pendohu[ni]’, dishepujt e Tij e shënuan atë urdhër[esë në] gjuhën greke, me foljen metanoeo. Kjo fjalë e fuqishme ka një domethënie të madhe. [Në këtë fjalë,] parashtesa meta do të thotë ‘ndryshim’. Prapashtesa e saj lidhet me katër terma të rëndësishëm të greqishtes: nous, që do të thotë ‘mendje’; gnosis, që do të thotë ‘njohuri’; pneuma, që do të thotë ‘shpirt’; dhe pnoe, që do të thotë ‘frymëmarrje’” (Rasëll M. Nelson, “Pendimi dhe Kthimi në Besim”, Liahona, maj 2007, f. 103; [Konferenca e Përgjithshme, prill 2007, f. 128]).

    “Asgjë nuk është më çliruese, më fisnikëruese ose më e rëndësishme për përparimin tonë individual sesa një përqendrim i rregullt, i përditshëm te pendimi. Pendimi nuk është një ngjarje; është një proces. Është kyçi drejt lumturisë dhe paqes së mendjes. Kur ndërthuret me besimin, pendimi na jep të drejtën për të përdorur fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit.

    … Përjetojeni fuqinë forcuese të pendimit të përditshëm – të bërjes dhe të të qenit pak më i mirë çdo ditë.

    Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të ndryshojmë! Ne e lejojmë Shpëtimtarin që të na shndërrojë në variantin më të mirë të vetes sonë. Ne zgjedhim të rritemi shpirtërisht dhe të marrim gëzim – gëzimin e shëlbimit tek Ai. Kur zgjedhim të pendohemi, ne zgjedhim të bëhemi më shumë si Jezu Krishti!” (Rasëll M. Nelson, “Ne Mund të Bëjmë më Mirë dhe të Jemi më të Mirë”, Liahona, maj 2019, f. 67–68).

    “Zbulojeni gëzimin e pendimit të përditshëm.

    Sa i rëndësishëm është pendimi? Alma dha mësim se ne nuk duhet ‘të prediko[jmë] asgjë tjetër përveç pendimit dhe besimit në Zotin’ [Mosia 18:20]. Pendimi kërkohet nga çdo person i përgjegjshëm i cili e dëshiron lavdinë e përjetshme. Nuk ka asnjë përjashtim për këtë. …

    Ecja përgjatë shtegut të besëlidhjeve, e ndërthurur me pendimin e përditshëm, e ushqen hovin pozitiv shpirtëror” (Rasëll M. Nelson, “Fuqia e Hovit Shpirtëror”, Liahona, maj 2022, f. 98–99).

  18. Shihni te Marku 5:25–34.

  19. Shihni te Mateu 8:5–13.

  20. Shihni te Mateu 8:1–4.

  21. Shihni te Marku 5:22–43.

  22. Shihni te Marku 10:46–52.

  23. Shihni te Marku 9:17–27.

  24. Shihni te Gjoni 8:3–11.

  25. Shihni te Lluka 7:12–15.

  26. Shihni te Gjoni 5:1–9.

  27. Shihni te Gjoni 9:1–7.

  28. Gjoni 19:30.

  29. Shihni tek Alma 34:14–16.

    “Kur Shpëtimtari tha: ‘U krye’, Ai iu referua përvojës së Tij në vdekshmëri, pasi kryqëzimi i Tij shënoi veç një pikë kulmore në fuqinë e Tij gjithnjë e në rritje” (Spencer W. Kimball, në Conference Report, prill 1946, f. 49).

    “Shpëtimtari nuk e mbaroi punën e Tij kur dha shpirt në kryq, kur thirri fort: ‘U krye!’ Ai, duke përdorur ato fjalë, nuk po i referohej misionit të Tij të madhërishëm në tokë, por thjesht agonive që vuajti” (Joseph F. Smith, Gospel Doctrine, bot. i 5‑të [1939], f. 449–450).

  30. Shihni te Gjoni 8:29.

  31. 3 Nefi 11:11.

  32. Psalmeve 23:6.