Rinia
1. Plani i Perëndisë është për ju


Krishti duke ecur nëpër një fushë

1.

Plani i Perëndisë është për ju

Alma 22:13

Përpara se të vinit në tokë, ju jetuat me prindërit tuaj qiellorë. Ju jeni fëmija i tyre i dashur. Në qiell, ju mësuat rreth planit të Perëndisë për familjen e Tij. Ju e pranuat këtë plan plot gëzim sepse do t’ju ndihmonte të rriteshit dhe të përparonit që të bëheshit më shumë si Perëndia duke marrë një trup fizik, duke qenë pjesë e një familjeje tokësore dhe duke përjetuar jetën në tokë. Disa prej këtyre përvojave do të ishin të vështira. Ati ynë e dinte këtë prandaj, si pjesë e planit të Tij, Ai dërgoi një Shpëtimtar, Jezu Krishtin, për t’ju ndihmuar. Ne e quajmë këtë plani i shpëtimit ose plani i lumturisë.

Të Vërtetat e Përjetshme

Ati Qiellor është autori i planit. Ai është Ati i shpirtit tuaj dhe Ai ju do. Ai dëshiron t’ju japë bekimin e Tij më të madh, jetën e përjetshme me Të. Me fjalë të tjera, Ai dëshiron që ju të bëheni më shumë si Ai dhe të jetoni jetën e gëzueshme e të lavdishme që jeton Ai. Ai ka gjithë fuqinë dhe i di të gjitha gjërat. Mund t’i mirëbesoni Atij, edhe kur jeta është e vështirë.

Jezu Krishti e bën të mundur planin. Përpara se të krijohej bota, Ati Qiellor e zgjodhi Atë që të ishte Shpëtimtari juaj. Jezu Krishti është i vetmi që mund t’ju kthejë drejt Atit tuaj në Qiell. Kjo është arsyeja përse zgjedhim që ta ndjekim Atë. Çdo gjë varet nga ajo zgjedhje.

Martesa dhe familja janë thelbësore në planin e Perëndisë. Ju jeni pjesë e familjes së Perëndisë dhe të gjithë fëmijët e Tij shpirtërorë vijnë në tokë nëpërmjet një nëne dhe një babai. Perëndia dëshiron që bijat dhe bijtë e Tij të përparojnë së bashku drejt përsosjes së përjetshme. Burrat dhe gratë bëjnë secili pjesën e vet në mënyrë të barabartë për një martesë me dashuri e me unitet. Jeta familjare këtu në tokë, madje me tërë papërsosuritë e saj, mund të sjellë gëzim të madh. Ajo ka për qëllim që t’ju ndihmojë të përgatiteni për jetën e përjetshme me Perëndinë.

Ftesat

Mbani një këndvështrim të përjetshëm. Kurdoherë që përballeni me tundime, sprova, zhgënjime ose zgjedhje të vështira, sillni ndërmend planin e Perëndisë. Kuptoni se si të vërtetat e përjetshme që i dini rreth planit të Tij, mund t’ju ndihmojnë t’i shihni ndryshe sfidat tuaja.

Kërkojeni dorën e Perëndisë në jetën tuaj. Dallojini mënyrat se si Perëndia po ju bekon. Mund të jetë një veprim i mirë nga dikush, një çast paqeje ose një përgjigje ndaj lutjes.

Zgjidhni që ta ndiqni planin e Perëndisë. Mësoni rreth asaj që Ati juaj Qiellor dëshiron që ju të bëni. Kërkojeni udhërrëfimin e Tij teksa i studioni shkrimet e shenjta, fjalët e profetëve të gjallë, proklamatën mbi familjen dhe bekimin tuaj patriarkal. Kjo do t’ju ndihmojë të përgatiteni për t’i shërbyer Zotit, si misionar ose misionare dhe gjatë gjithë jetës suaj. Bëjeni shërbimin ndaj Zotit, martesën e përjetshme dhe rritjen e fëmijëve një përparësi të lartë. Bëni pjesën tuaj që të keni një familje të lumtur tani duke ndjekur mësimet e Jezu Krishtit.

Jezu Krishti duke ecur në një fushë me bar, duke rrezatuar

Bekimet e Premtuara

Ju mund të përballeni me sprovat e jetës me guxim e shpresë te Krishti. Ngaqë keni njohuri rreth planit të përjetshëm të Perëndisë, keni një mjet të vlefshëm që mund t’ju ndihmojë gjatë kohëve të vështira. Ju e dini se jeta është më shumë sesa ajo që ndodh nga lindja e deri në vdekje. Ju e dini se kush jeni vërtet, cili është qëllimi juaj dhe kush mund të bëheni me ndihmën e Shpëtimtarit. Jezu Krishti është forca juaj!

Ju mund të merrni jetë të përjetshme ndërkohë që ndiqni Jezu Krishtin. Ai do t’ju japë fuqi që të bëheni më shumë si Ai, të ktheheni te prindërit tuaj qiellorë dhe të jetoni në gëzim me njerëzit tuaj të dashur përjetësisht. Mirëbesojini Jezu Krishtit.

Pyetje dhe Përgjigje

Pse jeta ndonjëherë është kaq e vështirë? Si mund të gjej forcë? Përvojat tuaja në këtë jetë, madje ato më të vështirat, mund të jenë për të mirën tuaj. Ato mund t’ju ndihmojnë të rriteni dhe të përparoni teksa drejtoheni te Shpëtimtari. Nuk ka asgjë nga ajo që po kaloni, që Jezu Krishti nuk e kupton për shkak të flijimit të Tij shlyes. Ai e di saktësisht se si t’ju ndihmojë. Përqendrojeni jetën tuaj tek Ai dhe Ai do t’ju lartësojë mbi tërë dyshimet dhe frikën.

Nganjëherë, ideja e lumturisë në familje dhe martesë duket tejet larg. Si mund të gjej vetëbesim? Cilado qoftë situata juaj, mos hiqni dorë nga plani i Atit Qiellor. Ai nuk do të heqë dorë prej jush. Nëse jeni besnik ndaj Shpëtimtarit dhe besëlidhjeve tuaja, ju do të gjeni përgjigje te mësimet e Jezu Krishtit. Ai e kupton gjithçka që ju përjetoni. Nëpërmjet Tij, do të fitoni forcë për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë dhe për të marrë bekimet që premton Ai. Mirëbesojini Atij dhe ungjillit të Tij.

Shihni te 2 Nefi 9:13 (sa i madh është plani i Perëndisë tonë!); Mosia 2:41 (ata që i zbatojnë urdhërimet, mund të jetojnë me Perëndinë në një gjendje lumturie të pafund); Alma 12:28–34 (Perëndia ua bëri të ditur planin e shëlbimit fëmijëve të Tij); Abraham 3:22–26 (plani i Perëndisë përfshiu dërgimin tonë në tokë, ku mund të zgjidhnim për veten tonë që t’i ndiqnim urdhërimet e Tij).

Pyetja për Rekomandimin e Tempullit

  • A keni besim dhe një dëshmi për Perëndinë, Atin e Përjetshëm; Birin e Tij, Jezu Krishtin; dhe Frymën e Shenjtë?