Emri me të Cilin do të Thirreni
Çfarë do të thotë të thirremi me emrin e Krishtit?
Presidenti Rasëll M. Nelson ka dhënë mësim se, nëse Zoti do të na fliste drejtpërsëdrejti, gjëja e parë që Ai do të sigurohej që ne të kuptonim, është identiteti ynë i vërtetë: ne jemi fëmijë të Perëndisë, fëmijë të besëlidhjes dhe dishepuj të Jezu Krishtit. Çdo etiketim tjetër përfundimisht do të na lërë në baltë.
E mësova këtë vetë kur djali im më i madh mori telefonin e parë celular. Me entuziazëm të madh, ai filloi të hidhte emrat e familjarëve dhe miqve te kontaktet. Një ditë, vura re se po i telefononte e ëma. Në ekran u shfaq emri “Nëna”. Ajo ishte një zgjedhje me mend dhe dinjitoze dhe e pranoj, një shenjë respekti për prindin më të mirë në shtëpinë tonë. Natyrisht, u bëra kureshtar. Çfarë emri më kishte vënë mua?
Rrëshqita nëpër kontaktet e tij, duke hamendësuar që nëse Uendi ishte “Nëna”, unë duhej të isha “Ati”. Nuk e gjeta. Kërkova emrin “Babi”. Ende asgjë. Kureshtja m’u kthye disi në shqetësim. “Mos më quan ‘Kori’?” Jo. Në një përpjekje të fundit, mendova: “Ne jemi futbollistë, mbase më quan ‘Pelé’”. Kështu uroja. Në fund, i rashë numrit të tij dhe tri fjalë u shfaqën në ekranin e tij: “Nuk është Nëna”.
Vëllezër dhe motra, me çfarë emri ju thërrasin ju?
Jezusi i thirri ndjekësit e Tij me emra të shumtë: Dishepuj. Bij dhe bija. Fëmijët e profetëve. Dele. Miq. Drita e botës. Shenjtorë. Secili emër mbart domethënie të përjetshme dhe nënvizon një marrëdhënie vetjake me Shpëtimtarin.
Por midis këtyre emrave, njëri ngrihet mbi pjesën tjetër – emri i Krishtit. Në Librin e Mormonit, mbreti Beniamin dha mësim fuqimisht:
“Nuk ka emër tjetër nëpërmjet të cilit të vijë shpëtimi; prandaj, unë do të doja që ju të merrni mbi vete emrin e Krishtit. …
Dhe do të ndodhë, që cilido që e bën këtë, do të gjendet në krahun e djathtë të Perëndisë, pasi ai do të dijë emrin me të cilin thirret; pasi ai do të thirret me emrin e Krishtit.”
Ata që marrin mbi vete emrin e Krishtit, bëhen dishepujt dhe dëshmitarët e Tij. Në librin Veprat e Apostujve, lexojmë se pas Ringjalljes së Jezu Krishtit, dëshmitarë të zgjedhur u urdhëruan të dëshmonin se kushdo që besonte te Jezusi, pagëzohej dhe merrte Frymën e Shenjtë, do të merrte një heqje të mëkateve. Ata që i morën këto ordinanca të shenjta, u bashkuan me Kishën, u bënë dishepuj dhe u quajtën të krishterë. Libri i Mormonit gjithashtu i përshkruan besimtarët në Krisht si të krishterë dhe popullin e besëlidhjes si “fëmijët e Krishtit, bijtë e tij dhe bijat e tij”.
Çfarë do të thotë të thirremi me emrin e Krishtit? Do të thotë të bëjmë besëlidhje dhe t’i mbajmë, ta kujtojmë gjithmonë Atë, të mbajmë urdhërimet e Tij dhe të jemi “të gatshëm … të qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat”. Do të thotë të qëndrojmë me profetët dhe apostujt teksa ata e bartin mesazhin e Krishtit nëpër botë, me doktrinën, besëlidhjet dhe ordinancat e tij. Do të thotë edhe t’u shërbejmë të tjerëve për të lehtësuar vuajtjen, të jemi një dritë dhe t’u sjellim shpresën te Krishti të gjithë njerëzve. Sigurisht, kjo është një përpjekje që zgjat gjithë jetën. Profeti Jozef Smith dha mësim se “kjo është një gjendje tek e cila askush ndonjëherë nuk ka arritur brenda një çasti”.
Për shkak se rrugëtimi i dishepullimit do kohë dhe përpjekje që ndërtohen “rresht pas rreshti, parim pas parimi”, është e lehtë të ngecim në titujt nga bota. Këta tituj sjellin vetëm vlerë të përkohshme dhe nuk do të jenë kurrë të mjaftueshëm më vete. Shëlbimi dhe gjërat e përjetësisë vijnë vetëm “nëpërmjet Mesias së Shenjtë”. Prandaj këshilla profetike vijuese për ta bërë dishepullimin një përparësi është sa e kohës aq edhe e urtë, veçanërisht në një epokë me kaq shumë zëra dhe ndikime konkurruese. Kjo ishte në thelb të këshillës së mbretit Beniamin kur tha: “Unë do të doja që ta kujtoni dhe ta mbani emrin [e Krishtit] gjithmonë të shkruar në zemrat tuaja, … që ju të dëgjoni dhe të dini zërin nga i cili do të thirreni dhe gjithashtu emrin me të cilin ai do t’ju thërrasë”.
E kam parë këtë në vetë familjen time. Stërgjyshi im, Martin Gasneri, ndryshoi përgjithmonë për shkak se një president i përulur i një dege iu përgjigj thirrjes së Shpëtimtarit. Në Gjermani, në vitin 1909, qe një periudhë e vështirë dhe paratë ishin të pakta. Martini punonte si saldator në një fabrikë që prodhonte tuba. Siç e ka pranuar vetë, shumica e ditëve kur merrte pagën përfundonin në pije, duhan dhe qerasje të shokëve në pijetore. Bashkëshortja e tij përfundimisht e paralajmëroi se, në qoftë se nuk ndryshonte, ajo do ta linte.
Një ditë, kolegu i punës së Martinit e takoi atë rrugës për në pijetore me një broshurë fetare të bërë shuk në dorë. E kishte gjetur në rrugë dhe i tha Martinit se ndjeu diçka ndryshe pas leximit të fletëpalosjes me titull “Was wissen Sie von den Mormonen?” ose “Çfarë Dini Ju për Mormonët?”. Jam i sigurt që titulli ka ndryshuar.
Një adresë e shtypur në anën e prapme mund të lexohej aq sa për të deshifruar ku ndodhej kisha. Ishte goxha larg, por ata u prekën nga ajo që lexuan, dhe vendosën të merrnin trenin atë të diel për të bërë kërkime. Kur mbërritën, zbuluan se adresa nuk ishte e kishës që prisnin, por e një shërbimi funeral. Martini ngurroi sepse, vërtet, një kishë në një godinë funerali ishte një ofertë tepër e çuditshme.
Por në katin e sipërm, në një sallë të marrë me qira, gjetën një grup të vogël shenjtorësh. Një burrë i ftoi në mbledhjen e dëshmive. Shpirti e preku Martinin dhe atij i lanë aq shumë mbresa dëshmitë e thjeshta, të zjarrta saqë dhe ai dha dëshmi. Dhe aty, në atë vend aq të pazakontë, ai tha se tashmë e dinte që duhej të ishte e vërtetë.
Paskëtaj burri u prezantua si presidenti i degës dhe i pyeti a do të vinin përsëri. Martini shpjegoi se jetonte shumë larg prej andej dhe nuk mund ta përballonte rrugën javë për javë. Presidenti i degës u tha thjesht: “Më ndiqni”.
Ata kaluan nëpër disa rrugica drejt një fabrike aty pranë ku punonte miku i presidentit të degës. Pas një bashkëbisedimi të shkurtër, Martinit dhe mikut të tij iu ofrua nga një vend pune. Më pas, presidenti i degës i udhëhoqi drejt një pallati me shumë hyrje dhe iu siguroi strehim për familjet.
E gjithë kjo ndodhi brenda dy orësh. Familja e Martinit u shpërngul javën pasuese. Gjashtë muaj më vonë ata u pagëzuan. Burri që dikur njihej si pijanec i pashpresë, u bë aq i flaktë në besimin e tij të ri saqë njerëzit në qytet filluan ta thërrisnin “prifti”, ndoshta jo dhe me aq dashuri.
Sa për presidentin e degës, nuk mund t’jua them emrin e tij, identiteti i tij është harruar me kalimin e kohës. Por e thërras dishepull, ambasador, të krishterë, samaritan të mirë dhe mik. Ndikimi i tij ndihet ende 116 vjet më vonë dhe unë qëndroj mbi supet e dishepullimit të tij.
“Ka një thënie që thotë se farat brenda një molle mund të numërohen, por mollët që vijnë nga një farë, nuk mund të numërohen.” Fara e mbjellë nga presidenti i degës ka prodhuar fruta të panumërta. Ai nuk kishte se si ta dinte se 48 vjet më vonë, disa breza të familjes së Martinit, nga të dyja anët e velit, do të vuloseshin në tempullin e Bernës në Zvicër.
Ndoshta predikimet më të mëdha janë ato që nuk i dëgjojmë kurrë, por që i shohim në veprimet dhe veprat e heshtura e të thjeshta që vërehen në jetën e njerëzve të zakonshëm të cilët, në përpjekje për të qenë si Jezusi, e përshkojnë vendin duke bërë mirë. Ajo që bëri ky president dege zemërbardhë, nuk ishte pjesë e një liste me detyra. Ai thjesht po e jetonte ungjillin sikurse përshkruhet në librin e Almës: “Ata nuk përzinin askënd … që ishte i uritur, ose që ishte i etur, ose që ishte i sëmurë, … ata ishin bujarë me të gjithë, si pleq ashtu dhe të rinj, … si burra ashtu dhe gra”. Dhe një pikë që nuk duhet ta anashkalojmë, është se ata nuk përzinin askënd “qoftë … pjesëtarë ose … jopjesëtarë të kishës”.
Ata që e marrin mbi vete emrin e Krishtit, e pranojnë se, sikurse tha Jozef Smithi: “Një njeri i mbushur me dashurinë e Perëndisë nuk kënaqet vetëm me bekimin e familjes së tij, por endet në të gjithë botën, i dëshiruar që të bekojë të gjithë racën njerëzore”.
Kjo është mënyra si jetoi Jezusi. Në fakt, Ai bëri aq shumë gjëra saqë dishepujt e Tij nuk mund t’i shkruanin dot të gjitha. Apostulli Gjon shënoi: “Janë edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat, po të shkruheshin një nga një, unë mendoj se nuk do të mjaftonte mbarë bota që t’i nxinte librat që do të mund të shkruheshin”.
Le të përpiqemi fort ta ndjekim shembullin e Krishtit, duke bërë mirë dhe duke e bërë dishepullimin një përparësi gjatë gjithë jetës në mënyrë që, sa herë të ndërveprojmë me të tjerët, ata do ta ndiejnë dashurinë e Perëndisë dhe fuqinë vërtetuese të Frymës së Shenjtë. Atëherë mund t’i bashkohemi stërgjyshit tim dhe miliona të tjerëve që kanë deklaruar, si dishepulli Andrea: “E gjetëm Mesian”.
Në fund, identiteti ynë nuk përcaktohet nga bota. Por dishepullimi ynë përcaktohet nga ordinancat që marrim, besëlidhjet që mbajmë, dhe nga dashuria që i tregojmë Perëndisë dhe të afërmit tonë thjesht duke bërë mirë. Siç dha mësim Presidenti Nelson, ne jemi vërtet fëmijët e Perëndisë, fëmijët e besëlidhjes, dishepujt e Jezu Krishtit.
Dëshmoj se Jezu Krishti jeton dhe na ka shëlbuar. Ai është pikërisht Ai që tha: “Të kam thirrur me emër; ti më përket mua”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.