2025
Fuqia e Dhënies së Shërbesës ndaj Individit
Nëntor 2025


10:28

Fuqia e Dhënies së Shërbesës ndaj Individit

Ndërsa i japim shërbesë individit, ne e ftojmë individin të vijë te Krishti dhe të adhurojë në shtëpinë e Zotit.

Motra dhe vëllezër, faleminderit për përkushtimin tuaj besnik për të ardhur te Jezu Krishti gjatë këtyre kohëve sfiduese. Jeni të mrekullueshëm, jeni të bukur dhe jeni secili një fëmijë i Perëndisë. Unë lutem që ta dallojmë ndikimin e Frymës së Shenjtë ndërsa bëhemi, dhe e ndihmojmë njëri‑tjetrin të bëhemi, vërtet dishepuj të përkushtuar të Jezu Krishtit dhe të ndiejmë gëzimin e Tij kur adhurojmë në shtëpinë e Zotit.

Presidenti Rasëll M. Nelson shpalli: “Tani është koha që ju dhe unë të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, Jezusit, Krishtit. Tani është koha ta bëjmë dishepullimin tonë përparësinë tonë më të lartë. Në një botë të mbushur me shpërqendrime marramendëse, si mund ta bëjmë këtë?”

Ai e dha përgjigjen: “Adhurimi i rregullt në tempull do të na ndihmojë. Në shtëpinë e Zotit, ne përqendrohemi te Jezu Krishti. … Arrijmë ta njohim Atë. … Çdo kërkues i sinqertë i Jezu Krishtit do ta gjejë Atë në tempull.”

Pra, si bëhemi, dhe e ndihmojmë njëri‑tjetrin të bëhemi, dishepuj të përkushtuar të Jezu Krishtit? Ne i japim shërbesë individit. Dhënia e shërbesës sipas mënyrës së Shpëtimtarit përfshin dhembshurinë, dashamirësinë, durimin dhe dashurinë pa gjykuar. Ndërsa i japim shërbesë individit, ne e ftojmë individin të vijë te Krishti dhe të adhurojë në shtëpinë e Zotit për të marrë fuqinë e Tij shëlbuese. E thënë ndryshe, ne e ndihmojmë njëri‑tjetrin të bëhemi dishepuj të përkushtuar ndërsa i japim shërbesë individit sipas mënyrave që na çojnë në shtëpinë e Zotit.

Ne mësojmë nga Jezu Krishti fuqinë e dhënies së shërbesës ndaj individit me dashuri dhe pa gjykuar. Ju kujtohet gruaja samaritane te pusi. Kjo grua mund të jetë ndier e parëndësishme, e vetmuar, e shkurajuar dhe e pavënë re. Ajo mund të ketë ndier se nuk kishte përkatësi. Gjatë gjithë jetës së vet, ajo pati pesë bashkëshortë dhe burri me të cilin po jetonte, nuk ishte i shoqi. Të tjerët mund të kenë dhënë një gjykim të padrejtë, pa i ditur rrethanat e jetës së saj. Kjo mund të jetë një nga arsyet pse ajo erdhi e vetme te pusi në orën më të nxehtë të ditës. Dhe prapëseprapë, ajo ishte një nga personat e parë të cilëve Jezu Krishti u shpalli se Ai ishte Mesia. Për Të, kjo grua ishte një bijë e Perëndisë.

Jezu Krishti i mësoi asaj gruaje se nëpërmjet Tij një njeri mund të marrë jetën e përjetshme duke marrë nga uji i gjallë. Ai shpalli: “Kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje …; por uji që unë do t’i jap do të bëhet … një burim uji që gufon në jetë të përjetshme”.

Gruaja nga Samaria e ndjeu dashurinë e Shpëtimtarit dhe mori dëshmi nëpërmjet Shpirtit se Ai është Mesia. Pas kësaj dëshmie, ajo u kthye në qytet dhe i ftoi të tjerët të vinin e të shihnin dhe shumë njerëz besuan se Jezusi ishte “me të vërtetë Krishti, Shpëtimtari i botës”. Krishti i dha shërbesë individit me dashuri; si rrjedhojë, njerëz të tjerë u bënë dishepujt e Tij të përkushtuar.

Ne mësojmë për fuqinë e dhënies së shërbesës ndaj individit me dhembshuri nga Apostujt e Krishtit, Pjetri dhe Gjoni. Juve ju kujtohet një burrë i çalë që prej lindjes, i cili rrinte çdo ditë te porta e tempullit duke kërkuar para. Ky burrë mund të jetë ndier i parëndësishëm, i vetmuar, i shkurajuar dhe i pavënë re. Ai mund të ketë ndier se nuk kishte përkatësi.

“Por Pjetri tha: ‘Unë nuk kam as argjend, as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit Nazarenas, çohu dhe ec!’”

Pjetri e kapi burrin nga dora e djathtë, e ngriti në këmbë dhe burri u shërua. Fill pas mrekullisë, burri hyri në tempull me Pjetrin dhe Gjonin “duke ecur, duke u hedhur dhe duke lavdëruar Perëndinë”. Pjetri dhe Gjoni i dhanë shërbesë individit në mënyra që e çuan në shtëpinë e Zotit dhe ky burrë u bë dishepulli i përkushtuar i Krishtit.

Miqtë e mi, ka pasur çaste në jetën time kur edhe unë jam ndier i parëndësishëm, i vetëm, i shkurajuar dhe i pavënë re. Unë jam ndier sikur nuk kisha përkatësi. U pagëzova dhe u konfirmova një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme kur isha 19 vjeç. Një vit më vonë, pranova thirrjen për të shërbyer si misionar kohëplotë, por kishte shumë gjëra që akoma nuk i kisha mësuar për historinë e Kishës.

Herët në shërbimin tim misionar, mësova se pati një periudhë që njerëzit me prejardhje afrikane zezake nuk lejoheshin të gëzonin të gjitha bekimet e adhurimit në shtëpinë e Zotit. Dijenia për këtë gjë për herë të parë, solli ndjenja zemërimi, pështjellimi, dyshimi dhe frike. Këto ndjenja ishin kaq të forta sa aftësia ime për ta dalluar Frymën e Shenjtë më humbi për një periudhë kohore.

Për fat të mirë, kisha një shok misioni të mrekullueshëm, Kevin Vikin, i cili më dha shërbesë me dashuri, durim e dashamirësi. Çdo natë teksa ishte dëshmitar i ndjenjave të mia të dyshimit dhe pasigurisë, ai thjesht do të më thoshte mua, i ri asokohe: “Elldër Xhonson, ta dua të mirën”. Pas gati dy javësh, i lejova vetes ta ndieja dashurinë e Kevinit. Unë fitova kurajën për t’iu lutur Atit Qiellor në emrin e Jezu Krishtit. Ndërsa lutesha, më tërhoqi seksioni 6 i librit Doktrina e Besëlidhje, vargjet 21–23, ku thuhet:

“Vër re, unë jam Jezu Krishti, Biri i Perëndisë. … Unë jam drita që shkëlqen në errësirë. …

… Sill ndër mend natën kur më bërtite në zemrën tënde, që të mund të dije lidhur me të vërtetën e këtyre gjërave.

A nuk i fola paqe mendjes tënde lidhur me çështjen? Ç’dëshmi më të madhe mund të kesh sesa nga Perëndia?”

Ndërsa lexoja, m’u kujtua. M’u kujtua dita kur kisha agjëruar dhe isha lutur për të ditur se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë dhe se Jozef Smithi është Profeti i Rivendosjes. M’u kujtuan besëlidhjet e bëra në shtëpinë e Zotit që më lidhin me Jezu Krishtin në një mënyrë aq vetjake dhe intime. E ndjeva dashurinë e Shpëtimtarit, mëshirën e Tij dhe sigurinë e Tij se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, është mbretëria e Tij në tokë dhe është e domosdoshme për të na përgatitur për Ardhjen e Tij të Dytë. Ngaqë i solla ndër mend këto gjëra, isha përsëri në gjendje ta dalloja Frymën e Shenjtë dhe të kuptoja më plotësisht se Jezusi është Krishti dhe unë jam dishepulli i Tij.

Ndonjëherë do të kemi pyetje pa përgjigje dhe ndjenja të të qenit të parëndësishëm, të shkurajuar, të vetëm dhe të pavënë re. Megjithatë, miqtë e mi, ne duhet të shkojmë përpara me besim te Jezu Krishti dhe të kujtojmë fjalët e Tij:

“Zemra juaj mos u trondittë”.

“Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën.”

Jam dëshmitar i kësaj të vërtete dhe i bekimit të premtuar nga Shpëtimtari.

Atëherë, çfarë mund të bëjmë për t’u siguruar që dhënia e shërbesës sonë ndaj individit sipas mënyrës së Shpëtimtarit të jetë sa më e efektshme? Të jetuarit e doktrinës së Krishtit do të na ndihmojë. “Të jetuarit e doktrinës së Krishtit”, – siç e përshkroi Presidenti Nelson, – “mund të prodhojë ciklin më të fuqishëm e të virtytshëm, duke krijuar hov shpirtëror në jetën tonë.

Ndërsa përpiqemi t’i jetojmë ligjet më të larta të Jezu Krishtit, … Shpëtimtari na ngre mbi ndikimin e kësaj bote të rënë duke na bekuar me dashuri hyjnore, përulësi, bujari, dashamirësi, vetëdisiplinë, paqe dhe prehje më të madhe.”

“[Ky] hov [shpirtëror,] i prodhuar nga të jetuarit e doktrinës së Krishtit”, – shpjegon Plaku Dejll G. Renland, – “jo vetëm që e fuqizon shndërrimin e natyrës sonë hyjnore në fatin tonë të përjetshëm, por gjithashtu na jep shtysë që t’i ndihmojmë të tjerët [t’u japim shërbesë të tjerëve] në mënyrat e duhura.” Plaku Renland na kujton se “[d]etyra e Shpëtimtarit është të [na] shërojë. Detyra jonë është të duam – të duam dhe të japim shërbesë në një mënyrë të tillë që të tjerët të tërhiqen drejt Jezu Krishtit.”

Aftësia jonë për ta jetuar doktrinën e Krishtit do të përmirësohet nga studimi i përditshëm i Librit të Mormonit dhe marrja e sakramentit çdo javë. Presidenti Nelson shpalli se Libri i Mormonit “na mëson doktrinën e Krishtit … [dhe] jep kuptueshmërinë më të plotë dhe më të [qartë] për Shlyerjen e Jezu Krishtit që gjendet në ndonjë vend”. Unë e dua këtë libër. Dhe marrja e sakramentit me lutje çdo javë, do ta rritë kuptueshmërinë tonë për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe do të sigurojë përtëritje shpirtërore, ngushëllim dhe fuqinë e perëndishmërisë në jetën tonë. Mbani mend, “në ordinancat e [priftërisë], fuqia e perëndishmërisë manifestohet” dhe kjo fuqi që vjen nga Jezu Krishti, e forcon dëshirën tonë dhe aftësinë tonë për t’i dhënë shërbesë individit.

Studimi im i Librit të Mormonit dhe marrja e sakramentit i pakësojnë ndjenjat e shkurajimit, e rritin vendosmërinë time për t’i dhënë shërbesë individit sipas mënyrës së Shpëtimtarit dhe më ndihmojnë ta bëj dishepullimin përparësinë time më të lartë.

Miqtë e mi, ju premtoj se ndërsa e jetojmë doktrinën e Krishtit dhe i japim shërbesë individit në mënyra që çojnë në shtëpinë e Zotit, ne do të shkojmë përpara me besim te Jezu Krishti edhe mes pyetjeve pa përgjigje dhe ndjenjave të të qenit të parëndësishëm, të vetëm, të shkurajuar dhe të pavënë re. Ne do ta ftojmë individin të vijë te Jezu Krishti dhe të adhurojë në shtëpinë e Zotit për të marrë fuqinë dhe dashurinë e Tij shëlbuese. Në shtëpinë e Zotit, ne do ta “ndie[jmë] mëshirën e [Shpëtimtarit]. [Ne] do të gje[jmë] përgjigje për pyetjet [tona] më shqetësuese. [Dhe ne] do ta rrok[im] më mirë gëzimin e ungjillit të Tij.” Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Zoti Jezu Krisht do të Vijë Përsëri”, Liahona, nëntor 2024, f. 122.

  2. Shihni te Gjoni 4:5–42.

  3. Historikisht shumica e njerëzve shkonin te pusi i Jakobit herët në mëngjes. Ishte një vend për t’u mbledhur dhe për t’u shoqëruar me njëri-tjetrin. Gruaja samaritane erdhi e vetme te pusi i Jakobit në mes të ditës dhe në pjesën më të ngrohtë të ditës, në orën e gjashtë, që është në mesditë. Mbërritja në këtë orë mund të tregojë se si ajo e perceptoi atë që të tjerët mund të kenë ndier për të dhe si mund të jetë ndier ajo për veten e saj.

  4. Gjoni 4:13–14.

  5. Gjoni 4:42.

  6. Shihni te Veprat e Apostujve 3:1–11.

  7. Veprat e Apostujve 3:6.

  8. Shihni te Veprat e Apostujve 3:7.

  9. Veprat e Apostujve 3:8.

  10. Unë u pagëzova dhe u konfirmova anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në gusht 1986. Nga gushti 1987 deri në gusht 1989, shërbeva si misionar në Misionin i Alabamës, Birmingam.

  11. Shihni te Church and Gospel Questions, “Race and The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  12. Kjo përvojë shpjegohet më në hollësi në bisedën e Piter M. Xhonsonit “Applying the Doctrine of Jesus Christ into Our Lives” [“Zbatimi i Doktrinës së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”] (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang” – Ajdaho, 14 mars 2023), byui.edu.

  13. Doktrina e Besëlidhje 6:21–23.

  14. Gjoni 14:27.

  15. Gjoni 16:33.

  16. Doktrina e Krishtit përbëhet nga pesë elemente të ndërlidhura: besimi te Zoti Jezu Krisht dhe Shlyerja e Tij, pendimi, marrja e ordinancave dhe nderimi i besëlidhjeve, te qenit i shenjtëruar nga Fryma e Shenjtë dhe durimi deri në fund. Besimi te Zoti Jezu Krisht është një parim veprimi dhe fuqie hyjnore. Pendimi është ushtrimi i besimit te Krishti nga individi, duke i kthyer zemrat dhe shpirtrat drejt Tij. Pendimi nuk është ndëshkim. Është procesi i të lindurit shpirtërisht prej Jezusit dhe marrjes së shëmbëlltyrës së Tij në pamjen tonë. Marrja e ordinancave dhe nderimi i besëlidhjeve të bëra me Perëndinë dhe Krishtin, na japin të drejtë më të madhe përdorimi të fuqisë së Tyre dhe të dashurisë së Tyre, dhe na lejojnë të shenjtërohemi nga Fryma e Shenjtë. Elementi i fundit i doktrinës së Krishtit është durimi deri në fund, që do të thotë të jetuarit e çdo elementi të doktrinës së Krishtit “në mënyrë të përsëritur dhe në mënyrë të vazhdueshme” që ne të mund të bëhemi, dhe ta ndihmojmë njëri‑tjetrin të bëhemi, dishepuj të përkushtuar të Jezu Krishtit dhe ta ndiejmë gëzimin e Tij ndërsa adhurojmë në shtëpinë e Zotit (Dejll G. Renland, “Cikli i Fuqishëm e i Virtytshëm i Doktrinës së Krishtit”, Liahona, maj 2024, f. 81; shihni edhe te Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 97).

  17. Rasëll M. Nelson, “Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, f. 97.

  18. Dejll G. Renland, “Cikli i Fuqishëm e i Virtytshëm i Doktrinës së Krishtit”, f. 82–83; theksimi i shtuar.

  19. Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Liahona, nëntor 2017, f. 62.

  20. Doktrina e Besëlidhje 84:20.

  21. Rasëll M. Nelson, “Zoti Jezu Krisht do të Vijë Përsëri”, Liahona, nëntor 2024, f. 122.