Rinia
10. Trupi juaj është i shenjtë


atë, nënë dhe foshnjë

Family Looking Towards the Light [Familje Duke Parë Drejt Dritës], nga Lovetta Reyes Cairo. Me mirësinë e Havenlight

10.

Trupi juaj është i shenjtë

1 Korintasve 6:18–20

Trupi juaj është një dhuratë e mahnitshme nga Ati juaj Qiellor. Pasja e një trupi ju jep më shumë fuqi për të ushtruar lirinë tuaj për të zgjedhur midis së drejtës dhe së gabuarës. Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit mund t’ju ndihmojë ta shihni trupin tuaj nga këndvështrimi i Perëndisë. Dhe kjo sjell një ndryshim të madh në zgjedhjet tuaja në lidhje me atë se çfarë të bëni me trupin tuaj dhe si të kujdeseni për të.

Të Vërtetat e Përjetshme

Trupi juaj është sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, Qenies më të lavdishme, më madhështore në tërë gjithësinë. Shkrimet e shenjta i krahasojnë trupat tanë me një tempull të shenjtë, një vend ku mund të banojë Shpirti. Sigurisht, trupi juaj nuk është i përsosur tani. Por përvojat që keni me trupin tuaj, mund t’ju ndihmojnë të përgatiteni që një ditë të merrni një trup të përsosur, të ringjallur dhe të përlëvduar.

Fryma juaj përbëhet nga trupi juaj dhe shpirti juaj. Për këtë arsye, shëndeti fizik dhe shëndeti shpirtëror janë të lidhur ngushtë. Shpëtimtari e zbuloi Fjalën e Urtësisë për të dhënë mësim parimet e kujdesit për trupin tuaj dhe për të premtuar bekime fizike dhe shpirtërore.

Ndjenjat seksuale janë një pjesë e rëndësishme e planit të Perëndisë për të krijuar martesa të lumtura dhe familje të përjetshme. Këto ndjenja nuk janë mëkatare, ato janë të shenjta. Për shkak se ndjenjat seksuale janë kaq të shenjta dhe kaq të fuqishme, Perëndia ju ka dhënë ligjin e Tij të dëlirësisë për t’ju përgatitur që t’i përdorni këto ndjenja ashtu siç e ka për qëllim Ai. Ligji i dëlirësisë thotë se Perëndia e miraton aktivitetin seksual vetëm midis një burri dhe një gruaje që janë të martuar. Shumë njerëz e shpërfillin ose madje tallen me ligjin e Perëndisë, por Zoti na fton të jemi dishepujt e Tij dhe të jetojmë një standard më të lartë.

Ftesat

Trajtojini me respekt trupin tuaj dhe trupat e njerëzve të tjerë. Ndërsa merrni vendime për veshjen, stilin e flokëve dhe pamjen tuaj, pyeteni veten: “A po e nderoj trupin tim si një dhuratë të shenjtë nga Perëndia?” Ati Qiellor dëshiron që ne ta shohim njëri-tjetrin ashtu siç jemi në të vërtetë: jo thjesht trupa fizikë, por fëmijët e Tij të dashur me një fat hyjnor. Shmangini stilet që theksojnë ose sjellin vëmendje të papërshtatshme ndaj trupit tuaj fizik në vend të asaj se kush jeni si një fëmijë i Perëndisë me një të ardhme të përjetshme. Lëreni pastërtinë morale dhe dashurinë për Perëndinë t’i udhërrëfejnë zgjedhjet tuaja. Kërkoni këshilla nga familja juaj.

Bëni gjëra që do ta forcojnë trupin tuaj, jo gjëra që do ta lëndojnë apo dëmtojnë atë. Shijojini me mirënjohje gjërat e shumta të mira që Perëndia ka siguruar. Mbajeni mend se alkooli, duhani, kafeja, çaji, drogat dhe substancat e tjera të dëmshme nuk janë për trupin tuaj ose shpirtin tuaj. Madje edhe substancat ndihmëse, si ilaçet me recetë, mund të jenë shkatërruese nëse nuk përdoren siç duhet.

Mbajini të shenjta seksin dhe ndjenjat seksuale. Ato nuk duhet të jenë objekti i shakave apo argëtimit. Jashtë martesës midis një burri dhe një gruaje, është e gabuar të prekësh pjesët private, të shenjta të trupit të një personi tjetër, edhe nëse është i veshur. Në zgjedhjet tuaja se çfarë të bëni, shikoni, lexoni, dëgjoni, mendoni, afishoni ose shkruani, shmangiuni çdo gjëje që qëllimisht ngjall emocione epshore tek të tjerët ose te vetja. Kjo përfshin pornografinë në çdo formë. Nëse zbuloni që situatat ose veprimtaritë i bëjnë tundimet më të forta, shmangini ato. Ju e dini se cilat janë këto situata dhe veprimtari. Dhe nëse nuk jeni të sigurt, Shpirti, familja juaj dhe udhëheqësit tuaj mund t’ju ndihmojnë ta dini këtë. Tregojini Atit tuaj në Qiell se ju e nderoni dhe respektoni fuqinë e shenjtë për të krijuar jetë.

Jezu Krishti duke u menduar dhe duke u mbështetur te shkopi i vet

Bekimet e Premtuara

Respekti juaj për veten dhe të tjerët do të rritet kur e nderoni trupin tuaj nëpërmjet sjelljes, pamjes dhe veshjes suaj.

Zoti u ka premtuar thesare të mëdha njohurie atyre që e zbatojnë Fjalën e Urtësisë. Një trup i shëndetshëm, i lirë nga varësia, rrit gjithashtu aftësinë tuaj për të marrë zbulesë vetjake, për të menduar qartë dhe për t’i shërbyer Zotit.

Të jetuarit e ligjit të dëlirësisë sjell miratimin e Perëndisë dhe fuqi vetjake shpirtërore. Ai ju mbron ju dhe familjen tuaj të ardhshme. Kur të martoheni, ky ligj do të sjellë dashuri, mirëbesim dhe unitet më të madh në martesën tuaj. Bindja ndaj këtij ligji do të bëjë të mundur që ju të përparoni përjetësisht dhe të bëheni më shumë si Ati juaj Qiellor. Vetëbesimi juaj do të rritet ndërsa jetoni si një dishepull i Jezu Krishtit.

Pyetje dhe Përgjigje

Cili është standardi i Zotit për veshjen, përkujdesin për paraqitjen e jashtme, tatuazhet dhe shpimet? Standardi i Zotit është që ju ta nderoni shenjtërinë e trupit tuaj, edhe kur kjo do të nënkuptojë që të jeni të ndryshëm nga njerëzit e tjerë. Lejojini këtë të vërtetë dhe Shpirtin që të jenë udhërrëfyesit tuaj ndërsa merrni vendime, veçanërisht vendime që kanë efekte të përhershme në trupin tuaj. Jini i/e urtë e besnik/e dhe kërkoni këshilla nga familja dhe udhëheqësit tuaj.

Si mund t’i kapërcej tundimet dhe zakonet e këqija? Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë fuqinë që t’ju ndihmojnë. Mbusheni jetën tuaj me gjëra që e ftojnë fuqinë e Tyre në jetën tuaj, të tilla si lutja, studimi i shkrimeve të shenjta dhe shërbimi ndaj të tjerëve. Drejtohuni te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij dhe do të zbuloni se dobësitë mund të bëhen anë të forta. Kërkoni ndihmë nga familja, udhëheqësit dhe këshilluesit profesionistë sipas nevojës. Ata mund t’ju ndihmojnë të rifitoni kontrollin e jetës suaj. Mund të kërkojë kohë, prandaj jini i/e duruar dhe mos u dorëzoni kurrë.

Unë kam tërheqje ndaj njerëzve të së njëjtës gjini. Si gjejnë zbatim këto standarde për mua? Të ndiesh tërheqje ndaj së njëjtës gjini nuk është mëkat. Nëse i keni këto ndjenja dhe nuk i ndiqni apo nuk veproni sipas tyre, ju po e jetoni ligjin e shenjtë të Atit Qiellor për dëlirësinë. Ju jeni një fëmijë i dashur i Perëndisë dhe një dishepull i Jezu Krishtit. Mbani mend se Shpëtimtari e kupton gjithçka që ju përjetoni. Nëpërmjet lidhjes suaj besëlidhëse me Të, ju do të gjeni forcë për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë dhe për të marrë bekimet që premton Ai. Mirëbesojini Atij dhe ungjillit të Tij.

U keqtrajtova dhe ndiej turp. A jam fajtor/e për mëkatin? Jo. Të qenit viktimë e çfarëdolloj keqtrajtimi apo sulmi nuk ju bën fajtor/e për mëkatin. Shpëtimtari ju do. Ai është forca juaj. Ai dëshiron t’ju ndihmojë, t’ju shërojë dhe t’ju japë paqe. Këshilluesit profesionistë, pjesëtarët e familjes suaj dhe udhëheqësit tuaj tek të cilët mirëbesoni, gjithashtu mund të ndihmojnë.

Shihni te Zanafilla 1:27 (ne jemi sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë); Gjoni 14:18 (Shpëtimtari premton ngushëllim); Filipianëve 4:7 (paqja e Perëndisë ia tejkalon zgjuarsisë); Mosia 2:41 (ata që i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë, bekohen materialisht dhe shpirtërisht); Doktrina e Besëlidhje 88:15 (shpirti dhe trupi janë fryma); 89 (Fjala e Urtësisë); 121:45 (mendimet e virtytshme çojnë në rritje të vetëbesimit).

Pyetjet për Rekomandimin e Tempullit

  • Zoti ka thënë se të gjitha gjërat do të “bëhe[n] … në pastërti” përpara Tij (Doktrina e Besëlidhje 42:41). A përpiqeni fort për pastërti morale në mendimet dhe sjelljen tuaj?

  • A i bindeni ligjit të dëlirësisë?

  • A e kuptoni dhe i bindeni Fjalës së Urtësisë?