Rinia
3. Ju mund të ndihmoni për veprën e Perëndisë


Jezu Krishti duke i vëzhguar dhe duke u kujdesur për delet e Tij.

3.

Ju mund të ndihmoni për veprën e Perëndisë

Moisiu 1:39

Ati Qiellor i do të gjithë fëmijët e Tij. Ai dëshiron t’i ndihmojë ata të gjejnë lumturi dhe gëzim, të kthehen tek Ai dhe të marrin jetë të përjetshme. Kjo quhet vepra e Tij për shpëtimin dhe ekzaltimin dhe Ai ju fton të ndihmoni.

Të Vërtetat e Përjetshme

Vepra dhe lavdia e Perëndisë është të bëjë të ndodhë pavdekësia dhe jeta juaj e përjetshme. Pavdekësia është të jetojmë përgjithmonë me një trup të ringjallur. Jeta e përjetshme, ose ekzaltimi, është të bëhemi më shumë si Perëndia dhe të jetojmë me Të përjetësisht si familje. E gjitha kjo është e mundur për shkak të Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij. Ju mund t’i mirëbesoni Atij.

Ju mund të ndihmoni për veprën e Perëndisë duke ardhur te Krishti dhe duke i ndihmuar të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Kurdoherë që bëni diçka për të ndihmuar dikë që të ndjekë Jezu Krishtin, ju po ndihmoni për veprën e Perëndisë.

Ftesat

Jetojeni ungjillin. Ndërtojeni besimin tuaj te Jezu Krishti. Pendohuni çdo ditë. Merrini ordinancat e priftërisë së Perëndisë dhe mbajini besëlidhjet tuaja. Bëjeni atë modelin e gjithë jetës suaj në vazhdim.

Përkujdesuni për njerëzit nevojtarë. Gjeni mënyra për të shërbyer dhe për t’u dhënë shërbesë të tjerëve, përfshirë familjes suaj, miqve tuaj dhe komunitetit tuaj. Një mënyrë e shkëlqyer për t’i ndihmuar njerëzit nevojtarë, është t’i bindemi ligjit të agjërimit dhe të japim ofertat e agjërimit.

Ftojini të gjithë që ta pranojnë ungjillin. Lërini fjalët dhe veprimet tuaja të pasqyrojnë besimin tuaj te Jezu Krishti. Jini gati t’i tregoni kujtdo që ju pyet, për shpresën dhe lumturinë që ndieni si dishepull/e i/e Tij. Për të rinjtë, shërbimi në një mision kohëplotë është një përgjegjësi e priftërisë. Për të rejat, është një mundësi e fuqishme; lutuni për të ditur a do të donte Zoti që ju të shërbeni. Përgatituni ta shpërndani ungjillin gjatë gjithë jetës suaj.

Bashkojini familjet për përjetësinë duke bërë historinë familjare dhe punën në tempull. Mësoni për paraardhësit tuaj. Zbuloni se kush ka nevojë për ordinancat e tempullit. Shkoni në tempull sa më shpesh të mundeni për t’u pagëzuar dhe konfirmuar për ta. Nëse keni nevojë për ndihmë, shkoni te FamilySearch.org.

Jezu Krishti duke dhënë shërbesë në kontinentin amerikan

Bekimet e Premtuara

Ju do të keni ndihmën e Perëndisë. Ati Qiellor nuk pret që ju ta bëni këtë punë vetë. Ai është me ju. Kur i ofroni me përulësi kohën dhe zemrën tuaj, Ai do të bëjë gjëra të mahnitshme nëpërmjet jush. Jezu Krishti është forca juaj!

Ju do të mbusheni me gëzim. Vepra e Perëndisë është një vepër plot gëzim. Ndërsa merrni pjesë në të, ju mund të ndieni gëzimin që ndien Ai. Përfytyroni gëzimin që do të ndani me Atin Qiellor dhe fëmijët e Tij të cilët i ndihmuat të vinin tek Ai.

Pyetje dhe Përgjigje

A mund të më përdorë Perëndia me të vërtetë në veprën e Tij? Po! Ka mënyra të shumta për të ndihmuar për veprën. Mund të duket sikur njerëz të tjerë janë më të talentuar ose më të zotë, por Ati juaj Qiellor e sheh potencialin tuaj. Ai ju ka dhënë dhurata që mund t’i përdorni për të shërbyer dhe për të mbledhur fëmijët e Tij. Nuk ka problem nëse këto dhurata janë të ndryshme nga ato që kanë njerëzit e tjerë. Në fakt, kjo është arsyeja përse dhuratat tuaja janë kaq të vlefshme. Ju jeni i/e nevojshëm/shme!

Shihni te Mateu 10:39 (nëse e humbisni jetën tuaj në shërbim të Shpëtimtarit, ju do ta gjeni atë); 1 Korintasve 12:14–27 (të gjitha gjymtyrët janë të nevojshme në trupin e Krishtit); Filipianëve 1:6 (kini vetëbesim se Perëndia po punon brenda jush); Jakobi [LiM] 5:72 (Zoti i vreshtit punon me ju); Doktrina e Besëlidhje 18:15–16 (gëzimi juaj do të jetë i madh me ata që i sillni te Krishti); 64:33–34 (një vepër e madhe vjen nga gjëra të vogla dhe të thjeshta); Moisiu 1:6 (“Unë kam një punë për ty”); 6:31–34 (Perëndia i kualifikon ata që Ai i thërret, madje edhe kur ndihen të papërshtatshëm).

Pyetja për Rekomandimin e Tempullit

  • A keni një dëshmi për Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit?