Rinia
4. Jezu Krishti do t’ju ndihmojë


Jezu Krishti

4.

Jezu Krishti do t’ju ndihmojë

Psalmeve 147:3

Jezu Krishti është forca juaj. Ai ka bërë gjithçka të nevojshme që ju të keni gëzim në këtë jetë dhe përgjithmonë. Duke zgjedhur Atë dhe ungjillin e Tij, ju po zgjidhni lumturinë dhe gëzimin e përjetshëm.

Edhe kur përpiqeni të bëni më të mirën për të bërë zgjedhje të mira, nganjëherë do të bëni gabime. Do të bëni gjëra që do të dëshironit të mos i kishit bërë. Çdo njeri bën gabime. Kur ndodh kjo, është e lehtë të ndiheni të shkurajuar apo ta pyetni veten a do të jeni ndonjëherë mjaftueshëm të mirë. Por ka një lajm të mirë, një lajm të mrekullueshëm, shpresëdhënës! Për shkak se Perëndia ju do, Ai dërgoi Birin e Tij, Jezu Krishtin, i cili mori mbi Vete mëkatet tuaja që ju të mund të pendoheni, të merrni falje dhe të vazhdoni të përparoni.

Të Vërtetat e Përjetshme

Jezu Krishti do t’ju forcojë. Ai do t’ju ndihmojë që t’i ndryshoni dëshirat tuaja, mendimet tuaja dhe veprimet tuaja. Kur jeni të shqetësuar, të frikësuar apo duke u munduar në ndonjë mënyrë, Ai do t’ju ngushëllojë. Ai do t’ju ndihmojë në të gjitha aspektet e jetës suaj. Ju mund t’i mirëbesoni Atij.

Pendimi nuk është ndëshkim për mëkatin; është mënyra se si Shpëtimtari na çliron nga mëkati. Të pendohesh do të thotë të ndryshosh – të largohesh nga mëkati dhe të kthehesh drejt Perëndisë. Do të thotë të përmirësohesh dhe të marrësh falje. Ky lloj ndryshimi nuk është një ngjarje që ndodh vetëm një herë; është një proces i vazhdueshëm.

Ftesat

Bëjeni Jezu Krishtin përqendrimin e jetës suaj. Kërkoni ndihmën e Tij në gjithçka që bëni.

Pendohuni. Drejtohuni te Zoti me dëshirë për t’u përmirësuar. Kur keni bërë diçka të gabuar, pranojeni atë me ndershmëri përpara Perëndisë dhe, sipas nevojës, përpara peshkopit tuaj dhe kujtdo që mund ta keni lënduar. Bëni më të mirën për t’i bërë gjërat siç duhet.

Gëzohuni me dhuratën për të bërë më mirë dhe për të qenë më të mirë. Edhe kur nuk është e lehtë dhe do më shumë kohë nga sa do t’ju pëlqente, mos ndaloni kurrë së përpjekuri. Vazhdoni të punoni dhe t’i mirëbesoni Zotit. Ai do t’ju ndihmojë në çdo hap të udhës.

Jezusi i ulur te pusi me një grua samaritane

Bekimet e Premtuara

Ati Qiellor do t’ju falë dhe do t’ju shërojë kur pendoheni. Ai do ta zëvendësojë fajin tuaj me paqe dhe gëzim. Ai nuk do t’i kujtojë më mëkatet tuaja. Jezu Krishti është forca juaj dhe, me forcën e Tij, do t’ju shtohet dëshira për t’i zbatuar urdhërimet e Tij.

Ai do t’jua ndryshojë zemrën dhe jetën. Pak nga pak, ju do të rriteni dhe do të bëheni më shumë si Ai.

Pyetje dhe Përgjigje

Si ta di se Perëndia më ka falur? Perëndia premton se do t’i falë ata që pendohen. Kur ndieni ngushëllim nga Shpirti, mund ta dini se fuqia shëlbuese e Shpëtimtarit po vepron në jetën tuaj.

Kur kam nevojë për ndihmën e peshkopit që të pendohem? Peshkopi juaj mban çelësat e priftërisë dhe ka dhuratat shpirtërore për t’ju ndihmuar që të pendoheni. Ju mund ta kërkoni ndihmën dhe këshillën e tij në çdo kohë. Nëse keni bërë gabime të rënda, të tilla si shkelja e ligjit të dëlirësisë, takohuni me peshkopin tuaj. Ai nuk do t’ju dënojë. Ai është një përfaqësues i Jezu Krishtit dhe do t’ju ndihmojë të dini se si të pendoheni plotësisht dhe të merrni fuqinë shëruese dhe forcuese të Shpëtimtarit.

Po përpiqem të pendohem, por vazhdoj të bëj të njëjtat gabime. Çfarë duhet të bëj? Mos hiqni dorë. Kthehuni drejt Krishtit dhe vendoseni besimin tuaj tek Ai. Hiri i Tij është i mjaftueshëm. Provojeni përsëri. Nuk jeni kurrë të vetëm në përpjekjet tuaja për të përparuar. Jezu Krishti është gjithmonë me ju.

Shihni tek Enos 1:6 (faji mund të fshihet); Mosia 4:3 (përmes Frymës së Shenjtë, Perëndia ju bën të ditur se jeni falur); 26:30 (Shpëtimtari fal po aq shpesh sa pendohemi); Ethëri 12:27 (hiri i Shpëtimtarit mund t’i bëjë të forta gjërat e dobëta); Moroni 6:8 (ata që pendohen, falen); 10:32 (jini të përsosur në Krisht); Doktrina e Besëlidhje 1:32 (Zoti i fal ata që pendohen); 58:42–43 (pendimi përfshin rrëfimin dhe braktisjen e mëkatit).

Pyetjet për Rekomandimin e Tempullit

  • A keni një dëshmi për Shlyerjen e Jezu Krishtit dhe për rolin e Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi juaj?

  • A ka mëkate të rënda në jetën tuaj që nevojitet të zgjidhen me autoritetet e priftërisë si pjesë e pendimit tuaj?