2025
T’i Kujtojmë Delet
Nëntor 2025


12:14

T’i Kujtojmë Delet

Parimi i numërimit dhe përkujdesjes funksionon. Ajo është mënyra e Zotit.

Krishti është Bariu i Mirë. Secili në tufë është i çmuar për Të. Ai dha modelin e të qenit bari dhe na mësoi me anë të fjalës dhe veprës cilësitë e një bariu të mirë, përfshirë njohjen e deleve të tij me emër, dashurinë për to, gjetjen e atyre që kanë humbur, të ushqyerit dhe, në fund, çuarjen e tyre sërish në shtëpi. Ai pret që ne të bëjmë të njëjtën gjë si ndihmësbarinjtë e Tij.

Ne mund të mësojmë shumë rreth dhënies së shërbesës sipas mënyrës së Zotit nga profeti i lashtë dhe bariu i jashtëzakonshëm, Moroni. Ai jetoi gjatë kohëve shumë të vështira, pa pasur përfitimet e telefonave celularë, kompjuterëve dhe internetit. Por ai ia doli mbanë që të ndiqte gjendjen e deleve të tij. Si u bë kjo gjë? Ne marrim një këndvështrim sado të vogël të metodologjisë së tij te Moroni 6. Atje lexojmë se anëtarët “u numëruan mes njerëzve të kishës së Krishtit; dhe emrat e tyre u morën kështu që ata të mund të kujtoheshin dhe të ushqeheshin nga fjala e mirë e Perëndisë, për t’i mbajtur në udhën e drejtë…. Kisha mblidhej së bashku shpesh për të agjëruar, për t’u lutur dhe për të folur me njëri-tjetrin, në lidhje me mirëqenien e shpirtit të tyre” (Moroni 6:4–5; theksimi i shtuar).

Për Moronin e tëra ishte rreth njerëzve – emrave! Ai praktikoi parimin e numërimit dhe përkujdesjes me qëllim që të gjithë t’i kujtonin ata. Kushdo që po haste vështirësi ose po endej u vu re, duke i lejuar shenjtorët që të diskutonin në këshilla për mirëqenien e tyre. Sikurse bariu që i la të nëntëdhjetë e nëntat (të sigurta e pa rrezik, jam i sigurt) dhe shkoi pas një deleje që kishte humbur (shihni te Lluka 15:4–7), neve na është kërkuar që të jemi po aq të vetëdijshëm për tufat tona, që të vëmë re e të kujtojmë dhe të shkojmë e të bëjmë po ashtu.

Si udhëheqës misioni në Indi më kujtohet që i kërkova një presidenti dege, i ri në moshë, rreth disa prej synimeve të tij për vitin e ardhshëm: “Sa meshkuj do të përgatitësh për të marrë Priftërinë Melkizedeke?” Përgjigjja e tij e menjëhershme qe: “Shtatë!”

Pyesja veten se nga e kishte nxjerrë atë numër aq specifik! Përpara se të mund të përgjigjesha, ai nxori një fletë letre me numrat një deri në shtatë të shkruar në anën e saj. Pesë rreshtat e parë kishin emra në to – njerëz të vërtetë që ai dhe kuorumi i tij i pleqve do t’i ftonin dhe nxitnin që të kishin bekimin e priftërisë në jetën e tyre. Sigurisht, m’u desh të pyesja për rreshtat gjashtë dhe shtatë që ishin bosh. “O, President”, – tha ai, duke tundur kokën me mirëkuptim, – “sigurisht që do të pagëzojmë të paktën dy burra në fillim të vitit të cilët mund të kenë priftërinë në fund të vitit”. Ky udhëheqës i shkëlqyer e kuptonte parimin e numërimit dhe përkujdesjes.

Krishti e ka organizuar Kishën e Tij në një mënyrë të tillë që duhet të jetë e vështirë që të harrohet qoftë edhe një shpirt, sepse secili është i dashur për Të. Çdo individ në lagje, pavarësisht nga mosha ose gjinia, ka një mori kujdestarësh – barinjsh – të cilëve u është dhënë detyra që të kujdesen për ta, duke i kujtuar. Një të riu, për shembull, i është caktuar për mirëqenien e tij një peshkopatë, vëllezër shërbestarë, këshilltarë në moshë madhore për të rinjtë, mësues të seminarit, presidenca të kuorumeve dhe pastaj të tjerë, të gjithë duke shërbyer si rrjeta mbrojtëse, të lidhura fort nën atë të ri, që ta kapin nëse bie. Edhe nëse vetëm një rrjetë është e vendosur siç duhet, ai i ri do të jetë i sigurt, i vënë re dhe i kujtuar. Dhe përsëri, shpesh zbulojmë se nuk ka një rrjetë në vendin e duhur. Njerëzit enden rastësisht nëpër mjegullat – dhe askush nuk i vë re. Si mund të jemi barinj më të mirë? Ne mund të mësojmë që t’i numërojmë të tjerët dhe të përkujdesemi për ta.

Kisha na siguron raporte dhe mjete për të bërë pikërisht këtë – të kujtojmë. Raporti Tremujor është një shembull parësor. Na lejon t’i numërojmë dhe të përkujdesemi për çdo anëtar shumë herë dhe të vëmë re ata që humbasin ose kanë nevojë për ndihmën tonë dhe dashurinë tonë. Lista e Veprimeve dhe Intervistave përcakton ata që kërkojnë vëmendjen tonë pikërisht tani, të njëjtin rol luan edhe raporti i Gjendjes së Rekomandimit të Tempullit e të tjera. Këto mjete të numërimit dhe përkujdesjes na përqendrojnë tek njerëzit. Kush ka nevojë për një thirrje, një hap përpara në priftëri ose ndihmë për ta çuar një emër të familjes në tempull? Kë mund të ndihmojmë që të përgatitet për një mision kohëplotë? Kush mungoi këtë muaj? Këto mjete na ndihmojnë që të kujtojmë njerëzit.

Njihja një familje nga Shtetet e Bashkuara që pranoi një detyrë në Afrikë. Në të dielën e tyre të parë fare, ata u futën në të vetmen njësi të Kishës në atë shtet, ku u përshëndetën plot entuziazëm. Pa kaluar mirë mëngjesi, bashkëshortja e burrit kishte marrë thirrjen si presidente e Shoqatës së Ndihmës dhe ai si udhëheqës i Të Rinjve. Ai e pyeti një president dege, në dukje të lodhur, se sa të rinj kishte atje. Ky udhëheqës besnik, i brezit të parë në Kishë, tregoi me gisht për nga fundi i sallës së sakramentit dhe tha: “Ata të dy atje”. Burri ishte vërtet skeptik, prandaj e mori në shtëpi listën e anëtarëve të degës, duke i rënë menjëherë në sy se në fakt kishte 20 të rinj në listë. Ai u kthye te presidenti i degës dhe kërkoi që dy të rinj në moshë madhore, energjikë dhe që i flisnin të dyja gjuhët, të shërbenin si këshilltarët e tij dhe më pas u ul me ta dhe dy djemtë që të rishikonin emrat.

Më pas këta të rinj të zellshëm iu futën punës. Gjatë pak muajve që pasuan, ata e gjetën çdo djalë në listë. Emër për emër, ato dele të humbura u mirëpritën përsëri nga bashkëmoshatarët e tyre dhe u ushqyen shpirtërisht e fizikisht. Brenda një viti, në çdo të diel më pas, pati një mesatare prej 21 të rinjsh të pranishëm. U qofshim falë të rinjve që numëruan dhe dhanë përkujdesje!

Një miku im i dashur, kur ishte një student i sapodiplomuar, u shpërngul me familjen e vet në një qytet të madh amerikan për të vazhduar arsimimin. Menjëherë u thirr që të kryesonte mbi kuorumin e pleqve. Disi në ankth për intervistën e tij të parë me presidentin e kunjit, ai ishte i vendosur për të shkuar i përgatitur. I tha presidentit të kunjit se ai kishte tre qëllime për vitin e ardhshëm: 1) 90 përqind në dhënien e shërbesës, 2) një mësim thelbësor për ungjillin çdo javë dhe 3) një aktivitet të planifikuar mirë për kuorumin çdo muaj.

Duke i buzëqeshur mikut tim, ky president i mençur kunji e pyeti: “A mund të më thuash emrin e një anëtari joaktiv të kuorumit që mund ta ndihmosh të shkojë në tempull me familjen e tij këtë vit?” Kjo pyetje e befasoi mikun tim. Mendoi me kujdes dhe e gjeti një emër. “Shkruaje atë emër”, – e udhëzoi presidenti i kunjit. Pastaj ky udhëheqës me përvojë e bëri të njëjtën pyetje tri herë të tjera, dhe intervista mbaroi. Ky i ri doli nga ajo intervistë duke marrë njërin nga mësimet e tij më të mëdha për udhëheqjen dhe dhënien e shërbesës. Ai shkoi në intervistë me programe, mësime dhe aktivitete. Ai doli nga dera me emra! Ata katër emra më pas u bënë fokusi i tij kryesor dhe i kuorumit të tij për dhënie shërbese.

Si udhëheqës misioni vizitova njërën nga degët e mia një mëngjes të diele. Vura re se presidenti i degës herë pas here nxirrte një fletë letre nga xhepi dhe shkruante në të. Vendosa ta pyesja për këtë pas lutjes së mbylljes. Kur mbaroi mbledhja dhe përpara se të mund të pyesja për fletën e letrës, udhëheqësi i misionit të degës eci me të shpejtë drejt podiumit, ku atij iu dha fleta. Me shpejtësi e ndoqa këtë udhëheqës entuziast për te mbledhja e tij e përjavshme e bashkërendimit me misionarët e degës. Përpara se të fillonin, ai e nxori letrën nga xhepi. Ishte e mbushur me emrat e anëtarëve që kishin munguar në mbledhjen e sakramentit. Brenda pak minutash çdo anëtar i këshillit kishte përzgjedhur një ose dy emra, duke u zotuar që të takohej me ta po atë ditë për t’u siguruar që ishin në rregull dhe për t’u treguar se u ishte ndier mungesa. Tani ky është parimi i numërimit dhe përkujdesjes.

Më kujtohet një distrikt, disa orë me avion nga tempulli më i afërt, ku mbajtja e një rekomandimi aktual ishte një përparësi e madhe, pavarësisht nga fakti që ndoshta nuk do të përdorej kurrë. Të dielën e parë të çdo muaji udhëheqësit i përdornin mjetet e tyre të numërimit për t’u përkujdesur për anëtarët e tyre që e kishin marrë dhurimin. Nëse zbulonin që një rekomandimi do t’i mbaronte vlefshmëria së shpejti, sekretari ekzekutiv do të caktonte një intervistë për ta përtërirë. Njerëzit me rekomandime që u kishte mbaruar vlefshmëria, këshilloheshin për këtë, më pas përpiqeshin që t’i ndihmonin për t’u kthyer në shtegun e besëlidhjeve. Pyeta se sa veta prej anëtarëve të tyre që e kishin marrë dhurimin, kishin një rekomandim aktual. Përgjigjja ishte një 98,6 përqindje e mahnitshme. Kur u pyetën për ata gjashtë veta, rekomandimeve të të cilëve u kishte mbaruar vlefshmëria, udhëheqësit ishin në gjendje t’i përcaktonin me emër dhe më përshkruan përpjekjet që po bëheshin për t’i kthyer përsëri.

Disa vite më parë familja ime u kthye në Shtetet e Bashkuara. Ishim të emocionuar që të frekuentonim kishën këtu pas 26 vitesh të mrekullueshme në njësi më të vogla, më të izoluara. U thirra si misionar i lagjes. Kishim një udhëheqës të shkëlqyer misioni të lagjes dhe po bënim gjëra emocionuese dhe po u jepnim mësim njerëzve të mrekullueshëm. Kërkova që të frekuentoja një mbledhje të këshillit të lagjes për të vëzhguar dhe marrë ndihmën e tyre për miqtë me të cilët po punonim. U habita kur gjithçka që u diskutua ishte një aktivitet i ardhshëm i lagjes. Iu drejtova udhëheqësit të misionit të lagjes më pas dhe i shpreha mendimin se ai nuk pati mundësinë që të fliste e të raportonte për njerëzit tanë. Përgjigjja e tij? “O, kurrë nuk arrij të raportoj.”

E krahasova atë me një mbledhje të këshillit të degës në Lahorë të Pakistanit, në të cilën kisha marrë pjesë pak javë më parë. Ky grup i vogël u ul së bashku përreth një tavoline të vogël dhe gjithçka për të cilën folën ishin njerëzit. Emrat. Secili udhëheqës raportoi për kujdestarinë e vet dhe individët e familjet për të cilët qenë të shqetësuar. Të gjithë patën mundësinë që të jepnin mendimet e tyre për mënyrat më të mira që mund t’i bekonin ata që po diskutoheshin. U bënë plane dhe u dhanë detyra. Çfarë mësimi i shkëlqyer për numërimin dhe përkujdesjen me emër nga vëllezërit dhe motrat tona të brezit të parë!

Në Kishën e Jezu Krishtit ne jemi udhëzuar nga profetët e së shkuarës dhe profetët e të sotmes dhe nga modeli i caktuar prej Shpëtimtarit tonë, se si të japim shërbesë. Marrim emrat, i kujtojmë dhe këshillohemi për mirëqenien e shpirtrave. Udhëheqësit që e bëjnë këtë gjë, kurrë nuk ngelen pa pika të rendit të ditës në mbledhjet e këshillit të tyre. Parimi i numërimit dhe përkujdesjes funksionon. Ajo është mënyra e Zotit. Ne mund ta bëjmë më mirë. Për Perëndinë, i cili krijoi gjithësinë dhe sundon mbi gjithçka, kjo vepër – vepra dhe lavdia e Tij – është shumë vetjake. Dhe e tillë duhet të jetë për secilin prej nesh, si mjete në duart e Tij në veprën e Tij mahnitëse të shpëtimit dhe të ekzaltimit. Si rrjedhim, në jetën e njerëzve të vërtetë do të vijnë mrekulli. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.