Le të Jetë Zemra Juaj në Harmoni me Jezu Krishtin: Muzika e Fillores – Dhuratë e Shenjtë
Këngët e Fillores janë predikime për dishepujt e Jezu Krishtit, dëshmi për vërtetësinë e ungjillit të rivendosur dhe lutje në format muzikor.
Një nga bekimet e shërbimit tim në Fillore është se zemra ime ka mësuar të dojë në gjuhë të huaja që nuk i flas dot. Kam gjetur gëzim te lidhja me bashkëshenjtorët nëpërmjet gjuhës së përbashkët të muzikës së shenjtë. Dhe veçanërisht nëpërmjet këngëve të thjeshta të Fillores, Shpirti i Shenjtë i ka kapërcyer barrierat gjuhësore dhe ma ka mbushur zemrën me pëshpëritjen e Tij. Në zërat e fëmijëve, dashuria e Perëndisë dhe e Birit të Tij, Jezu Krishtit, është shpallur me të vërtetë të qartë dhe depërtuese.
Ndonëse nuk jam rritur në Fillore, Shpirti ma ka mësuar shpejt shenjtërinë e këngëve të saj dhe ato janë bërë pjesë e adhurimit tim vetjak. Këngët e Fillores kanë pasur një ndikim të shenjtë në jetën time dhe ma kanë lartësuar shpirtin, më kanë mësuar të vërtetat e përjetshme dhe më kanë afruar më shumë te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij.
Presidenti Dallin H. Ouks njëherë dha mësim se “të kënduarit e himneve është një nga mënyrat më të mira për ta mësuar doktrinën e ungjillit të rivendosur”. Këto fjalë janë të vërteta për të gjithë ne, por veçanërisht për fëmijët. Muzika e Fillores është një nga mjetet më të ëmbla të Perëndisë për të mbjellë farat e dëshmisë në zemrën e dishepujve më të vegjël të Shpëtimtarit. Prindërit, udhëheqësit dhe mësuesit i japin ushqim asaj fare ndërsa u dëshmojnë fëmijëve dhe ftojnë dëshmitë e fëmijëve për gjithçka që po arrijnë të dinë për Atin Qiellor, Birin e Tij Jezu Krishtin dhe Frymën e Shenjtë.
Në këto vitet e fundit të shërbimit tim, kam kaluar kohë duke kënduar dhe mësuar nga muzika e Fillores, ndërsa reflektoja për disa pyetje:
-
Si mund të bëhen këngët e Fillores, të mësuara në fëmijëri, gjuha shpirtërore që fëmijët përdorin për të dëshmuar gjatë gjithë pjesës tjetër të jetës së tyre?
-
Si i ndihmon fëmijët të kënduarit e të vërtetave të ungjillit që ta kujtojnë Zotin si pjesë të besëlidhjes së tyre dhe t’i përgatitin ata për ordinancat e Tij?
-
Dhe si mund të ndihmojnë këngët e Fillores për ta shkruar ligjin e Perëndisë në zemrën e këtyre dishepujve më të vegjël?
Kur nisi organizata e Fillores në vitin 1878, presidentja e saj e parë, Aurelia Spenser Roxhersi, vuri re se “qe e domosdoshme të këndonin”. Muzika ka qenë gjithmonë në zemër të mësimdhënies së ungjillit ndaj fëmijëve. Këngët e Fillores mund të bëhen gjuha e parë shpirtërore e një fëmije sepse meloditë e tyre të thjeshta dhe të paharrueshme u japin zë të vërtetave të ungjillit. Këto këngë gëzojnë fuqinë për të qëndruar me fëmijët gjatë gjithë jetës, duke u bërë pjesë e dishepullimit të tyre dhe një mënyrë e natyrshme dhe normale që ata të dëshmojnë për Shpëtimtarin.
Mësimdhënia e Doktrinës së Jezu Krishtit nëpërmjet Këngës
Këngët e Fillores gjithashtu mund të jenë mjete mësimdhënëse të fuqishme doktrinore. Disa këngë tregojnë historitë e jetës dhe shërbesës së Shpëtimtarit. Të tjera na mësojnë për cilësitë e Tij, si besimi i Tij, shpresa e Tij dhe dashuria e Tij hyjnore. Dhe këngët më të shenjta dëshmojnë për Shlyerjen e Tij të pafundme dhe dashurinë që rrjedh nga ai akt shpëtimi.
Një profet i Zotit, Presidenti Rasëll M. Nelson, dha mësim: “[Muzika] mund të ushtrojë një ndikim të vazhdueshëm për mirë përtej kohëve kur fëmijët janë të vegjël. … [Ajo] ka fuqi[në] të sigurojë ushqim shpirtëror. Ajo ka fuqi shëruese. Ajo ka fuqi[në] për ta ndërmjetësuar adhurimin; na lejon të mendojmë thellë për Shlyerjen [e Shpëtimtarit] dhe Rivendosjen e ungjillit, bashkë me parimet e tij shpëtuese dhe ordinancat ekzaltuese. Muzika na siguron fuqinë për të shprehur mendime plot lutje dhe për të dhënë dëshmi për të vërtetat e shenjta.”
Si prindër, udhëheqës dhe mësues, përpjekja jonë përfshin ndihmën ndaj fëmijëve që të kenë qasje te këto bekime të premtuara duke ua mësuar me qëllim të vërtetat e ungjillit që gjenden te muzika. Presidenti Nelson gjithashtu dha mësim se “fëmijët mund ta mësojnë doktrinën kur mësojnë të këndojnë po aq sa mund ta mësojnë doktrinën në një orë mësimore”. Këto këngë mund të ofrojnë një rezervuar predikimesh të mbushura me besim që i drejtojnë fëmijët drejt Shpëtimtarit dhe i ndihmojnë ata të zhvillojnë përkushtimin ndaj ungjillit të Tij.
Shkrimet e shenjta na mësojnë se këngët e të drejtëve që vijnë nga zemra, janë një kënaqësi për Shpëtimtarin. Mundem vetëm të mrekullohem nga hareja që sjellin zërat e dishepujve më të vegjël të Shpëtimtarit. E di që këngët e tyre plot lutje arrijnë në qiell si shprehje besimi që e ftojnë Shpirtin e Shenjtë të pohojë të vërtetat e përjetshme dhe i ftojnë ëmbëlsisht dhe butësisht të tjerët që ta pranojnë thirrjen e Shpëtimtarit tonë për ta ndjekur Atë dhe për të ardhur në shtëpi. Siç na ka kujtuar Plaku Henri B. Ajring, pikërisht në ato çaste kur ndiejmë Shpirtin, marrim dëshmi për Shlyerjen e Shpëtimtarit që vepron në jetën tonë.
Skalitja e së Vërtetës në Zemër
Muzika e Fillores mund të jetë një mrekulli e bartur përgjatë harkut të një jete të tërë të dishepullimit që do të përshkojnë fëmijët tanë. Një këngë e mësuar në moshën gjashtëvjeçare ka fuqinë të qëndrojë me ne dhe mund të kthehet dekada më vonë në çaste vendimmarrjeje, tundimi, pikëllimi ose gëzimi. Ndoshta në vitet tona të mëvonshme, teksti i këngës “Do Ndjek Planin e Perëndis’”, mund të shërbejë si një spirancë shpirtërore që i bën jehonë dëshmisë së Apostullit Pal për sigurinë e premtimeve të Perëndisë ndaj nesh. Ose mund të na kujtojë që, për shkak se Perëndia i mban premtimet e Tij, besëlidhjet e Tij ofrojnë ngushëllim të madh dhe një vend strehimi dhe na fton ta vendosim shpresën dhe sigurinë tonë me vendosmëri te Jezu Krishti dhe te fuqia e Tij shlyese.
Anëtarët në moshë madhore në mbarë globin, në kohë vështirësish, shpesh i kujtojnë dhe u kthehen këngëve të Fillores që mësuan kur ishin fëmijë. Për shumë njerëz, këto këngë ndihmuan arkitekturën e hershme të besimit të tyre te Jezu Krishti dhe shpesh ishin zanafilla për kthimin në besim tek ungjilli i Tij. Prindërit, udhëheqësit dhe mësuesit e ushqyen atë besim gjatë viteve duke i mësuar, kënduar dhe duke u dëshmuar fëmijëve me përkujdesje.
Një motër më tregoi se ajo e çmonte fort muzikën e Fillores dhe pas 20 vjetësh ajo e konsideron si arsyen e përshpejtimit të kthimit të saj të vazhdueshëm në besimin tek ungjilli i Jezu Krishtit. Një anëtar tjetër dëshmoi se Fillorja mbolli një kokërr sinapi besimi kur ishte i vogël dhe kjo qe arsyeja pse ai qe në gjendje të rikthehej në Kishën e Zotit në të 30‑at e tij. Shpëtimtari premtoi: “Ngushëlluesi … do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju[a] kujtojë të gjitha”. Muzika e Fillores mund të jetë një mënyrë se si përmbushet ai premtim.
Një tjetër këngë e dashur e Fillores rrok fuqinë e besimit të thjeshtë dhe dëshmisë së qëndrueshme:
Ndërsa fëmijët këndojnë, ata shprehin dëshirën e një dishepulli dhe mësojnë modelin e të jetuarit në besëlidhje. Shpirti mund ta përdorë muzikën për t’i skalitur të vërtetat e përjetshme në zemrën e tyre të butë. Dhe, me kalimin e kohës, fëmijët mund të zgjedhin ta kenë në harmoni dhe ta kthejnë zemrën dhe jetën e tyre te Jezu Krishti duke bërë dhe duke mbajtur besëlidhjet e shenjta me Të.
Të Kujtuarit e Besëlidhjeve Tona dhe Përgatitja për Ordinancat
Muzika e shenjtë mund të ndihmojë që doktrina e Krishtit të shkruhet në shpirt dhe të na përgatitë për të marrë ordinancat e Tij. Ajo e lidh doktrinën e Shpëtimtarit me kujtesën tonë dhe atë kujtesë me dishepullimin tonë tek Ai.
Si udhëheqës/e të Fillores, ne kemi mundësinë dhe përgjegjësinë e shenjtë të sigurohemi që muzika në Fillore të jepet mësim me gëzim, me kuptueshmëri doktrinore dhe me Shpirtin. Kjo përfshin ftesën ndaj fëmijëve që të vërejnë atë që ndiejnë ndërsa këndojnë dhe t’i ndihmojmë të kuptojnë se ato ndjenja vijnë nga Fryma e Shenjtë. Këto përpjekje ndihmojnë që fëmijët tanë të përgatiten për ordinancat e shenjta, të tilla si pagëzimi dhe konfirmimi, si dhe që t’i frymëzojnë të kujtojnë besëlidhjet ndërsa përtërijnë rregullisht premtimet e tyre ndaj Perëndisë.
Në Darkën e Fundit, pasi Shpëtimtari krijoi sakramentin, Mateu shënon se “mbasi kënduan himnin, [ata] dolën jashtë te mali i Ullinjve”. Çdo javë, anëtarët e pagëzuar dhe të konfirmuar të Kishës së rivendosur të Zotit, duke përfshirë fëmijët e pagëzuar që nga mosha tetë vjeç, përgatiten për të marrë sakramentin e Zotit. Nëpërmjet të kënduarit të muzikës së shenjtë, bashkësive të fëmijëve të Perëndisë u jepet mundësia ta përgatitin zemrën për atë ordinancë të shenjtë për të marrë mbi vete emrin e Tij, për ta kujtuar gjithmonë Atë dhe për të zbatuar urdhërimet e Tij.
Dëshmia Përmbyllëse
Të dashur miq, unë dëshmoj se këngët e Fillores na mësojnë të vërtetat dhe doktrinën e përjetshme që na çojnë te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij. Ju ftoj të shqyrtoni se cilat të vërteta themelore janë shkruar në zemrën tuaj nëpërmjet mësimeve të thjeshta të këtyre këngëve dhe t’ua dëshmoni ato të vërteta dishepujve më të vegjël të Shpëtimtarit ndërsa ua mësoni atyre lajmin e mirë të ungjillit nëpërmjet këngës.
E di që Perëndia Ati ynë, në dashurinë e Tij të pafundme, dërgoi Birin e Tij të Dashur në tokë për të na mësuar, për të na treguar udhën dhe për të na shëlbuar nëpërmjet Shlyerjes së Tij.
E di se jeta dhe shërbesa e Shpëtimtarit janë të vërteta dhe vetjake. Shkrimet e shenjta janë plot me histori për Të, mbi shërimin, dashamirësinë dhe mrekullitë e Tij.
E di që Ati Qiellor i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve të sinqerta të fëmijëve të Tij, pavarësisht nga mosha, rrethana ose gjuha e tyre. Ai i dëgjon përgjërimet e heshtura të zemrës sonë.
Unë dëshmoj se në Gjetseman, Jezu Krishti mbajti peshën e mëkateve, pikëllimeve dhe dhembjeve tona. Ai vuajti me vullnet të lirë për shkak të dashurisë së Tij për ne dhe e bëri të mundur që të marrim falje dhe të kthehemi në shtëpi.
E di që ne jemi fëmijë të mirëfilltë të Perëndisë, të krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij, me potencial hyjnor të dhuruar, dhe të ftuar që të kthehemi për të jetuar me Të nëse zgjedhim të ndjekim Jezu Krishtin.
Unë e di se Jezu Krishti është shembulli ynë i përsosur dhe ndërsa e ndjekim Atë duke shërbyer, falur dhe dashur të tjerët, ne bëhemi më shumë si Ai ditë pas dite.
Unë e di se tempujt e shenjtë të Zotit janë shtëpia e Tij këtu në tokë. Në to, ne bëjmë besëlidhje të shenjta, marrim bekime të përjetshme dhe mësojmë më shumë për Të dhe e ndiejmë më shumë praninë e Tij. Tempulli është një vend mësimi, paqeje dhe përgatitjeje për jetën tonë.
Unë dëshmoj se përpjekjet që bëjmë për t’ua mësuar dhe kënduar këto këngë të Fillores fëmijëve tanë, nuk janë vetëm një pjesë e mirë e traditës sonë fetare. Ato janë predikime për dishepujt e Jezu Krishtit, dëshmi për vërtetësinë e ungjillit të rivendosur dhe lutje në format muzikor. Muzika e shenjtë mund të bëjë që drita e Krishtit të ndriçojë mbi dëgjuesin dhe mund ta shtjerë atë në zemrën e këngëtarit. Të dashur miq, Jezusi ende dëshiron që ne të jemi rreze dielli për të tjerët. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.