T’i Japim Zemër Njëri‑Tjetrit
Vetëm Zoti i di plotësisht kufizimet dhe kapacitetin tonë individual dhe për këtë arsye Ai është i Vetmi plotësisht i kualifikuar për të gjykuar kryerjen tonë.
Kohët e fundit lexova për një përvojë që më preku thellë. Ajo ndodhi në Kampionatin Kombëtar të Atletikës për Atletë Veteranë në SHBA – një konkurrim për persona në moshë të shkuar.
Njëri nga pjesëmarrësit në garën e 1500 metrave ishte 100‑vjeçari Orvill Roxhersi. Autori shkruan:
“Kur u dha shenja e nisjes, vrapuesit filluan garën, me Orvillin që u vendos menjëherë në vendin e fundit, ku qëndroi i vetëm gjatë gjithë garës, duke u çapitur shumë ngadalë. [Kur] vrapuesi i fundit përveç Orvillit përfundoi, Orvillit i kishin mbetur ende dy xhiro e gjysmë për të bërë. Gati 3000 spektatorë të ulur qetësisht po e shihnin atë teksa bënte xhiron e radhës në pistë – krejtësisht i vetëm në një heshtje shqetësuese.
[Por] kur filloi xhiron e tij të fundit, turma u ngrit në këmbë, duke brohoritur dhe duartrokitur. Në çastin kur hyri në fundin e xhiros, turma po oshtinte. Me inkurajimin e brohoritjeve të mijëra spektatorëve, Orvilli mblodhi rezervat e fundit të energjisë. Turma shpërtheu nga gëzimi ndërsa ai kaloi vijën e përfundimit dhe u përqafua nga konkurrentët e tij. Orvilli e përshëndeti përulësisht dhe plot mirënjohje turmën dhe doli nga pista me miqtë e tij të rinj.”
Kjo ishte gara e pestë e konkurrimit për Orvillin dhe në secilën nga ngjarjet e tjera ai gjithashtu kishte zënë vendin e fundit. Disa njerëz mund të jenë tunduar ta gjykojnë Orvillin, duke menduar se as që duhej të konkurronte fare për moshën që ka, se pista nuk ishte vend për të sepse ai bënte që ngjarjet ku merrte pjesë, të zgjateshin shumë dhe të shkaktoheshin vonesa dhe për të tjerët.
Por edhe pse gjithmonë përfundoi i fundit, Orvilli theu pesë rekorde botërore atë ditë. Askush nga ata që po e shihnin të garonte, nuk do ta kishte besuar se kjo ishte e mundur, por atë nuk e gjykuan as spektatorët dhe as konkurrentët. Orvilli nuk theu asnjë rregull dhe autoritetet nuk ulën asnjë standard. Ai bëri të njëjtën garë dhe përmbushi po të njëjtat kërkesa si të gjithë konkurrentët e tjerë. Mirëpo, u mor parasysh shkalla e tij e vështirësisë, në këtë rast mosha dhe kapaciteti i kufizuar fizik, duke e vendosur atë në grupmoshën mbi 100 vjeç. Dhe në atë grupmoshë, ai theu pesë rekorde botërore.
Ashtu siç Orvillit iu desh guxim i madh për të dalë çdo herë në atë pistë, duhet gjithashtu guxim i madh për disa nga motrat dhe vëllezërit tanë që të hyjnë në arenën e jetës çdo ditë, duke e ditur se mund të gjykohen padrejtësisht edhe pse po bëjnë më të mirën që munden përkundër gjasave shkurajuese për të ndjekur Shpëtimtarin dhe për të nderuar besëlidhjet e tyre me Të.
Pavarësisht se ku jetojmë në botë, pavarësisht nga mosha, është një nevojë bazë e njeriut që të gjithë ne të ndiejmë një ndjenjë përkatësie, të ndiejmë se u duhemi njerëzve dhe jemi të nevojshëm dhe se jeta jonë ka qëllim dhe kuptim, pavarësisht nga rrethanat apo kufizimet tona.
Në xhiron e fundit të garës, turma i dha zemër me sa mundi Orvillit, duke i dhënë forcën për të vazhduar përpara. Nuk pati rëndësi që ai përfundoi i fundit. Për pjesëmarrësit dhe turmën, ky ishte shumë më tepër se një konkurrim. Në shumë mënyra, ky ishte një shembull i bukur i dashurisë së Shpëtimtarit në veprim. Kur Orvilli përfundoi garën, u ngazëlluan të gjithë së bashku.
Ashtu si Kampionati për Atletë Veteranë, bashkësitë dhe familjet tona mund të jenë vende grumbullimi ku ne i japim zemër njëri‑tjetrit – komunitete të besëlidhjeve të ushqyera nga dashuria e Krishtit për njëri‑tjetrin, duke e ndihmuar njëri‑tjetrin për të kapërcyer çfarëdolloj sfidash me të cilat përballemi, duke i dhënë njëri-tjetrit forcë dhe guxim pa e gjykuar njëri‑tjetrin. Kemi nevojë për njëri‑tjetrin. Forca hyjnore vjen nga uniteti dhe kjo është arsyeja pse Satani synon të na përçajë.
Fatkeqësisht, për disa prej nesh, frekuentimi i kishës ndonjëherë mund të jetë i vështirë për shumë arsye të ndryshme. Mund të jetë dikush që po e mundojnë pyetjet rreth besimit ose dikush me ankth shoqëror apo depresion. Mund të jetë dikush nga një vend ose racë tjetër apo dikush me përvoja të ndryshme jetësore ose mënyra të tjera se si i sheh gjërat, që mund të mendojë se nuk i përshtatet këtij modeli. Mund të jenë ndoshta edhe prindër të lënë pa gjumë dhe të stërmunduar emocionalisht nga foshnjat dhe fëmijët e vegjël ose dikush që është beqar/e në një bashkësi plot me çifte dhe familje. Mund të jetë gjithashtu dikush që merr guximin për t’u rikthyer pas vitesh largimi ose dikush me një ndjenjë sëmbuese se thjesht nuk është në atë nivel dhe nuk do të përkasë kurrë në të.
Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Nëse një çift në lagjen tuaj shkurorëzohet, ose një misionar i ri në moshë kthehet në shtëpi më herët, apo një adoleshent ka dyshim në dëshminë e tij, atyre nuk iu nevojitet gjykimi juaj. Atyre iu nevojitet të përjetojnë dashurinë e kulluar të Jezu Krishtit të pasqyruar në fjalët dhe veprimet tuaja.”
Përvoja jonë në kishë ka për qëllim që të sigurojë lidhjet jetike me Zotin dhe me njëri‑tjetrin që janë tejet të nevojshme për mirëqenien tonë shpirtërore dhe emocionale. E qenësishme në besëlidhjet që bëjmë me Perëndinë, duke filluar nga pagëzimi, është përgjegjësia jonë për ta dashur dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin, si pjesëtarë të familjes së Perëndisë, anëtarë të trupit të Krishtit dhe jo thjesht për të shënuar një kutizë si të kryer në listën e gjërave që pritet nga ne të bëjmë.
Dashuria dhe kujdesi si i Krishtit janë tiparet më të larta e më të shenjta. Dashuria e pastër e Krishtit është dashuri hyjnore. Siç dha mësim Presidenti Nelson: “Dashuria hyjnore na shtyn që ‘të mba[jmë] barrat e njëri-tjetrit’ [Mosia 18:8], në vend që të ngarkojmë barrë mbi njëri‑tjetrin”.
Shpëtimtari tha: “Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin”. Dhe Presidenti Nelson shtoi: “Dashuria hyjnore është karakteristika kryesore e një pasuesi të vërtetë të Jezu Krishtit”. “Mesazhi i Shpëtimtarit është i qartë: dishepujt e Tij të vërtetë ndërtojnë, lartësojnë, nxitin, bindin dhe frymëzojnë. … Mënyra se si u flasim të tjerëve [dhe] flasim për të tjerët … vërtet ka rëndësi.”
Mësimi i Shpëtimtarit për këtë është shumë i thjeshtë. Është i përmbledhur në Rregullën e Artë: Atë që dëshironi që të tjerët t’jua bëjnë juve, bëjuani edhe ju atyre. Vendoseni veten në vendin e atij personi dhe trajtojeni atë në mënyrën që ju do të donit të trajtoheshit po të ishit në vendin e tij.
Trajtimi i të tjerëve si Krishti shkon shumë përtej familjeve dhe bashkësive tona. Ai përfshin motrat e vëllezërit tanë të besimeve të tjera ose të asnjë besimi. Ai përfshin vëllezërit e motrat tona nga vende dhe kultura të tjera, si edhe ata me bindje të ndryshme politike. Të gjithë ne jemi pjesë e familjes së Perëndisë dhe Ai i do të gjithë fëmijët e Tij. Ai dëshiron që fëmijët e Tij ta duan Atë si edhe njëri‑tjetrin.
Jeta e Shpëtimtarit ishte një shembull dashurie, mbledhjeje dhe lartësimi ndaj atyre që shoqëria i kishte gjykuar si të dëbuar dhe të papastër. Shembulli i Tij është shembulli që jemi urdhëruar të ndjekim. Ne jemi këtu për të zhvilluar cilësi si të Krishtit dhe përfundimisht të bëhemi si Shpëtimtari ynë. Ungjilli i Tij nuk është një ungjill me listë detyrash; ai është një ungjill i të bërit, i të bërit siç është Ai dhe i të dhënit dashuri siç jep Ai. Ai dëshiron që ne të bëhemi një popull i Sionit.
Kur isha në fund të të 20‑ave, kalova një periudhë depresioni të thellë dhe, gjatë asaj kohe, qe sikur realiteti që Perëndia ekzistonte, u zhduk krejt papritur. Nuk mund ta shpjegoj plotësisht ndjenjën përveçse të them se ndihesha plotësisht e përhumbur. Që kur isha vajzë e vogël, e kisha ditur gjithmonë se Ati im në Qiell më gjendej pranë dhe se mund të flisja me Të. Por gjatë asaj kohe, nuk e dija më a ekzistonte vërtet një Perëndi. Nuk kisha përjetuar kurrë diçka të tillë më parë në jetën time dhe m’u duk sikur i gjithë themeli im po shkërmoqej.
Si rrjedhim, e pata të vështirë ta frekuentoja kishën. Shkoja, por pjesërisht ngaqë kisha frikë se mos etiketohesha si “joaktive” ose “më pak besnike” dhe i druhesha faktit se mos bëhesha projekti i caktuar i dikujt. Ajo që kisha vërtet nevojë gjatë asaj kohe, ishte të ndieja dashuri të sinqertë, mirëkuptim dhe përkrahje nga njerëzit rreth meje, jo gjykim.
U druhesha disa hamendësimeve që njerëzit do të bënin për mua, që unë vetë i kisha bërë për të tjerët kur ata nuk e frekuentonin kishën rregullisht. Ajo përvojë e dhimbshme vetjake më dha disa mësime të vyera rreth arsyes pse jemi urdhëruar që të mos e gjykojmë njëri‑tjetrin padrejtësisht.
A ka nga ata mes nesh që vuajnë në heshtje, me frikën se mos të tjerët do t’i marrin vesh betejat e tyre të fshehura sepse nuk e dinë se cili do të jetë reagimi?
Vetëm Zoti e di plotësisht nivelin e vërtetë të vështirësisë me të cilën secili prej nesh po bën garën e jetës së vet – barrët, sfidat dhe pengesat me të cilat përballemi që shpesh nuk mund të shihen nga të tjerët. Vetëm Ai i kupton plotësisht plagët që të ndryshojnë jetën dhe traumat që disa prej nesh mund të kenë përjetuar në të shkuarën, që po ndikojnë ende tek ne në të tashmen.
Shpesh, madje gjykojmë edhe veten ashpër duke menduar se duhet të jemi shumë më përpara në shteg. Vetëm Zoti i di plotësisht kufizimet dhe kapacitetin tonë individual dhe për këtë arsye Ai është i Vetmi plotësisht i kualifikuar për të gjykuar kryerjen tonë.
Motra dhe vëllezër, le të jemi si ata spektatorët në historinë më sipër dhe t’i japim zemër njëri‑tjetrit në rrugëtimin tonë të dishepullimit, pavarësisht nga rrethanat tona! Kjo nuk kërkon që ne të thyejmë rregullat ose të ulim standardet. Në fakt është urdhërimi i dytë i madh – ta duam të afërmin porsi vetveten. Dhe siç ka thënë Shpëtimtari ynë: “Sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre … këtë ma bëtë mua”, qoftë për mirë apo për keq. Ai na ka thënë gjithashtu: “Nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë”.
Do të ketë raste në jetën e secilit kur do të jemi ne ata që kemi nevojë për ndihmë dhe inkurajim. Le të zotohemi tani që ta bëjmë këtë gjithmonë për njëri‑tjetrin! Ndërsa e bëjmë këtë, ne do të zhvillojmë unitet më të madh dhe do të bëjmë vend për Shpëtimtarin që të bëjë punën e Tij të shenjtë të shërimit dhe transformimit te secili prej nesh.
Të gjithë ju që mund të mendoni se keni mbetur shumë prapa në këtë garë të jetës, në këtë rrugëtim të vdekshmërisë, ju lutem, vazhdoni përpara. Vetëm Shpëtimtari mund ta gjykojë plotësisht se në ç’pikë duhet të jeni në këtë garë të jetës, dhe Ai është i dhembshur dhe i drejtë. Ai është Kryegjykatësi në garën e jetës dhe i Vetmi që e kupton plotësisht nivelin e vështirësisë me të cilin po vraponi, po ecni apo po çapiteni. Ai do të marrë parasysh kufizimet tuaja, kapacitetin tuaj, përvojat tuaja jetësore dhe barrët e fshehura që mbani, si dhe dëshirat e zemrës suaj. Ju në fakt mund të jeni duke thyer rekorde simbolike botërore. Ju lutem, mos e humbni shpresën. Ju lutem, vazhdoni përpara! Ju lutem, qëndroni! Ju vërtet keni përkatësi! Zoti ka nevojë për ju dhe ne kemi nevojë për ju!
Kudo ku jetoni në botë, sado larg të jeni, ju lutem, mbajeni mend gjithmonë se Ati juaj në Qiell dhe Shpëtimtari juaj ju njohin plotësisht dhe ju duan në mënyrë të përsosur. Ata nuk ju harrojnë kurrë. Ata dëshirojnë t’ju çojnë në shtëpi.
Mbajini sytë drejt Shpëtimtarit. Ai është shufra juaj e hekurit. Mos e lëshoni Atë. Unë dëshmoj se Ai jeton dhe se ju mund t’i mirëbesoni Atij. Unë dëshmoj gjithashtu se Ai po ju jep zemër juve.
E ndjekshim të gjithë shembullin e Shpëtimtarit dhe i dhënçim zemër njëri‑tjetrit është lutja ime, në emrin e Jezu Krishtit, amen.