Rinia
12. Jezu Krishti sjell gëzim


Jozefi dhe Maria me Jezusin foshnjë

12.

Jezu Krishti sjell gëzim

Doktrina e Besëlidhje 101:36

Ati juaj Qiellor është plot gëzim. Ai dëshiron që ju, fëmija i Tij, të keni sa më shumë gëzim të jetë e mundur. Kjo është arsyeja përse Ai përgatiti planin e lumturisë. Ai dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, që të jetë Shpëtimtari juaj dhe të japë mësim ungjillin e Tij. Fjala ungjill do të thotë “lajm i mirë” dhe lajmi i mirë është se, për shkak të Jezu Krishtit, ju mund të keni lumturi në këtë jetë dhe një plotësi gëzimi për përjetësinë.

Të Vërtetat e Përjetshme

Ju u krijuat që të keni lumturi e gëzim. Ai është qëllimi i jetës suaj. Është qëllimi i planit të Atit Qiellor për lumturinë. Kjo nuk do të thotë se nuk do të jeni kurrë të trishtuar ose nuk do të keni kohë të vështira. Por do të thotë që Shpëtimtari mund t’ju ndihmojë që t’i kaloni kohët e vështira dhe të gjeni gëzim.

Gëzimi nuk vjen nga rrethanat tuaja; vjen nga ndjekja e Jezu Krishtit. Mund të kaloni një ditë të keqe, një javë të keqe ose një vit të keq. Por gëzimi nuk është mungesa e hidhërimit në jetën tuaj; është prania e Krishtit në jetën tuaj.

Gëzimi i Shpëtimtarit është më i madh dhe më afatgjatë sesa çdo gjë tjetër. Satani do t’ju tundojë të kërkoni argëtim dhe kënaqësi në mënyra egoiste ose nga kënaqësitë e botës. Gjithçka që është në kundërshtim me Jezu Krishtin dhe urdhërimet e Tij, nuk mund t’ju sjellë gëzim dhe lumturi të vërtetë dhe afatgjatë. Mbajeni mend se gjërat e kësaj toke janë të përkohshme. Ungjilli i Jezu Krishtit ofron gëzim e lumturi që janë të thella, të shenjta dhe të përhershme.

Ftesat

Zgjidhni gëzim. Megjithëse është e vërtetë që ka trishtim dhe vështirësi në këtë botë, Ati Qiellor gjithashtu e ka mbushur botën me shumë gjëra të bukura dhe të shëndetshme. Kërkojini ato. Përpiquni të vini re arsyet për t’u gëzuar çdo ditë, ndoshta edhe t’i shkruani ato. Këto janë dhurata nga Ati juaj i dashur në Qiell.

Silluni gëzim dhe lumturi të tjerëve. Jezu Krishti gjeti plotësi të gëzimit duke na sjellë ne gëzim. Ju mund ta ndiqni shembullin e Tij duke gjetur gëzim e lumturi tek u shërbeni të tjerëve. Ndihmojeni dikë të ndiejë se e duan. Bëni një përgëzim të sinqertë. Jepini zemër dikujt që po has vështirësi. Nëse e ndieni ndonjëherë se keni nevojë për më shumë gëzim në jetën tuaj, përpiquni t’i sillni gëzim dikujt tjetër.

Jini plot gëzim tek adhuroni Zotin. Kur shkoni në kishë, përqendrohuni te gëzimi që ju jep Jezu Krishti dhe përlëvdojeni Atë për këtë gjë. Bëni pjesën tuaj për të kontribuar te një frymë e gëzueshme në mbledhjet tuaja të Kishës. Bëjeni muzikën e shenjtë pjesë të adhurimit tuaj në shtëpi dhe në kishë.

Minerva Teichert, Christ in a Red Robe [Krishti me Rrobë të Kuqe]

Bekimet e Premtuara

Ju mund të ndieni gëzim edhe kur jeta është e vështirë. Mund të pyesni veten se si është e mundur kjo, por është e vërtetë. Besimi juaj te Jezu Krishti, fuqia e Tij shëruese dhe premtimet e Tij të përjetshme mund t’ju japin gëzim të vazhdueshëm. Gëzimi i Tij e tejkalon hidhërimin dhe sjellë paqe që e kapërcen gjithë të kuptuarit.

Një plotësi gëzimi ju pret në mbretërinë çelestiale të Perëndisë. Jezu Krishti i mposhti të gjitha gjërat që mund t’ju mbanin larg nga marrja e gëzimit të përjetshëm. Kur mirëbesoni tek Ai dhe e ndiqni Atë, ky gëzim do të jetë i juaji.

Pyetje dhe Përgjigje

Nëse ungjilli është plot gëzim, përse ndihem kaq i/e trishtuar? Ndjesia e trishtimit nuk është një shenjë që ju nuk po e jetoni ungjillin. Jeta e çdo njeriu përfshin kundërshti, sprova e hidhërim. Ndjekja e Jezu Krishtit nuk e ndryshon këtë gjë, por ju lidh vërtet me një Shpëtimtar i cili mund t’ju ngushëllojë dhe ju ndihmon të gjeni gëzim e lumturi.

Përse ka kaq shumë vuajtje në botë? Një pjesë e vuajtjes në botë vjen ngaqë njerëzit e përdorin lirinë e tyre të zgjedhjes për të bërë zgjedhje të gabuara. Kjo mund t’u shkaktojë vuajtje atyre vetë dhe njerëzve të tjerë. Në raste të tjera, vuajtja nuk është faji i askujt, thjesht është rrjedhojë e të jetuarit në një botë të papërsosur. Cilido qoftë shkaku, mund të jetë zemërthyese të shohësh dikë të vuajë, veçanërisht dikë që e doni. Jini të sigurt që edhe Perëndia është i trishtuar kur ju vuani. Ai i lejon sprovat e vdekshmërisë për t’ju ndihmuar që të rriteni dhe të përgatiteni për gëzim të përjetshëm me Të, por Ai nuk ju lë të vuani vetëm. Ai dërgoi Jezu Krishtin që të merrte mbi Vete dhembjen tuaj që Ai të mund t’ju ndihmojë. Jezu Krishti është forca juaj! Dhe Ai ju fton ju, si njërin prej ndjekësve të Tij, që të bëni çfarë mundeni për të ndihmuar që ta lehtësoni vuajtjen e të tjerëve.

Shihni te Psalmeve 16:11 (në praninë e Perëndisë është një plotësi gëzimi); 95:1 (këndojini Zotit); Gjoni 16:33 (merrni zemër; Jezu Krishti e mundi botën); Galatasve 5:22 (fryti i Frymës është gëzim); Hebrenjve 12:2 (Jezusi e duroi vuajtjen e Tij për shkak të gëzimit të shpëtimit të fëmijëve të Perëndisë); 2 Nefi 2:25 (Perëndia dëshiron që ju të keni gëzim); Alma 26:15–16 (bërja e punës së Perëndisë çon drejt gëzimit); Doktrina e Besëlidhje 18:15–16 (sa i madh do të jetë gëzimi juaj kur i ndihmoni të tjerët të vijnë te Krishti).

Pyetja për Rekomandimin e Tempullit

  • A keni një dëshmi për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe rolin e Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi juaj?