2025
Pajtohuni me Perëndinë
Nëntor 2025


10:22

Pajtohuni me Perëndinë

Pajtimi me Perëndinë, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, çon në besim të patundur.

Ndërsa i studioj shkrimet e shenjta, has fjalë që ma tërheqin vërtet vëmendjen, kryesisht sepse kanë kuptim të veçantë si rezultat i përvojave që kam pasur gjatë jetës. Karrierën time e kaloj duke punuar si financier hetues. Prej atij formimi, fjala rakordoj ose pajtoj ma ka tërhequr vëmendjen teksa lexoj shkrimet e shenjta. Puna ime ishte të rakordoja shumat e raportuara me dokumentet financiare duke vënë në zbatim aftësitë e kontabilitetit, auditimit dhe hetimit. Me fjalë të tjera, synimi im ishte t’i përputhja raportet financiare me dokumentet financiare në përmbajtjen e vet për të garantuar saktësinë dhe vlefshmërinë. Bëja përpjekje të zellshme për të zgjidhur mospërputhjet dhe ishte e zakonshme që t’i kushtoja kohë të konsiderueshme zgjidhjes edhe të mospërputhjeve shumë të vogla.

Apostulli Pal iu lut korintasve të “paqtoh[eshin] me Perëndinë”. Të pajtohesh me Perëndinë do të thotë të kthehesh në një gjendje harmonie me Perëndinë ose të rivendosësh një marrëdhënie me Perëndinë që ka qenë e nderë ose e prishur për shkak të mëkateve ose veprimeve tona. E thënë thjesht, të pajtohemi me Perëndinë do të thotë të përputhim vullnetin dhe veprimet tona me vullnetin e Perëndisë ose, sikurse u dha mësim nga Presidenti Rasëll M. Nelson, ta lëmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë.

Sikurse jepet mësim në shkrimet e shenjta, ne jemi të lirë të veprojmë vetë, “të zgj[edhim] udhën e vdekjes së pafundme ose udhën e jetës së përjetshme”. Por, nëse nuk jemi të zellshëm, kjo liri për të vepruar vetë mund të na bëjë të mos jemi më në përputhje me vullnetin e Perëndisë.

Profeti Jakob dha mësim se, kur e gjejmë veten në mungesë harmonie ose mospërputhje me Perëndinë, e vetmja mënyrë si mund ta arrijmë pajtimin, është të “pajtoh[emi] me [Perëndinë], nëpërmjet shlyerjes së Krishtit”. Ne duhet të kuptojmë se pajtimi varet nga mëshira, duke nënkuptuar se vepra plot hir e Shlyerjes nga Jezu Krishti e bën të mundur pajtimin.

Ndërsa përsiatni për jetën tuaj, mendoni rreth një kohe kur jeni ndier në distancë nga Ati Qiellor sepse ishit larguar prej Tij. Për shembull, ndoshta treguat më pak zell në lutjet tuaja drejtuar Atij ose në zbatimin e urdhërimeve të Tij. Ashtu sikurse zgjedhim të largohemi nga Perëndia, duhet të zgjedhim ta fillojmë përpjekjen për t’u pajtuar. Zoti e theksoi përgjegjësinë tonë kur tha: “M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush; kërkoni me zell dhe do të më gjeni; lypni dhe do të merrni; trokisni dhe do t’ju çelet”.

Si na ndihmon Shpëtimtari ta rivendosim dhe pajtojmë këtë marrëdhënie të rëndësishme? Sa për mua, unë bëj përparim të madh në rrugëtimin e pajtimit tim me Perëndinë kur ndjek këshillën e dhënë mësim nga Presidenti Nelson dhe pendohem çdo ditë. Arsyeja është ngaqë ai pajtim nënkupton rivendosjen e një marrëdhënieje të prishur, veçanërisht mes Perëndisë dhe njerëzimit, duke e hequr pengesën e mëkatit.

Një nga pajtimet e madhërishme, për të cilat lexojmë në shkrimet e shenjta, është ai i Enosit. Diçka në jetën e tij ishte në mospërputhje me Perëndinë. Ai u bë shembull i mbështetjes te Shlyerja e Jezu Krishtit për t’u pajtuar me Perëndinë. Ai shpjegoi dëshirën e tij për t’u penduar, përulësinë, pikën e përqendrimit dhe vendosmërinë e tij. Pajtimi i tij me Perëndinë u vërtetua kur i erdhi një zë duke thënë: “Enos, mëkatet e tua të janë falur dhe ti do të jesh i bekuar”. Enosi e dalloi ndikimin që patën pendimi dhe pajtimi tek ai kur tha: “Dhe unë, Enosi, e dija se Perëndia nuk mund të gënjente, prandaj fajësia ime u fshi”.

Pajtimi nuk na sjell vetëm lehtësim nga ndjenjat e fajit, por edhe paqe brenda vetes dhe me të tjerët. Ai shëron marrëdhënie, zbut zemra dhe e forcon dishepullimin tonë duke shkaktuar siguri më të madhe te vetja para Perëndisë. Ajo që më sjell shpresë dhe siguri të madhe te vetja, është një fryt tjetër i pajtimit që u përshkrua nga Enosi kur tha: “Dhe pasi unë, Enosi, i kisha dëgjuar këto fjalë, besimi im filloi të bëhet i patundur në Zotin”.

Kur isha djalosh, gjyshi im nga nëna kishte një pemishte të madhe me qershi. Kisha mundësinë të punoja në pemishte, më së shumti në verë gjatë vjeljes së qershive. Ngaqë isha shumë i vogël, mësova se shkalla e përfshirjes sime ishte të më jepnin një kovë dhe më pas të më dërgonin të hipja në pemë për të mbledhur qershitë.

Vjelja e qershive ndryshoi ndjeshëm kur gjyshi im bleu një makineri që quhej shkundëse qershish. Kjo makineri kapet pas trungut të pemës dhe e shkund, duke bërë që qershitë të bien nga pema nëpër rrjetat që përdoren për t’i mbledhur qershitë. Vura re se, kur shkundësja fillonte ta shkundte pemën, thuajse të gjitha qershitë binin nga pema brenda pak sekondave. Vura re edhe se nuk kishte rëndësi nëse pema shkundej për 10 sekonda apo për një minutë të plotë, disa qershi nuk binin. Ishin vërtet të patundura.

Shkundja e qershive nga pema është e mundur për shkak të çlirimit të etilenit. Ky hormon shkakton dobësimin e shtresës qelizore mes bishtit të qershisë dhe pemës. Prandaj, bishti i një qershie të pjekur shkëputet më lehtë nga pema për shkak të dobësimit të lidhjes.

Në shkrimet e shenjta, ne mësojmë se trungu i Isaias është një metaforë për Mesian, Jezu Krishtin, që u profetizua se do të vinte nga linja e Isaias, i ati i mbretit David. Ashtu sikurse etileni e dobëson lidhjen e bishtit të një qershie të pjekur, mosbindja, dyshimet dhe frika mund të na e dobësojnë lidhjen me trungun e Isaias, ose Jezu Krishtin, duke na lejuar të shkundemi me lehtësi dhe të ndahemi prej Tij. Sado besnikë që mund të jemi, duhet të ruhemi nga dobësimi i lidhjes sonë me Jezu Krishtin.

Te Doktrina e Besëlidhje, edhe besnikëve u jepet një paralajmërim: “Por, ka mundësi që njeriu të humbasë hirin dhe të largohet nga Perëndia i gjallë”. Zoti vazhdon: “Po, … madje ata që shenjtërohen, le të jenë të vëmendshëm gjithashtu”. Për të shmangur rënien, Zoti këshillon: “Prandaj kisha le të jetë e vëmendshme dhe të lutet gjithmonë, përndryshe ata bien në tundim”.

Dikush mund ta barazojë gjendjen e shkundjes me lehtësi me atë që shkrimet e shenjta e përshkruajnë si arritjen e pikut për shkatërrim, me pasoja të pashmangshme për veprimet. Fraza mund të përdoret edhe më gjerë për të vënë në dukje një gjendje kalbjeje, prishjeje ose rënieje që e bën diçka të ndjeshme ndaj rrëzimit ose rrënimit.

Çfarë përfaqëson kjo gjendje piku? A do të thotë që ne mund të arrijmë një pikë ku e kemi të pamundur të ndryshojmë? Jo, mendoj se do të thotë që mund të arrijmë një pikë në kohë kur nuk jemi të gatshëm të ndryshojmë. Kundërhelmi i arritjes së pikut për shkatërrim është të bëjmë ato gjëra që do ta forcojnë lidhjen tonë me Jezu Krishtin. Sikurse e përmenda, pendimi e çoi Enosin në pikën e besimit të patundur. Ka forcë te pendimi, pendimi i rregullt, i menjëhershëm dhe i herëpashershëm. Sikurse na mësoi Presidenti Nelson: “Asgjë nuk është më çliruese, më fisnikëruese ose më e rëndësishme për përparimin tonë individual sesa një përqendrim i rregullt, i përditshëm te pendimi”.

Krahas predikimit të pendimit, profeti Jakob dha mësim se të qenit të vetëdijshëm për dorën e Perëndisë në jetën tonë, duke kërkuar dhe marrë zbulesë dhe duke e dëgjuar Perëndinë kur Ai thotë gjithçka, na ndihmon të mos lëkundemi. Jakobi dha mësim gjithashtu: “Kështu që, ne kërkojmë profetët dhe kemi shumë zbulesa dhe shpirtin e profecisë; dhe duke pasur gjithë këto dëshmi, ne marrim një shpresë dhe besimi ynë bëhet i patundur, aq sa ne me të vërtetë mund të urdhërojmë në emrin e Jezusit dhe vetë pemët na binden, ose malet, ose valët e detit”. Mbajtja vesh e fjalëve dhe ftesave të profetëve dhe apostujve dhe veprimi sipas tyre mund të na mbushë me shpresë, siguri te vetja dhe forcë, duke bërë që besimi ynë të bëhet i patundur.

Kam mësuar se dëshira për t’u pajtuar me Perëndinë duhet shoqëruar me një dëshirë për t’u penduar. Pendimi dhe përjetimi i bekimeve të Shlyerjes së Jezu Krishtit çojnë në besim të patundur. Besimi i patundur na shtyn drejt dëshirës për të qenë gjithmonë të pajtuar me Perëndinë. Ky është një model ciklik ose përsëritës.

Vëllezër e motra, ju ftoj të pajtoheni me Perëndinë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Unë dëshmoj se bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve e bën të fortë lidhjen tonë me Shpëtimtarin, duke e shmangur kështu arritjen e pikut për shkatërrim. Dëshmoj se ky pajtim me Perëndinë, nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit, çon në besim të patundur.

E di se Ati Qiellor ju do ju dhe mua dhe Ai dërgoi Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin që të ishte Shpëtimtari, Shëlbuesi dhe Pajtuesi i Madhërishëm i yni. Unë dëshmoj për Jezu Krishtin dhe e bëj këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.