2025
Dhurata e Përjetshme e Dëshmisë
Nëntor 2025


12:17

Dhurata e Përjetshme e Dëshmisë

Çdo bir ose bijë e Perëndisë mund të fitojë një dituri më të thellë, më të qëndrueshme dhe më të sigurt për veten e vet.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, kohët e fundit kam reflektuar për tri të vërteta të fuqishme nga Rivendosja. Këto të vërteta e kanë bekuar thellësisht jetën time. Sot, do të doja t’ju flisja për mënyrën se si këto të vërteta më kanë udhërrëfyer në rrugëtimin tim drejt një dëshmie të sigurt për ungjillin e Jezu Krishtit.

1. Perëndia Është Ati Ynë i Dashur Qiellor

Ai është i gjithëdijshëm dhe i plotfuqishëm. Nëpërmjet Dritës së Krishtit dhe shërbesës së Frymës së Shenjtë, ndikimi i Tij është kudo. Është në natyrën e Tij të na bekojë.

Ai e shikon të shkuarën, të tashmen dhe fatin tonë të përjetshëm. Asgjë nuk mund të fshihet prej Tij.

Ftesa e Presidentit Rasëll M. Nelson që të “mendo[jmë] çelestialisht”, na nxit t’iu përngjajmë largpamësisë dhe natyrës së Atit tonë Qiellor.

Për shkak të tipareve të Tij hyjnore, Ati ynë Qiellor na jep çdo dhuratë të mirë, secilën me këndvështrimin dhe largpamësinë e Tij të përjetshme në mendje.

2. Liria e Zgjedhjes Është Dhurata për të Zgjedhur dhe Vepruar për Veten Tonë

Është edhe përgjegjësia për të zgjedhur mirë.

Jezu Krishti e pagoi çmimin përfundimtar për atë privilegj me gjakun e Tij të çmuar.

Nganjëherë, mund të besojmë se liria e zgjedhjes do të thotë që të bëjmë çfarëdo që dëshirojmë. Por fakti që çmimi u pagua, do të thotë që liria e zgjedhjes është një dhuratë e shenjtë.

Ne jemi vetëveprues dhe vetëvepruesit janë përgjegjës për diçka. Në këtë rast, ne jemi përgjegjës për zgjedhjet që bëjmë nisur nga dituria që kemi dhe dhuratat që na jepen. Nuk mund të bëjmë një zgjedhje pa qenë përgjegjës për pasojat.

Përse kemi liri të zgjedhjes?

Që të zgjedhim të mirën.

Që të zgjedhim Krishtin.

Që të zgjedhim jetën e përjetshme – përsëri dhe përsëri.

3. Dëshmia Jonë Vjen Nëpërmjet Fuqisë së Frymës së Shenjtë

Një dëshmim nga Fryma e Shenjtë është më i madh sesa të shikuarit e një prove fizike. Ai është dëshmitari kryesor i Atit dhe i Birit. Presidenti Nelson dha mësim: “Në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë”.

Vëllezër dhe motra, kjo është arsyeja pse secili prej nesh ka nevojë për fuqinë e Frymës së Shenjtë sot.

Një dëshmi nëpërmjet Frymës së Shenjtë mund të vijë në shumë mënyra. Sikurse një llambë në një dhomë të errët, ajo mund të ndizet bujshëm dhe papritur. Mund të vijë si lindja e diellit, gradualisht dhe pak nga pak. Mund të vijë si rreze drite, nga ekspozimi herë pas here ndaj inteligjencës së kulluar. Cilado qoftë mënyra, ajo vjen nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Gjetja e Dëshmisë në Xhamajkë

Unë u rrita në Xhamajkën e bukur; ishte zbavitëse dhe e mrekullueshme. Gjithsesi, kur nisa shkollën e mesme, disa shokë e shoqe të klasës dhe miq e mikesha nuk mund ta kuptonin vendimin tim për t’u bërë anëtar i Kishës së Jezu Krishtit. “Si mund të bashkohesh me atë kishë?” – më pyesnin ata. “Si mund ta besosh atë histori?” – duke iu referuar Vegimit të Parë. “Si mund ta lexosh atë libër?” – duke iu referuar Librit të Mormonit. “A i beson vërtet të gjitha ato?” Dhe: “Përse po e shkon kot jetën tënde?”

Tempulli i Solt‑Lejkut
Korija e Shenjtë
Libri i Mormonit

Ishte e dhimbshme, veçanërisht kur vinte nga njerëz që i kisha të përzemërt.

Por ajo që ata nuk dinin, ishte kjo: Unë pata një përvojë me Frymën e Shenjtë. Teksa ajo dëshmi ma mbushi zemrën, ajo e zbehu dhembjen e ditëve dhe “për një çast, pamjen e qiellit para syve m’trego[i]”.

Ndoshta juve ju janë bërë disa prej këtyre pyetjeve. Ndoshta edhe tani po ju bombardojnë sikurse mua në atë kohë.

Dhurata dhe dëshmia e Frymës së Shenjtë janë në dispozicion për çdo njeri.

Xhamajka është për mua siç ishte Palmira për Jozef Smithin. Ajo është Korija ime e Shenjtë. Nuk e di vendin e saktë ku Jozefi u gjunjëzua për t’u lutur në Korijen e Shenjtë, por e di saktësisht vendin ku isha unë, kur Korija ime e Shenjtë u bë realitet. Ndodhi në rrugën “For Grouv” në Mandevill të Xhamajkës, në banjën time, në orën 6:00 të mëngjesit, një të mërkurë tre vjet pas pagëzimit tim. Kjo përvojë e shenjtë ndodhi sepse, dy javë më parë, një motër misionare e frymëzuar më ftoi të lexoja Librin e Mormonit. Motra Odri Kraus është e pranishme me familjen e saj në këtë konferencë sot dhe do ta dua atë përgjithmonë.

Plaku [Eldër] Braun në moshë të re me motrën misionare

Ajo përvojë më ndryshoi.

Vëllezër dhe motra, një dëshmi nuk jepet për përdorim të përkohshëm. Kjo dhuratë nga Ati ynë i dashur Qiellor ka për qëllim që të jetë e përjetshme sepse dhënësi është i përjetshëm. Një dëshmi nuk duhet të ketë një datë mbarimi të vlefshmërisë. Nuk duhet të dobësohet ose pakësohet ngaqë diçka në jetën time ka ndryshuar ose diçka në botë ka ndryshuar. Ajo duhet të forcohet ngaqë, ashtu si me talentat e shërbëtorit në shëmbëlltyrën e talentave, dëshmia ime vetjake është një dhuratë që duhet shumëfishuar dhe jo që të groposet.

Hedhja e vështrimit pas tek ato ditë të vështira vënieje në provë dhe përndjekjeje që përjetova si fëmijë, më ka ndihmuar që të arrij në pozitën ku unë tani e di vetë personalisht. Unë jo vetëm besoj, shpresoj ose mirëbesoj, edhe pse këto janë pjesëza të rëndësishme të besimit në shtegun drejt një dëshmimi të sigurt. Ju përgëzoj që po e bëni vetë udhën tuaj duke bërë pyetje, duke studiuar, duke u lutur, duke agjëruar e përsiatur. Ju lutem, mos u ndalni. Ia vlen çdo përpjekje për ta ndjekur këtë shteg drejt dëshmisë. Kë ose çfarë do ta lejoni që t’jua largojë atë dëshmi? “Ç’dëshmi më të madhe mund të kesh sesa nga Perëndia?”

Çdo bir ose bijë e Perëndisë mund të fitojë një dituri më të thellë, më të qëndrueshme dhe më të sigurt për veten e vet. Sikurse Jozef Smithi, i cili e pohoi dëshminë e vet pavarësisht nga kundërshtimi, ne me guxim mund të themi: “Unë e dija atë dhe e dija se Perëndia e dinte atë dhe nuk mund ta mohoja, as nuk guxoja ta bëja atë”.

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, lejojeni farën e vogël të dëshmisë që të rritet brenda jush derisa të lulëzojë në një dituri përjetësisht të lavdishme dhe të sigurt.

Nëse jeni një anëtar i pagëzuar dhe konfirmuar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, por ende hasni vështirësi me mendimin: “Nuk jam i sigurt nëse e di”, ju lutemi të mbani mend këtë premtim në lutjen e sakramentit: “Që të mund të kenë gjithmonë Shpirtin e tij me ta”. Për shkak të këtij premtimi, secili prej nesh mund të ndjekë shtegun drejt dëshmisë dhe një diturie të sigurt.

Merrni mbi Vete Përgjegjësinë për Dëshminë Tuaj

Tani ja ku është një e vërtetë e madhërishme: Në çfarëdo mënyre që jepet një dëshmi, qoftë nëse vjen ngadalë si lindja e diellit apo vjen në një vegim të lavdishëm, prapëseprapë duhet një zgjedhje për ta marrë këtë dhuratë të çmuar.

Thënia “unë zgjedh të besoj”, e bën më të lehtë që të merret dëshmimi nga Perëndia. Nëse zbulojmë që po na dobësohet dëshmia, kujtoni se janë zgjedhjet që bëjmë, që e mpakin fuqinë e dëshmisë. Por dëshmia nuk ka shkuar asgjëkund. Thjesht na nevojitet të zgjedhim që të lidhemi sërish me të.

Zgjedhja për të besuar është një mënyrë e mençur dhe e fuqishme për ta përdorur lirinë tonë të zgjedhjes.

Nuk mund të shoh një mënyrë më të mirë për ta përdorur lirinë time të zgjedhjes sesa në mbrojtje të dëshmisë sime.

Presidenti Nelson dha mësim: “Ju përgjërohem që ta merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj. Punoni për të. Zotërojeni atë. Kujdesuni për të. Kultivojeni me qëllim që ajo të rritet. Ushqejeni me të vërtetën.”

Për mua fjalët merrni mbi vete përgjegjësinë, punoni, kujdesuni, zotërojeni, kultivojeni dhe ushqejeni tingëllojnë sikurse një vepruesi t’i jetë dhënë kujdestari për diçka të çmuar dhe të rëndësishme.

Në Kishën e hershme, Parli P. Prati u ndje i pakënaqur me Profetin Jozef Smith dhe zgjodhi të kritikonte atë dhe Kishën. Kur Xhon Tejlori, të cilit Parli i mësoi ungjillin, erdhi në qytet, Parli e mori mënjanë dhe e paralajmëroi që të mos ta ndiqte Jozefin. Xhon Tejlori i tha Parlit:

“Përpara se të largoheshe nga Kanadaja, ti dhe një dëshmi të fortë për Jozef Smithin që është një profet i Perëndisë, … dhe the se i dije këto gjëra nëpërmjet zbulesës dhe dhuratës së Frymës së Shenjtë.

… Tani unë kam të njëjtën dëshmi tek e cila ti gëzoheshe në atë kohë. Nëse puna ishte e vërtetë gjashtë muaj më parë, është e vërtetë edhe sot. Nëse Jozef Smithi ishte profet në atë kohë, ai është profet edhe tani.”

Dëshmoj se Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë dhe se manteli profetik që ai mori, vazhdon sot. Jezu Krishti e drejton këtë punë.

Ju ftoj të mendoni rreth shtegut tuaj drejt një dëshmimi të sigurt për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj; përdoreni lirinë tuaj të zgjedhjes me mençuri dhe jini mirënjohës për Dhënësin dhe të gjitha cilësitë e Tij të lavdishme. Unë jap dëshmi se fuqia është brenda jush. Askush nuk mund të zgjedhë për ju. Askush nuk mund t’ua marrë këtë dhuratë. Ju mund të zgjidhni të besoni.

Premtoj se, teksa e bëni këtë gjë, dëshmia juaj do të jenë një “burim uji të gjallë, duke gufuar në jetë të përjetshme”. Do të jetë një spirancë e nxitës dhe do t’ju mbështetë përmes kohëve të vështira. Do t’ju mundësojë që t’i zhvilloni dhuratat shpirtërore. Do t’ju ndihmojë në shërbesën dhe shërbimin tuaj vetjak. Do të jetë një armë kundër Satanit dhe kundërshtarëve tuaj. Dëshmia juaj do të jetë një gëzim teksa e shihni të përsëritur te fëmijët tuaj, nipërit e mbesat tuaja, stërnipërit e stërmbesat tuaja dhe te njerëzit që i doni dhe të cilëve u shërbeni. Do të jetë e fuqishme kur t’ua shprehni të tjerëve dhe ta përdorni që të dëshmoni.

Nëse e dini, e dini. Unë e di se e di. Na nevojiten më shumë dëshmitarë të sigurt të Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij. Merreni atë dëshmi! Kërkojeni atë! Është e ngutshme! Kjo është periudha e fundit ungjillore – periudha e plotësisë së kohëve.

Jezu Krishti e shpalli këtë të vërtetë: “Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë”.

Vëllezër dhe motra, nuk ka qenë kurrë qëllim që një dëshmi e Jezu Krishtit të ishte një dhuratë e përkohshme. Asnjë gjë që lidhet me të nuk është e përkohshme: as Dhuruesi, as dhurata vetë, as Dorëzuesi i dhuratës, as Ai për të cilin jepet dhurata. U përshkroftë dëshmia juaj në të njëjtën mënyrë. Edhe pse “qielli dhe toka do të kalojnë”, dëshmia dhe dëshmimi juaj për ungjillin e Jezu Krishtit nuk do të kalojnë. Tani është koha që ta merrni këtë dhuratë të çmuar. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Perëndia është Ati ynë Qiellor dhe ne jemi fëmijët e Tij. Ai na krijoi sipas shëmbëlltyrës së Tij. Ai ka një trup të përlëvduar dhe të përsosur ‘prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu’ (Doktrina e Besëlidhje 130:22).

    Perëndia na njeh personalisht dhe na do më tepër nga sa mund ta kuptojmë. Ai i kupton sprovat, hidhërimet dhe dobësitë tona dhe ofrohet të na përkrahë gjatë tyre. Ai gëzohet nga përparimi ynë dhe do të na ndihmojë të bëjmë zgjedhje të drejta. Ai dëshiron të komunikojë me ne dhe ne mund të komunikojmë me Të nëpërmjet lutjes” (Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shpërndarjen e Ungjillit të Jezu Krishtit [2023], f. 33).

  2. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:46–47; 88:12–13.

  3. “Thjesht ngaqë Perëndia është Perëndi, thjesht ngaqë Krishti është Krishti, nuk ka se si të mos kujdesen për ne dhe të na bekojnë e ndihmojnë, po qe se thjesht do të vijmë tek ata, duke iu afruar fronit të tyre të hirit me zemërbutësi e përulësi të zemrës. Nuk ka se si të mos na bekojnë! Ata duhet të na bekojnë. Kjo është natyra e Tyre” (Jeffrey R. Holland, “Come unto Me”, [takim shpirtëror në universitetin “Brigam Jang”, 2 mars 1997], f. 4, speeches.byu.edu).

  4. Shihni te Lluka 12:2; Moroni 7:22; Abraham 2:8.

  5. “Ju ftoj të përvetësoni praktikën e ‘të menduarit çelestialisht’. Të mendosh çelestialisht do të thotë të jesh mendjekontrolluar nga shpirti. Ne mësojmë nga profeti Jakob i Librit të Mormonit se ‘të jesh mendje-kontrolluar nga shpirti është jetë e përjetshme’” (Rasëll M. Nelson, “Mendoni Çelestialisht!”, Liahona, nëntor 2023, f. 117).

  6. Shihni te Topics and Questions [Tema dhe Pyetje], “Agency and Accountability” [“Liria e Zgjedhjes dhe Përgjegjshmëria”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; shihni edhe te 2 Nefi 2:11, 16.

  7. Shihni te 1 Pjetër 1:18–20; Abraham 3:22–28.

  8. Shihni te 1 Korintasve 6:20.

  9. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 101:78.

  10. “Ungjilli i Jezu Krishtit është një plan që na tregon se si të bëhemi ajo çfarë Ati ynë Qiellor dëshiron që ne të bëhemi …

    … Kjo gjendje e panjollë dhe e përkryer do të rrjedhë nga një seri e qëndrueshme besëlidhjesh, ordinancash dhe veprimesh, një mbledhje e zgjedhjeve të drejta dhe nga pendimi i vazhdueshëm” (Dallin H. Oaks, “The Challenge to Become”, Liahona, janar 2001, f. 40, 41; theksimi i shtuar); shihni edhe te Moisiu 7:33.

  11. Shihni te Moroni 10:4–5.

  12. “Shpirti nuk ka nevojë që të kufizohet te fjalët; Ai mund të komunikojë nga Shpirti te shpirti me një gjuhë që është e pagabueshme sepse nuk ka fjalë. Është një komunikim i diturisë dhe inteligjencës së kulluar ardhur nga Shpirti dhe unë kam arritur të di se është vërtet mënyra më e mirë për të fituar dituri. Është më e fortë dhe më afatgjatë sesa të prekurit ose të shikuarit; ne mund të arrijmë të dyshojmë te ndjesitë fizike, por nuk mund të dyshojmë kur Shpirti i Shenjtë na flet. Është dëshmimi më i sigurt. Për shkak të kësaj, mëkati i pafalshëm është të mohojmë Frymën e Shenjtë ose dëshminë e Frymës së Shenjtë” (D. Todd Christofferson, “Strong Impressions of the Spirit”, Liahona, qershor 2013, f. 49).

  13. Shihni te Gjoni 5:32; 2 Nefi 31:18; 3 Nefi 11:36.

  14. Rasëll M. Nelson, “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96. Në po atë bisedë, ai tha:

    “Ju nxit të shtriheni përtej aftësisë suaj të tanishme shpirtërore për të marrë zbulesë vetjake. …

    O, ka shumë më tepër që Ati juaj në Qiell dëshiron që ju të dini. Siç na mësoi Plaku Nil A. Maksuell: ‘Atyre që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, është e qartë se Ati dhe Biri po ua zbulojnë të fshehtat e gjithësisë!’ …

    Zgjidhni të bëni punën shpirtërore që kërkohet për ta pasur dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe për ta dëgjuar zërin e Shpirtit më shpesh e më qartë” (f. 95, 96).

  15. Shihni te Dejvid A. Bednar, “Shpirti i Zbulesës”, Liahona, maj 2011, f. 87–90; Aleksandër Dushku, “Shtylla dhe Rreze”, Liahona, maj 2024, f. 14–17.

  16. “Dëshmia”, Himne, nr. 75.

  17. Shihni te Numrat 11:29; Jakob [Bibël] 1:5.

  18. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:28; Moisiu 1:3.

  19. Shihni te Mateu 25:14–30. “Dëshmia shpirtërore që fitova nga Fryma e Shenjtë … nuk është shuar. Në fakt, është bërë më e fortë. Gjërat që mësova në rininë time rreth parimeve themelore të ungjillit të Jezu Krishtit, kanë qenë themeli im i palëkundur gjatë gjithë jetës” (Diter F. Uhtdorf, “Ushqejini Rrënjët dhe Degët do të Rriten”, Liahona, nëntor 2024, f. 101).

  20. Doktrina e Besëlidhje 6:23.

  21. Joseph Smith – Historia 1:25.

  22. Shihni tek Alma 32:27, 30, 37–38, 41.

  23. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 20:77.

  24. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 88:33.

    “Dhe pastaj vjen ndoshta pjesa më e rëndësishme, pranimi i dhuratës. … Për ta pranuar vërtet një dhuratë, ne arrijmë t’ia njohim vetë vlerën, ta vëmë plotësisht në përdorim në jetën tonë dhe atëherë ta kujtojmë me mirënjohje dhënësin.

    Pranimi i një dhurate nuk është diçka pasive, por një proces i qëllimshëm dhe kuptimplotë që shkon përtej thjesht hapjes së një pakoje. Të pranosh do të thotë ta vlerësosh dhe të lidhesh, si me dhuratën, ashtu edhe me zemrën e dhënësit në një mënyrë që i forcon lidhjet midis dhënësit e marrësit” (Patrik Kirën, “Pranojeni Dhuratën e Tij”, Liahona, maj 2025, f. 121–122).

  25. Rasëll M. Nelson, “Zgjedhjet për Përjetësinë” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë e të rejat në moshë madhore, 15 maj 2022), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

  26. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 70:3–4.

  27. Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 1, The Standard of Truth, 1815–1846 (2018), f. 280–281.

  28. Shihni te Mosia 4:9–12.

  29. Doktrina e Besëlidhje 63:23; theksimi i shtuar.

  30. Shihni tek Alma 5:46–48. Jozef Smithi dha mësim se “shpëtimi nuk mund të vijë pa zbulesën. Është e kotë për këdo që të japë shërbesë pa të. … Askush nuk është shërbestar i Jezu Krishtit pa qenë profet. Askush nuk mund të jetë shërbestari për Jezu Krishtin përveçse ai që ka dëshminë për Jezusin dhe ky është shpirti i profecisë” (The Joseph Smith Papers, History, 1838–1856, vëllimi C-1 [2 nëntor 1838–31 korrik 1842] [shtojcat], f. 12, josephsmithpapers.org; drejtshkrimi, germat e mëdha dhe shenjat e pikësimit të modernizuara).

  31. “Ne qëndrojmë në pikën kulmore të epokave, të mahnitur nga ndjenja e madhërishme dhe solemne e historisë. Kjo është periudha e fundit dhe përfundimtare e kujdestarisë ungjillore, drejt së cilës na ka drejtuar gjithçka nga e kaluara” (Gordon B. Hinckley, “At the Summit of the Ages”, Liahona, janar 2000, f. 90).

  32. Mateu 24:35.

  33. Shihni te Moroni 10:30.