2025
Dashuria Shlyese e Jezu Krishtit
Nëntor 2025


14:34

Dashuria Shlyese e Jezu Krishtit

Shërimi dhe falja gjenden secila në plotësinë e tyre në dashurinë shlyese të Jezu Krishtit.

Unë shpreh dashurinë time për Presidentin Rasëll M. Nelson dhe mirënjohje për ndikimin mbresëlënës që ai e ka pasur mbi secilin prej nesh. Dhe për ne të gjithë, unë falënderoj Perëndinë për ruajtjen dhe lartësimin e jetës fisnike të Presidentit Dallin H. Ouks.

Çdo vit që kalon, ndiej dashuri më të madhe për Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, dhe për Shlyerjen e Tij të mëshirshme. Flijimi i Tij suprem, sigurimi i fitores mbi vdekjen dhe mëkatin, është kontributi më i rëndësishëm në të gjithë historinë njerëzore. Të kuptuarit e dhuratës së Tij hyjnore është për mua një mësim qiellor që s’ka mbarim, i cili do të vazhdojë përtej varrit.

Zoti Jezu Krisht

Dhembshuria e fuqishme e Shpëtimtarit për faljen e mëkatit dhe për shërimin e plagëve të shkaktuara nga mëkatet e të tjerëve, është një nga manifestimet më mrekullibërëse të dashurisë së Perëndisë.

Dëshira ime është të ofroj shpresë për ata që kërkojnë falje për mëkate shumë të rënda, dhe t’u ofroj ngushëllim atyre që kërkojnë shërim nga plagët ligështuese të shkaktuara nga mëkatet e rënda të të tjerëve.

Shërimi dhe falja gjenden secila në plotësinë e tyre në dashurinë shlyese të Jezu Krishtit.

Besimi te Jezu Krishti

Nëse keni kryer mëkate të rënda dhe jeni në procesin e pendimit ose keni dëshirën për t’u penduar plotësisht dhe për të ndier gëzimin e papërshkrueshëm të faljes, ju lutem që ta dini se kjo mrekulli po ju pret. Shpëtimtari thërret vazhdimisht: “Ejani tek unë”.

Forcimi i besimit tuaj te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, do ta gjallërojë dëshirimin e shpirtit tuaj për ta njohur Atë, për të besuar tek Ai dhe për t’ia dorëzuar zemrën tuaj Atij. Enosi, për faljen që mori, bëri pyetjen: “Zot, si u bë ajo?” Zoti u përgjigj: “Për shkak të besimit tënd në Krishtin, të cilin ti kurrë më parë as e ke dëgjuar, as e ke parë”.

Ndërsa Moroni shtoi: “Në qoftë se do t’i mohoni vetes çdo ligësi dhe ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, atëherë hiri i tij mjafton për ju”.

Largimi nga mëkati, kthimi drejt Perëndisë dhe forcimi i besimit tuaj te Jezu Krishti janë një fillim i bukur. Dorëzimi i vullnetit tuaj me përulësi ndaj Perëndisë përfshin pranimin e mëkateve të rënda para peshkopit ose presidentit tuaj të degës, por falja juaj e plotë vjen nga Shpëtimtari. Falja është një dhuratë hyjnore e ofruar nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit.

Ndershmëria

Dëshira për t’u kthyer realisht te Perëndia shoqërohet me vendosmërinë për të qenë plotësisht të sinqertë me Atin tuaj Qiellor, me veten tuaj, me ata që janë lënduar, dhe me udhëheqësin tuaj të priftërisë. Ati juaj Qiellor gëzohet në vendosmërinë tuaj për të ardhur tek Ai me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar. Të kesh një shpirt të penduar do të thotë ta vësh veten me përulësi në duart e Perëndisë; të kesh një zemër të thyer sjell atë që Apostulli Pal e përshkroi si “trishtimi sipas Perëndisë”, një dëshirim të thellë të shpirtit për t’u kthyer tek Ai me çfarëdo çmimi.

Rivendosja e Asaj që Është Thyer

Dëshirimi juaj ju shtyn që të doni të riparoni atë që keni thyer. Megjithatë, duke kuptuar se disa gjëra nuk janë në fuqinë tuaj për t’i riparuar, ju luteni me zjarr që Zoti, nëpërmjet hirit të Tij, të ndihmojë për të shëruar ata që janë lënduar si pasojë e veprimeve tuaja.

Pasojat e mëkatit të rëndë mbi të tjerët shpesh janë tmerrësisht të vështira për t’u kapërcyer. A po e ndiqni shembullin e bijve të Mosias që ishin “gjithë zell të ndreqnin të gjitha dëmtimet që ata i kishin bërë kishës”? Flisni me ata që respektoni, për atë që mund të mos e dalloni.

Ndërsa po përgatitja këtë bisedë, mora një letër elektronike të beftë nga dikush që ishte në procesin e pendimit dhe dëshironte të rikthehej në Kishë. Ish-bashkëshortja e tij po vuante ende nga humbja “e martesës së [tyre] të përjetshme, [vështirësitë me fëmijët], humbja e sigurisë financiare, … duke [mos] qenë plotësisht në gjendje të përballonte shpenzimet [dhe] ndjenjat thellësisht mbytëse të të qenit e tradhtuar”.

Ai më tregoi se si udhëheqësit të tij të priftërisë “i erdhi një mbresë [t’i kërkonte] që të merrte parasysh me lutje se çfarë [mund të bënte më shumë për ish-bashkëshorten dhe fëmijët e tij]”. Me lejen e tij, do të tregoj një pjesë nga letra elektronike:

“[Fillimisht] mendova se [shuma e parave] që po jepja për shkak të shkurorëzimit, ishte më se bujare, por presidenti im i degës më inkurajoi të agjëroja dhe të lutesha lidhur me këtë. …

Në fillim, e pata të vështirë këtë idenë e dëmshpërblimit të mëtejshëm. Duke qenë se mëkatet e mia nuk ishin financiare, pyeta veten se çfarë do të thoshte në të vërtetë një ‘dëmshpërblim bujar’… [mirëpo] shpejt kuptova se nuk kishte të bënte vetëm me paratë.

Udhëheqësit e mi të priftërisë u takuan me [ish-bashkëshorten time] dhe fëmijët e mi dhe kuptuan se ata nuk e kishin kaluar ende fazën e lëndimit dhe nuk ishin shëruar. …

Synimi im i ri ishte të ecja përpara me besim. … Thjesht shpreha dëshirën time për të ndihmuar pa kushte. … Vendosa t’i [dërgoj ish-bashkëshortes sime një shumë të caktuar] si tarifë mujore, e cila ishte një pjesë e konsiderueshme e pagës sime neto. Pak para se të bëja pagesën e parë, Zoti [më nguliti në mendje që më duhej] të paguaja [dyfishin e asaj shume].

Kam mësuar se dëmshpërblimi nuk ka të bëjë vetëm me paratë. Dëmshpërblim është t’ia kushtoj përulësisht jetën Zotit. … Paratë janë për të ndihmuar të zëvendësohet ajo që i mora familjes për shkak të zgjedhjeve të mia të gabuara. Dëmshpërblimi ka të bëjë me bërjen dhe mbajtjen e premtimeve pa pritur asgjë në këmbim dhe për ta ndihmuar atë të mos shqetësohet për faturat në mënyrë që të mund të kërkojë Shpirtin.”

Përpjekjet tuaja për të ndrequr atë që keni prishur, mund të mos kenë të bëjnë fare me paratë, por ndërsa këshilloheni përulësisht me Zotin, mund të zbuloni se mund të bëni më tepër.

Miratimi Hyjnor Gradualisht

Ndërsa kërkoni faljen e Zotit, jini të durueshëm teksa prisni miratimin e Tij të plotë. Mbajeni parasysh këtë shkrim të shenjtë:

“Ata u përulën thellësisht … në thellësitë e përuljes; dhe … iu lutën Perëndisë fuqimisht; po, madje tërë ditën e ditës. … [Por] Zoti qe i ngadalshëm të dëgjonte lutjen e tyre, për shkak të paudhësive të tyre.”

“Megjithatë Zoti i dëgjoi lutjet e tyre dhe filloi … [t’ua] lehtëson[te] barrat … dhe … ata filluan të përparonin pjesërisht në tokë.”

Jini të durueshëm, pasi Zoti jua jep bekimin dhe miratimin e Tij gradualisht.

Në kohën e Zotit, do të ndieni zërin e Tij duke ju thënë: “Këto gjëra [le] të mos të të shqetësojnë ty më”. Një ditë, ndërsa vazhdoni t’i drejtoheni Shpëtimtarit, Ati juaj Qiellor do ta “nxjerrë fajin nga zemrat [tuaja], nëpërmjet meritave të Birit të tij”.

Të Lënduar dhe në Vuajtje

Juve që jeni lënduar kaq padrejtësisht nga mëkatet e rënda prej dikujt tjetër, me shpirt dua t’jua përcjell dashurinë dhe dhembshurinë e Shpëtimtarit, ngushëllimin dhe paqen e Tij.

[Në lidhje] me trishtimin që keni ndier, thyerjen e zemrës, humbjen, ndjenjat mbytëse të tradhtisë, kthimit përmbys të asaj jete siç e kishit imagjinuar që do të ishte – ju jap sigurinë time absolute që Shpëtimtari ju njeh dhe ju do. Kërkojini ndihmë. Ai është ngushëllimi dhe forca juaj; Ai do të dërgojë engjëjt e Tij për t’ju ngritur. Kur vallë do t’ju zhduket dhembja, kur do t’ju shuhet pikëllimi, kur do t’i harroni kujtimet e padëshiruara? Këtë nuk e di. Por unë di këtë: Ai ka fuqinë të sjellë diademë nga hiri i vuajtjeve tuaja.

Vëllezërit dhe motrat tona të dashura nga Grand‑Blenku në Miçigan, me besimin e tyre të palëkundur te Jezu Krishti, me guximin dhe vetëmohimin e tyre, i kanë marrë dhe do t’i marrin me bollëk në javët dhe muajt që do vinë, dashurinë dhe hirin e pakrahasueshëm të Shpëtimtarit.

Ndërsa vazhdoni ta vendosni mirëbesimin tek Ai, retë e errësirës dhe ngashërimi juaj pikëllues gjatë natës do të shndërrohen në lot vërshues gëzimi dhe paqeje në dritën e agimit. “Pikëllimi juaj do të kthehet në gëzim. … Dhe askush nuk do t’ua heqë gëzimin tuaj.” Ai çast do të vijë. Unë dëshmoj se ai çast do të vijë.

Presidenti Dallin H. Ouks

Dashuria shlyese e Jezu Krishtit mund të gjendet në situatat më të vështira, por ne të gjithë kemi vazhdimisht nevojë për hirin shlyes të Shpëtimtarit tonë. Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Për shkak të sakrificës së Tij shlyese në vdekshmëri, Shpëtimtari ynë është në gjendje t’i ngushëllojë, shërojë dhe forcojë të gjithë burrat dhe gratë kudo, por unë besoj se Ai e bën këtë vetëm për ata që e kërkojnë Atë dhe që e kërkojnë ndihmën e Tij. Apostulli Jakob na mësoi: ‘Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t’ju lartësojë’ (Jakob [Bibël] 4:10). Ne kualifikohemi për atë bekim kur besojmë tek Ai dhe lutemi për ndihmën e Tij.”

Plaku Robert<nb/>E. Uells me Plakun Nil L. Andersen

Plaku Robert E. Uells

Mora leje nga miku im i dashur dhe Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë nderi, Plaku Robert E. Uells, tani 97 vjeç, për të treguar përvojën e tij të më shumë se 60 vjetëve më parë:

Ndërsa jetonte në Paraguaj në vitin 1960 dhe ishte i punësuar si bankier ndërkombëtar, Robert Uellsi, atëherë 32 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Merili, po pilotonin secili në dy aeroplanë të ndryshëm, duke fluturuar drejt shtëpisë nga Uruguaj për në Paraguaj. Pasi u futën mes reve të dendura, Roberti dhe Merili humbën kontaktin pamor dhe atë me radio me njëri-tjetrin. Roberti u ul shpejt, ku mësoi se aeroplani i bashkëshortes së tij qe rrëzuar. As gruaja e tij dhe as çifti që fluturonte me të, nuk kishin mbijetuar. Fëmijët e tij, në shtëpinë e tij në Asunsion, ishin shtatë, pesë dhe dy vjeç.

familja Uells

Plaku Uells tha për hidhërimin e tij:

“Fjalët do të jenë gjithmonë të papërshtatshme për të shprehur dhembjen që fryhej brenda meje, duke më përpirë ndjesitë dhe duke më mpirë shqisat. Lotët e thellë të pikëllimit thjesht më shkonin çurg pa pushim. Ç’është më e keqja, ndërsa mendja ime po përpiqej të rrokte realitetin shkatërrues të vdekjes së bashkëshortes sime, e gjeta veten duke përjetuar faj të jashtëzakonshëm ngaqë ndieja se isha unë përgjegjësi për rënien e avionit.”

Roberti fajësoi veten për faktin që nuk ia kishte bërë kontrollin më hollësisht aeroplanit dhe që nuk i dha bashkëshortes së tij udhëzime më të mira për përdorimin e mjeteve gjatë fluturimit. Ai ndihej fajtor për neglizhencë.

Roberti tha:

“Mendja m’u zhyt në një turbullirë të errët. … Thjesht sa ekzistoja, [veç për hir të fëmijëve], asgjë tjetër.

Humba dëshirën për të vazhduar përpara.”

Me kalimin e kohës, Roberti u bekua me një përvojë thellësisht shpirtërore. Ai rrëfeu:

“Një mbrëmje, rreth një vit më vonë, ndërsa isha gjunjëzuar në lutje, ndodhi një mrekulli. Ndërsa lutesha dhe i përgjërohesha Atit tim Qiellor, ndjeva sikur Shpëtimtari erdhi përkrah meje dhe dëgjova një zë konkret që i thoshte këto fjalë shpirtit tim dhe veshëve të mi: ‘Robert, flijimi im shlyes i pagoi mëkatet dhe gabimet e tua. Bashkëshortja jote të fal. Miqtë e tu të falin. Unë do të ta heq barrën. …’

Nga ai çast, barra e fajit [dhe e dëshpërimit], çuditërisht, u hoq prej meje. Isha shpëtuar! E kuptova menjëherë fuqinë gjithëpërfshirëse të Shlyerjes së Shpëtimtarit dhe … se gjente zbatim të drejtpërdrejtë për mua. … Përjetova dritë dhe gëzim si kurrë më parë. … Më ishte dhënë një dhuratë e pamerituar – dhurata e hirit të Zotit. … Nuk e meritoja, nuk kisha bërë asgjë për ta merituar, por Ai prapëseprapë ma dha atë.”

Vëllezër e motra, secili prej nesh u “shenjtëro[ftë] në Krisht me anë të hirit të Perëndisë, nëpërmjet derdhjes së gjakut të Krishtit, … [duke u] bë[rë] [i] shenjtë, pa njollë”!

Unë dëshmoj për dashurinë, mëshirën dhe hirin e Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë. Ai jeton. Ne jemi të Tijët; ne jemi fëmijë të besëlidhjes. Kur besojmë tek Ai, e ndjekim Atë dhe i mirëbesojmë Atij, Ai do të na bëjë të ngrihemi nga hidhërimet dhe mëkatet tona. Pastaj, përtej kësaj jete në vdekshmëri, në shtëpinë e Atit tonë, ne do të jetojmë me Të përherë e përgjithmonë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne” (1 Gjon 3:16).

    “Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:12).

  2. “Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato” (Doktrina e Besëlidhje 58:42; shihni edhe te Mosia 26:30).

  3. Mateu 11:28.

  4. Besimi juaj në rritje do t’i bëjë lutjet tuaja më të sinqerta, studimin tuaj të shkrimeve të shenjta më kuptimplotë dhe dëshirat tuaja më të përpikta për zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë.

  5. Enosi 1:7.

  6. Enosi 1:8.

  7. Moroni 10:32.

  8. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 58:43.

  9. Shihni te Mosia 26:29.

  10. “Po, unë të them që ti të mund të dish se s’ka asnjë tjetër, përveç Perëndisë, që i di mendimet e tua dhe qëllimet e zemrës [sate]” (Doktrina e Besëlidhje 6:16).

  11. Shihni tek 3 Nefi 9:20; Doktrina e Besëlidhje 59:8.

  12. Shihni te 2 Korintasve 7:8–11.

  13. Mosia 27:35.

  14. Mesazh vetjak me postë elektronike i marrë më 22 gusht 2025.

  15. Mosia 21:14–15.

  16. Mosia 21:15–16.

  17. Alma 42:29.

  18. Alma 24:10.

  19. Shihni tek Isaia 61:3.

  20. Shihni te Jakobi [LiM] 3:1–2.

  21. Gjoni 16:20, 22.

  22. Dallin H. Ouks, “Të Forcuar nga Shlyerja e Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2015, f. 64.

  23. Shihni te Neil L. Andersen, The Divine Gift of Forgiveness (2019), f. 260–261.

  24. Moroni 10:33.