Mos Braktisni Vetë Burimin e Mëshirës Suaj
Ju keni të drejtë të menjëhershme përdorimi të ndihmës dhe shërimit hyjnor, pavarësisht nga të metat tuaja njerëzore.
Një mësuese një herë dha mësim se një balenë, edhe pse e madhe, nuk mund të gëlltiste një njeri, sepse balenat e kanë fytin të ngushtë. Një vajzë kundërshtoi: “Por Jonën e gëlltiti një balenë”. Mësuesja u përgjigj: “Kjo është e pamundur”. Ende pa qenë e bindur, vajza tha: “Epo, kur të shkoj në parajsë, do ta pyes”. Mësuesja buzëqeshi me qesëndi: “Po sikur Jona të jetë mëkatar dhe nuk ka shkuar në parajsë?” Vajza u përgjigj: “Atëherë mund ta pyesësh ti”.
Ne qeshim, por nuk duhet të na shpëtojë fuqia që i ofron historia e Jonës çdo “kërkuesi [të] përulur [të] lumturisë”, veçanërisht atyre që po hasin vështirësi.
Perëndia e urdhëroi Jonën të “shko[nte] në Ninive” që të shpallte pendim. Por [qyteti i] Ninives ishte armik i egër i Izraelit të lashtë, kështu që Jona me të shpejtë shkon në drejtimin krejt të kundërt, me anije, për në Tarshish. Teksa lundron larg prej thirrjes së tij, shpërthen një stuhi lundërthyese. Sigurisht, mosbindja e tij është shkaku, Jona ofron vullnetarisht që ta hedhin nga anija. Kjo e qetëson detin e tërbuar, gjë që i shpëton njerëzit e tjerë në anije.
Mrekullisht, Jona i shpëton vdekjes kur një “peshk [i] madh” që Zoti e “kishte përgatitur”, e gëlltit atë. Por ai lëngon për tri ditë në atë vend të errët e kutërbues në mënyrë të pabesueshme, derisa më në fund peshku e volli Jonën në breg. Atëherë ai e pranon thirrjen e tij për në Ninive. Prapëseprapë, kur qyteti pendohet dhe shpëton nga shkatërrimi, Jona mërzitet për mëshirën që u tregua ndaj armiqve të tij. Perëndia me durim i mëson Jonës se Ai i do dhe përpiqet fort t’i shpëtojë të gjithë fëmijët e Tij.
Duke mos i përmbushur më shumë se një herë detyrat e tij, Jona jep një dëshmi të gjallë se në vdekshmëri “të gjithë [j]anë [të] rënë”. Ne nuk flasim shpesh për një dëshmi për Rënien. Por pasja e një kuptueshmërie doktrinore dhe dëshmie shpirtërore të arsyes pse secili prej nesh has vështirësi me sfidat morale, fizike dhe rrethanore, është një bekim i madh. Këtu në tokë rriten barëra të këqija e të pakëndshme, edhe kockat e forta thyhen dhe të gjithë “priv[ohen] nga lavdia e Perëndisë”. Por kjo gjendje në vdekshmëri, rrjedhojë e zgjedhjeve të bëra nga Adami dhe Eva, është thelbësore për vetë arsyen pse ekzistojmë: “Që [ne] të mund të ke[mi] gëzim!” Siç e mësuan prindërit tanë të parë, vetëm duke shijuar hidhësinë dhe duke ndier dhembjen e një bote të rënë mundet madje të përfytyrojmë, jo më të shijojmë, lumturi të vërtetë.
Një dëshmi për Rënien nuk e shfajëson mëkatin apo një qasje të shkujdesur ndaj detyrave në jetë, gjë që gjithmonë kërkon zell, virtyt e përgjegjshmëri. Por duhet ta zbutë acarimin tonë kur gjërat thjesht shkojnë keq ose kur shohim një dështim moral te një pjesëtar i familjes, mik apo udhëheqës. Shumë shpesh gjëra të tilla na bëjnë që të zhytemi në kritika ose mëri grindavece që na e robërojnë besimin. Por një dëshmi e patundur për Rënien mund të na ndihmojë të jemi më shumë si Perëndia, siç përshkruhet nga Jona, që është “plot dhembshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi” ndaj të gjithëve, përfshirë ne vetë, në gjendjen tonë pashmangshmërisht të papërsosur.
Edhe më shumë se të shfaqë pasojat e Rënies, historia e Jonës na drejton fuqishëm tek Ai që mund të na çlirojë nga ato pasoja. Vetëflijimi i Jonës për të shpëtuar njerëzit e tjerë në anije, është vërtet si i Krishtit. Dhe tri herë, kur Jezusin e bezdisin duke i kërkuar një shenjë të mrekullueshme për hyjninë e Tij, Ai flet si gjëmim se “asnjë shenjë nuk do t[ë] jepet, përveç shenjës së … Jon[ës]”, duke shpallur se ashtu si Jona ishte “tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës”. Si një simbol i vdekjes flijuese dhe Ringjalljes së lavdishme të Shpëtimtarit, Jona mund të ketë të meta. Por kjo është gjithashtu ajo që i bën dëshminë e tij për Jezu Krishtin dhe zotimin e tij vetjak ndaj Tij, të ofruar në barkun e balenës, kaq nxitës e frymëzues.
Përgjërimi i Jonës është ai i një njeriu të mirë në krizë, një krizë që kryesisht e ka shkaktuar vetë. Për një shenjtor, kur katastrofa vjen prej një zakoni, komenti ose vendimi plot keqardhje, pavarësisht nga kaq shumë qëllime të tjera të mira dhe përpjekjeve të zellshme për drejtësi, mund të jetë veçanërisht dërrmuese dhe ta lërë atë me ndjenjën e braktisjes. Por cilido qoftë shkaku ose shkalla e fatkeqësisë me të cilën përballemi, ka gjithmonë brigje shprese, shërimi e lumturie. Dëgjojeni Jonën:
“Në fatkeqësinë time i thirra Zotit … ; nga gjiri i Sheolit i thirra. …
Më hodhe në një vend të thellë, në zemër të deteve. …
[Dhe] thashë: U dëbova nga prania jote. Megjithatë do të shikoj akoma në drejtim të tempullit tënd të shenjtë.
Ujërat më kanë rrethuar deri në shpirt, humnera më ka mbështjellë, algat u mblodhën rreth kokës sime.
Zbrita deri në themelet e maleve, … por ti e ngrite jetën time nga gropa. …
Kur shpirti im po ligështohej …, kujtova Zotin, dhe lutja ime arriti deri … në tempullin tënd të shenjtë.
Ata që jepen pas kotësive të rreme braktisin vetë burimin e [mëshirës] [së] tyre.
Por unë me zëra lëvdimi do të ofroj flijime dhe do të plotësoj betimet që kam bërë. Shpëtimi i përket Zotit.”
Edhe pse ndodhi shumë vjet më parë, unë mund t’jua them me saktësi se ku isha ulur dhe me saktësi se çfarë po ndieja kur, thellë në barkun e një skëterre vetjake, e zbulova këtë shkrim të shenjtë. Për ju të gjithë që po ndiheni ashtu si unë asokohe, që jeni të vetmuar, duke u zhytur në ujërat më të thella, me alga të mbështjella rreth kokës dhe male dallgësh të oqeanit që përplasen kudo rreth jush, përgjërimi im, i frymëzuar nga Jona, është: Mos braktisni vetë burimin e mëshirës suaj. Ju keni të drejtë të menjëhershme përdorimi të ndihmës dhe shërimit hyjnor, pavarësisht nga të metat tuaja njerëzore. Kjo mëshirë mahnitëse vjen prej Jezu Krishtit dhe nëpërmjet Tij. Për shkak se Ai ju njeh dhe ju do përsosurisht, Ai jua ofron [atë mëshirë] si “tuajën”, domethënë se është përshtatur me përsosuri për ju, e projektuar t’i lehtësojë agonitë tuaja vetjake dhe t’i shërojë dhembjet tuaja të veçanta. Pra, për hir të qiellit dhe tuajin, mos ia ktheni shpinën asaj. Pranojeni atë. Fillojeni duke mos pranuar t’i dëgjoni “kotësi[të e] rreme” të kundërshtarit që do t’ju tundonin të mendoni se lehtësimi gjendet në lundrimin larg prej përgjegjësive tuaja shpirtërore. Në vend të kësaj, ndiqni udhëheqjen e Jonës së penduar. Përgjërojuni Perëndisë. Drejtohuni tek tempulli. Kapuni fort te besëlidhjet tuaja. I shërbeni Zotit, Kishës së Tij dhe njerëzve të tjerë me sakrificë e mirënjohje.
Bërja e këtyre gjërave sjell një vizion të dashurisë së veçantë e besëlidhëse të Perëndisë për ju, të asaj që Bibla në hebraisht e quan hesed. Ju do të shihni dhe ndieni fuqinë e “mëshira[ve të] dhembshura”, besnike, të palodhura dhe të pashtershme të Perëndisë që mund t’ju bëjnë “të pushtetshëm … në … çlirim” nga cilido mëkat ose cilado lloj pengese. Ankthi i hershëm dhe i thellë mund ta mjegullojë atë pamje në fillim. Por teksa vazhdoni të “plotëso[ni] zotimin që ke[ni] marrë”, një vizion i tillë do të ndriçojë gjithnjë e më shumë në shpirtin tuaj. Dhe me atë vizion, ju nuk do të gjeni vetëm shpresë e shërim, por, çuditërisht, do të gjeni gëzim, madje dhe mes sprovave tuaja të rënda. Presidenti Rasëll M. Nelson na e ka dhënë mësim kaq mirë: “Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim … dhe te Jezu Krishti e ungjilli i Tij, ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë. Gëzimi vjen prej Tij dhe për shkak të Tij.”
Qoftë nëse po përballemi me një katastrofë të thellë si të Jonës, ose me sfidat e përditshme të botës sonë të papërsosur, ftesa është e njëjta: Mos braktisni vetë burimin e mëshirës suaj. Shihni te shenja e Jonës, Krishti i gjallë, Ai që u ngrit nga varri i Tij treditor pasi i mposhti të gjitha, për ju. Drejtohuni tek Ai. Besoni tek Ai. Shërbejini Atij. Buzëqeshni. Sepse tek Ai dhe vetëm tek Ai gjendet shërimi i plotë dhe i lumtur nga Rënia, shërim për të cilin ne të gjithë kemi nevojë kaq të ngutshme dhe e kërkojmë kaq përulësisht. Unë dëshmoj se kjo është e vërtetë. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.