I Shall Not Want [Asgjë Nuk do të më Mungojë], nga Yongsung Kim. Me mirësinë e Havenlight
5.
Ecni në dritën e Perëndisë
Galatasve 5:25
Ju bëni zgjedhje më të mira kur mund t’i shihni gjërat qartë. Kjo është arsyeja pse drita është kaq e rëndësishme; drita e bën më të lehtë për të parë shtegun e duhur. Ati Qiellor ju ka dhënë të drejtë përdorimi të një burimi hyjnor të dritës, dhuratën e Frymës së Shenjtë, për t’ju ndihmuar të shihni qartë se çfarë është e mirë dhe e keqe, e drejtë dhe e gabuar.
Të Vërtetat e Përjetshme
Ju mund ta keni Frymën e Shenjtë si shoqërues të vazhdueshëm. Kur u konfirmuat anëtar/e i/e Kishës, ju u ftuat të “merrni[t] Frymën e Shenjtë”. Mundësia për të pasur Shpirtin si shoqëruesin tuaj të vazhdueshëm është njëra nga dhuratat më të mëdha të Perëndisë për ju.
Bërja e zgjedhjeve të mira e përmirëson aftësinë tuaj për ta ndier Shpirtin. Ka shumë gjëra të mira dhe të shëndetshme në këtë botë. Ashtu si trupi juaj ndikohet nga ajo që hani dhe pini, mendja dhe shpirti juaj ndikohen thellësisht nga ato që lexoni, shikoni e dëgjoni.
Ftesat
Gjeni kohë për Zotin çdo ditë. Mësoni për Të. Kujtojeni gjithmonë Atë. Lutjuni Atit tuaj Qiellor. Studiojini shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë. Më pas, përpiquni fort që të jetoni sipas asaj që mësoni.
Kërkojeni atë që e lartëson, e frymëzon dhe e fton Shpirtin. Ndërsa bëni zgjedhje se çfarë të shikoni, lexoni, dëgjoni ose në çfarë të merrni pjesë, mendoni se si ju bën të ndiheni. A ju fton mendime të mira? Qëndroni larg çdo gjëje që tallet me gjërat e shenjta ose është e pamoralshme. Mos merrni pjesë në ndonjë gjë që e turbullon gjykimin ose ndjeshmërinë tuaj ndaj Shpirtit, të tilla si dhuna, alkooli dhe drogat e dëmshme. Kini guximin të fikni një material filmik ose lojë, të dilni nga një shfaqje filmi ose mbrëmje vallëzimi, të ndryshoni muzikën tuaj ose të largoheni nga çdo gjë që nuk është në përputhje me Shpirtin.
Përdorini mediat shoqërore për të lartësuar moralisht. Mediat shoqërore mund të jenë një mjet i fuqishëm komunikimi. Nëse i përdorni, përqendrohuni te drita, besimi dhe e vërteta. Mos e krahasoni jetën tuaj me atë që njerëzit e tjerë duket se po përjetojnë. Mos harroni se vlera juaj vjen nga të qenit fëmijë i prindërve qiellorë, jo nga mediat shoqërore.
Kërkoni përvoja të shëndetshme dhe marrëdhënie reale e të qëndrueshme. Kini kujdes që përdorimi nga ana juaj i teknologjisë dhe mediave të mos e zëvendësojë kohën që kaloni fizikisht me familjen dhe miqtë tuaj. Mediat shoqërore dhe teknologji të tjera mund të marrin shumë nga koha juaj pa ju dhënë si shkëmbim vlerë të madhe. Bëni një shkëputje nga bota virtuale dhe lidhuni me njerëz në jetën reale.
Bekimet e Premtuara
Ju mund ta keni gjithmonë Shpirtin me vete. Ky premtim është pjesë e besëlidhjes që bëni çdo herë që merrni sakramentin. Shpirti do t’ju japë dëshmi për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Ai do t’ju ngushëllojë, udhërrëfejë, paralajmërojë dhe shenjtërojë. Ai do t’ju ndihmojë të dalloni të vërtetën dhe të shikoni të mirën në botë.
Pyetje dhe Përgjigje
Si mund ta di nëse po e ndiej Frymën e Shenjtë? Të mësuarit që të jeni të vetëdijshëm për Shpirtin, kërkon kohë, ushtrim e durim. Ai u flet njerëzve të ndryshëm në mënyra të ndryshme. Mos i anashkaloni gjërat e thjeshta, ndjenjën paqësore që merrni kur dëgjoni dëshminë e dikujt ose ndjenjën e parehatshme që ndieni pasi keni bërë një zgjedhje të gabuar. Hulumtojini shkrimet e shenjta për mënyrat e ndryshme se si komunikon Shpirti, lutuni për të dhe vazhdoni të kërkoni mundësi për ta ndier Shpirtin.
Çfarë është pornografia? Përse duhet ta shmang atë? Pornografia është një paraqitje, me figura apo fjalë, e krijuar që të ngjallë ndjenja seksuale. Pornografia vjen në shumë forma, përfshirë materialet filmike, figurat, librat, lojërat dhe muzikën. Mund të ketë gjithashtu mesazhe ose imazhe që dërgohen ndërmjet miqve. Pornografia nuk i trajton me respekt gjërat që janë të shenjta, si trupat tanë fizikë dhe ndjenjat tona seksuale. Ju mund të ndesheni me pornografinë pa dashur. Nëse e ndeshni pornografinë, me qëllim ose jo, largohuni menjëherë. Nëse dëshironi, gjithashtu mund të flisni me një prind ose një të rritur tjetër të mirëbesuar. Shikimi i qëllimshëm i pornografisë është mëkatar dhe e dëmton aftësinë tuaj për ta ndier Shpirtin. Ai e dobëson vetëkontrollin tuaj dhe e shtrembëron mënyrën se si i shihni veten dhe të tjerët. Jezu Krishti ka fuqinë që t’ju ndihmojë për t’i bërë ballë pornografisë dhe që të pendoheni. Kthehuni drejt Tij dhe largohuni nga errësira. Peshkopi juaj mund t’ju ndihmojë të merrni forcë dhe falje nëpërmjet Shpëtimtarit. Jezu Krishti është forca juaj!
Shihni te Psalmeve 119:105 (Fjala e Perëndisë është si një dritë në shtegun tonë); Amos 5:14 (kërkoni të mirën); Galatasve 5:22–23 (frytet e Frymës); Moroni 7:18–19 (drita e Krishtit); Doktrina e Besëlidhje 6:23 (Zoti flet paqe); 20:77, 79 (lutjet e sakramentit).
Pyetja për Rekomandimin e Tempullit
-
Zoti ka thënë se të gjitha gjërat do të “bëhe[n] … në pastërti” përpara Tij (Doktrina e Besëlidhje 42:41). A përpiqeni fort për pastërti morale në mendimet dhe sjelljen tuaj?