Rinia
7. Ordinancat dhe besëlidhjet ju japin të drejtën për bekimet e Perëndisë


Gjon Pagëzori duke pagëzuar Jezu Krishtin

7.

Ordinancat dhe besëlidhjet ju japin të drejtën për bekimet e Perëndisë

Doktrina e Besëlidhje 84:20

Ati juaj Qiellor mezi pret që t’ju japë mësim dhe t’ju bekojë. Një mënyrë se si Ai e bën këtë gjë, është nëpërmjet ordinancave si pagëzimi, konfirmimi dhe sakramenti. Nëpërmjet ordinancave si këto, ne bëjmë një besëlidhje, ose premtim, me Perëndinë. Mbajtja e besëlidhjeve e rrit fuqinë e Perëndisë në jetën tuaj dhe ju ndihmon të përgatiteni për jetën e përjetshme. Kjo është arsyeja përse ordinancat dhe besëlidhjet janë të çmuara për ne, sepse e forcojnë lidhjen tonë me Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin tonë dhe na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Ata.

Të Vërtetat e Përjetshme

Ordinancat ju drejtojnë te Jezu Krishti. Një ordinancë është një ceremoni e shenjtë me kuptime simbolike që na mësojnë rreth Jezu Krishtit. Sakramenti, për shembull, nuk është thjesht buka dhe uji. Ai na kujton Shpëtimtarin.

Besëlidhjet janë shenjë e dashurisë, mirëbesimit dhe pritshmërive të Perëndisë. Ato e çojnë marrëdhënien tuaj me Perëndinë në një nivel më të thellë. Bërja e një besëlidhjeje tregon se ju e doni Perëndinë dhe jeni të zotuar ndaj Tij. Ju mund të keni mirëbesim tek Ai dhe Ai mund të ketë mirëbesim tek ju. Me atë zotim më të thellë vjen një e drejtë më e madhe përdorimi e fuqisë dhe ndihmës së Tij ndërsa i mbani besëlidhjet tuaja.

Ju bëni besëlidhje me Perëndinë kur pagëzoheni e konfirmoheni dhe kur merrni sakramentin. Kur pagëzoheni, ju premtoni të merrni mbi vete emrin e Jezu Krishtit, t’i shërbeni Atij dhe t’i zbatoni urdhërimet e Tij gjatë gjithë jetës. Gjatë sakramentit, gjithashtu premtoni që gjithmonë ta kujtoni Atë. Këto janë premtimet tuaja. Kur jeni të gatshëm t’i mbani ato, Perëndia premton t’ju japë Frymën e Shenjtë si shoqërues të vazhdueshëm.

Ftesat

Trajtojeni sakramentin si një dhuratë të shenjtë. Tregojeni zotimin tuaj ndaj Jezu Krishtit duke u përgatitur për një përvojë të shenjtë gjatë sakramentit. Përsiatni se çfarë mund të bëni për ta bërë këtë ordinancë një pikë kulmore shpirtërore të javës suaj.

Kërkojeni Shpëtimtarin tek ordinancat. Kur shikoni ose merrni pjesë në një ordinancë, pyeteni veten: “Çfarë mësoj nga kjo rreth Jezu Krishtit?” ose “Si më sjell ajo më pranë Tij?” Kushtojini vëmendje asaj që ju mëson Shpirti.

Lejojini besëlidhjet tuaja t’i udhërrëfejnë veprimet tuaja. Kur keni një zgjedhje për të bërë, sillni ndërmend marrëdhënien tuaj besëlidhëse me Perëndinë. Jini besnikë ndaj Tij. Pyeteni veten: A përputhet kjo me besëlidhjet e mia? Për shembull, a i dua të tjerët dhe u jap shërbesë atyre, a i ngushëlloj njerëzit që kanë nevojë për ngushëllim dhe a qëndroj si dëshmitar i Krishtit, kudo dhe kurdoherë?

Krishti në një tryezë duke përgatitur sakramentin për nefitët

Bekimet e Premtuara

Ju mund të keni fuqi për të mposhtur tundimin, mëkatin dhe sprovat e jetës. Bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve ju jep të drejtën për fuqinë e Perëndisë. Me atë fuqi, ju mund të përballeni me gjithçka me vetëbesim. Jezu Krishti është forca juaj!

Ju mund të pastroheni dhe të merrni falje. Pjesë e premtimit të Perëndisë ndaj jush për mbajtjen e besëlidhjes suaj të pagëzimit është heqja e mëkateve tuaja. Kjo do të thotë se, kur pendoheni dhe i mbani premtimet tuaja me Perëndinë, Ai do t’ju falë dhe do t’ju ndihmojë që të përmirësoheni.

Ju mund ta keni gjithmonë Frymën e Shenjtë me vete. Një tjetër premtim i lidhur me pagëzimin dhe sakramentin është shoqërimi i vazhdueshëm i Shpirtit të Tij dhe shërbesës së engjëjve. Kurrë nuk ju duhet të përballeni të vetëm me sfidat tuaja. Perëndia kurrë nuk i braktis fëmijët e Tij besëlidhës – mund të jeni të sigurt për këtë gjë.

Ju mund të keni përkrahjen e njerëzve besëlidhës të Perëndisë. Ju i përkisni një komuniteti të njerëzve besëlidhës në Kishën e Shpëtimtarit. Ju e përkrahni dhe i jepni zemër njëri‑tjetrit. Ju vajtoni bashkë dhe gëzoheni bashkë. Ju mbani barrët e njëri‑tjetrit. Familja, peshkopi, udhëheqësit tuaj dhe anëtarë të tjerë të Kishës janë këtu që t’ju ndihmojnë dhe ju mund t’i ndihmoni ata.

Pyetje dhe Përgjigje

A mund të jem një ndjekës/e i/e mirë i/e Jezu Krishtit pa ordinancat dhe besëlidhjet? Ka shumë njerëz të mirë, të cilët sinqerisht e ndjekin Jezu Krishtin, edhe pse nuk janë pagëzuar ose nuk kanë qenë kurrë në tempull. Gjithsesi, Ati Qiellor dëshiron që të gjithë fëmijët e Tij të marrin ordinancat e Tij dhe të bëjnë besëlidhje me Të, me qëllim që ata të mund të kenë qasje më të madhe te ndihma, mëshira dhe forca e Tij. Kjo është një nga arsyet kryesore pse Jezu Krishti e rivendosi Kishën e Tij. Çdo fëmijë i Perëndisë do të ketë mundësinë, në këtë jetë ose në tjetrën, për t’i pranuar ordinancat dhe besëlidhjet e kërkuara për jetë të përjetshme.

Nuk kam qenë gjithmonë besnik/e ndaj besëlidhjeve të mia. A ka shpresë për mua? Po! Ungjilli i Jezu Krishtit është një ungjill shprese dhe fillimesh të reja. Kjo është arsyeja përse e marrim sakramentin çdo javë. Ati Qiellor e dinte se do të bënim gabime dhe do të na nevojitej një fillim i ri. Shpëtimtari dha jetën e Tij për t’ju dhënë një udhë kthimi. Kur ushtroni besim te Jezu Krishti dhe pendoheni, mund të rifitoni të drejtën e përdorimit të fuqisë së Perëndisë.

Shihni te 1 Korintasve 11:23–26 (marrja e sakramentit tregon se ne besojmë te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij); Mosia 18:10, 13 (besëlidhja e pagëzimit); Doktrina e Besëlidhje 13 (Priftëria Aarone përfshin çelësat e pendimit, pagëzimit dhe shërbesës së engjëjve); 20:37 (kërkesat për pagëzim); 20:77, 79 (lutjet e sakramentit).

Pyetja për Rekomandimin e Tempullit

  • A përpiqeni fort ta mbani të shenjtë ditën e Shabatit, si në shtëpi edhe në kishë; të frekuentoni mbledhjet tuaja; të përgatiteni për sakramentin dhe ta merrni atë me denjësi; dhe ta jetoni jetën tuaj në harmoni me ligjet dhe urdhërimet e ungjillit?